LUAN ALIU: VETËREKLAMIMI DHE GËNJESHTRAT

(Gjilan, 02 mars 2012) – Reagim ndaj shkrimit të Sabri Maxhuni Novosella me titull “Letër e hapur Albin Kurtit dhe Vetëvendosje!-s së tij” botuar në gazetën EPOKA E RE më datë 17 JANAR 201. Arsyeja që kë shkrim po e shkruaj me vonesë është se nuk e kam lexuar këtë shkrim deri dje. Rastësisht një ish koleg i imi dhe punëtor i juaji z. Novosella më tregoi për këtë shkrim. Prandaj më duhet që t’i sqarojë disa gjëra, jo për ju z Novosella, por për lexuesit. Në letrën e hapur të cilën ju z. Sabri Novosella ia keni drejtuar Albin Kurtit më datën 17 janar 2012, më kanë bërë përshtypje dy gjëra, me të cilat jeni shërbyer ju: vetëreklamimi dhe gënjeshtra.
Mendoj se nuk ka asgjë të keqe që i keni bërë reklamë prodhimeve tuaja dhe pasurisë që e ke fituar gjatë këtyre 45 viteve të veprimtarisë sate atdhetare. Edhe pse kjo auto reklamë i ngjan disi krekosjes së atyre djemve të ri që nuk ua mbushin syrin vajzave që i dashurojnë, e defektet i kompensojnë me të bamat dhe kamat e tyre. Megjithatë çdo respekt për kontributin në sferën e prodhimit vendor dhe punësimit, me kusht që ato të jenë në përputhje me ligjin.
Nuk do të të shkruaja sikur të mos isha protagonist në shkrimin tuaj. Nuk ma ke përmendur emrin në atë shkrim por për hirë të opinionit publik, dua që lexuesit ta kuptojnë që unë jam punëtori i larguar nga puna të cilin ju e keni përmendur në shkrim.
Nuk po e kuptoj z. Novosella, pse në këtë letër jeni shërbyer me të pavërteta? Mua më keni larguar nga puna para një viti e jo pas protestave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në kufi. Nuk është e vërtetë se unë kam munguar nga puna për të marrë pjesë në protesta. Ju e dini shumë mirë që disa mungesa që i kam pas, kam marrë leje pikërisht nga ju. Arsyeja pse kam munguar nuk ka qenë për të marrë pjesë në protesta por për një vizitë që e kam pasur jashtë vendit. Për këtë kam marrë pushim pa pagesë. Edhe kur kam munguar ndonjëherë e kam bërë në marrëveshje me kolegët të cilët më kanë zavendësuar. Ata, pra kolegët, më kanë përkrahur vazhdimisht dhe asnjëherë nuk ka mbetur puna keq. Nëse dikush ka qenë i padrejtë, ai keni qenë ju z Novosella. Pas pushimit sezonal në të cilin kemi qenë disa punëtorë që të gjithë janë kthyer në punë përpos meje. Për më keq në punë keni marrë edhe punëtorë të tjerë të cilët nuk kanë punuar më herët. Mua më keni thënë se duhet të prisni sepse ne ju thërrasim kur të kemi nevojë. Në atë kohë nuk e kuptoja arsyen se pse unë mbeta pa punë sepse përkushtimin dhe përgjegjshmërinë time në punë e dijnë të gjithë punëtorët por edhe ju z. Novosella. Të vërtetën nuk ma the në sy asnjëherë, atë e lexova në shkrimin tuaj drejtuar Albin Kurtit. Arsyeja se pse unë nuk punoj më në kompaninë tuaj është urrejtja e hapur që ju e shfaqni për Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Refuzimi i VETËVENDOSJE!-s për t’u vënë në shërbimin tuaj, që me protestat e saj ju t’i merrni në shfrytëzim tokat, që nuk janë tuajat, paska qenë motivi për të më larguar nga puna. Pse nuk u bëre burrë e të mi thoje në sy këto fjalë z. Novosella.
Protestat e organizuara nga Lëvizja VETËVENDOSJE! më 14 dhe 22 janar në Merdarë dhe në Dheun e Bardhë kanë qenë plotësisht paqësore. Ndërhyrja e policisë më 14 janar ka ndodhur pas urdhërave politik të Qeverisë z. Novosella. Këtë më së miri e dëshmon protesta e 22 janarit e cila nuk kishte asnjë dallim nga ajo e 14 janarit. Policia me 14 janar ndërhyri kundër protestuesve paqësorë edhe pse ata ishin të ulur. Reagimi i disa protestuesve, me hudhje të ndonjë guri, ka ardhur pas intervenimit shumë brutal të policisë ndaj protestuesve plotësisht paqësorë. Protestuesit nuk ishin të dhunshëm ndaj policisë por përkundrazi aty u ushtrua dhunë ndaj qytetarëve, bile edhe ndaj deputetëve. Këtë dhunë e dëshmuan edhe shumë organizata vendore e ndërkombëtare që mirren me të drejtat dhe liritë e njeriut.

Konstatimi se VETËVENDOSJE! po i sulmon frontalisht ndërkombëtarët është e pavërteta e radhës në letrën tuaj. Ne jemi për partneritet me ndërkombëtarët që duhet të rezultoj me përfitime reciproke. E vërtetë është se jemi kundër servilitetit nga i cili fitojnë individët e humb Kosova.
Kosova është vend i vogël për të mos e njohur “luftën” e secilit prej nesh, e sidomos të atyre që kanë “luftuar 45 vite” dhe rolin e tyre në atë luftë. Dihet se pjesën më të madhe të “luftës” ju e kani bërë larg Kosovës, në djepin e Perandorisë Osmane, në Stamboll, ku nuk ke qenë i syrgjynosur. Për interesa të atdheut tani e ke filluar luftën me një perandor tjetër “Filipin e Dytë” dhe komunat të cilat nuk po t’i japin tokat ty si shpërblim për luftën që e ke bërë për Kosovën apo për vete nuk e kam të çart.
Pavarësisht se çka mendoni ju z. Novosella për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për jetësimin e konceptit tonë politik, e që për Ju dhe shokët tuaj dikur ka qenë një nga parullat kryesore, pra, e drejta e popullit pë vetëvendosje. Por siç shihet ju këtë rrugë e keni lënë në gjysmë. Ne brezi i ri po e vazhdojmë këtë rrugë. Ky koncept secilën herë e më shumë po pranohet nga qytetarët e sidomos nga rinia.
Sa herë që kemi diskutuar rrethë qështjeve të ndryshme politike, që kanë pasur të bëjnë me vendin tonë, ju z.Novosella më keni thënë duke ma treguar pasaportën: “Çka do që të ndodhë për shkak të politikave të gabuara, unë do të shkoj në Suedi sepse jam shtetas i Suedisë”. Kjo më është dukur shumë shqetësuese sepse e kuptova që ty të interesonte vetëm pasuria dhe asgjë tjetër. Konceptin e vetëvendosjes dhe interesin e kombit tashmë veç e kishit braktisur. Sidomos këto fjalë, nuk do të duhej që të dilnin nga goja e juaj para një të riu. Ju e keni të zgjidhur problemin tuaj personal sepse duke e braktisur idealin edhe mund të shkoni në Suedi, por si do të veprojnë ata që nuk i kanë mundësitë e juaja. Si do të vepronin ata që sot jetojnë në varfëri të skajshme dhe pa asnjë perspektive? Sigurisht shumica nuk do të vepronin si ju. Dhe unë i ftojë që të mos veprojnë si ju. Unë i ftojë që të angazhohen që vendit tonë t’i kthehet përspektiva, dinjiteti e krenaria.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura