MALLKIMI I POLITIKANËVE QË U THONË “YES” NDËRKOMBËTARËVE

MALLKIMI I POLITIKANËVE QË U THONË “YES” NDËRKOMBËTARËVE

Nga Andi Bushati, Tiranë 10 Nëntor 2021

Pak ditë më parë, një politikan i lartë i LDK në Prishtinë, Arben Gashi, bëri një deklaratë sa të sinqertë po aq edhe të pështirë gjatë një debati televiziv. Kreu i grupit parlamentar të rugovistëve tregoi se partia e tij, atëherë pjesë e koalicionit me Vetëvendosjen, kishte marrë ultimatum nga diplomati kaubojs Rik Grenell, i dërguari special i Trump, për të rrëzuar qeverinë e Albin Kurtit.

Në një rrëfim, që nxjerr në pah më mirë se gjithçka tjetër mendësinë prej lakejsh të shumë prej politikanëve shqiptarë, Gashi tregoi edhe detaje sesi Grenelli u bënte presion krerëve të LDK-së: edhe 5, 4, 3 ditë u kanë mbetur për të përmbysur një kabinet të zgjedhur me votë popullore.

Sesi përfundoi kjo aventurë e shëmtuar, tashmë dihet. Diplomati amerikan me anë të presionit dhe shantazhit e realizoi misionin e tij për të përdorur politikën kosovare në vartësi të interesave meskine elektorale të republikanëve, qeveria Kurti 1 u rrëzua, por personazhet që u shfaqën në foto përkrah Grenellit dhe që propaganduan slloganin “nuk i thuhet jo Amerikës”, dolën nga dera e vogël e skenës politike. Vetëvendosja u rikthye në pushtet me dyfishin e votave.

Pak a shumë në të njëjtën kohë kur në Prishtinë debatohej mbi plagën së cilës i hoqi koren Arben Gashi, në Shkup, një beniamin i ndërkombëtarëve, kryeministri Zoran Zaev, dha në mënyrë të papritur dorëheqjen. Partia e tij LSDM humbi thellë besimin popullor në zgjedhjet lokale në Maqedoni, ndonëse kishte përkrahjen e patundur të perendimorëve, madje pranoi të ndryshonte edhe emrin e shtetit e simbolet e tij, vetëm për të qënë e pranueshme për ta.

Ndonëse në dukje pa lidhje me njëra tjetrën, këto dy episode nuk mund të mos jenë prezente në sfondin e asaj që po ndodh në Tiranë. Që prej shpalljes non grata të Sali Berishës nga SHBA dhe vendimit të turpshëm dhe të paprecedent të diplomatëve amerikanë për t’u bërë pjesë e lojrave brenda partiake në Shqipëri, Lulzim Bashës po i rrëshqet toka nën këmbë. Foltorja po i rrëmben dita- ditës më shumë, krejt bazën e partisë, duke e kthyer liderin e veshur papritmas me flamurin amerikan, në një dordolec qesharak në duart e pushtetit dhe të ambasadores.

Ashtu si Isa Mustafa, Avdullah Hoti e Agim Veliu në Prishtinë, që u zhdukën nga skena, vetëm se u sollën si kukulla të Grenellit, ndoshta si Zaevi që pranoi t’i ndryshojë emrin e vendit (ndonëse kjo nismë e përkrahur nga ndërkombëtarët nuk u miratua dot në referendum popullor), kreu i PD-së duket se po pëson të njëjtin fat.

Këto raste fatale, sado larg njëra- tjetrës të ngjajnë në plan të parë, janë të varura tek një fill i vetëm: tek injorimi që këto personazhe i kanë bërë frymës së njerëzve që i kanë zgjedhur dhe mospërfilljes që kanë treguar ndaj atyre që i kanë besuar.

Krerët e curufiapsur të LDK-së, ndonëse kishin marrë mandat për çkapjen e shtetit dhe për rrëzimin nga froni të banditëve të klanit pronto, u rekën t’i zhbënin këto përgjegjësi duke luajtur bllofin me detyrimin që shqiptarët kishin ndaj aleatit të madh që i çliroi nga zgjedha serbe. Zoran Zaevi shkoi në absurd, aq sa u propagandoi qytetarëve të vet, që ndiheshin të friksuar për zhbërjen e identitetit kombëtar, trashigimisë dhe kulturës, se ato forcoheshin duke e bërë Maqedoninë pjesë të NATO-s dhe BE. Lulzim Basha ndonëse, kur u kërkoi votën për kryetar, nuk u tha demokratëve se kishte ndërmend të përjashtonte Berishën, sot u fshihet atyre pas hipokrizisë, se e ndërmori një akt të tillë, jo ngaqë beson se SHBA ka të drejtë, por sepse e di se, pa fuqinë e tyre, nuk mund të merret pushteti.

Në fakt të treja këto histori, nuk kanë të bëjnë thjeshtë me fatin personal të Bashës, Zaevit apo Avdullah Hotit. Ato shprehin shpesh një mentalitet që po hedh rrënjë në elitat e korruptuara të vendeve si këto tonat. Ato dëshmojnë shpërfilljen e vullnetit të njerëzve të zakonshëm nga kasta e politikanëve, teknicienëve dhe vendimmarrësve, të cilët rreken të zëvendësojnë legjitimitetin e humbur brenda vendit të tyre, me gjoja të qenit të preferuarit e ndërkombëtarëve.

Fatkeqësisht ky shtrembrim, sa anti demokratik aq edhe elitist, nuk është një virus që ka lindur në Ballkan. Atë e kemi eksportuar nga Europa, e cila për ditë e më shumë po ndërtohet mbi mitin e dorëzimit të pushtetit që rrjedh nga vota e qytetarëve drejt sundimit meritokratik prej një kaste të përzgjedhur ekspertësh dhe specialistësh. Shembullin më flagrant për këtë e përbën fakti se ndonëse kushtetuta europiane u hodh poshtë me referendum nga zgjedhësit në 2005, në vende si Franca dhe Hollanda, mjaftuan pak vite për të shmangur votuesit dhe për të miratuar të gjitha parimet e rrëzuara përmes traktatit të ri të Lisbonës. Ky lloj anashkalimi i vullnetit popullor nga një BE gjithnjë e më shumë nën ndikimin e politikave neo liberale dhe peng të ligjeve të tregut, ka ulur ndjeshëm legjitimitetin e klasës politike tradicionale dhe ka tkurrur fuqinë e saj në raport me lëvizjet radikale dhe populiste, gjithmone e më shumë në ekspansion.

Pra, konkluzioni është i njëjtë, si në Bruksel, Paris apo Hagë, si në rajonin tonë apo në Tiranë: fati i politikanëve që zgjedhin të shpërfillin vullnetin e zgjedhësve të tyre, duke e transferuar atë në super struktura të pavotuara, do të jetë i keq. Herët apo vonë.

Përfundimet e këtyre eksperiencave nuk mund të na lënë të pandjeshëm edhe ne shqiptarëve, në kohën që në arenën tonë të brendëshme, ka shpërthyer debati, nëse i duhet besuar deri në absurd Amerikës, nëse kemi luksin për t’i thënë jo asaj edhe kur nuk na duket e drejtë, pasi po veprove ndryshe, e ke të pamundur të vish në pushtet.

Personalisht, unë nuk kam dilema. Në mendjen time jam i prirur t’i jap të drejtë një juristi të ndershëm, që më tregon disfatat dhe dështimet e reformës në drejtësi, sesa një zyrtari perëndimor që do të vazhdojë të ma shesë atë si histori suksesi, një gazetari që filmon në arat me kanabis, sesa ambasadorit të ShBA që lavdëron luftën e Saimir Tahirit kundër drogës, opinioneve të Venecias për mënyrën antikushtetuese që u zgjodhën mititantët e partisë në gjykatën kryesore të vendit, sesa komunikatës që e përkrah këtë shkelje, të dalë nga selia e rrugës së Elbasanit.

Por, kjo është zgjedhje që ka të bëjë me formimin, integritetin dhe besimin e gjithë secilit. Dikush i beson forcës së logjikës, ndërsa një tjetër logjikës së forcës.

Për të zgjidhur dilemën mes këtyre dy grupimeve, pyetja që duhet të shtrojmë sot është themelore: deri në ç’pikë mund të kërrusemi përpara kësaj të dytës? Deri në ç’limit mund të shkallmojmë arsyen, besimin, vullnetin tonë për t’u thënë “yes” ndërkombëtarëve, ambasadorëve dhe atyre që s’mbajnë asnjë përgjegjësi me votë për gafat që mund të shkaktojnë në këtë vend?

Natyrisht, që të shtrosh këtë pyetje, nuk të bën as domosdoshmërisht anti perendimor dhe as përfundimisht anti amerikan.

Synimi dhe qëllimi i këtij debati duhet të jetë tregimi me gisht i të gjithë sharlatanëve që duan të shmangin legjitimitetin popullor dhe vullnetin e shumicës, duke u sjellë si lakej të të huajit të radhës që i ka rënë rruga në këtë vend. Ata janë mbartësit e një virusi të dëmshëm për shoqërinë shqiptare. Ata janë predikuesit e nënshtrimit, frikës, çburrërimit të qytetarit aktiv. E keqja e tyre nuk është se marrin në qafë edhe ata që pretendojnë të mbrojnë, si në rastin e neveritshëm të Agim Veliut në Kosovë, apo atë fatkeq të Bashës në Shqipëri.

Dëmi i tyre është se tentojnë të prodhojnë një sistem ku vendimet e një kaste mbizotërojnë mbi votën e shumicës. Prandaj duhen denoncuar ata që bërtasin: “nuk i thuhet kurrë jo Amerikës”.

©Lapsi.al

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura