Zürich, 16. 03. 2015 – (Fjalë në promovim të librit “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës”, organizuar në Neuenhof të Zvicrës, më 15 mars 2015) – Të dashur bashkatdhetarë, Motra dhe vëllezër/ Ndiej kënaqësi të veçantë të jem përsëri midis jush, me një sebep të ngjashëm me atë kur shënuam 60-vjetorin e lindjes së veprimtarit të shquar dhe heroit tonë të madh, Kadri Zeka.
Është rregull që autorët të mos vlerësojnë veprën e tyre, por duke qenë se ne vetëm e kemi strukturuar librin, kurse autorët e vërtetë janë ata që kanë bërë shkrimet e tij, le të më lejohet të them pak fjalë për motivet e arsyet që na shtynë ta përgatisim atë, por edhe për vetë materialet.
Së pari, qëllim parësor për ta botuar këtë libër ishte që këtë lëndë voluminoze arkivore dhe dokumentare, të gjetur në bodrumet plot ujë të gjykatave, në arkiva shtetërorë e privatë, në thellësi të tokës e në puse të ujit, ta vëmë në dispozicion të studiuesve tanë dhe të huaj, në funksion të zgjerimit të studimeve shkencore për historinë tonë të re. Për më tepër, siç dihet, kjo periudhë e historisë sonë, pak është trajtuar shkencërisht. Dëshmitë historike dhe paraqitja objektive e zhvillimeve të kohës, mund t’u shërbejnë edhe autorëve të krijimtarisë artistike e letrare.
Së dyti, motiv për botimin e përmbledhjes ishte edhe vetë përmbajtja njohëse, edukuese, dokumentare dhe memoriale e këtyre shkrimeve programatike e statutare, politike e organizative, historike e letrare, ekonomike e shoqërore; shkrimeve në formë të letrave e trakteve, analizave e komenteve, thirrjeve e vështrimeve etj.
Së treti, nëpërmjet këtij libri kemi dashur të sjellim para brezave të sotëm, mendimin politik, kombëtar dhe shoqëror të Lëvizjes Kombëtare të viteve ‘70 të shekullit XX. Ajo dekadë e përparoi mendimin politik, e vuri në baza teorike, organizative e profesionale Lëvizjen, solli në jetën e saj konspiracionin e thellë e disiplinën e rreptë dhe shtypin klandestin të llojeve të ndryshëm.
Së katërti, këto shkrime janë shprehje dhe pasqyrim i edukimit patriotik, politik e moral të 40 autorëve që përfaqësojnë jo vetëm rreth 500 veprimtarë të Organizatës, por një rini të tërë të Kosovës së atyre viteve.
Së pesti, libri paraqet kontradiktat themelore e të mprehta politike e kombëtare të Kosovës së robëruar, të cilat ndonjëherë injorohen duke nxjerrë në plan të parë petkun ideologjik të këtyre materialeve, për ta vënë në kundërshti me sistemin e ideve të sotme demokratike. Por, historia nuk retushohet. Kontradikta bazë ishte midis regjimit pushtues, përpjekjeve kriminale të tij për ta përjetësuar robërimin e Kosovës dhe popullit shqiptar nën sundimin serb e jugosllav, rezistencës së tij të udhëhequr nga Lëvizja Kombëtare kundër errësirës dhe robërisë. Këto shkrime, brenda kombit dallojnë qartë edhe palët e kundërta të tij; veglat qorre të regjimit pushtues që majmeshin nga paratë e shpirtit të shitur, nga një anë edhe bijat e bijtë besnikë të popullit të vet që përkushtoheshin me tërë qenien për lirinë e tij, në anën tjetër të barrikadës. Në libër parakalojnë përfaqësuesit e dy botëve, njëra e së kaluarës, e kalbur e korruptuar deri në palcë dhe tjetra e së ardhmes, me shikim drejt horizonteve të lirisë, e gatshme për sakrifica e privacione.
Duke lexuar këto materiale lexuesi shqiptar do të imagjinojë kombin e tij të ndodhur para pasqyrës historike, përballë vetvetes, me ndjenjën e përgjegjësisë për të dalluar kategorinë kolaboracioniste, lëçitëse dhe kundër idealeve kombëtare, të asaj kaste individësh që i dilnin në pritë lirisë në rrugën e saj dhe kategorinë tjetër, shumicën dërmuese të popullit liridashës që po kacafytej dhëmb për dhëmb me armikun, për liri a vdekje. Duhet të shihemi në sy, jo për hakmarrje, jo për revansh, por për të vërtetën, për mbrojtjen e vlerave dhe për ruajtjen e pastërtisë së shpirtit e të moralit të kombit.
Së gjashti, libri padyshim përbën një rast dhe mundësi njohjeje të rrugës së vështirë nëpër të cilën ka kaluar liria jonë, lexuesit do të shohin gjakun e dëshmorëve dhe mundin e vuajtjet e brezave të tërë në themelet e saj. Duke njohur çmimin e lirisë, brezat do ta duan dhe çmojnë më shumë atë, do ta ruajnë e mbrojnë më mirë, do ta përparojnë e forcojnë me shembullin e atyre që e sollën.
Së shtati, materialet e librit paraqesin stadin e zhvillimit të Lëvizjes Kombëtare të kohës, e cila shënonte ngritje cilësore politike dhe organizative, shtrinte radhët në të gjitha trojet shqiptare të pushtuara e në të gjitha shtresat e shoqërisë dhe zgjeronte gamën e veprimtarisë në shumë drejtime. E liruar nga konceptet dhe praktikat sektare, anarkiste, oportuniste, por edhe terroriste, të cilat përshkonin jo pak lëvizje kombëtare e shoqërore të kohës gjithandej në botë, e papërlyer me shovinizmin, fashizmin, racizmin e ksenofobinë që karakterizonte regjimin pushtues, Lëvizja Kombëtare e Kosovës shquhej për pastërtinë e luftës, legjitimitetin e qëllimeve, drejtësinë dhe programin çlirimtar, humanist e demokratik.
Së teti, ky botim sjell në mënyrë të sintetizuar vlerat e traditës së Lëvizjes Kombëtare të kohës, të cilat po kultivoheshin e pasuroheshin në veprimtarinë e përditshme.
Materialet e këtij libri shkruheshin atëherë për të edukuar masat me frymën patriotike e luftarake, shkruheshin për t’i informuar qytetarët për gjendjen në të cilën ndodheshin Kosova dhe viset tjera shqiptare nën ish-Jugosllavinë, për nevojën e rezistencës popullore për ta dëbuar armikun nga trojet tona dhe për përcaktimin e fatit e të ardhmes kolektive nga vetë populli ynë, nëpërmjet të drejtës së tij legjitime për vetëvendosje. Kësaj rezistence duhej t’i prinin doemos, njerëz të virtyteve të larta njerëzore e kombëtare, të besës e guximit, të ndershmërisë e dijeve, të integritetit moral e përkushtimit, të privacioneve familjare e personale, të frymës së sakrificës e vetëmohimit, të vullnetit të pathyeshëm e vendosmërisë së patundur…
Së nënti, libri u bën të mundur brezave të sotëm komunikimin me materialet e dokumentet e shkruara mbi dyzet vjet më parë. Ky komunikim ndryshon sot nga koha kur u shkruan. Ato janë shkruar në një kontekst historik të robërisë, krejt të ndryshëm nga ky që po jetojmë në liri. Por këtë komunikim e bën të ndryshëm edhe vetë distanca kohore prej disa dekadash.
Disa nga konceptet, idetë dhe përmbajtjet e këtyre shkrimeve nuk janë aktuale në kohën tonë të një realiteti krejt tjetër në Kosovë, por shumë të tjera, qoftë si vlera, ideale, parime apo ndjenja, duke qenë universale dhe të gjithëkohshme, si dashuria për atdheun dhe përkushtimi vetëmohues karshi tij, demokracia, të drejtat e njeriut, ndershmëria, drejtësia sociale, barazia etj., mbeten sot dhe nesër imperativ i vazhdueshëm dhe obligim moral, politik e kombëtar i të gjithë brezave. Në këtë kuptim ky libër vazhdon të jetë një mjet edukimi patriotik, politik dhe artistik.
Së dhjeti, libri në mënyrë modeste i përgjigjet dëshirës së veteranëve të Lëvizjes Kombëtare për një monument të përbashkët në kujtim të bashkëveprimtarëve të tyre që ranë dëshmorë në altarin e lirisë.
Ky libër freskon dhe ripërtërinë kujtesën kolektive për historinë tragjike e të dhembshme që ka kaluar Kosova martire. Kjo ripërtëritje është shumë e nevojshme që të mos na përsëritet historia, sepse kur harrohet rruga, përsëriten vuajtjet e gjetjes ose bërjes së saj.
Së fundi, mund të pyes dikush, përse po promovohet libri këtu në Zvicër?
Sepse ky vend ishte kthyer në një atdhe të dytë për shumë veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, të cilët të ndjekur këmba-këmbës nga armiku pushtues gjetën këtu, jo vetëm strehimin e bujarinë, por edhe kushtet e mundësitë për të vazhduar veprimtarinë atdhetare, gjetën shumë miq, si Beat Shafer dhe Katrina Asal që mbështetën përpjekjet për liri të popullit tonë;
Sepse mbase më shumë se kudo, këtu u lejuan dhe u organizuan aq shumë demonstrata të mërgimtarëve tanë, në mbështetje të vëllezërve të tyre nën robëri dhe për sensibilizimin e opinionit publik e zyrtar të demokracive botërore për çështjen e pazgjidhur të Kosovës;
Sepse këtu, si në shumë vende tjera, janë degdisur veteranë të Lëvizjes sonë Kombëtare, të cilëve duam me këtë rast t’u shprehim mirënjohjen tonë të thellë për kontributin që i dhanë atdheut. Ishte kërkesë dhe nismë e tyre kjo veprimtari, jo vetëm për të promovuar librin, por edhe për të shënuar përvjetorin e Kryengritjes së vitit 1981 në Kosovë. Këtu kemi dhe kaq shumë bashkatdhetarë që për një arsye a për një tjetër, nuk qenë pjesëtarë të Lëvizjes, por që e duan jo më pak Kosovën e kombin e vet, i çmojnë vlerat e traditës luftarake të popullit tonë dhe janë gati ta mbrojnë me gjak lirinë e vatanit;
Sepse, sepse këtu në Zvicër, gjatë qëndrimit të tij katër vjet rresht, Kadri Zeka shkroi me zjarr dhe me mendje të ndritur, shumë materiale që sjell ky libër, por edhe botoi shtypin klandestin të Lëvizjes Kombëtare. Më vonë për gazetën “Liria”, shkroi në mërgim edhe veprimtari i shquar Jusuf Gërvalla, i cili ndihmoi edhe botimin e saj;
Sepse pikërisht nga këtu u nisën mijëra ekzemplarë të „Liria“-s së famshme, të përmbledhjes poetike „Këngët e lirisë“ etj., të cilat me mund e sakrifica dërgoheshin në Kosovë e viset tjera shqiptare, për t’u shpërndarë dorë më dorë dhe për t’u kopjuar e shumëfishuar.
„Liria“, materialet e së cilës ribotohen në këtë libër, ishte bërë e nevojshme si buka e përditshme për patriotët dhe publikun shqiptar. Vështirë mund të gjendet shembull tjetër, veç në Mesjetën e errët të inkuizicionit, të jenë ndjekur aq shumë shkrimet, por edhe njerëzit, vetëm pse lexonin një revistë të shkruar me fjalën e lirë dhe të vërtetën, siç ishte „Liria“. Por siç ka thënë diku Debs “E vërteta është gjithnjë e rrezikshme për pushtetin e maskarenjve, të shfrytëzuesve e të grabitësve. Ja përse e shtypin të vërtetën”.
Kjo ishte arsyeja përse ndiqeshin egërsisht materialet e këtij libri dhe autorët e lexuesit e tyre, por këtu qëndron edhe roli historik i shtypit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Ju falemnderit shumë.
(Neuenhof, më 15 mars 2015)
……………………………………………..