MR.ELIFE PODVORICA: FALEMINDERIT VËLLEZËR SHQIPTAR NË MAQEDONI, SHQIPËRI…, GËZUAR FESTA!

(Prishtinë, 17. 02. 2013) – Këtyre ditëve nëpër institucionet e Kosovës, nëpër shkolla, në shtëpia, kudo u ndie dhe qe e pranishme Festa e gëzimit për ne shqiptarët e Kosovës – 17 shkurti, 5 Vjetori i Pavarësisë së Kosovës! Një ëndërr e parë me shekuj, dhe e realizuar me mundin, sakrificën dhe gjakun e shumë gjeneratave, të cilat njëra pas tjetrës kishin vetëm një mesazh të përbashkët: çlirimin e Kosovës, por pa harruar trevat tjera ku shqiptarët ishin banorë etnik të tyre që nga koha pellazgjike, ilire e tutje. Secili qytetar po mundohet të festojë në mënyrën e tij, disa duke shëtitur nëpër pjesët e bukura të Kosovës, si malet e Sharrit, bjeshkët e Rugovës, disa duke vizituar qytetin historik të Prizrenit dhe duke u folur fëmijëve të tyre për rolin historik që pat Lidhja e Prizrenit në formimin e saj, në vitin 1878 – duke ndërtuar aspiratën kombtare për vitet tjera në vijim që i patën shqiptarët në rrugën dhe përpjekjet e tyre për të fituar të drejtat kombtare që na takonin, në përmirësimin e padrejtësive që na i bëri Europa qysh me Traktatin e Shën Stefanit, vetëm tre muaj para formimit të Lidhjes së Prizrenit, në mars 1878!
Me këtë Traktat, dimë se nisi gjeneza kryesore e problemit shqiptarë, për t’u përforcuar më tutje me Kongresin e Berlinit po në atë vit (qershor 1878), dhe për t’u finalizuar në Konferencen e Londrës më 1913, rrugë kjo që zgjati përplotë 100 vjet. Por, fati e deshi që fundi i këtij shekulli u kurorëzua me çlirimin e Kosovës, natyrisht në frymën e re të proceve ndërkombëtare, fati e deshi që ta kemi përkrahjen absolute të mikes sonë të vjetër Amerikës dhe miqëve tanë historik europian siç ishte Austria në kohën e saj, por edhe në të tashmen, bashkë me fuqitë tjera europiane si Gjermania, Anglia etj.
Festë dhe manifestime solemne patë qysh nga dita e djeshme ku Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” nën drejtimin e rektorit z.Ibrahim Gashi, organizoi solemnitet rasti për 5 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe 43 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës. Mysafirë të solemnitetit ishin e gjithë elita politike kosovare, pastaj ambasadorët – përfaqësues të shteteve të tyre në Kosovë, personalitete ndërkombëtare, dekan të fakulteteve, në mesin e tyre edhe dekani i Universitetit të Tetovës, familjarë të Dëshmorëve, student, të cilët për meritën e tyre u dekoruan me dekorata Post-mortum, gjë që është për tu lavdëruar – kujdesi i Rektorit të UP, sepse në ndërtimin e shoqërisë sonë, asnjëherë nuk duhet harruar kontributi i atyre që dhanë jetën për lirinë e këtij vendi! Dhe këta dëshmorë, shumica prej tyre ishin ende student të fakulteteve të ndryshmë ku ata studionin.

Në mbrëmje pat dhe dy manifestime të tjera: ajo e organizimit nën patronatin e Kryeministrit të vendit, si dhe koncerti i artistëve të rinjë kosovar, në kuadër të 5 ditëshit të aktiviteteve të Akademisë së Shkencave të Kosovës. Organizimin e koncertit e bëri profesori, intelektuali dhe akademiku i shquar Zeqirja Ballata. Karakteristikë dhe kënaqësi e veçantë ishte prezenca e artistëve dhe krijuesëve shqiptar nga Tirana, z.Zhani Ciko drejtor i Teatrit të Operës dhe Baletit Kombëtar, si dhe babait të Inva Mulës z.Avni Mula, i cili në këtë mbrëmje këngën e tij të njohur “Agimet shqiptare”, kësaj here nuk e dëgjoi nën interpretimin e bijës së tij Invës, siç ndodhi ca javë më parë, por e dëgjoi nën interpretimin e një “bije” tjetër shqiptare të Kosovës, Besa Llugiqit e cila bëri interpretim briliant bashkë me artistët tjerë të mbrëmjes. 
Kontributi dhe bashkëpunimi i ndërsjellë Tiranë – Prishtinë në botën e artit, është për tu theksuar në mënyrë të veçant, sepse organizimet e këtij lloji, këtyre viteve të pasluftës në Kosovë, ka bërë të mundur integrimin e artistëve dhe artit skenik në Kosovë. Hapësira që i është dhënë artistëve tanë në TOB të Tiranës është për çdo lavdatë dhe falenderim, sidomos ndaj z.Zhani Ciko, i cili me përkushtim të veçantë punon me të rinjtë tanë artist. Ndërsa, sonte në mbrëmje, solemnitetin e 5 vjetorit të Pavarësisë të organizuar nën patronatin e Presidentës së vendit, do ta shënojë dhe Koncerti i Filharmonisë së Kosovës, e cila me përkushtim të madhë ka bërë përgatitjet e saj, duke u munduar që para mysafirëve të shumtë nga trevat gjithëshqiptare, por edhe ndërkombëtare, të qes në pah vlerat e traditës sonë muzikore kombtare me kompozitor nga Kosova, Shqipëria dhe nga kompozitorë të njohur botëror.
Por, ajo që desha të them, është se me rastin e këtij Solemniteti me rëndësi kombtare, do të duhej më shumë vet-organizim të familjeve kosovare, të cilat në holokaustin e përjetuar me dëbimin total të popullit kosovar nga shtëpitë e tyre, derën e hapur e gjetën në familjet shqiptare të Maqedonisë. Nuk do të harrohet kurrë bujaria dhe gadishmëria e tyre që treguan në atë kohë për të strehuar familjet njëmilionëshe të dëbuara nga Kosova, duke u munduar që të bëhen pjesë e shpirtit të tyre të lënduar për tre muaj me radhë. Duke ndarë kafshatën e gojës së bashku në një sofër të përbashkët, duke thyer ndoshta dhe rregullat e tyre kanonike të ruajtura ndër vite, vetëm e vetëm që fëmijët e përlotur kosovar të gjenin ngrohtësinë që ofron shtëpia. Duke u munduar për shëndetin e pleqëve që lëngonin nga sëmundjet e ndryshme, duke i pranuar gratë dhe nuset tona si motrat dhe bijat e tyre, duke ndarë çdo dhimbje e lëndim së bashku me ne. Andaj, ëmbëlsirat e gatuara nëpër shtëpitë tona, do të ishte shumë e rrugës që t’i ndanim me familjet në të cilat kemi bashkëjetuar për tre muaj me radhë.
Nuk më ka rastisur që të dëgjojë se është bërë ndonjë ftesë e tillë nga ndonjë familje e jona. Do të doja shumë që të isha gabim, sepse mikëpritja e tyre, bujaria që treguan ata gjatë asaj kohe, mahniti tërë botën, sepse bota e dinte deri diku se populli shqiptar në Maqedoni, nuk ishte aspak në gjendje politike e ekonomike më të mirë se populli shqiptar në Kosovë. Por, ata respektuan me fanatizëm traditën e lashtë shqiptare – mikpritjen dhe besën shqiptare, duke u bërë pjesë kontribuese e jashtëzakonshme e popullit të Kosovës, e cila kishte lënë pas vetes vetëm një pjesë të “banorëve” të saj-ushtarët e UÇK-së, të cilët në mënyrë dinjitoze i dualën zot trojeve të veta. Vullnetin e tyre për lirinë dhe drejtësinë njerëzore, e përkrahën dhe mbështetën edhe të gjitha forcat ndërkombëtare si NATO, SHBA etj.
Unë nuk do t’i harrojë kurrë lotët e gjyshit të Strugës, i cili kur e përcolli familjen dhjetë anëtarëshe që kishte mbajtur ata tre muaj, i rridhnin lotët faqeve të vijëzuara nga rrudhat e pleqërisë së tij, të cilën ai në asnjë moment gjatë atyre tre muajëve nuk e qiti në pah, vetëm e vëtëm që vllezërit nga Kosova të ndiheshin lirshëm si në shtëpinë e tyre. Atë lloj përshëndetje familjesh me lot në sy, e kemi takuar në çdo vendbanim shqiptar të Maqedonisë atë vit: Në Tetovë, Gostivarë, Shkup, Strugë dhe kudo që ishin shqiptarët, edhe nëpër katunde të shumta. Lot ndarjeje, lot dhimbjeje, lot gëzimi që më në fund familjet kosovare po ktheheshin në shtëpitë e tyre, në vëndin e çliruar!
Mirëpo thonë se “çdo e keqe, ka një të mirë” – e keqja ishte dëbimi nga votrat e tyre, ndërsa e mira ishte bashkëjetesa e këtyre familjeve me familjet e shqiptarëve atje, sepse kjo bëri të mundur njohjen e tyre më të mirë që, më parë për shkak të gjendjes ekonomike, nuk e kishim të mundur. Pastaj krijimi i një bashkëpunimi të ndërsjellë që u nisë aty dhe vazhdoi e po vazhdon gjatë gjithë këtyre viteve. Sepse, pas kthimit të shqiptarëve në Kosovë, nuk gjetën gjë të gjallë, shtëpitë ishin të djegura, pajisjet bujqësore që kishin, ishin të vjedhura dhe të shkatrruara, me një fjalë nuk dinin se nga t’ia fillonin. Por, ishin prap ato familje shqiptare të Maqedonisë që u gjindën në ndihmë materiale familjeve nga Kosova, filloi bashkëpunimi ekonomik, tregtarë duke forcuar kështu ekonominë e secilës familje kosovare në atë masë, sa këta të fundit të ishin në gjendje të rifillonin disi jetën e tyre. Bashkëpunimi i ndërsjellë përveç atij ekonomik, ka marrë forma të tjera. Me hapjen e Universitetit Publik të Tetovës dhe Universitetit të Europës Jug-Lindore në Tetovë, ndodhi dhe një bashkëpunim tjetër: të rinjëve kosovar iu hapën dyert e këtyre tempujve të dijes në zhvillimin e tyre intelektual! Bashkëpunimi i ndërsjellë vazhdon dhe me angazhimin e profesorëve dhe pedagogëve këtu dhe atje nëpër Universitetet tona! Një bashkëpunim i tillë, një njohje e tillë e ndërsjellë, është tepër e shëndetshme në ndërtimin e shoqërisë shqiptare për gjeneratat e reja.
Me shpresë që në të ardhmen, ashtu siç vepruan institucionet Kombtare të Kosovës, duke bërë ftesë të gjitha institucioneve dhe personaliteteve me rëndësi gjithëkombtare, që të jenë pjesmarrës nëpër të gjitha organizimet festive me rastin e 17 shkurtit – 5 Vjetorit të Pavarësisë së shtetit të Kosovës, ashtu duhet të bëjnë dhe familjet shqiptare kosovare – torta të ndahet me familjet që jetuan në Maqedoni dhe Shqipëri, sepse dihet që famijlet në Shqipëri, kanë po ato merita që ceka më lartë për familjet shqiptare të Maqedonisë. Pra, në shpresë të përmirësimit dhe zhvillimit të çdo fushe që ka të bëjë me itegrimin tonë si popull shqiptar. Si qytetare e Kosovës, në emër të çdo familje shqiptare kosovare, me rastin e 17 shkurtit – Ditës së Pavarësisë sonë, u them Faleminderit familje shqiptare të Maqedonisë dhe Shqipërisë!

………………………………………….

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura