Elbasan, 06. 02. 2015 – (Reportazh) – Është mëngjes dhe ora shënon 7 e 30. Rrezet e para të Diellit bien mbi pallatet shumë ngjyrëshe të qytetit që nga kodrat e Krastes, të cilat nuk janë shumë larg nga qyteti i Elbasanit. Qyteti po zgjohet dalë-ngadalë nën tingujt e cicërimave të kumriave, medoemos kjo është bërë dhe fraza muzikore e çdo mëngjesi. Nën ato tinguj nis edhe shëtitja jonë në qytetin e luleve, siç njihet ndryshe Elbasani. Kalojmë përpara spitalit psikiatrik e duke lënë pas britmat atyre njerëzve të sëmure që përballen e ulërasin çdo ditë me kujdestarët e tyre, po aq të mirë edhe të këqinj, për shak të punës që ato bëjnë.
Zëra të shumtë dëgjohen, makina që ikin sa andej-këtej, nxënës me çanta mbi krahë që vrapojnë për në shkollë, njerëz që vrapojnë për në punë. Qyteti zgjohet dhe kështu filloi edhe monotonia e përditshme. Ata që siç duket i kanë gjërat më në vijë janë shitësit e dyqaneve, grilat e tyre hapen më vonë, hapen pas kafes së mengjesit, të cilët nuk ngurojnë të relaksohen nën qetësinë e mëngjesit e të përhumbin nën tymin e cigares që ato thithin. Po ashtu edhe ne në këtë mëngjes të mrekullueshëm nxitojmë ta pimë nga një kafe, për ti lënë vendin më pas shëtitjes nëpër qytet. Duke pirë kafen e duke bërë muhabet, dikush nga ne që po ndiqte edhe lajmet na thotë: – “Epo si do shkoj edhe kjo puna e shiut që ka përmbytur shumë zona ?!”. Në atë moment heshta, dhe në mendje më erdhi një foto që po qarkullon gjërë nëpër rrjetet sociale ku jepet një foto me mbishkrimin ku ish kryeministri Berisha, i thotë kryeministrit aktual Rama – “Vjen PD-ja në pushtet përmbytet Veriu, vjen PS-ja në pushtet përmbytet Jugu”. Në rast koalicioni ‘Ne’ përmbytim vendin të gjithë. Në mes këtyre fjalëve ngrihemi dhe ne pa humbur kohë.
– Elbasani: Kalaja dhe Muzeu Etnografik –
Përshkojmë rrugën që të shpie te kalaja. Asnjëri nga ne s’flet, po ashtu edhe kalimtarët me të cilët shkëmbehemi. I drejtohemi lagjes kala që është dhe nder me të vjetrat brenda kalasë shekullore të Elbasanit. Në këtë lagje kalon edhe rruga e vjetër ‘Egnatia’ e cila përshkohej nga karvanët e tregtarëve të asaj kohe. Ecim një copë herë nëpër rrugicat e kalldrëmta ku nuk dëgjohet gjë tjetër veçse truku i hapave tonë të ngadaltë. Diku përballë nesh vjen tek-tuk ndonjë kalimtar që shpejton për në punë me biçikletën e vjetër. Qetësia mbizotëron kudo. Dielli tashmë i ka shtrirë plotësisht rrezet nëpër rrugicat e vjetra, dhe herë-herë bëhet edhe i bezdishëm në sytë tanë. Ndër ballkonet e shtëpive shikojmë të moshuar e të rraskapitur nga mosha që me sytë e tyre kureshtarë ndjekin me sy kalimtarët që kalojnë, po ashtu shikimin nuk e kursejnë edhe për ne. I afrohemi kishës së vjetër të Shën Mërisë ku dyert që ndrijnë të mbyllura, asnjë zhurmë jete nuk ndihet. Siç duket dyert e kishës janë mbyllur me llozin e ndryshkur për të mos u hapur më. Hedhim një sy përreth e më pas gjarpërojmë nëpër rrugicat e lodhura nga vitet që mbajnë mbi supe.
Gjendemi te burimi te porta e kalasë, na kish marrë etja për ujë. Pimë ujë dhe shplodhemi pak. Qyteti tashmë po ecën me hapa të shpejtë, shohim se pas atyre mureve të trashë të kalasë çdo gjë është ndryshe. Qetësia thyhet që në mëngjes dhe zhurmat janë të bezdisura ndonëse shumë qytetare janë mësuar me këtë regjim. Sapo shplodhemi paksa, futemi në zemër të kalasë porsi pushtues. Përpara nesh shfaqet xhamia “Mbret”. Është e para foltore monumentale e konceptuar në stilin Osman, përsa i përket formulimit planimetrik dhe vëllimor. Sipas mbishkrimeve që janë gjetur ndërtimi i saj daton në gjysmën e parë të shekullit XVI, në dekadën e fundit të këtij. Pa hezituar futemi brenda xhamisë që na ofron pamjen e një salle me përmasa kuadratike që ndriçohet nga pesë dritare në tri radhë. Pamja ballore e xhamisë paraprihej nga një portik i mbuluar me çati druri nga i cili kalohej në sallën e faltores nga porta, e cila ndryshe nga xhamitë e tjera ndodhet në qoshen e djathtë. Bie shumë në sy dyshemeja e shtruar me pllaka poligonale prej qeramike ashtu si dhe xhamitë e tjera të vendit që u ndërtuan ndërmjet viteve 1500-1600.
Në mes atyre pamjeve të mrekullueshme dhe nën frymën e shenjtë largohemi nga xhamia drejt sahatit që ndodhet jo shumë larg xhamisë, brenda mureve të kalasë, i cili përdorej si matës i kohës por edhe si pikë referimi sot. Ndërtimi i tij daton në vitin 1899 dhe është 30 metra i lartë. Dikush nga tanët për të thyer heshtjen me shaka na thotë: -‘’Me këtë ‘sebet’ pamë dhe orën sa është’’.Mes atyre notave humori kthejmë kokën pas dhe shikojmë përballë nesh qëndron hije rëndë e i pa trembur Rrapi i Bezistanit, ndërkohë në ditët e sotme sillet si Monument Natyre. Të interesuar por edhe kurioz afrohemi pranë këtij monumenti dhe vështrojmë me detaje gërmimet e bëra në 2007-ën për nxjerrjen në dritë të Bazilikës së Elbasanit ku qëndron vetëm dyshemeja dhe një pjesë e mureve të kësaj kishe paleokristiane e shekullit V-VI.
Nuk mungojnë dhe syra të habitur që na ndjekin me një shikim ironizues teksa ne lexojmë me kuriozitet faktet historike të qytetit, ndonëse shumë prej qytetarëve nuk marin as mundimin ti hedhin një sy sa për informacion. Pa humbur shumë kohë por edhe për ti humbur syrave ‘paragjykues’, i afrohemi muzeut Etnografik. Pamja paraqitet e bukur që nga jashtë. Pa hezituar futemi në derën kryesore, ku mbretëron një qetësi e plotë dhe nuk pepëtin asgjë. Futemi më në brendësi dhe trokasim tek dera gjysmë e hapur. Pas disa minutash heshtje nga një derë e vjetëruar del një burrë rreth 55 vjeç dhe pa na përshëndetur fare, na thotë – “Cfarë kërkoni”?. Ne shtangëm nga përgjigja e ftohtë dhe i shpjeguam qëllimin e vizitës tonë, por fjalët nga një vesh iu futën dhe nga tjetri i dolën zotërisë që është punonjës në këtë muze. ’’Do ikim në shpi, do e mbyllim dhe skemi kohë të rrimë me ju’’- ishin fjalët e rënda të zotërisë që na larguan kokë ulur. Sapo dalim nga ndërtesa, aty takojmë një plak me një shkop në dorë, që ng veshja dukej kollz. Duhet të jetë Elbasanlli ’24 karaç’ mendova për një cast. E përshëndesim dhe nuk hezitojmë të bëjmë pak muhabet me të. E pyesim për ndërtesën e vjetër që ndodhet pas nesh dhe ai plot dëshirë na flet. “Muzeu Etnografik i Elbasanit” është ndërtuar në një shtëpi karakteristike me çardak që i takon shekullit XVIII. Është një shtëpi që nga mënyra e ndërtimit dhe artitektura është e veçantë në llojin e vet. Kjo banesë është dy katëshe. Në katin e parë futeshin prodhimet bujqësore, ndërsa në katin e dytë përdorej për banim, ku ndodhen 5 dhoma dhe një korridor. Kjo banesë u ristaurua nga monumentet e kulturës dhe në vitin 1986 këto ambiente u përshtatën dhe u kthyen në muze Etnografik’’- ishin këto fjalët e plakut të moshuar, të cilin e falënderuam dhe e lam nën shoqërinë e nipit të tij që nuk i ndahej për asnjë çast.
Elbasan, degradon Muzeu Etnografik – Vizion Plus – News – Lajme
Ora është diku te katër pasdite dhe ne gjendemi përballë Teatrit Skampa ku në vitin 1965 ndërtohet Kinema “Nacional” nga Xhavit Bej Biçakçiu. Në vitin 1962 u themelua si Teatri Skampa dhe në 4 Gusht 2011 do të shkrumbohej nga flakët e zjarrit të rënë. Në Shkurt të vitit 2012 do të rindërtohej plotësisht, ku sot nga jashtë dëgjohen duartrokitjet e mbytura të ndonjë qytetari Elbasanas, i cili ndjen reduktimin e shfaqjeve teatrore që nga dita në ditë po zhduket pa kuptuar. Diku më matanë dëgjohen brohoritje më të forta, më të zjarrta dhe duartrokitje pa masë. Brohoritjet vijnë nga stadiumi ‘’Elbasan Arena’’ ku luan Elbasani që zhytet çdo ditë nën llumin e humbjeve, por tifozëria e zjarrtë nuk e braktis asnjëherë.
Tashmë mbrëmja po errësohet, njerëz të lodhur e pa fjalë që kthehen në ngrohtësinë e familjeve të tyre. Boria makinash që bien pa pushim e që nxitojnë për ti shpëtuar trafikut. Kalimtarë të shumtë, të rinj e të reja që vrapojnë të zënë vend në kafenetë e tejmbushura plot jetë e gjallëri. Në mes tyre largohemi dhe ne të lodhur, të rraskapitur por me kujtime e mbresa të bukura në mendjet tona. Largohemi duke lënë pas vështrimin e zymtë të Aqif Pashë Elbasanit, i cili është qytetari i fundit që na përshëndet, e duke na uruar mirë se ardhjen dhe herë të tjera në qytetin e luleve.
– Kontakti me autorin: [email protected]
…………………….
Foto të vjetra nga Elbasani (shoqëruar me këngë nga e famshmja Nexhmije Pagarusha)
…………………………………
…………………………………………………
(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)