PASHTRIKU: DIMENSIONI HISTORIK I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

(Pashtriku.org, 12. 06. 2012) – Më 10 qershor 2012, në ambientet e kinemasë së Prizrenit u shënua 134 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit edhe me një Tribunë shkencore, me temën: “134 vjet LSHP, 100 vjet shtet shqiptar, ku janë shqiptarët sot”, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, në të cilën ligjëruan, politikanë, historianë e letrarë nga hapësira gjithëshqiptare. Në këtë tribunë folën: Abdi Baleta, ish-diplomat, publicist dhe politikan nga Shqipëria; Fatmir Sulejmani, prof. i gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Universiteti i Tetovës; Qazim Namani, historian nga Prishtina; Xhemaledin Salihu, kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe krijimtari kulturore në Luginën e Preshevës dhe Glauk Konjufca, deputet dhe nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili ishte edhe moderator i kësaj tribune. Me këtë rast portali pashtriku.org, boton kumtesën e Glauk Konjufcës dhe Xhemaledin Salihut.

_________________________________________________

GLAUK KONJUFCA: LIDHJA E PRIZRENIT

Glauk Konjufca

______________________________________

Ashtu sikurse Ukshin Hoti në mes të viteve 90’ u mundua ta artikulonte dhe formulonte një ‘filozofi politike shqiptare’, njëzet vite pas do të duhej të përpiqeshim në drejtim të themelimit të një ‘filozofie të historisë shqiptare’. Kjo filozofi do të duhej ta kishte për qëllim të konceptuarit e kombit shqiptar, ashtu siç do të shprehej Hegeli, ‘jo vetëm si Substancë, por po ashtu si Subjekt’. Apo, më saktë, Substanca që bëhet Subjekt.
Unë mendoj që shqiptarët si Substancë, e kjo do të thotë si qenie në-vete, si qenie e pavetëdijshme për thelbin e qenies së vet, kanë jetuar për shekuj të tërë në tokat e tyre. Por, çasti vendimtar historik që te kombi shqiptar konstituon Substancën që është bërë Subjekt, e kjo do të thotë qenien që është bërë për-vete, ajo qenie që e ka kuptuar thelbin e vetvetes në vetëdije, është Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Si Substancë, shqiptarët kanë qenë shqiptarë, por kanë qenë shumë. Si Subjekt, shqiptarët bëhen një.
Për t’u bërë të vetëdijshëm për veten e vet shqiptarët kaluan nëpër shumë vështirësi. Investimi kryesor i armiqve ka qenë vënia në dyshim e qenies shqiptare.
Viti 1844: Serbët Nacertania e Garashaninit; grekët – Megali Idea e Kotelit; Evetari i Veqilharxhit. Krahasimi.
Të gjithë pararendësit e Rilindjes u vranë nga kisha greke: Todhri (1805), Veqilharxhi (1846), Sotiri (1891), Negovani (1906), Luarasi (1911).
Naum Veqilharxhi mendonte se gjendja e rëndë e kombit shqiptar vjen për shkaqe identitare – përkatësia kombëtare dhe gjuha. Nipi i tij grekoman Jani Cali që studionte në Vjenë e këshillonte axhën e tij Naumin, që të mos merrej me gjuhën shqipe sepse mund ta pësonte me pasuri e jetë. Por Naumi nuk u ndal. Ai u vetëmohua.
Emri tjetër i Subjektit është Lidhja. Kanti thotë se nuk mund të ketë lidhje pa atë që lidh. Por se Lidhja tregon për diçka që është më shumë sesa shuma e elementeve të lidhura. Lidhja i vendos elementet e caktuara në një marrëdhënie të përcaktuar. Pra, Lidhja e themelon tërësinë. Tërësia e vetëdijshme për veten e vet është Subjekt. Në këtë kuptim, Subjekti bëhet Veprim. “Shqipëria, do të rezistojë duke qenë e lidhur dhe e bashkuar si një trup i vetëm, derisa të arrihet plotësimi i kërkesave të lartpërmendura”. Rezoluta e Kuvendit të Dibrës, 1 nëntor 1878.
Prandaj, le të mundohemi këtu t’ia japim definimin themelor Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lidhja e Prizrenit është shumësia si Substancë e cila kthehet në njësi si Subjekt. Dhe në momentin që kjo ndodh, Subjekti kthehet në Veprim, Tërësia që është bërë agjens i vetvetes dhe ngrihet në faktor të prodhimit të Historisë. Te Filozofia e Historisë Hegeli thotë se kategoria e prodhimit historik nuk janë individët, por kombet që bëhen shtete.
Lidhja e Prizrenit është procesi i kombformimit modern shqiptar. Ajo ka ngjizur një Ide e cila kryeneçësisht, pra pas mbi 130 vitesh, synon aktualizimin e vetvetes, e kjo do të thotë – Ideja e cila është njësi të trupëzohet si njësi. Pra, që Kombi ta ketë Shtetin e vet.
Konstituimi i Substancës si Subjekti i prodhon të gjitha të tjerat. Aspekti i parë është mbrojtja me luftë. Siç thoshte Sami Frashëri – “Shqiptarët duhet t’i marrin ato që duan me pahir, t’i kërkojnë me fjalë, po të kenë edhe pushkën plot”. Nuk ka pasur ndonjëherë kombi shqiptar mobilizim më të gjerë e gjithëpërfshirës në përpjeke për ta mbrojtur hapësirën e vet jetike. Çdo cep shqiptar prej Janinës e deri në Kosovë, prej Shkodrës e deri në Manastir, ishte përfshirë përpebnda një projekti të përbashkët. Dhe ky është reagimi i natyrshëm i Subjektit që i reziston copëzimit.
Lidhja e Prizrenit ka pasur një mori efektesh vendimtare për kombformimin shqiptar, duke filluar prej identitetit e deri te organizimi. Por njëri prej aspekteve më me rëndësi të Lidhjes së Prizrenit është doktrina e forcës vetanake. Shqiptarët gjatë kësaj kohe jetonin në një territor kompakt prej më shumë se 100 mijë kilometrash katrorë. Por kur filloi Kriza Lindore e cila u kurorëzua me luftën ruso-turke dhe me Traktatin e Shën Stefanit, i vetmi aleat mbi këtë botë që u kishte mbetur shqiptarëve ishte vullneti dhe forca e tyre e organizimit. Të vetmin aleat ndërkombëtar që e kishin, Austro-Hungaria, paraprakisht kishte bërë marrëveshje me Rusinë se do të qëndronte asnjanëse në luftën ruso-turke, kurse i vetmi interes i saj ishte garantimi i një mburoje të ngushtë territoriale shqiptare në formë dige kundër invazionit sllav drejt Adriatikut. Por kjo nuk ishte aspak aleancë shqiptaro-austrohungareze. Në aspektin ndërkombëtar shqiptarët ndodheshin si objekt që duhej të merrte formë mes këtyre forcave shqyese:
Austrohungaria me mburojën e ngushtë territoriale shqiptare e cila nuk siguronte as gjysmën e territoreve shqiptare;
Rusia e cila nuk njihte kurrfarë të drejte të ekzistencës politike territoriale shqiptare, dhe e cila e fitoi luftën kundër Perandorisë Osmane;
Perandoria Osmane e cila me njërën këmbë sa nuk kishte rënë në humnerë, por me tjetrën ende kishte forcë sa për t’i luftuar shqiptarët dhe për t’ua pamundësuar atyre krijimin e një organizimi politik autonom;
Anglia e Franca, të cilat, në raport me çështjen shqiptare, për shkak të aleancave me Rusinë cariste si kundërpeshë ndaj hegjemonisë osmane, qëndronin në mes Austrohungarisë, dhe Rusisë;
Ky ishte një konstelacion vërtet i pikëllueshëm gjeopolitik për shqiptarët. Prandaj këtu duhet të shihet rëndësia e Lidhjes së Prizrenit. E ky është edukimi që të mësohesh të mos shpresosh se shpëtimi do të të vijë nga jashtë, për sa kohë që e vetmja që ke është vetvetja, vullneti yt dhe forcat tua vetanake njerëzore dhe materiale. Nëse do të mbetesh vetëm Substancë, do të mbetesh Objekt. Prandaj do të modelohesh sipas të tjerëve. Do t’iu përshtatesh interesave të jashtme. Nëse bëhesh Subjekt e modelon vetveten, prandaj të tjerët i rikonceptojnë dhe riformulojnë politikat karshi teje.
Përderisa je Objekt, nuk mund të kesh bile as aleatë. Ti konceptohesh dhe trajtohesh si shkëmbim apo shitblerje, si shfrytëzim apo kalkulim. Por, kur je Subjekt, ti shihesh si mundësi dhe ndihmë për ata që të afrohen.
Lidhja e Prizrenit ishte autentike dhe e pamanipulueshme. P.sh. kur Austrohungaria e aneksoi Bosnjën, atëherë Porta e Lartë pa te Lidhja një potencial të madh ushtarak për t’u dalë në ndihmë boshnjakëve. Në njërën anë Porta kishte bërë pazare më Fuqitë e Mëdha, kurse në anën tjetër për të mos nxitur reagime të brendshme i shihte shqiptarët si mish për top. Lidhja refuzoi të manipulohej nga Perandoria në këtë mënyrë.
Pashko Vasa për kombin shqiptar në letrën e 22 tetorit 1878 dërguar Kontit Zihi, ambasador i Austro-Hungarisë në Stamboll: “Dua të jetoj, dua të shkoj përpara, dua të jem i lumtur! Përse doni të më copëtoni? Jam anëtar i familjes suaj. Më ndihmoni të futem në shoqërinë tuaj dhe të marr pjesë me ju në të mirat e qytetërimit. Kam një shpirt dhe një zemër bujare, kam vullnet të mirë; …do të shihni se si, i shpëtuar nga pengesat që vënë në rrezik qënien time, do të shkoj përpara aq shpejt, sa edhe të tjerët”.

Glauk Konjufca, Prizren 10 qershor 2012

* * *

XHEMALEDIN SALIHU: ÇËSHTJA E SHQIPTARËVE TË LUGINËS SË PRESHEVËS DIKUR DHE SOT

Xhemaledin Salihu

_______________________________

Lugina e Preshevës apo Kosova Lindore, Shqipëria Verilindore siç do të dëshironim ta quanim, banohet me shumicë shqiptare dhe aktualisht shtrihet në jug të Serbisë dhe qysh në Antikë ka bërë pjesë në territorinë e Dardanisë, e cila kryesisht shtrihej përgjatë lumit Moravë dhe Vardar.
Konceptin “Luginë e Preshevës” për herë të parë në arenën ndërkombëtare e përdori Zonja Medlin Olbrajt, ish-sekretarja e shtetit të SHBA-ve.
Luginën e Preshevës e përbëjnë komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës (këto tri komuna paraqesin tërësi politike, por jo edhe territoriale dhe gjeografike). Lugina e Preshevës gjendet në trekëndshin Kosovë-Serbi-Maqedoni. Regjioni i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kap një hapësirë prej 1.249 km katrorë me rreth 100.000 banorë. Prej tyre shumica absolute e popullatës është shqiptare: 58% (në Preshevë rreth 95%, në Bujanoc rreth 65% dhe në Medvegjë mbi 35%), ndërsa popullata tjetër është serbe dhe rome.
Një pjesë e mirë e popullatës serbe është e ardhur në këto zona përmes kolonizimit pas shpërnguljeve me dhunë të Shqiptarëve për në Turqi (1912-13), Reformave agrare më 1924 e tutje, periudha e Rankoviqit (1953-1966).
Pas ngjarjeve të fundit në Kosovë, Maqedoni e Luginë të Preshevës, Lugina u zbraz, sidomos u shpërngul popullata shqiptare nga Medvegja, pastaj u shpërngul popullata e Malësisë së Bujanocit dhe Preshevës, duke mos i përballuar trysnitë dhe diskriminimin e pushtetit serb. Në Medvegjë kishte 5.000 banorë shqiptarë/viti 1981/, ndërsa tashti kanë mbetur më pak se 500. Poashtu një numër i madh i Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, afro 25.000 emigroi në Evropën Perëndimore, në Turqi, apo në Kosovë, duke kërkuar ekzistencën jetësore dhe familjare.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës përbëjnë pjesë të pandashme nga tërësia etnografike, gjeografike, ekonomike e zonës së Karadakut, që shtrihet në Kosovë, në Maqedoni dhe në Serbi, në një anë, dhe të zonës së Gollakut në Kosovë (Medevgja). Të gjitha lidhjet e tyre jetësore kanë qenë dhe janë me qendrat: Podujevë, Prishtinë, Gjilan, Dardanë, Kaçanik, Shkup dhe Kumanovë.
Lugina e Preshevës, së bashku me Luginën e Shkupit, paraqesin rëndësi të madhe gjeostrategjike dhe gjeopolitike në Ballkan. Studiuesit serbë dhe qeveritë serbe e kanë bërë pjesë të programit nacional për krijimin e shtetit serb. Lugina e Preshevës lidh Detin e Zi me Detin Egje. Autostrada dhe Hekurudha Ndërkombëtare përgjatë lumit Moravë dhe Vardar, të cilat kalojnë nëpër Preshevë, lidhin jo vetëm shumë shtete, por edhe kontinente, Evropën me Azinë. Kohëve të fundit aktualizohet edhe ndërtimi i kanalit përgjatë lumit Danub-Moravë-Vardar, për të cilin ishin të interesuar edhe më herët Amerikanët, Francezët, Anglezët.

Pamje nga Tribuna

_____________________________________

Historia e popullit shqiptar është e pandarë. Shqiptarët në kuadër të Perandorisë Osmane bënin një tërësi tërritoriale, etnike, kulturore, arsimore, pra nuk ishin të ndarë me këta kufij shtetërorë, administrativë, artificialë, që u vunë më vonë me dhunë nga forcat e huaja. Lugina e Preshevës dhe popullata e saj shqiptare, jo vetëm që i bënë ballë asimilimit, por me pjesëmarrje aktive në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të historisë sonë dhanë kontributin e tyre të çmueshëm për liri dhe mëvetësi kombëtare.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, me kohë e lidhën fatin e tyre me Kosovën dhe morën pjesë aktive në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe më vonë në të gjitha Lëvizjet patriotike dhe politike të Shqiptarëvë të ish-Jugosllavisë për të drejta dhe çlirim kombëtar. Le të përmendim me këtë rast themelimin e Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Preshevë me në krye Sheh Maksut Efendiun, si dhe pjesëmarrjen e patriotëve nga Presheva në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 10 qershor 1878: Sheh Maksut Efendiu, Osman Çaushi, Mehmet Muhaxhiri, Kamber Aga dhe Haxhi Abazi.
Në këtë kohë të mbajtjes së Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe pjesëmarrjes së Delegatëve të Preshevës në Kuvendin e Lidhjes, Shqiptarët e Luginës u gëzuan aq shumë me shpresë se do të ndodhte bashkimi kombëtar, bile gjatë përcjelljes dhe pritjes së delegatëve, si dhe gjatë mbajtjes së Kuvendit, shqiptarët e Preshevës e kënduan dhe e vallëzuan këtë ngjarje me rëndësi kombëtare. Atëherë lindi vallja e njohur preshevare “Miratocka”.
Shqiptarët të pakënaqur me Turqinë Otomane organizuan kryengritje, iu bashkuan edhe shqiptarët e Luginës në krye me patriotin Idriz Seferi. Shqiptarët e Luginës të shpërngulur në Turqi kanë marrë pjesë aktive në luftën e Turqisë për liri dhe pavarësi nën udhëheqjen e Kemal Ataturkut. Këtë e dëshmojnë shumë pleqë të Preshevës dhe kënga e Çanakalasë, e cila në dasma e gazmende këndohet në Preshevë.
Pas Kongresit të Berlinit/1878/, Kazaja e Preshevës i takonte Sanxhakut të Prishtinës, Vilajetit të Kosovës. Kazaja përfshinte nahinë e Bujanocit dhe Tërgovishtes deri në vitin 1912. Më vitin 1918, me themelimin e Mbretërisë Serbe, Kroate, Sllovene, rrethi i Preshevës mbeti në Banovinën e Vardarit me qendër në Shkup, Qarku i Kumanovës. Kështu vazhdoi deri më vitin 1945.
Lufta e Dytë Botërore, shqiptarët e Luginës së Preshevës i solli edhe më shumë në gjendje të vështirë ekonomike e politike. Në këtë kohë është e njohur demonstrata e shqiptarëve, me patriotë edhe nga Presheva, të cilët më 1941 ngritën flamurin shqiptar te Ura e Gurit në Shkup. Në Konferencën e Lëvizjes Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim të Trojeve Shqiptare me Shqipërinë, në “Bojali Han” të Shkupit, më 19 prill 1941, morën pjesë dhe themeluesë ishin edhe patriotët nga Presheva: Shaban Efendiu, Shaip Mustafa, Abdullah Haxhi Veliu, Hafëz Lutfi Ahmeti dhe Abdullah Saqipi.
Lëvizja formoi një delegacion, për të shkuar në Tiranë, në përbërje: Shaban Efendiu, Abdullah Saqipi-Presheva dhe Aqif Tetova, i cili i bëri me dije kërkesat e Shqiptarëve të Shkupit, Kumanovës Preshevës dhe të Gjilanit për Bashkim me Shqipërinë Etnike.
Në shtator të vitit 1944, kur kapituloi Bullgaria fashiste, shqiptarët e Luginës së Preshevës, së bashku me Gjilanin dhe Kumanovën organizuan Mbrojtjen e Kosovës Lindore përgjatë hekurudhës Bujanoc-Preshevë-Kumanovë, e cila zgjati 3 muaj, shtator-nëntor 1944. Presheva e quajti “Kohë e Shipnisë”, ndërsa Ibrahim Kelemndi, atdhetar nga Presheva:”Epope e Popullit Shqiptar”.

__________________________

Në Preshevë u bë organizimi civilo-ushtarak, Adem Kamberit iu dha qeverisja e Bashkisë, Liman Stanecit drejtimi dhe organizimi i nënprefekturës dhe Ibrahim Kelmendit, drejtimi e organizimi i operacioneve ushtarake. Formimi i Batalionit shqiptar nga Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Kumanovës, në krye me Skender Preshevën ngjalli shpresën tek Shqiptarët se pas përfundimit të luftës do t’i gëzojnë të gjitha të drejtat kombëtare.
Aspiratat kombëtare të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës u shuan në janar të vitit 1945, atëherë kur në sallën e kinemasë së Preshevës u mblodhën pa vullnetin e tyre një numër qytetarësh për t’u deklaruar se donin të mbeteshin nën Serbi. Ky ishte zëvendësimi i referendumit të vërtetë për deklarim të lirë dhe vullnet politik të Shqiptarëve të Luginës. Në qarqet më të larta partiake të ish-Jugosllavisë u kurdis fati i Preshevës, që të mbetej nën Serbi, për ta vënë në lidhje kontrolli nga rrethi i Vranjës apo herë herë edhe nga ai i Leskocit. Në mbështetje të rrëfimeve të individëve të asaj kohe shihet se edhe atëherë klasa politke shqiptare ishte e ndarë dhe e përçarë. Disa nga komunistët e atëhershëm donin mbetjen me Serbinë, ndërsa disa të tjerë të vazhdohej me Maqedoninë apo Presheva t’i bashkohej Kosovës. Abdullah Krashnica-Presheva, hero i popullit i mbeti besnik idesë që Presheva të mbetej në Maqedoni.
Më 1948, pas shpalljes së Rezolutës së Burosë Informative u shtua represioni. Në Preshevë në këtë kohë u shtrua kërkesa gjithëpopullore dhe me nënshkrime qytetarët shqiptarë shprehën kërkesën e tyre për bashkim me Kosovën dhe Shqipërinë.
Në qershor të vitit 1957, në fshatin Rogoçicë u formua organizata ilegale “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë”, ku pati edhe preshevarë. Pos Metush Krasniqit, Sejdi Kryeziut, Metë Dërmakut, në këtë organizatë pjesëtarë ishin edhe Marko Gashi dhe Qemal Kallaba, mësues në Preshevë.
Më vonë, më 1968 e 1981, shqiptarët e Luginës me demonstrata të përbashkëta në Kosovë i përsëritën kërkesat e tyre kombëtare: bashkim me Kosovën, bashkësi territoriale-politike, e cila më së miri do t’i siguronte të drejtat politike, zhvillimin ekonomik, të drejtat kulturore, arsimore, gjuhësore.
Në dekadën e fundit të shekullit 20 filloi përhapja e pluralizmit demokratik në shtetet europiane, në Ballkan, në ish-Jugosllavi, kështu që edhe Shqiptarët e Luginës i kapi kjo valë e pluralizmit demokratik, u organizuan politikisht, formuan partitë e tyre politike, për ta organizua popullin politikisht dhe nëpërmjet të programeve dhe qëllimeve partiake dhe politike të kërkojnë të drejta individuale dhe kolektive kombëtare.
Shqiptarët nuk ndejtën këmbëkryq, të prirë nga partitë politike në Luginë, më 1 dhe 2 mars 1992 organizuan Referendumin Gjithëpopullor në Luginën e Preshevës, me të vetmin qëllim politik e kombëtar, përmirsimi i statusit të tij politik dhe shprehja e lirë e vullnetit politik për të ardhmenë e tyre. Shqiptarët e Luginës dolën në mënyrë masive për t’u deklarruar në votim: A JENI PER AUTONOMI TERRITORIALE POLITIKE TE SHQIPTAREVE NE PRESHEVE, BUJANOC DHE MEDVEGJE ME TE DREJTE BASHKIMI ME KOSOVEN. Vullneti i lirë i shqiptarëve dhe vota e tyre ishte me 98% për këtë deklarim politik në Referendum.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke përkrahur dokumentet e Konferencës së Hagës, Brukselit dhe dokumenteve të tjera aktuale, në formë më demokratike e shprehën kërkesën dhe disponimin e tyre politik lidhur me çështjen e Autonomisë, duke e kuptuar atë si formën kaluese më të përshtatshme demokratike në drejtim të bashkimit me Kosovën. Duke i pasur parasysh rrethanat e atëhershme aktuale politike në Europë, në botë si dhe në Ballkan e Serbi ishte e kuptueshme që të kërkohet edhe forma e Autonomisë. Mirëpo tashti rrethanat politike ndryshuan, u shpall Pavarësia e Kosovës dhe ndodhi Lufta e UÇPMB-së në Luginë, mbetet të kërkohet forma e vetme demokratike: ribashkimi me Kosovën.
Marrëveshja e Konçulit, nënshkrimi i palës shqiptare dhe qeverisë jugosllave e serbe shtroi kërkesa konkrete për të dy palët. Derisa pala shqiptare i përmbushi detyrimet, u bë demobilizimi e tjera, pala tjetër, pos policisë multietnike asgjë tjetër nuk përmbushi nga Marrëveshja. Shqiptarët e Preshevës me vite e mbajnë pushtetin lokal, në Bujanoc për herë të parë shqiptarët më 2002 e morën pushtetin lokal. Rrethanat politike në Luginë të Preshevës e detyruan klasën politike që të themelojë Kuvendin e Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës që luajti një rol pozitiv në rrethanat e përmendura aktuale politike në Luginë, u bë njëfarë unifikimi i kërkesavë dhe i shpresave politike të Shqiptarëve të Luginës.
Aktualizohet Këshilli Nacional i Shqiptarëve të Luginës. Para këtij themelohet Trupi koordinues për Luginën e Preshevës, organ i cili nuk tregoi ndonjë përparësi cilësore në zgjidhjen e çështjes së pazgjidhur të Shqiptarëve, por as që zgjidhi problemet elementare, me të cilat ballafaqoheshin Shqiptarët e Luginës. Për Këshillin Nacional pati debate të ashpra për e kundër.
Themelimi i Këshillave Nacionale ishte kërkesë e qeverisë serbe. Zgjidhja e Çështjes së pazgjidhur të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës nuk qëndron dhe nuk duhet të mbështetet në dëshirën dhe vullnetin e politikanëve dhe qeverive serbe, por në Kushtetutë dhe ligje të vecanta, në një status të qëndrueshëm politik, të pranuar nga palët dhe faktori ndërkombëtar. Me themelimin e Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës inagurohen dy qeverisje paralele lokale, pandan të njëra tjetrës, me buxhet vetanak, me administratë vetanake si dhe do të bëhet luftë e madhe konkururese për institucionet e Preshevës dhe Bujanocit. Kjo luftë shkatërruese dhe e panevojshme në këtë kohë parajmëlohet nga individë të partive më të mëdha në Preshevë dhe po ndodh aktualisht. Pra, edhe njëherë dështuam në unifikimin e kërkesave kombëtare dhe shpresave politike, edhepse me Këshillin po zgjidhen disa probleme jetësore të Shqiptarëve.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk duhet të trajtohen diasporë e Kosovës, por pjesë përbërëse e saj, sipas të gjithë faktorëve gjuhësorë, kulturorë, arsimorë, politikë, ekonomikë, familjarë. Qeveritë shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë duhet gjithmonë t’i kenë parasysh kërkesat kombëtare të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për liri, të drejta, dhe bashkim kombëtar. Së pari ta arrijmë bashkimin kombëtar shpirtëror, që idetë, njerëzit, mallrat e trojeve shqiptare, sidomos të Luginës të Preshevës të lëvizin pa pengesa, ndërsa lufta për bashkim kombëtar, me mjete demokratike, të vazhdojë edhe më tutje.
Besojmë se integrimet evropiane do ta mundësojnë bashkimin e kërkesave dhe kombëtar edhe të shqiptarëve të Preshevës në një Evropë të Bashkuar.
Xhemaledin Salihu, Preshevë – Prizren, më 10 qershor 2012
(Këto kumtesa u lexuan në Tribunën politike të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, me temën: “134 vjet LSHP, 100 vjet shtet shqiptar, ku janë shqiptarët sot”. Prizren 10 qershor 2012)

__________________________________

VIDEO: SHIKONI NJË PASQYRIM NGA KJO TRIBUNË, TË ILUSTRUAR EDHE

ME PAMJE NGA ARRESTIMET E AKTIVISTËVE TË VV!!!!

_______________________________

(PERGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura