PËR NJË HAPËSIRË PUBLIKE, QË RIKUJTON REZISTENCËN PËR LIRI

PËR NJË HAPËSIRË PUBLIKE, QË RIKUJTON REZISTENCËN PËR LIRI

Hapësira publike e gjithë bulevardit “Nënë Tereza” nga fillimi në fund, duke përfshirë edhe hapësirën publike të kampusit universitar duhet të trajtohet në mënyrë gjithëpërfshirëse përmes një konkursi të mirëfilltë ndërkombëtar arkitektonik. Përmes një detyre projektuese të përgatitur në mënyrë profesionale, që do të ishte bazë e shpalljes së konkursit arkitektonik e urbanistik të hapësirës publike qendrore të kryeqytetit, ky konkurs do të duhej të trajtonte: dizajnin urban të gjithë bulvardit, arkitekturën e peizazhit dhe në mënyrë të veçantë të kaluarën historike të rezistencës për liri. Brenda detyrës projektuese të konkursit të parashihet edhe kërkesa për projektimin e sheshit të memorialit të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij, anëtarëve tjerë të familjes Jashari dhe bashkëluftëtarëve të rënë në Epopenë e UÇK-së më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz, kërkesa për projektimin e sheshit të memorialit të simbolit të rezistencës sonë kombëtare, Adem Demaçi, sheshit të memorialit të udhëheqësit të shquar të lëvizjes sonë kombëtare, Jusuf Gërvalla dhe bashkëveprimtarëve të tij Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, sheshin e rektorit historik të Universitetit të Prishtinës Ejup Statovci dhe ngjarjeve të tjera me rëndësi historike e kulturore për Kosovën. Nga ky konkurs do të duhet të rrjedhin edhe konkurset e veçanta arkitektonike për Memorialin e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij, anëtarëve tjerë të familjes Jashari dhe bashkëluftëtarëve të rënë në Epopenë e UÇK-së dhe konkurset tjera për udhëheqësit e lëvizjes sonë kombëtare, Adem Demaçi, Jusuf Gërvalla, Ukshin Hoti dhe rektorin Ejup Statovci

Shkruan: Arianit Bytyçi, arkitekt

Është thënë dhe është shkruar nga shumë krijues, shkrimtarë, filozofë, arkitektë dhe njerëz të dijes se mënyra se si e trajton hapësirën publike një shoqëri, flet shumë për vlerat që përfaqëson ajo shoqëri. Për më tepër, është thënë e është shkruar poashtu një gjë edhe më e rëndësishme: mënyra se si e trajton të kaluarën historike një shoqëri, dëshmon për vizionin se si do ta ndërtojë të ardhmen ajo shoqëri.

Mënyra se si është trajtuar hapësira publike në kryeqytetin tonë, në Prishtinë, thënë në mënyrën më të kujdesshme: lë shumë për të dëshiruar. Janë ndërtuar sheshe e bulevarde kryesisht pa koncepte të mirëfillta urbanistike e arkitektonike, madje edhe pa shpalljen e konkurseve të mirëfillta arkitektonike, të cilave do të duhej t’iu paraprinin detyra projektuese me objektiva dhe vizion të qartë arkitektonik. Si rezultat i kësaj qasjeje institucionale, këto hapësira publike janë trajtuar parcialisht, pa dizajn adekuat urban, ku mungon po ashtu trajtimi i mirëfilltë i arkitekturës së peizazhit, ku nuk ekziston ndërlidhje e dizajnit urban mes këtyre hapësirave publike dhe ku nuk  trajtohen në mënyrë adekuate edhe ndërtesat dhe përmbajtjet tjera, të cilat i rrethojnë ato hapësira publike.

Së fundmi, qeverisja e kryeqytetit ka vendosur për jetësimin e planit rregullues të një pjese të qendrës së kryeqytetit, ku parashihet që hapësira e rrugës nga ndërtesa e katedrales “Nënë Tereza” deri të sheshi “Zahir Pajaziti” të jetë shesh publik. Në këtë mënyrë, Prishtinës do t’i krijohet një hapësire publike e mirëfilltë nga ndërtesa e Katedrales e deri tek Kuvendi i Kosovës, me synimin që pas ndërtimit të rrugës nëntokësore në rrugën “Agim Ramadani”, kjo hapësirë publike të vazhdojë deri tek pjesa e qytetit të vjetër të Prishtinës. Po ashtu, do të ketë mundësi që bulevardi të vazhdojë të ndërlidhet edhe me rrugën “Garibaldi” deri tek ndërtesa e Bankës Qendore të Kosovës. Dhe, kështu bashkë me parkun e gjelbëruar të hapësirës së Kampusit Universitar dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Prishtina e ka shansin e jashtëzakonshëm të krijimit të një hapësire të mirëfilltë publike, ku do të integroheshin vlerat origjinale arkitektonike e urbanistike, arkitektura e peisazhit dhe trajtimi bashkëkohor i të kaluarës sonë historike.

Mbi të gjitha, në hapësirat publike të kryeqytetit tonë, nuk është trajtuar në mënyrë të mirëfilltë as e kaluara jonë historike. Prishtinës, si kryeqytet i shtetit të lirë e të pavarur të Kosovës, për të cilin shtet u sakrifikua bashkë më familjen dhe bashkëvendësit e tij, edhe 23 vite pas çlirimit i mungon memoriali i komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri me 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz. Ashtu siç e kam thënë në korrik të vitit të kaluar përmes një shkrimi autorial, ky memorial përveçse do të shpërfaqte figurën e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit, ai duhet të jetë monument gjithëpërfshirës ku duhet të paraqitet flijimi i të gjithë familjarëve të ngushtë, anëtarëve tjerë të familjes Jashari dhe bashkëluftëtarëve të rënë në Epopenë e UÇK-së më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz.

Madhështia e Epopesë së Jasharajve qëndron pikërisht në faktin se kanë rënë heroikisht tri gjenerata: ka rënë heroikisht komandanti legjendar, vëllai i tij, babai e nëna, bashkëshortja dhe fëmijët e tij e vëllezërve, bashkëshortet e vëllezërve, daja i komandantit, kanë rënë prindërit e luftëtarëve të orëve të para të UÇK-së, Musa e Sahit Jashari, dhe bashkëluftëtarët tjerë. Prandaj, duhet te ketë monument të të gjithë Jasharajve të flijuar për lirinë e Kosovës. Është rast unikat në histori, kur në një betejë bien heroikisht duke luftuar komandanti legjendar i një ushtrie çlirimtare bashkë me familjen e tij. Prandaj, e gjithë kjo histori e sakrificës dhe e flijimit duhet të përjetësohet ashtu siç ka ndodhur, në mënyrë të vërtetë.

Sipas mendimit tim, memoriali i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, familjes dhe bashkëluftëtarëve të tij duhet të planifikohet e të ndërtohet në një lokacion adekuat urbanistik brenda hapësirës së bulevardit “Nënë Tereza”, në hapësirën e fillimit të këtij bulevardi. Ndërtimi i memorialit në lokacionin e përmendores së “Vëllazërim-bashkimit” nuk është aspak ide e mirë, madje ide shumë tendencioze, për arsye se ajo përmendore është dëshmi e një koncepti antihistorik në bazë të të cilit ka ndodhur edhe gjenocidi i regjimit serb në Kosovë. Përmendorja e treshtyllëshe e “vëllazërim-bashkimit” ashtu siç ka propozuar ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së e veprimtari i çështjes kombëtare, Bardhyl Mahmuti, duhet të shndërrohet në Përmendore të gjenocidit shtetëror serb në Kosovë.

Ndërtimi i memorialit të Adem Jasharit e familjes së tij në atë hapësirë publike është fyerje për historinë e sakrificës së komandantit Adem Jashari e familjes së tij, është fyerje për Kosovën. Prandaj, memoriali i Adem Jasharit duhet ndërtuar në fillim të bulevardit “Nënë Tereza”, në një vend qëndror i cili do të përcaktohet pas një analize gjithëpërfshirëse përmes një konkursi ndërkombëtar.

Për më tepër, mendoj se brenda hapësirës së bulevardit kryesor të kryeqytetit dhe hapësirës publike të kampusit universitar duhet planifikuar edhe sheshi dhe shtatorja e simbolit të rezistencës sonë kombëtare, Adem Demaçi, memoriali i veprimtarit të shquar të lëvizjes sonë kombëtare, Jusuf Gërvalla dhe bashkëveprimtarëve të tij Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, shtatorja e veprimtarit të dalluar kombëtar, profesorit Ukshin Hoti, shtatorja e rektorit historik të Universitetit të Prishtinës Ejup Statovci, si dhe të evidentohen në mënyrë adekuate edhe vendndodhja e ndërtesës së gjimnazit “Xhevdet Doda” të Prishtinës, e cila është rrënuar padrejtësisht duke shembur një kujtesë kolektive të një historie të edukimit në frymën e rezistencës për çlirim, të evidentohet me pllakë rikujtimi edhe druri ku udhëheqësi i dalluar i lëvizjes sonë kombëtare, Hydajet Hyseni i është drejtuar demonstruesve të vitit 1981, të evidentohen edhe ngjarjet e mëvonshme që kanë ndodhur brenda hapësirës së bulevardit “Nënë Tereza” siç janë demonstratat e fundviteve ’80-të dhe ’90-të. Duhet potencuar, se edhe ideja e promovuar së fundmi e skulpturës së rezistencës së veçantë të z.Faik Rexhepi në hapësirën e sheshit “Zahir Pajaziti” është për t’u përshëndetur. Por, duhet të kihet kujdes në origjinalitetin e skulpturës, në mënyrë që të ndërtohet skulptura në mënyrë sa më profesionale dhe origjinale.

Si përmbledhje, dua të propozoj që hapësira publike e gjithë bulevardit “Nënë Tereza” nga fillimi në fund, duke përfshirë edhe hapësirën publike të kampusit universitar duhet të trajtohet në mënyrë gjithëpërfshirëse përmes një konkursi të mirëfilltë ndërkombëtar arkitektonik. Përmes një detyre projektuese të përgatitur në mënyrë profesionale, që do të ishte bazë e shpalljes së konkursit arkitektonik e urbanistik të hapësirës publike qendrore të kryeqytetit, ky konkurs do të duhej të trajtonte: dizajnin urban të gjithë bulevardit, arkitekturën e peizazhit dhe në mënyrë të veçantë të kaluarën historike të rezistencës për liri. Brenda detyrës projektuese të konkursit të parashihet edhe kërkesa për projektimin e sheshit të memorialit të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij, anëtarëve tjerë të familjes Jashari dhe bashkëluftëtarëve të rënë në Epopenë e UÇK-së më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz, kërkesa për projektimin e sheshit të memorialit të simbolit të rezistencës sonë kombëtare, Adem Demaçi, sheshit të memorialit të udhëheqësit të shquar të lëvizjes sonë kombëtare, Jusuf Gërvalla dhe bashkëveprimtarëve të tij Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, sheshin e rektorit historik të Universitetit të Prishtinës Ejup Statovci dhe ngjarjeve të tjera me rëndësi historike e kulturore për Kosovën.

Pas përzgjedhjes së fituesit të këtij konkursi arkitektonik dhe urbanistik të të gjithë hapësirës publike qendrore të kryeqytetit, nga ky konkurs do të duhet të rrjedhnin edhe konkurset e veçanta arkitektonike për Memorialin e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij, anëtarëve tjerë të familjes Jashari dhe bashkëluftëtarëve të rënë në Epopenë e UÇK-së dhe konkurset tjera për udhëheqësit e lëvizjës sonë kombëtare, Adem Demaçi, Jusuf Gërvalla, Ukshin Hoti, rektorit Ejup Statovci, etj.

Është me rëndësi të theksohet se në të gjitha konkurset për memorialët, duhet potencuar objektivi dhe vizioni për memorialë bashkëkohor, me qëllim që duke prezantuar në mënyrë sa më humane sakrificën, flijimin dhe kontributin për liri, të dizajnohen e të ndërtohen memorialë me vlera origjinale arkitektonike, artistike dhe skulpturore, të cilat do të ishin unike në historinë e arkitekturës e të skulpturës botërore, pra memorialë që do t’i mbijetonin kohës  dhe që do t’ia rrisnin vlerën dhe kuptimin hapësirës publike. Në asnjë mënyrë nuk duhet kopjuar qasja e projektit megaloman të shtatoreve të Shkupit, i cili projekt është kritikuar gjerësisht nga mediat botërore si një projekt i shtrembërimit të historisë dhe i kiçit. Është momenti i fundit, që Prishtina të këtë hapësirën e duhur publike me vlera të mirëfillta arkitektonike, e cila do t’ia jepte Prishtinës përfundimisht vulën e një kryeqyteti bashkëkohor.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura