PETRIT BAJRAKTARI: LUKSI POLITIK KARSHI POPULLIT TË VARFËR

(Drenas, 28. 08. 2012) – Tek sa shtetet e tjera, me një ekonomi shumë të fuqishme po bëjnë ç’është e mundur që ta parandalojnë krizën financiare të ngjashme me atë që ka goditur Greqinë, Italinë e Spanjën, shteti i Kosovës po punon për të kundërtën e kësaj gjendje. Qeveria e Francës madje ka marrë vendim që t’i ulë pagat për zyrtarët e saj, ndërsa Qeveria e Kosovës në vend se të bënte shkurtime të tilla buxhetore për t’i ikur sadopak krizës që do të ishte fatale për vendin tonë, po e bën të kundërtën, duke hartuar e miratuar ligje me çka e rrisin luksin e tyre edhe më shumë, duke i rritur pagat dhe benificionet e tjera për vete, përderisa varfëria e skajshme është e lartë ndërsa papunësia vazhdon të jetë në trendin e rritjes. Pra, kjo qeveri po gjeneron varfëri dhe papunësi, në vend se të gjeneronte vende të reja pune, ashtu siç kishte premtuar që dy mandate Hashim Thaçi, i cili falë këtyre gënjeshtrave të mëdha dhe falë hajnave të votave ende vazhdon të jetë në krye të vendit, për fatin e keq të Kosovës dhe të qytetarëve të saj.
Nëse shfletojmë vetëm pak nga premtimet e Hashim Thaçit dhe të partisë së tij PDKsë, e nëse për një moment i mbyllim sytë dhe i imagjinojmë premtimet si të ishin realizuar, do të na duket sikur jemi në ndonjë vend shumë të zhvilluar ekonomikisht por edhe politikisht, meqë të dyja këto janë të lidhura ngusht njëra më tjetrën, ose nuk bëjnë njëra pa tjetrën. 

……………………………………………….

 Me siguri do të mendojmë sikur jemi në shtetin i cili nuk ka probleme me kufinjtë e as me sovranitetin brenda. Kështu duke imagjinuar, ne mund të shkojmë pa asnjë problem në cilindo qytet të Kosovës për një punë apo për ta pirë një kafe, përfshirë këtu edhe Mitrovicën përkatësisht veriun e saj. Një shtet ku nuk ka struktura paralele të udhëhequra nga një shtet tjetër. Gjithnjë sipas imagjinatës sy mbyllur e duke u bazuar në premtimet e Thaçit, Kosova do të ishte me një numër të vogël të të papunëve, me një përqindje shumë të ulët të varfërisë, me një ligj meritor për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, me një kujdes të mirë për pensionistët tanë, me një sistem të ngritur e të papolitizuar të arsimit të lartë dhe atij të mesëm, me gjykata të pavarura, me energji elektrike 24 orë e pa agregatët e zhurmshëm, me ujë të mjaftueshëm të pijes për të gjitha qytetet, fshatrat dhe lagjet e Kosovës dhe në përgjithësi do të na dukej se jemi një vend i përparuar politikisht dhe i zhvilluar ekonomikisht.
Por çdo fillim e ka dhe fundin e vet, qoftë për të mirë apo për të keq. Kështu përfundon edhe kjo imagjinata ime duke u bazuar në premtimet koti, ngase të gjitha këto që do të duhej e do të mund të ishin realitet po të kishte më shumë vullnet dhe seriozitet, nuk janë as për së afërmi të vërteta dhe kësisoj premtimet rëndom mbesin si të tilla të parealizueshme, që i shërbejnë partive dhe më vonë qeverive të papërgjegjshme, sikur kjo që kemi tani.
Pra, edhe sot e kësaj dite dora e shtetit tonë nuk është e shtrirë në gjithë territorin e vet dhe se brenda kemi strukturat paralele të Serbisë, që është një rast i rrallë t’u ketë ndodhur diqka e tillë shteteve që janë deklaruar paraprakisht si sovrane. Për më tepër, Qeveria e Kosovës përmes negociatave të paralajmëruara politike do ta tregtojë Veriun e Mitrovicës, rrjedhimisht do ta ndajë atë nga pjesa tjetër e shtetit. Pikërisht nga moskontrolli i shtetit dhe nga kontrabanda me mallra që bëjnë serbët atje, po dëmtohet shumë zhvillimin ekonomik dhe gjithsesi se kjo po ndikon edhe në rritjen e papunësisë që tashmë ka shkuar në rreth 50%. Varfëria e skajshme është alarmante, privatizimi i egër i ndërmarrjeve publike po vazhdon, veteranët e UÇK-së janë lënë në mëshirën e fatit ku nga gjendja e rëndë sociale disa prej tyre po zgjedhin atë më të keqen, vetëvrasjen. Pensionistët në anën tjetër janë të fyer më pensionet që marrin, teksa zyrtarët qeveritarë po mendojnë vetëm për luksin e tyre, duke i ngritur pagat për afro 1000 euro më tepër. Arsimi si asnjëherë më parë është i politizuar skajshmërisht dhe po degradon përditë e më tepër. Gjykatat poashtu janë të politizuara, ngase nuk janë të drejta dhe shumë shpesh marrin vendime politike e të njëanshme. E tillë është edhe “mbrojtësja e Kushtetutës“, Gjykata Kushtetuese.
E për ta përfunduar me disa prej premtimeve më kryesore të PDK-së e të Thaçit në veçanti dhe të cilat nuk u realizuan asnjëherë, nuk bën pa e përmendur edhe faktin se në pikë të verës, në këto temperatura të larta në Kosovën tonë që aq shumë po pretendon në dofarë integrimesh evropiane, nuk kemi energji elektrike dhe nuk kemi as ujë të pishëm.
Statistikat e fundit padyshim janë të tmerrshme dhe alarmuese për të gjithë neve. Vetëm nga regjistrat zyrtarë, Kosova për momentin ka 350.000 të papunë, ndërsa kur këtij numri ja shtojmë edhe ata që nuk janë të regjistruar fare dhe kur e mendojmë faktin që shumë prej tyre janë të punësuar sezonalë, siç është sektori i ndërtimtarisë që zgjat jo më shumë se 6 muaj, përqindja e papunësisë prej 50% del të mos jetë reale. Ajo sigurisht se është më e lartë se kaq, fatkeqësisht.
Prandaj, është koha e fundit edhe pse e vonuar që gjërat të nisin të bien në vendin e vet. Nuk është e tepërt ta ripërsërisim se Kosova me qeverisjen aktuale është e rrezikuar si asnjëherë më parë në aspektin politik, atë të bërjës së shtetit të njëmend. Ndërsa zhvillimi ekonomik tashmë është në binarët e kundërt dhe rrezikon për çdo moment të ndeshet më të keqën e pariparueshme.
E kur është kështu, jo se nuk është e tepërt, por është shumë e nevojshme ta përsërisim kërkesën shumë legjitime duke punuar pandalshëm që kjo qeveri duhet të shkoj në shtëpi. Këtë duhet ta bëjë populli. Këtë duhet ta bëjmë të gjithë ne, duke lënë anash bindjet politike e partiake e duke u bërë bashkë që përnjëmend ta kemi shtetin e së drejtës, shtetin që duhet ta ruajmë, në mënyrë që ta kemi atë. Në mënyrë që të jemi ne!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura