POROSIA E MADHE E POLITOLOGUT UKSHIN HOTI

Pashtriku.org, 15. 05. 2015 – Në Prishtinë u promovua libri “Çështja Kombëtare shqiptare – Komponenti religjioz”, i politologut dhe veprimtarit të çështjes kombëtare Ukshin Hotit. “Intelektuali shqiptar do të duhej të qëndronte një intelektual kombëtar dhe t’i ndihmon gjithnjë ngritjes së një sistemi të mendimit shqiptar”, kjo ishte një nga porositë e mëdha të politologut nga Kosova, Ukshin Hoti, që është pasqyruar në librin e tij “Çështja Kombëtare shqiptare – Komponenti religjioz”, i cili u promovua të hënën pasdite nga Këshilli i Rinisë Evropiane të Kosovës në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.
Si një politolog modern, i njohur e i përditësuar me arritjet më të fundit të filozofisë politike në shkallë botërore, qasja e Ukshin Hotit ndaj besimit dhe religjionit është e distancuar dhe me konsiderata komplekse, është thënë gjatë përurimit të këtij libri i cili përbëhet nga disa ese të shkruara në verën e vitit 1997 nga veprimtari Ukshin Hoti derisa vuante burgun në qytetin Nish të Serbisë, për shkak të veprimtarisë kombëtare.
Bislim Elshani, i cili ka shkruar parathënie në librin “Çështja Kombëtare shqiptare – Komponenti religjioz”, ka deklaruar para të pranishmëve se esetë e Hotit janë shkruar në kohën kur mendimi i përgjithshëm politik, ndonëse i ngarkuar me komponentin religjioz, e konsideronte atë akoma si tabu.

Bislim Elshani, ka shkruar parathënie e librit

“Çështja Kombëtare shqiptare – Komponenti religjioz”,

“Aktualiteti i kësaj trajtese në ditët e sotme as që mund të vihet në dyshim. Një arsye shtesë është mënyra origjinale e qasjes së Ukshin Hotit ndaj ngarkesave religjioze në politikë. Qasja e Hotit ndaj këtij komponenti në politikë s’ka të bëjë fare me tifozllëkun vulgar brenda binomit oksident-orient apo krishterizëm-islamizëm. Ukshin Hoti i shmang me kujdes dhe mendjemprehtësi identifikimet e tilla, duke u përqendruar në atë që përbën interesin themelor, qoftë të kombit vetjak, qoftë të rajonit”, ka thënë Elshani.
Ndërkohë pas tij ka folur edhe simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi, i cili është shprehur se veprimtari Hoti, ishte në dijeni se do të dalin probleme për sa i përket çështjeve religjioze.
“Është duke u parë qartë se fetë, për shkak të bartësve të tyre, por jo për shkak të teorive fetare, kanë dështuar plotësisht. Ka dështuar edhe ajo ortodokse, edhe kjo myslimane dhe po ashtu edhe ajo katolike. Shikoni se si po jetojnë udhëheqësit tanë fetarë dhe çfarë jete po zhvillojnë. Këto po ndodhin se karshi këtyre dukurive shteti ynë ka dështuar. Po pse ka dështuar? Sepse nuk janë bijtë e popullit në krye të qeverisjes, por janë ata të cilët na kanë sjell dikush tjetër”, ka pohuar Demaçi i cili me fjalimin e tij për Ukshin Hotin emocionoi të pranishmit duke i bërë disa të përloten.
“Motër e Ukshinit, ti po vuan për vëllanë tënd, por kombi ynë po vuan për Ukshin Hotin, pra për një udhëheqës të vërtetë”, ndërkohë që audienca u ngrit në këmbë për të nderuar veprën kolosale të Ukshin Hotit.
Zëvendësministri i Kulturës në largim, Hajdin Abazi, ka thënë se kjo vepër e Hoti është një kryevepër në shkencën politike shqiptare, në të cilën ai shpërfaq një rezonim të thellë teorik lidhur me proceset zhvillimore dhe pikërisht kjo e bën tepër të veçantë këtë studim.
“Veçantia qëndron te vlerat që kjo vepër i përmban, vlera të cilat e ngrenë autorin e saj në piedestalin e filozofisë politike shqiptare në përgjithësi, por, njëkohësisht, e bëjnë shumë të çmueshëm për mendimin politik global. Krahas kësaj, ky studim paraqet një kontribut në drejtim të të kuptuarit më korrekt të thelbit progresiv të trendit të demokratizimit të raporteve ndërmjet popujve e shteteve”, ka deklaruar Abazi.
Avdullah Hasani, president i Këshillit të Rinisë Evropiane të Kosovës, në emër të botuesit ka shtuar se kjo vepër e Hotit duhet të lexohet sidomos nga të rinjtë evropianë të Kosovës.
Sopranoja vendase Ardita Ukaj e përcjell në piano nga profesori i muzikës Naser Dula, ka kënduar këngën “O vendi im”, ku për performancën e saj mori duartrokitje të gjata nga ana e të të pranishmëve.
Ukshin Hoti është i lindur më 1943 në Krushë të Madhe të Rahovecit. Shkencat politike i kreu në Zagreb, kurse dy vite pasuniversitare i kreu në Beograd në seksionin për marrëdhënie ndërkombëtare politike dhe ekonomike. Pastaj specializoi një vit edhe në Universitetet amerikane në Chicago, në Universitetin e Harvardit në Boston si dhe në Washington D.C.Që nga viti 1999, atëherë kur kishte mbaruar afati i vuajtjes së dënimit politik prej pesë vjetësh, mbi fatin e profesor Ukshin Hotit nuk dihet më asgjë! /KultPlus.com, 12. 05. 2014/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura