PREKAZI BREZNI TRIMASH – AI ËSHTË I GJALLË

Recension 

PREKAZI BREZNI TRIMASH – AI ËSHTË I GJALLË

(Kronologji)

Libri është përgatitur në gjuhët: shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, turqisht, kroatisht, sllovenisht, spanjisht

Prof. Dr. Zymer Neziri, Instituti Albanologjik

Prekazi, brezni trimash (kronologji), përgatitur për botim nga Dibran Fylli, me redaktor Prof. Avdullah Hoxhën, në vend të hyrjes ka shkrimin me interes për lexuesit, “Drenica flamurtare e lirisë”, që fillon me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe me kryengritjet shqiptare në Drenicë, Llap, Gallap, Gjilan, Gjakovë, Prizren e në shumë krahina të tjera të vendit.. Në vijim pasojnë të dhëna për vitin 1912 dhe për fundin e Perandorisë Osmane, për takimet e Hasan Prishtinës me krerët e Drenicës, në kullën e Ahmet Delisë në Prekaz, për mbajtjen e Kuvendit të Junikut, për shpalljen e pavarësisë në Vlorë dhe për copëtimin e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha, më 1913.

Tërheqin vëmendjen të dhënat për kullat e njohura: Kulla e Tahir Mehës, Kulla e Ahmet Delisë, Kulla e Shaban Jasharit, Kulla e Emin Latit, si dhe qëndresa heroike në këto kulla, në dy shekujt e fundit.

Zgjon interesim edhe gjenealogjia e familjes Jashari, të dhënat për kohën para rreth treqind vjetëve, se nga tre vëllezër: Jashari, Meha dhe Kadria, do të krijohen tri lagje në Prekaz të Drenicës, i cili cilësohet me shumë të drejtë si fshati më në zë në historinë e re kombëtare. (PS. 300 vjet janë pak për 6 breza, thonë etnologët. Fjala 300 bën të zëvendësohet me fjalët gjashtë breza dhe del më mirë, mendoj). Trungu i familjes Jashari, nga i pari i Jasharëve, Jashari, është po ashtu me shumë interes, se djemtë e Shaban Jasharit janë gjenerata e pestë, kurse djemtë e Rifatit, të Hamzës e të Ademit janë gjenerata e gjashtë. (PS. I pari, JASHARI, ishte nga fisi Kuç i Malësisë së Madhe, bën të shtohet, nëse pajtoheni, ndonëse i ati i Jasharit duhet të ishte i besimit katolik kur u vendos në Prekaz).

Portreti i Shaban Jasharit (1924-1998), Plaku i Shqipërisë, është shkruar me përkushtim, sidomos janë pasqyruar bindshëm datat 5, 6 e 7 mars 1998, kur bëhet sulmi mbi Jasharët rreth orës gjashtë të mëngjesit. Pason qëndresa heroike dhe rënia heroike e 20 anëtarëve, 10 prej të cilëve fëmijë, kurse plaku Shaban Jashari, në këtë betejë të lavdisë, vërtetoi epitetin e kahmotshëm “Mësuesi çlirimtar i lirisë së Kosovës”, thotë përgatitësi Dibran Fylli.

Në vijim, kemi portretin e Osman Gecit (1943-1998), i biri i Shaban Gecit dhe daja i Komandantit Legjendar Adem Jashari, që më 5 mars 1998, së bashku me nipin e tij Ademin, u nisën në Kullën e Qëndresës në Prekaz dhe aty së bashku me dhëndrin e tij, Shabanin, me nipat Hamëz e Adem Jashari dhe anëtarët e tjerë të familjes Jashari, për tri ditë rresht luftuan kundër forcave policore e ushtarake serbe dhe ranë heroikisht.

Pason edhe portreti i Hamëz Jasharit, (1950-1998), djali i dytë i Shaban Jasharit, të dhënat për jetën e tij në vitin 1981, që Hamzën e gjet të gatshëm për t’u sakrifikuar për atdheun. Bashkë me të vëllanë, Rifatin, sollën nga Turqia në Kosovë pamfletet “Kosova Republikë’’ Ka edhe të dhëna për sulmin e parë të forcave serbe dhe jugosllave mbi familjen e tij, në vitin 1991, prandaj më 30 janar 1991 doli haptazi në mbrojtje të vendit të të parëve, duke iu bashkëngjitur të vëllait, Ademit. Më 5, 6 dhe 7 mars 1998, pushka dhe kënga e Hamzë Jasharit nuk u ndalen për tri ditë rresht, thotë përgatitësi.

Prekazi, brezni trimash (kronologji), përgatitur për botim nga Dibran Fylli, sjell para lexuesit Adem Jasharin (1955-1998) me tërë madhështinë e tij, që u lind në ditën e fitoreve më të lavdishme të popullit shqiptar, në Ditën e 28 Nëntorit, thotë përgatitësi.

Me interes janë të dhënat për edukimin e tij, që rritej së bashku me vëllezërit e tij, Rifatin dhe Hamzën, dhe shfaqte interesim për armët, për bëmat e trimave gjatë historisë, e sidomos i interesonte akti burrëror i Ahmet Delisë.

Pasojnë angazhimi i tij në veprimtarinë atdhetare ilegale, pjesëmarrja në demonstratat e pranverës së vitit 1981 dhe rezistenca e Tahir e Nebih Mehës kundër forcave ushtarake policore jugosllave. Shaban, Adem dhe Hamëz Jashari, në ceremoninë e varrimit të këtyre dëshmorëve, u betuan para trupit të Tahir Mehës: “Luftën që nise ti, do ta vazhdojmë ne, deri në pikën e fundit të gjakut!”

 Lexuesi bëhet me dije se demonstratat e vitit 1981 ndikuan në brezin e Ademit, që formoi, organizoi dhe udhëhoqi politikisht dhe ushtarakisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Adem Jashari dhe çeta e tij ka qenë dhe ka mbetur bërthama themeltare e UÇK-së, thotë përgatitësi. Në vijim ka të dhëna për datën 3 nëntor 1991, kur Adem Jashari me grupin e tij shkoi në Shqipëri për t’i kryer ushtrimet ushtarake dhe për t’u stërvitur për luftën e armatosur.

Përgatitësi e plotëson portretin e Ademit, se pas përfundimit të stërvitjes, ky grup kthehet në Drenicë më 7 dhjetor 1991, i pajisur me armatim, dhe kishte dhënë detyrë vetes që t’i zgjerojë radhët në formacione të armatosura. Ademi do t’u thotë shokëve: “Armët nuk i kemi marrë që t’ia dorëzojmë armikut, por që ta luftojmë deri në fishekun e fundit.” Më 30 dhjetor 1991 armiku kishte rrethuar Jasharët. Pas kësaj përleshjeje me forcat e policisë serbe, tërë grupi i Adem Jasharit kalon në ilegalitet.

Prekazi, brezni trimash (kronologji), sjell për lexuesit të dhëna mbresëlënëse se Ademi po bëhej legjendë, se ai ishte kudo ku sulmohej armiku, se ishte në çdo cep të Kosovës.

Adem Jashari sulmonte patrullat e policisë serbe dhe stacionet policore, si në Skenderaj, në Mitrovicë, tek Ura e Gjakut, në Shipol, në Runik, në Drenas e vende të tjera, kurse me urdhrin e tij janë bërë aksione të armatosura në Shtime, në Prizren, në Klinë etj., në Rrafshin e Dukagjinit.

Më 5 prill 1993, në kullën e Jasharëve, u krijua Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Adem Jashari u emërua komandant i Ushtrisë së Kosovës. Serbia e kishte dënuar atë tri herë me nga 2O vjet burg në mungesë: në vitin l99l, pastaj l996, dhe së fundi në vitin l997.

Përgatitësi Dibran Fylli paraqet të dhëna me peshë se me sulmin e shtatorit 1997 në 12 stacionet e policisë serbe, formacionet e UÇK-së të kalojnë në një fazë tjetër të veprimit, të ndeshjes së drejtpërdrejtë me forcat serbe, pra në beteja frontale.

Beteja e 5, 6 dhe 7 marsit 1998.

Në natën ndërmjet 4 e 5 marsit 1998, Prekazi dhe familja e Komandantit Legjendar Adem Jashari, rrethohen nga forca të mëdha ushtarake e policore serbe. Adem Jashari dhe familja e tij, sulmit armik iu përgjigjen me sulm.

Pas një rezistence të gjatë dhe heroike, tri ditë e tri net, armiku arriti të djegë e shkatërrojë Lagjen e Jasharëve. Adem Jashari deri në rënie s’e ndali pushkën për liri dhe këngën për Shqipëri. Ushtria Çlirimtare e e Kosovës humbi prijatarin e saj. Kosova fitoi komandantin legjendar. Me aktin e rënies se Jasharëve, Kosova mundi frikën dhe për lirinë e saj u hapen shtigje të reja, thotë përgatitësi Dibran Fylli, veprimtar i njohur i çështjes kombëtare dhe luftëtar i devotshëm Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura