PROF. DR. RUZHDI SEFA: ‘JANARI I PËRGJAKUR’ NË ‘PARKUN E LIRISË’

Gjakovë, 01. 02. 2014 – (Akademia kushtuar dëshmorëve të kombit, dy pishtarëve të demokracisë: Xhevat Hoxha dhe Fatmir Kërleshi) – Si me ja ba që me këtë fjalën time me ia qëllue? Me fol fjalë të mëdha ngase edhe veprat e këtyre djemve tanë që sot po i kujtojmë, me rastin e 24 vjetorit të rënies në Lagjen Geci të Gjakovës martire – ka qenë e madhe APO me fol fjalë të thjeshta që të gjithë ti kuptojnë pikërisht se jeta e tyre ka qenë e thjeshtë – njejtë me shumicën prej nesh këtu. Këtë e kisha dilemë kur mora ftesën nga kabineti i kryetares së Gjakovës Znj.Mimoza Kusari-Lila!
Por nuk kisha asnjë dilemë kur duhet përshkruar gjendjen e asaj kohe: me fjalë të vërteta dhe të pakontestushme!
Xhevati e Fatmiri kanë jetue, kanë veprue, janë rropatur si shumica prej nesh në Gjakovë e Kosovë. Duke u munduar të punojnë, të jetojnë e të avancojnë me ndershmëri, mbi parime të moralit dhe etikës edhe pse duke ecur nëpër tehun e shpatës, në mes kullës e çekanit, në mes Sciles e Haribdes. Mirëpo kjo të tjerëve ju pengonte: Shovenizmi dhe hegjemonizmi serb i projektuar nga elaboratet e Garashanit, Çubrollqoviçit, Rankoviqit,… këtij zhvillimi të shqipëtarëve i janë kundërvënë me të gjitha format dhe mundësitë.

Gjakovë, Janar 1990: Nderim dëshmorëve të rënë, Xhevat Hoxha dhe Fatmir Kërleshi.

Në vitin 1988-të me qëllim të arritjes së qëllimeve të programuara serbe, u bëhej presion organeve Federative për t’ia hequr Kosovës statutin e asaj pak autonomie. Aktin e deklarimit të ‘parlamentarëve’ të Kosovës, udhëheqja serbe e formalizoi me 23 Mars 1989 në saje të përdorimit të mjeteve të presionit dhe dhunës shtetërore. Një javë më pas, më 28 Mars 1989-të, në Beograd, në mënyrë festive, i proklamuan ndryshimet në kushtetutën e Serbisë. Dhe, deri sa në Beograd kremtoheshin ato ndryshime, në rrugët e Prishtinës dhe qyteteve të tjera të Kosovës demonstronin mbi 200 mijë shqipëtar kundër ndryshimeve të dhunëshme kushtetutare.
Kundërshtit sa vinin e rriteshin. Në mesin e qindra protestuesve në Gjakovë që po kundërshtonin hegjemonizmin e pushtetit të atëhershëm serb, u vranë nga dora barbare e policisë, të rinjtë Fatmir Kërleshi (20 vjeç) dhe Xhevat Hoxha (24 vjeç). Vrasja e Fatmir Kërleshit, Xhevat Hoxhës dhe e të tjerëve para e pas tyre, hapi për shqiptarët dyert e lirisë, kërkesës së drejtë për Republikën e Kosovës. Guximi, trimëria dhe heroizmi i tyre, u bë inspirim i shumë të rinjëve që iu bashkangjitën pa hezitim rradhëve të UÇK-së. ’Djemtë e Asfalltit’ ishin shtylla e UÇK-së në Rrafshin e Dukagjinit.
Në mesin e shumë datave historike si: demonstratat e 68-tës, të 81-shës, 88-tës, greva e minatorëve e deri tek dalja në publikë e UÇK-së, bashkë me rënien e shumë dëshmorëve, që me të drejtë kujtohen, Janari i përgjakshëm i vitit 1989 në Gjakovë sikur po harrohej!? Por, me injorimin e këtyre ngjarjeve, jo vetëm që lëndohen familjet (statusi i bijëve të tyre ende s’është zgjidhur), por ka patur rrezik që kjo ngjarje -histori të harrohet për çdo vit nga pak.
Jemi dëshmitar të asaj që po duan të na ndërrojnë apo rishkruajnë historinë. Për të mos ndodhur një gjë e tillë duhet që vetë ta shkruajmë atë. Të paktën këtë që e jetuam dhe disa nga ne që jemi akterë të saj. Assesi nuk bënë të harrojmë gjakun dhe veprën e Xhevat Hoxhës dhe Fatmir Kërleshit dhe gjithë të rënëve tjerë në gjithë Kosovën. Vepra e tyre duhet të na shërbejë si një apel i madh, për të mbrojtur me çdo çmin të drejtat e fituara me gjakun që është derdhur. Prandaj sot të gjithë ata që e duan jetën, lirinë, dinjitetin njerëzor dhe demokracinë përulen me nderim ndaj gjithë atyre që dhanë jetën për liri dhe çështje kombëtare.
Po e rikujtoj sot një pllakë që në vitin 1990 djemtë e Mëhallës së Gecës e vunë në vendin e krimit:
“GJAKUN E DËSHMORËVE
SHIU NUK E LANË
AS DIELLIN NUK E THANË”.
Lavdi për jetë e mot të rënëve Xhevat Hoxha e Fatmir Kërleshi!
Prof. Dr. Ruzhdi SEFA – Gjakovë, 31 Janar 2014
– Autori këtë kumtesë e ka lexuar në akademinë përkujtimore kushtuar dëshmorëve: Xhevat Hoxha dhe Fatmir Kërleshi, të organizuar në ambientet e shkollës së Muzikës “Prek Jakova”, nga Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila.

—————————–

– AKTI I CEREMONISË SË VARRIMIT –

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura