XHEVAT FETAHAJ: ZYRA E KRYEMINISTRIT FALSIFIKON NË MËNYRË ORDINERE AKTIVITETIN ATDHETAR TË XHEMËS! XHEMA NUK KISHTE LIDHJE ME MERCENARËT E ‘FARK-ut’!

Pejë, 03. 06. 2015 – (Reagim përkitazi me shënimin e përvjetorit të 16 të rënies së heroit Xhemajl Metë Fetahaj) – Institucionet shtetërore të Kosovës, përkatësisht Zyra e Kryeministrit të Kosovës, me tendenca të përvetësimit dhe promovimit të vetvetes, në akademinë përkujtimore të datës 31 maj 2015, me fjalimet dhe me falsifikimin e biografisë, u munduan që heroin Xhemajl Fetahaj ta bëjnë strukturë të një mekanizmi të politikës dështuese, e cila kishte për platformë pasivitetin e, assesi, jomilitantizmin deri në vetëflijim.
E ndjejmë për obligim që përfaqësuesit të institucionit dhe të qeverisë, zotit Geci, i cili në fjalimin e tij, me tendenca të promovimit të LDK-së dhe personaliteteve, të cilat assesi nuk e kanë biografinë atdhetare e as kombëtare të përafërt me atë të Xhemës, se biografia e Xhemës është ajo e një kolosi, i cili tërë jetën ia ka kushtuar bashkimit kombëtar dhe se tendenca e tij për njollosjen e personalitetit të tij nuk i bën nder luftës, rezistencës dhe as gjakut të derdhur për liri.


Komandant Xhemajl Fetahaj në Koshare.

Që nga mosha 17-vjeçare Xhema ishte i burgosur politik dhe për qëndresën e tij dhe pathyeshmërinë gjatë vuajtjes së dënimit dëshmojnë edhe arkivat dhe dokumentet e asaj kohe. Për asnjë moment në jetën e tij nuk e ka ndalur aktivitetin kombëtar dhe se është iniciatori i parë i pajtimit të gjaqeve, anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës, përgjegjës i Fondit Vendlindja Thërret për Gjermani, dhe së fundi me armë në dorë ka dëshmuar se si mbrohen atdheu dhe kombi, duke e dëshmuar në çdo aktivitet aftësinë e tij për bashkim dhe për unifikim të kombit.
Ne si familje jemi të indinjuar dhe të prekur thellë me formën e organizimit të shënimit të përvjetorit të rënies së heroit, me mënyrën se si këshilltari i kryeministrit e falsifikon në mënyrë ordinere aktivitetin atdhetar të Xhemës, e që për ne si familje ishte përjetim i vrasjes së dytë të heroit.
Tendenca e qarqeve të caktuara, që lufta dhe angazhimi i heroit të lidhet me FARK-un dhe me mercenarë, të cilët kanë qenë të paguar për angazhimin e tyre në luftën e fundit, janë qëllimkëqija, sepse Xhema tërë jetën i dha kombit dhe asnjëherë në jetën e tij nuk i mori asgjë. Të vetmen gjë që mori ishte dhurata që ia dha atdheu: përjetësinë.

– Autori është vëllai i Heroit të Kombit Xhemajl Fetahaj.

###

– ZDF –


SHTOJCË NGA EDITORI I PASHTRIKU.ORG
AKADEMI PËRKUJTIMORE ME RASTIN E 16 VJETORIT TË RËNIES SË HEROIT XHEMAJL FETAHAJ

Prishtinë, 31 maj 2015 – Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në 16 vjetorin e Betejës së Koshares dhe në kuadër të Manifestimit Tradicional “Ditët e Shqipes 2015”, u mbajt Akademi Përkujtimore me rastin e 16 vjetorit të rënies së Heroit Xhemajl Fetahaj. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të pranishmit i përshëndeti më një fjalë zëvendësministri, Bajram Gecaj.
Fjala e plotë e zëvendësministrit Gecaj në akademi:
E nderuara familja Fetahaj,
Të nderuar veteran të UÇK-së dhe familje të dëshmorëve,
Të nderuar veteranë të Brigadës 138 Agim Ramadani,
Të nderuar udhëheqës partiak, kryetar të komunave, deputet, e aktivistë të çështjes kombëtare,
I nderuari Komandant i Brigadës 138, z.Rrustem Berisha,
Të nderuar mysafir,
Të nderuar të pranishëm,

Tanimë është bërë traditë që Qeveria e Republikës së Kosovës të organizoj manifestimin tradicional ‘Ditët e Shqipes’, në shenjë të përkujtimit dhe respektit të luftëtarëve të Betejës së lavdishme të Koshares. Është krenari për familjarët dhe bashkëluftëtarët e dëshmorëve, që këto akademi përkujtimore të mbahen nën përkujdesjen e shtetit, për të cilin ata luftuan dhe u flijuan, dhe nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Akademik Isa Mustafa.


Bejram Gecaj, zëvendësministër në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Në emër të kryeministrit Mustafa, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe në emrin tim personal, e përshëndes këtë takim përkujtimor, duke u zotuar se kujdesi shtetëror ndaj dëshmorëve dhe familjeve të tyre nuk do të mungoj.
Të përkujtohet Beteja e Koshares si dhe aksionet tjera të Brigadës 138, është e pamundur e të mos veçohen emrat e kolosëve dhe martirëve të kësaj beteje, si ai i Sali Çekajt, Agim Ramadanit, Xhemajl Fetahajt dhe Abaz Thaçit.
Ky operacion ushtarak hyri në analet e historisë sonë më të re si një ndër betejat më të lavdishme të kësaj epoke, pasi për herë të parë ndonjëherë, një brigadë luftarake shqiptare, duke u mbështetur plotësisht në forcat dhe kapacitetet e saja vetanake, rrënoi njëherë e përgjithmonë kufirin shtetëror që ndante deri në izolim shqiptarët nga shqiptarët.
Duke marrë parasysh rëndësinë e tillë të kësaj beteje, si dhe luftën e sakrificën individuale të patriotit Xhemajl Fetahaj, ne sot jemi mbledhur në këtë akademi, për të përkujtuar dëshmorin Xhemajl Fetahaj, me rastin e 16 vjetorit të rënies së tij historike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Veçantia e Xhemajlit ishte mu jeta dhe aktiviteti i tij patriotik kombëtar, kohë kjo e stërmbushur dhe e stërngjeshur me përgjegjësitë e tij të ndërmarra në vazhdimësi dhe me vetiniciativë për interes kombëtar, dhe atë që nga rinia e hershme e deri në ditën e rënies së tij të lavdishme.
Këto aktivitete dhe ky angazhim i pakursyer, e shndërruan dëshmorin Xhemajl Fetahaj në një atdhetar e patriot të përkushtuar, i cili për interesin dhe lirinë e kombit e të shtetit, jo vetëm që nuk kurseu punën dhe djersën shumëvjeçare, por nuk kurseu as gjakun dhe jetën e tij, të cilën edhe e flijoi mu në emër dhe për hir të këtyre idealeve.
Xhemajl Fetahaj, lindi më 27 maj 1964 në Raushiq të Pejës, në një familje me traditë dhe kulturë të lashtë patriotike dukagjinase. Si anëtar i një familjeje të madhe prej gjashtë vëllezërve dhe një motre, ishte ngritur dhe formësuar që nga rinia e hershme me edukatën dhe ndjenjën e patriotizmit, si dhe me idealin për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serbo-sllav.
Këtë lloj fryme si dhe ngritjen e tij patriotike, dëshmori Xhemajl Fetahaj e zbatoi me përpikëri edhe në vepër, përmes aktiviteteve kombëtare konkrete, duke marrë pjesë inicialisht në demonstratat studentore të vitit 1981, e të cilat njëkohësisht paralajmëruan shkëndijat e para të rrënimit të asaj krijese artificiale të quajtur Jugosllavi. Për ne që përjetuam këtë kohë, është e qartë se ishte mjaft e vështirë dhe e rrezikshme që në atë kohë të formoheshin dhe të veprohej në grupe ilegale, por kjo për Xhemajl Fetahajn ishte një gjë e nevojshme dhe e domosdoshme, dhe diçka që duhej të ndodhte pa asnjë mëdyshje. Aksione të shumta do të organizonte ai në Pejë dhe rrethinë, duke marrë pjesë në shkrimin e parullave antishtetërore dhe në përkrahje të idesë për Republikën e Kosovës.
Xhemajli do të vazhdojë me aksione të tilla për një kohë të gjatë, deri sa një ditë do të zbulohet nga regjimi i atëhershëm sllavo-komunist, dhe do të arrestohet së bashku me vëllanë Demën, dhe me shumë shokë tjerë të idealit të njëjtë. Në një moshë të re, Xhemajli do të dënohet me gjashtë vite burgim të rëndë, së bashku me shokët e tjerë të grupit. Ishte bërë tanimë zakon që të rinjtë shqiptarë të dënoheshin për bashkim në grup dhe kundërrevolucion, andaj edhe Xhemajli dënohet nën të njëjtat akuza.
Xhemajl Fetahaj, së bashku me rininë shqiptare, ishte gjithashtu ndër iniciatorët e parë të aksionit të madh dhe të lavdishëm të faljes së gjaqeve. Shumë herë dhe në kohë të ndryshme ka pasur lëvizje të tilla për pajtimin e gjaqeve, por asnjëherë kaq lëvizje masive si kjo e fundit të vitit 90-të tek Verrat e Llukës. Iniciatori largpamës, Xhemajl Fetahaj, do të shohë rrezikun permanent armiqësor të ushqyer me decenie mes familjeve më në zë të traditës, sidomos të atyre më të mëdha në numër. Pra, me këtë lëvizje, Kosova po shëronte plagët e veta shekullore, e sidomos ato të dekadave të fundit, e që të rilindin më vonë forcat e saja drejt fitoreve të mëdha.
Më pastaj, dhe për shkak të aktiviteteve të pandërprera dhe të panumërta, Xhemajli ishte rrezikuar seriozisht me burgosjen e dytë. Pra soldateska serbe i kishte rënë në gjurmë edhe njëherë, dhe Xhemajli tani ishte detyruar, që pas një kohe të kaluar në ilegalitet, të lëshoi Kosovën për t’u larguar në drejtim të Evropës Perëndimore.
Në perëndim, gjithashtu, Xhemajli nuk do të ndalte aktivitetet e tija kombëtare. Në Gjermani, ishte gjithmonë aty ku e kërkonte nevoja: në organizime të natyrës politike, në demonstrata, në organizimet e peticioneve për Qeverinë Gjermane, në mbledhje të ndihmave për UÇK-në dhe popullin në përgjithësi dhe në fund edhe përgjegjës për mobilizim për luftën e Kosovës të bashkatdhetarëve nga Gjermania. Atje pra, Xhemajl Fetahaj nuk ishte fokusuar vetëm në aktivitete politike, por kishte ndërmarrë edhe shumë veprime konkrete në fushën e organizimit dhe përgatitjeve për luftën dhe rezistencën e armatosur, e që do të zhvillohej më vonë ndaj pushtuesit serb.
Pikërisht mbi bazën e këtyre aktiviteteve konkrete, në rrafshin e rezistencës së armatosur, Xhemajli do të bëhet pjesë e historisë së popullit tonë dhe do të njihet si njëri prej prijatarëve të Rezistencës së Armatosur Ushtarake të Kosovës.
Të nderuar të pranishëm,
Në luftën çlirimtare në Kosovë, Xhemajl Fetahaj u rreshtua në radhët e Forcave të Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. Ai kishte bindje të fuqishme se lufta dhe organizimi i saj do të mund të udhëhiqej më mirë nga profesionistët e rreshtuar dhe nën komandën e institucioneve të Republikës së Kosovës, institucione këto të krijuara me aq mund përgjatë një decenie të tërë, nën udhëheqjen e urtë të Presidentit Historik të Republikës së Kosovës, Doktor Ibrahim Rugova.
Komandant Fetahaj, dhe bashkëluftëtaret e tij, ishin thellësisht të bindur se betejë pas beteje do të arrinin që një herë e përgjithmonë të ngadhënjenin në luftën për çlirimin përfundimtar të Kosovës. Beteja e Koshares, për këta luftëtarë të denjë, ishte vetëm një uverturë drejt fitores përfundimtare, betejë kjo e cila fillimisht kishte një qëllim të shenjtë, atë të thyerjes njëherë e përgjithmonë të kufirit artificial që ndante shqiptarët në dy shtete të veçanta. Përpos efekteve psikologjike dhe ngritjes së moralit luftarak, thyerja e kufirit do të kishte edhe efektin politik por edhe atë të konkretizimit ushtarak, sepse do të krijonte avantazhe për lidhjen, furnizimin me armatim, dhe qarkullimin më të lehtë të luftëtarëve të lirisë, që ndodheshin në dy anët e kufirit.
Xhemajl Fetahaj ishte rreshtuar në njësitin sulmues të vijës së parë, pra në njësitin “Delta”, të udhëhequr nga Komandanti dhe tani deputeti i LDK-së, Anton Çuni. Anëtarët e këtij formacioni krijonin një kolorit që vinin nga pjesë të ndryshme të tokave shqiptare, si dhe nga diaspora. Në periudhën e fillimit të fazës së parë të operacioneve në Koshare, Xhemajl Fetahaj emërohet zëvendëskomandant i këtyre forcave ushtarake. Pas marrjes së kësaj detyre, Xhemajl Fetahaj luajti një rol shumë të rëndësishëm në mbarëvajtjen e procesit luftarak, në riorganizimin dhe ri-pozicionimin e mëtutjeshëm të forcave “Delta”, me qëllim të avancimit dhe arritjes së efikasitetit akoma më të madh në luftimet e drejtpërdrejta frontale. Prezenca e Xhemajl Fetahaj sillte besim, kurajo dhe moral më të lartë të mundur për një luftë edhe më energjike dhe më të furishme. Ai iu jepte vullnet ta pa kompromis luftëtarëve, duke u sqaruar rëndësinë dhe domosdoshmërinë e luftës, por njëkohësisht me aftësitë e tija organizativo-ushtarake, për aksione dhe sulme kundër armikut, u dëshmua të ishte një strateg i vërtetë ushtarak. Duke qenë i bindur se liria për popullin e tij nuk fitohej pa gjak, pikërisht më 31 maj të vitit 1999, pas një serie aksionesh të sinkronizuara dhe të pandalshme në mes të UÇK-së dhe forcave armike serbe, si dhe duke u treguar i vendosur kundër pushtuesit dhe i pathyeshëm me orë të tëra, Xhemajl Fetahaj, së bashku me Milazim Shalën, flijohen në altarin e lirisë për të mos u harruar kurrë.
Komandant Fetahaj, dhe të gjithë dëshmorët tjerë, do të mbesin përjetësisht ne mendjet, zemrat dhe kujtimet tona, do të përkujtohen në vazhdimësi me krenari e pietet, në manifestime dhe akademi të ndryshme përkujtimore, si dëshmorë legjendarë, dhe si trima që shquheshin për burrërinë, atdhedashurinë, trimërinë, bujarinë, çiltërsinë dhe dashurinë e tyre, si për vendin e popullin, ashtu edhe për familjet dhe bashkëluftëtarët e tyre.
Gjenerata jonë dhe ato pasuese, u mbetemi borxh Xhemajl Fetahajt dhe shokëve të tij për jetë e mot. Ne u detyrohemi atyre të punojmë me vetëmohim dhe përkushtim për krijimin, zhvillimin dhe avancimin e përditshëm të shtetit të ri të Kosovës. U mbesim borxh të sforcojmë sigurinë e vendit tonë, duke themeluar dhe profesionalizuar Ushtrinë e ardhshme të Kosovës, e cila do të jetë e gatshme dhe e aftë ta mbrojë denjësisht sovranitetin dhe integritetin e vendit tonë, duke vazhduar kështu dhe duke e thelluar bashkëpunimin me NATO-n, edhe sot në paqe, ashtu si dje gjatë Luftës sonë Çlirimtare.
Xhemajl Fetahaj nuk e bëri luftën i vetëm, por së bashku me shokët e tij, të cilët i çmonte në pakufi. Heronjtë dhe dëshmorët si Sali Çeku, Agim Ramadani, Abaz Thaçi, Milazim Shala dhe 113 dëshmorët e “Brigadës 138 Agim Ramadani”, si dhe shumë e shumë dëshmorë të tjerë të kombit, do t’i nderojmë dhe do t’i kujtojmë në vazhdimësi, ashtu siç nderoheshin dhe përkujtoheshin hyjnitë në kohërat e lashta me adhurim dhe më përulje. Por do t’i kujtojmë edhe pjesëtarët e tjerë të kësaj brigade, të cilët u flijuan duke dërguar amanetin e bashkëluftëtarëve të tyre në vend, pra duke punuar në rindërtimin e shtetit të ri të Kosovës, për ngritjen dhe avancimin e lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit në kohën e vështirë të pasluftës, dëshmorë këta të cilët ranë në krye të detyrës, siç ishin Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj.
Tani, trupi i qetë i Xhemajl Fetahajt prehet, së bashku me të gjithë dëshmorët e tjerë, në varrezat martire të Koshares dhe nën hijen e alpeve madhështore shqiptare.
Lavdi dëshmorëve të rënë, respekt familjeve të tyre,
Lavdi dëshmorëve të Betejës së Koshares,
Lavdi Dëshmorit e Komandantit Xhamajl Fetahaj,
Lavdi gjithë dëshmorëve të kombit të rënë në luftën e UÇK-së.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura