PROF.DR.MUHAMET PIRRAKU: SI DËSHTOVA PËR TA NGRITUR SHTATOREN E HASAN PRISHTINËS NË SHESHIN “HASAN PRISHTINA”

Pashtriku.org, 24. 05. 2012 – (“Jeto për të dëshmuar!” Atë Zef Pllumi) –  Data e 28 nëntorit 2011 ka qenë dita më e rëndë për mua, që mu imponua krejt pa pritur!?! Për këtë mjerim nuk shkrova deri sot nga dëshira të mos flas pa u këndellur për t’i peshuar faktet me urtësi. Miqtë e mi, bashkëveprimtarë në kohë të duhura për kombin, e dinë saktësisht se asgjë nga aktiviteti im prej idealisti dhe të bashkëveprimtarëve, nuk ia besoj kujtesës, por e nxjerri në letër me një saktësi njerëzore në funksion të dokumentit, dëshmi për historinë e kohës sonë.
Njëri prej këtyre miqve ishte edhe Prof. Dr. Mujë Rugova, i cili u emërua Rektor i Universitetit të Prishtinës më 2009. Kjo më gëzoi me shpresë se përmes tij do të më krijohen rrethanat për ta realizuar një ëndërr nga vitet e djalërisë, ndaj (nga frika se mund të shkoj në penzion në fillim të 2010-tës), pa vonuar e ftova në telefon. Kërkova një takim për të biseduar për një “Amanet historik për kombin….!”. Takimi ndodhi të nesërmen. Ia urova postin dhe ia shpalla “Sekretin” për të cilin kisha vepruar veçantë nga fundi i vitit 1999 (në gjirin e Komisionit “Për Emërimin e Rrugëve, Shesheve dhe të Lagjeve të Prishinës).
I thashë se pardje e kam ftuar për një kafe në “Gërmi“ veprimtarin politik nga viti 1964, afaristin Sabri Novosella – Maxhuni, të cilit ia shtrova kërkesën, të qëndronte në krye të iniciativës për mbledhjen e kontributeve për ngritjen e Shtatores së Hasan Prishtinës në Sheshin “Hasan Prishtina”, ku okupatori serb pas aneksimit të Kosovës më 28 mars 1989, e vendosi shtatorën e “Njegoshit” (Teksti definitiv i emërtimeve më 22 janar 2000 i aprovuar nga Komuna e Prishtinës dhe i botuar në gazeta të Prishtinës e të Tiranës).

Rektori i UP-s, Prof. Dr. Mujë Rugova.

__________________________________________

Rektorin e informova se Sabriu me vendosmëri tha: “Nuk kemi nevojë të kërkojmë donatorë, sepse unë e financoj Shtatoren e Hasanit të lartë aq sa të lejojnë barometrat artistik!” Në vijim i tregova se Sabriu ka saktësuar: “Bazamentin, një metër të lartë fontanën e Sheshin me ulëse, e drunjë dekorativ i projektojnë arkitektët e firmës sime dhe të gjitha shpenzimet i pajtoi vet!”
Me këtë rast, Rektorin e informova se: Dje kam dalur në Sheshin “Hasan Prishtina” me skulptorin Aziz Islami (Profesor në UP), për një konsultim profesional. Nisur nga ambienti ekzistues (sipërfaqja e Sheshit dhe lartësia e ndërtesave që e rrethojnë), Monumenti mund të ngritet katër metra mbi bazamentin dhe së bashku me Sheshin mund të kushtoj rreth njëqindmijë euro, të cilat do t’i pajtoj veprimtari Sabri Maxhuni.
Kërksa ime për Rektorin ishte: “Meqë Sheshi “Hasan Prishtina” është në mjediset e Universitetit, Ju duhet ta merrni vendimin për ngritjen e monumentit dhe rregullimin e Sheshit!” M.Rugova e priti mirë iniciativën dhe nxorri fjalë miradije për “Disidentin e papërmirësueshëm…!” dhe për donatorin!
Që atë ditë e informova bamirësin e kombit për uratën e Rektorit!, e të nesërmen Rektorit ia solla dy fotografitë më emblematike të Hasanit. Për pamjen e Shtatorës ia preferova foton me letrën lartë në dorë, kurse për vijat e tipareve në fytyrë të mirreshin ato që dalin nga fotoja e bërë nga Marubi në Shkodër.
Mirëpo puna nuk eci ashtu siç biseduam. Kaluan disa muaj dhe asnjë zë nga Rektori!?! Disa herë e thirra në telefon, por ishte i “zënë”!?! Më në fund arrita ta “zija të gjallë!”, dhe t’i them se donatori po ka dëshirë t’ia fillojë punës në ngritjen e bazamentit dhe të Sheshit…..!

Sabri Novosella – Maxhuni, donatori i Shtatores së Hasan Prishtinës.

________________________________________

Rektori Rugova pas disa muajve mu përgjigjë dhe e caktova një takim të përbashkët me donatorin, tek i cili po shkonim me veturë të Rektoratit. Sapo hyra në veturë, Rektori ma kumonikoi një “sihariç!?!”, që më shokoi!: “Monumentin do ta ngritim në Oborrin e Rektoratit…..!”!?!
Reagova keq: “Pse po e riburgos Hasanin aty o Mujë zeza…!?!” Përgjigjja e tij ishte: “Kam folur me shefat (partiakë) dhe kështu është vendosur për faktin se është më në qendër dhe nuk kemi nevojë të kërkojmë Leje nga Komuna….!” Miku im mund ta kujtoj sikletin tim prej idealisti mbi partiak: “Po për çfarë qendre po flisni ore, në një oborr ku rojet i mbajnë dyertë me dry….!?! Po atje, o burrë, nuk merr frymë monumenti, e madje ndërtesa e Rektoratit mund të rrëzohet që nesër, sepse është e paasnjë vlerë kulturore, kurse Sheshi Hsasan Prishtina është në Zemrën e Universitetit, ku në çdo ditë frekuentojnë qindra studentë të gjeneratave pafund….!”
Fjalët e mia as ia lanë shenjë mikut tim!?! Na priti Sabri Maxhuni me vëllain, Selatinin dhe të dytë i befasoi “vendimi i rektorit” për ndërrimin e lokacionit për Monumentin e Hasan Prishtinës!?!?
Prapë reagova në stilin e konstatuar më sipër, i gatshëm të largohesha nga ky aktivitet, por më kurthoi Sabri qëllimmiri: “Ti, Profesor, vendin për monument, sa unë kuptoj, e ke zgjedhur më të mirë, e as mund të besoj se dikush në komunë mund të pengojë ngritjen e tij aty!?! Sidoqoftë, unë jam i gatshëm ta financojë Monumentin e Hasanit në përmasat që do të kërkohen, kudo që të ngritet, por pa Profesor Pirrakun, asnjë hap….!!!
Kështu, Sabriu mi lidhi këmbët! Me shpresë se do të bisedoja me Rektorin në katër sy dhe se do të arrija të ia mbushja mendjen pranova të formojmë “Këshillin Organizues”, i cili do të shpallte konkurs për Shtatoren, dhe i cili do të kujdesej për vlerat e monumentit. Rektorit, duhet t’i kujtohej se kush ishte i paraparë në atë Këshillë teknik, kurse ne e ruajmë procesverbalin e mbajtur nga sekretari, Selatin Novosella.

Prof.Dr.Muhamet Pirraku, para shtatores së Hasan Prishtinës – në oborrin e Rektoratit të UP-s.

________________________________

Personalisht kisha një përvojë të dëshmuar në drejtimin e punëve në këso aktivitete. Në vitin 1997, i mbështetur në bashkëveprimtarë e donatorë kombëtarë, e realizova Monumentin mbivarrezor të Nazim Gafurrit, kurse më 2003 të Iljaz H. Agushit. Këto dy monumente sot e mot janë dëshmia më e preksh¬me e shqiptarisë për ata që banojnë në amshim në “Varrezat e Prishtinës”.
Mirëpo, në iniciativën për Hasanin nuk po më printe fati….!?! U bën shumë muaj e Rektori “i zënë” ma mbyllte telefonin….!?!? Më në fund e “zura”!?!. Tashti ma kumtoi një sihariç tjetër: ”Monumentin do ta financoj Qeve¬ria…..!” Kjo informatë më pëlqeu për faktin se Sabri Maxhuni, qysh më 18 dhjetor 2004, ishte zotuar, se do ta financonte Monumentin për Dëshmorët e Nëntorit të Përgjakur 1944 në “Tauk Bashqe” (realizimin e të cilit, në pranverë të vitit 2005 na e stopoi “përkohësisht…!!!?” UNMIK dhe Ambasada e SHBA-ve), dhe mikun tim Rugova e pyeta: “Për këtë vendim a e keni njoftuar Sabriun…?!” Mu përgjigj shkurt: “Jo…!?!
Tani nuk më mbeti tjetër pos të shkoj te Maxhuni për t’ia kumtuar “sihariqin e radhës”, së paku të mos i mbante deri në pafundësi të lidhura aq mjete për një bamirësi që ia abuzuan ata që u besoi si vetës, nisur prej meje….!?!
Nuk e di se kush ishte në : “Këshillin Organizues” për Shtatoren para Rektoratit, por e di saktësisht se nga mesi i tetorit 2011 u gjeta në Zyrën e Rektorit, ku u informova se Shtatorja është duke u punuar në Shqipëri. Nuk ia pëlqeva “bucelat”, ndaj, Rektori, kërkoi që së bashku të shkonim në “atele…!” për ta parë kualitetin para se të derdhet në bronz, mirëpo kurrë nuk më ftoi !?!?
Këtu, për hir të së vërtetës, më duhet të konstatoj se Rektori “bëri mirë” që nuk më mundoi, pasi nuk do t’ia pranoja një Shtatore e cila, sipas “ëndrrave të mia!”, nuk është Hasan Prishtina me asgjë……!?!
Në fillim të nëntorit rektori më ftoi në telefon dhe më infirmoi se Shtatorja do të përurohet me rastin e Festave të Nëntorit! Me këtë rast ma kërkoi një listë prej rreth 20 emrave nga ish të burgosurit politikë të cilët do të ftoheshin në “Përurimin e Monumentit!” Këtë listë me 22 emra: Adem Demaçi; Sabri Maxhuni; Xajë Nura; Rexhep Bunjaku; Nezir Gashi; Hidajet Hyseni; Sami Dërmaku; Skënder Kastrati; Fehmi Elmazi; Ilmi Ramadani; Gani Krasniqi; Bali Dërvishi; Tefik Sahiti; Selatin Novosella; Adil Pireva; Meriman Braha; Teuta Hadri; Mehreme Berisha; Gani Syla; Huda Dobruna; Remzi Baloku; Zymer Neziri. Mujë i nderuar, Thirrjet duhet të dërgohen në Kryesinë e Shoqatës së të Burgusurëve Politikë dhe ata i shpërndajnë.
Këtë listë Rektorit ia dërgova më 5 nëntor 2011. Këtu e vlen të shtrohet pyetja: Pse miku im ma kërkoi këtë shërbim, pasi nuk paskam qenë në “Këshillin Organizues”!?! Vërtet, tani po e kuptoj më mirë përvojën e patriotit Vehbi Dibra: “Me ndërrimin e kohës ndërrojnë edhe gjykimet!”

Pamje nga Akademia solemne, kushtuar Atdhetarit Hasan Prishtina.

_____________________________________

Rektori M.Rugova tashti kërkoi: “Ta shkruaja referatin e parë (dhjetë minutësh) për jetën dhe veprën e Hasan Prishtinës dhe më pyeti: “Cilin historian të Tiranës mund ta angazhonim për referatin e dytë?” Ia dhash emrin: Ak. Beqir Meta, dhe ia saktësova pozitat që ai ka në institucionet shkencore të Tiranës. Më 19 nëntor 2011 e ftova M. Rugovën në telefon dhe në emër të konsulentëve kërkova ti përshëndeste, më 24 nëntor, të pranishmit në përurimin e veprës sime: “Martirët e Shqipërisë Etnike nga Derë e Stak Mark Mirditës”, që do të organizohej në “Sallën e Kuqe të Fakultetit Filologjik”. Atë ditë Rektorit Rugova i tregova se referatin për Hasan Prishtinën e kam shkruar, kurse Muja, më 26 nëntor me telefon më informoi se “Përurimi i shtatores do të bëhet më 28 nëntor dhe se Akademia do të fillojë në orën 11.00, dhe ma kërkoi edhe titullin e referatit”, të cilin ia diktova!
Në akademi shkova me kohë. U përshëndeta dorë me dorë me Rektorin, Adem Demaçin, Sabri Maxhunin, Naim Tërnavën e Dom Lush Gjergjin në rreshtin e parë (këta ishin në atë rresht, karriget e tjera ishin të lira), duke men¬duar se diku aty pari e kam karrigën e “rezervuar”….(!?!), përndryshe pse ti përshëndesja të ftuarit e Rektorit…..?!?, i cili sikur u frikësua se do t’ia zija vendin ndonjë ministri a ilakeje të ministrave, ose (siç u pa më vonë, të përfaqësuesit të “Familjes së Hasan Prishtinës”, që nuk ekziston me atë mbiemër mbi rruzullin tokësor), miku im Muja i “veshur me pushtet!”, siç do të thoshte Baci, pa i bërë syri vërr, më urdhëroi: “Shko e gjej vend dikun pas…!?!
Prej vitit 1968 kam marrë pjesë me referate e kumtesa në një dyzinë simpoziume e akademi, por kjo që përjetova më 28 nëntor 2011, në orën 10.50, që të mos më priste vendi, nuk më kishte ndodhur, e pse të prisja diçka tjetër në këtë aktivitet, nisur edhe nga fakti së isha iniciator për ngritjen e Shtatorës së Hasan Prishtinës, dhe isha i ngarkuar personalisht nga Rektori për ta shkruar Referatin e Parë….!
Kjo më qëlloi si reja nga qielli i kthjellët, por përkushtimi jetësor për Hasan Prishtinën nuk më la ta lija sallën që, siç u pa, do të ishte më mirë për unin tim! Tashti më nuk i kisha afër pasardhësit e mi, (as e dija se ku kishin zë vend), për tu konsultuar me ta – “si të veproja…..?!?!”
Më dhimbeshin t’i lija të pikëlluar në sallë edhe për faktin se kur unë sakrifikoja qenien time e të tyren për Hasanin, ata ishin duke u rritur dhe e pësuan për idealet e mia! Ndaj vendosa të ulesha në rreshtin pas të “rezervuar për dekanët!”, pikërisht në një karrigë midis një Zonje (që nuk e njihja) e Prof. Dr. Skënder Zogajt. Dikush ma tërhoqi vërejtjen të largohesha, së është “vend i rezer¬vuar!…!?!”, por tashti kisha dy rrugë: të qëndroja si muajshor, ose të dilja jashtë i marruar…..!?!

_____________________________________

Zbulohet shtatorja e veprimtarit të shquar Hasan Prishtina.

________________________________

Nuk më bënin sytë dritë, nisi të më keqësohej shëndeti, më filloi një si paralizë e duarve, e shtrëngoja njërën me tjetrën, që ta mbaja vetën! Akademia filloi me një film dokumentar për Hasan Prishtinën (me rastin e rivarrosjes në Kukës). Ky film i mirë zgjati ndoshta, mbi një orë, tani filloi eldoradoja partiake, nis e sos në frymën të cilin tërë jetën e kishte luftuar Hasan Prishtina e për çka kishte sakrikuar pasuri e ardhmëri familjare dhe jetën e vet!
Realisht, përveç paraqitjes nëntë herë të moderatores me elozhe për oratorët, në foltore dolën: Rektori Mujë Rugova, Presidentja Atifete Jahjaga, Rifat Jashari, Ambasadori i Shqipërisë Islam Lauka, Ministri i ASH-së Ramë Buja, Ministri i KRS Memli Krasniqi, e me gjasë, për strukturë gjinore: historiano-gjeografja, e nderuara Dr. Fatmira Rama nga Tirana, me një ligjëratë “emocionale!” për Hasan Prishtinën. Më dimbsej pse masa nuk kishte durim ta dëgjonte, në mos për tjetër, për një oratori prej pedagogu! Pas saj u ftua profesoresha e sintaksës, e nderuara Dr.Sala Ahmeti – Çitaku, të fliste për “Kontributin e Hasan Prishtinës për Alfabetin e Shqipes”!?! Edhe kjo më dhimbsej pse të pranishmit në sallë nuk e priten me korrektësi!?! Këto dyja nuk ishin fajtore, por faji bie mbi organizuesin, të cilit do t’i drejtohesha me këshillën e Robert Shvarc: ”Urdhno, zotni, pak dritë, n’mos daç errsinë!”
Më duhet të pranoj se nuk mund të kujtojë se a u përmend emri i Bac Adem Demaçit, tërë jetën i paluhatur në Rrugën e Hasan Prishtinës, por mbeta i stepur pse ai, udhërrefyesi yni, nuk u ftua ta përshëndeste “Ardhjen e Hasan Prishtinës në Prishtinë!”….?!? Pyes: të gjallët e të vdekurit tanë: Kush, Hasan Prishtinës dhe kombit, për të cilin u flijua, do t’i bënte nderë sa Adem Demaçi – Promete flakadan!, Gjeniu Gëte do të na mësonte: “Kërkesa e parë dhe e fundit që i bëhet gjeniut është dëshmia për të vërtetën!”
Kur i erdhi radha e Referatit tim, “të Parë”…!?!: “Hasan Prishtina vlerë sublime e Kombit” (titullin e të cilit nuk e përmendi moderatorja, e cila nuk pati kohë, pasi masa e lëshonte sallën!?!?). Reaslisht, kishin kaluar mbi dy orë dhe shumë veta dolën, sa ishin duke u shpërpallë ambasadori e ministrat, e veçanërisht gjatë ligjërimit të Dr. Fatmirës e të Dr. Salës, sa që më as kishte logjikë të ftohej në foltore “historiani i shquar…!, i nënti..!?! Kjo tashti më nuk ishte Akademi, por “ishte një si Taravi…” e ditëve tona, kur pas “farzeve”, del xhemati kush si ti teket….!?!
E shihja se salla po zbrazej dhe ndjenja rraskapitëse sa vinte e më pushtonte edhe për faktin se një fat të këtillë ma gatoi njeriu për të cilin bota ka menduar se kemi një shpirt në dy trupa…!?! Nga egoja e nëpërkëmbur mizorisht, u ngrita me telashe, dhe mezi qëndroja në këmbë!?! Kur arrita para foltores në rreshtin e parë ku duhej ta kishte vendin së paku një person i gjakut të Hasan Prishtinës (që kurrë nuk është quajtur “Prishtina”), e vërejta vushtrriasin, shumë të respektuarin, Izet Pertef Izet Badivukun, (1931), gjyshja e të cili Besimja, ishte bija e një kushëriri të Hasan Prishtinës, pikërisht, e Sylejman Haxhi Mehmet – Haxhi Ali Berishës (i cili më 1898 arriti gradën “pashë”, por kurrë nuk është quajtur “Prishtina”), kurse tashti stërnipin e tij, Rektori i UP-it e përshëndeti për “Përfaqësues të Familjes Prishtina….!?!” Unë e di saktësisht se nga gjaku i Hasan Prishtinës në Mitrovicë jeton Hakan Ismet Zejnullallah beg – Berisha. Zejnullau e Hasani, kushërinj të parë. Hakan Berisha (1930), në mënyrë natyrore shqiptare, ka mundur ta përfaqësonte “Familjen Prishtina!”, siç e përfaqësoi në Tiranë në Përvjetorin e “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” më 1978.
Edhe kjo, për mua si historian, e idealist tradicional, tinglloi si falsifikim publik i gjenealogjisë së Hasan Prishtinës, me prani time, e pa mëdyshje, ndikoi “si lëkura e lepurit në barren e deves!” në forcën time fizike, sa që as munda ta hapja çantën për ta nxjerrë referatin dhe raritetet: mullirin e kafesë, lugën, thikën dhe shpuzorën, të Hasan Prishtinës, të ruajtura nga kolonelët Austriakë: Modestus Urban dhe Herbert Modestus Uban, që nga viti 1931 deri më 5 shkurt 1980, kur, përmes meje, Herberti ia ktheu kombit shqiptar, nëse do të bashkohet ndonjëherë, jo në “BE”, siç thonë pushtetarët shqiptarë të sotëm, por fillimisht në trojet stërgjyshore, e tani të bashkuar në BE, për çka u flijua Hasan Prishtina!
Qartë, e pashë vdekjen me sy….!?! Një djalosh më erdhi në ndihmë, të cilin sa po ta njoh do ta shpërblej me librin tim të fundit! Kisha nevojë për një pikë ujë, por nuk e kisha, sepse organizuesi nuk kishte sjellë ujë në foltore, që është diçka e zakonshme…!? Në një gjendje të tillë nuk e di si më erdhi në mendje këshilla e Atë Zef Pllumit: “Jeto për të dëshmuar….!” Mu duk se morra forcë!?! Fillova për ta lexuar referatin.
Vetëm nga rreshti i parë i njerzëve të veshur me pushtet nuk luanin nga vendi, disa nga ta zgërdhiheshin me hallin tim…!?! Jam i sigurt se ata nuk e dinin se ishin dekor i një krimi ndaj jetës dhe veprës së Hasan Prishtinës, se po e largonin Atë ndoshta përjetësisht nga Sheshi “Hasan Prishtina”, nga mjedisi universitar, Studentor, ku do ta kryente më me përplotni misionin për çka u flijua!

Hasan Prishtina dhe auotri i këtij reagimi.

_______________________________________________

Vërtet, pushktetarët e rreshtit të parë tashti i mbaja “robë!”, mirëpo orgnizuesi u kujdes për “shëndetin e tyre”!?! Sapo kalova pasuesin e parë të faqës së dytë, moderatorja kërkoi ta ndërprisja leximin…..!?! Kjo nuk më befasoi për faktin se e kisha hamenduar edhe për më keq, sa po zihesha në një vend të X dekanit….!?!
Vazhdova me qëllimet që më lidhën të mos dilja nga Akademia para se të fillonte. Para kamerave e falenderova Kolonel Herbertin, që ia ktheu kombit shqiptar gjësendet e Hasan Prishtinës dhe i ngrita një për një para kamerave të TV-e; E falënderova Dr. Tahir Abylin që pati guxim, në një kohë të nderë për kombin, e për jetën e tij, ta nxirrte gjoksin për ta parë dritën vepra për Hasan Prishtinën, që mbeti e patejkalur deri tashti; E falëndrova Sabri Maxhunin i cili para tri vjetëve mi la në dispozicion Njëqindmijë euro për Shtatorën e Hasanit, të cilën duhej ngritur në “Sheshin Hasan Prishtina!”
Mu duk se i kreva amanetet historike dhe borxhin për pasardhësit, të cilët i kam lënë të heqin keq, për të realizuar idealet që i mbolla edhe në qenien e tyre të denja për njeriun!
Megjithatë, isha i rraskapitur! Ai djaloshi prapë më ndihmoi, ti shtija raritetet e Hasanit në çantë, dhe duke më mbajtur për krahu zbrita nga podiumi. Për mikun tim Rektorin, as figuroja i gjallë…!?! Nuk më ftoi në sfitën për zbulimin e Shtatorës së Hasan Prishtinës, ngritjen e së cilës e inicova unë dhe as u ineteresua deri sot për shëndetin tim……!?!
Prej asaj dite “të mos më raftë ta harroj!”, disa herë kam shkuar qëllimisht para Rektoratit, për të parë se sa po vizitohej Monumenti i Hasan Prishtinës! Për fat të keq, në mos për asgjë tjetër, në një oborr me roje njerëzit e kanë zitë të hynë, e dhashtë Zoti e të mos delë “profeci” reagimi im që nga fillimi!
E krejt në fund një pyetje për brezat: Kush është fajtor që Sheshi “Hasan Prishtina” nga viti i “Çlirimit – ‘99” mbeti pa të Zotin, mjedisi akademik i Kosovës, pa Udhërrëfyesin ekzemplar historik!?! Pse edhe të mos pyesim: A ka tru shqiptari në kokat e pedagogëve të UP-it…?!? Për vlerat artistike të Monumentit, për çudi, ende nuk kam parë asnjë prononcim të profesionistëve të UP-it …!?!? E, edhe kjo është përgjegjësi historike, që i bije barrë Universitetit të Prishtinës! “Nuk arrihen qëllime të mëdha pa viktima të mëdha!” do të na ngushëllonte Servantes!
Para se të përfundoj: Miqve të mi, ish-bashkëveprimtarë politikë në shërbim të përpjekjeve tona për Liri (akëcili sipas kaqikut), ua përkujtoj urtësinë latine: “E dua Cezarin, por më shumë e dua të vërtetën!” Pësimi im publik në përpjekjen për ngritjen e Shtatorës së Hasan Prishti¬nës është vetëm një epzodë jetësore e një idealisti në mjediset shqiptare historikisht, kurse largimi i Shtatorës së Hasan Prishtinës nga Sheshi “Hasan Prishtina” është me pasoja për shqiptarësinë historike si tapi shqiptare e Prishtinës dhe e Kosovës, që po i kanoset edhe me miratim të kastës politike kosovare e githëshqip¬tare…!?!
Të përfundoj me një lutje: Sa e njoh historinë tonë të lavdishme, nëse Prishtina ka ndonjë shqiptar me pushtet, të ma dëgjoj këshillën që disi ta sanojmë dëmin që iu imponua Prishtinës e kombit tonë, i cili aktualisht po dezintegrohet edhe me dorën tonë…..!?! Shkurt e qartë: Nëse duhet ta abortojmë Sheshin “Hasan Prishtina”!?!, vetëm një personalitet historik tashti mund ta ulim me nderë në vendin e Hasan be Prishtinës, pikërisht – Ferat be Ali pashë Dragën (1880-1944), nëse nuk duam të na mallkoj historia! Që viset e Shqipërisë Etnike jashtë Shqipërisë Londineze sot frymojnë shqip, është meritë e sakrificës madhore të heroit të kombit, Ferat be Draga.
Ndërkaq, Hasan Prishtina do të na këshillonte: “Dhe, para së gjithash, ruhuni nga mallkimi i historisë dhe mos e harroni atë kur të jepni mendimin tuaj!” Unë do të¬ mbetëm shërbëtor i devotshëm për përmbu¬shjen e këtij Amaneti! Dhe, këtë “lutje” do ta përmbyllja me lutjen e një idealisti: “Më ndihmo o Perëndi t’i përballojë gjërat me të cilat nuk pajtohem….!
Shtesë: Sunday, January 8, 2012 10:07 AM
Të nderuar Maxhuni e Rugova po u dërgoj këtë plagë timen ta konfirmoni saktësinë e fakteve që kanë të bëjnë me Juve! Me 10 janar e dërgoj në “tupan!”
Foton po ua dërgoj ta dini se këto mustaqe janë sebepi që Austriaku u bind, pa folur me të, se “jam gjak i Hasan Prishtinës!”, e të cilat i lash në Burgun e Prishtinës në të shtunën e parë pas 19 gushtit 1981!
Foto- Prishtina – Pirraku
Sabri Maxhuni më 10 janar 2012 më shkroi:
“Shumë i nderuari dhe i respektuari, Prof. Dr. Muhamet Pirraku, shkrimin tuaj e lexova me vëmendje të posaçme, të gjitha ato që i thua në lidhje me mua janë plotësisht të vërteta, por as për të tjerat dhe të tjerët që i thua nuk i vëmë fare në dyshim”.
Ndërkaq, Rektori Rugova, as deri më sot nuk e konfirmoi marrjen, as saktësinë e të dhënave në këtë plagë tonë me pasoja për rëndësinë edukative të Shtatores së Hasan Prishtinës, që sot e mot i mungon sheshit studentor “Hasan Prishtina”. Pjesë e këtij shkrimi është edhe shkrimi: “SI MË GJETI MIKU I HASAN PRISHTINS-KOLONELI AUSTRIAK HERBERT MODESTUS URBAN PËR TË PËRMBUSHUR AMANETIN PRINDOR!”
Prishtinë, 16 prill 2012

____________________________________

DOKUMENTARI – KUSHTUAR HASAN PRISHTINËS

…………………………………………..

…………………………………………………………………..

______________________________________________

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura