PROF.DR.VEBI XHEMAILI: DERVISH CARA-TETOVA KËRKON AUTONOMINË E SHQIPËRISË PARA 170 VJETËSH (II)

Tetovë, 06. 10. 2014: (Me rastin e 170 vjetorit të Kryengritjes së Dervish Cares) – Kryengritësit shqiptarë nuk arritën të thyejnë vijën e parë të frontit turk. Omer Pasha e mbante komandën në duart e veta dhe me një gjakftohtësi komandonte 7000 luftëtarë, kundrejt 8000 kryengritësve.64 Njësitet e artilerisë turke, në mënyrë shumë të koordinuar gjuanin mbi aradhet sulmuese të kryengritësve. Pati edhe raste që shqiptarët disa topa t’i neutralizojnë duarthatë, ku u dëshmuan disa luftëtarë trima nga Kaçaniku dhe Tetova, të cilët me sulm të hovshëm u hodhën kundër topave. Në veçanti duhet përmendur komandantët e shquar të Dervish Cares: Ismail Batalli dhe Emin Bojana nga Tetova, të cilët duarthatë u hodhën kundër topave, për të ngritur moralin e ushtarëve të tyre.65 Por, gjithë kjo trimëri e pashoq ishte e kotë kundër gjyleve të topave, ndaj dhe në fund me humbje të mëdha, në mëngjesin e 19 majit, filluan të tërhiqen. Në anën e ushtrisë turke morën pjesë shumë shqiptarë toskë dhe çamë, të udhëhequr nga bejlerët dhe agallarët e tyre. Por, më të njohur kanë qenë feudalët dibranë: Dali beu dhe Shain beu. Në këtë betejë nuk mundën të marrin pjesë qytetarët e Shkupit, pasi ishin të kërcënuar nga komandanti i ri i kalasë, Kuçuk beu, i cili i ktheu topat ka qyteti i Shkupit, edhe pse deri atëherë qytetarët e Shkupit u dhanë një përkrahje të fuqishme kryengritësve.66
Dervish Care kur e pa se humbjet do të jenë shumë të mëdha, komandoi zëvendësve të tij që të tërheqin ushtrinë në vise kodrinore, duke u grupuar në njësite më të vogla që t’u ikin predhave nga ajri. Pas disfatës së parë te banja e Katllanovës, sipas kronistëve të kohës, Dervish Care me shokë ka shkuar te komandanti turk që të kërkojë ndërprerjen e luftës.67 Në ato biseda, ai kapet rob nga komandanti turk, kurse një ditë vonë, më 19 maj, niset për në Selanik, së bashku me 200 udhëheqës të tjerë të luftës. Sipas raportit të Çarls Balantit, Dervish Care u kap rob, ndërsa Emin Xhambazi u vra me 450 vetë të tjerë, ndërsa 200 u zunë rob.68
Këtë tërheqje të kryengritësve shqiptarë e shfrytëzoi me dinakëri komanda turke, duke përhapur lajmin se u thyen shqiptarët, ndërsa turqit e fituan luftën moralisht. Ata me të shpejtë kaluan në kundër sulm pas betejës së Katallnovës, ku pati një betejë tejet e përgjakur, ndërsa shqiptarët arritën të sulmonin edhe kampin ku ishte vendosur Omer Pashë Latasi, por pa sukses. Më vonë, beteja u përhap në tërë fushën e Shkupit. Deri në orët e pas ditës të 18 majit, në betejë u vranë mbi 450 shqiptarë, mbi 200 të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa 400 sish u zunë rob, ndër të cilët ishte edhe Emin Xhambazi. Me urdhër të Omer Pashë Lartasit, Emin Xhambazit iu pre koka aty për aty. Numri ushtarëve turq në këtë betejë nuk dihet.69

Kjo propagandë lufte u dha ushtarëve turq që të kalojnë në kundër sulm pas betejës së Katllanovës, më vonë lufta u përhap në tërë hapësirën e fushës së Shkupit, por më e madhe ishte pranë fshatit Haraqinë më 20 maj, ku pati shumë të vrarë nga të dyja palët, ku sot edhe kësaj dite në afërsi të këtij fshati ndodhen shumë varreza.70
Beteja e fundit u bë në fshatin Creshevë, më 21 maj 1844, pas kësaj beteje Omer pashë Latasi e rrethoi Shkupin nga të gjitha anët. Pasi ende qëndronin forca kryengritëse në Malin e Zi të Shkupit, në mbrëmje hyri në Shkup.71 Më 22 maj, Omer Pasha ftoi në një takim parinë shqiptare, ku me tradhti i kapi të gjithë, kurse nga ata zgjodhi mbi 200 persona më të njohur, të cilët duarlidhur i nisi për në Selanik.72
SHQIPËRIA LINDORE E LIRË DHE AUTONOME GJATË KRYENGRITJES SË DERVISH CARES
Kryengritja e Dervish Cares, e cila fillon me çlirimin e Gostivarit në nëntor të vitit 1843 dhe vazhdon deri në maj të vitit 1844, kur u çlirua e tërë Shqipëria Lindore. Kjo periudhë e lirë e popullit shqiptar zgjati mbi gjashtë muaj, ndërsa kjo ngjarje në historinë tonë kombëtare njihet si periudhë e Shqipërisë së lirë dhe të pavarur, ku ka funksionuar administrata shqiptare. Por, pas disfatës të kryengritësve te beteja e Katllanovës, u rivendos përsëri rendi feudal turk në këtë pjesë të Shqipërisë Lindore. Me riorganizimin e organeve të pushtetit turk, ata morën masa drastike, me qëllim të frikësimit dhe nënshtrimit të popullatës sa më parë të jetë e mundur. Pushteti turk burgosi dhe internoi me mijëra shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe komandanti Dervish Care. Këta të gjithë, të lidhur, duke ecur në këmbë, janë dërguar për në Selanik, prej nga me anije janë transportuar në Stamboll, për t’i nxjerrë para gjyqit. Duhet përmendur se një numër i madh i tyre që luftuan për çlirimin e Shqipërisë, nga lodhja, maltretimi dhe torturat që përjetuan gjatë rrugës, pa ujë dhe pa ushqim mbetën rrugëve, pa arritur në burgjet e Selanikut. Ata që arritën në Stamboll, u shpërndanë në territore të ndryshme të Anadollit, në ato shkretëtira të pa fund, prej nga kurrë më nuk u kthyen në vatrat e tyre, duke i thënë përgjithmonë lamtumirë Shqipërisë. Por duhet theksuar se me këtë nuk përfundoi lufta e ushtrisë turke për rivendosjen e pushtetit në trojet shqiptare. Omer pashë Latasi, pasi u kthye nga Vraja për në Shkup, prej aty u drejtua kah Gryka e Kaçanikut, Ferizajt, për në Prishtinë e Prizren. Në këtë kohë edhe Prishtina ishte ngritur në këmbë, për të përkrahur kryengritësit që luftonin kundër reformave të Tanzimatit. Rezistenca shqiptare në Pejë, Prizren, Gjakovë, ka zgjatur deri kah mesi i vitit 1845. Kjo rezistencë gjithë shqiptare ruajti në esencë karakterin autokton të vetëvendosjes deri te kërkesa e plotë për njohje të autonomisë në kuadër të perandorisë turke, në të gjithë trevat e Shqipërisë Etnike që përfshinte shumicën e popullatës shqiptare.
Kjo kryengritje, edhe pse në fillim nisi në Pollog, aty kah fundi i vitit 1843, mori karakter gjithëkombëtar nga mesi i vitit 1844, e cila mbaroi me rezistencën e fundit të qyteteve të Kosovës, aty nga fundi i vitit 1845. Këtë kryengritje dhe karakterin e saj për çlirim nacional e bashkim kombëtar, më së miri e përshkruan konsulli rus në Manastir.72 Konsulli rus për kryengritjen e Dervish Cares thotë: Dervish Care ishte një i afërm i Havzi Pashës. Kjo ngjarje ka ndodhur në tokën e gegëve, siç e quan konsulli rus “Gegalik”, tokë fqinje me sllavët. Në fillim të vitit 1840, tre vëllezërit kanë sunduar në tërë Shqipërinë në mënyrë të pavarur.73 Ky udhëheqës shqiptar e futi nën sundimin e tij tërë tokën e Gegërisë, ishte një komandant i ashpër dhe e shpalli veten sundues të Shqipërisë në vitin 1844. Gjatë sundimit të tij u çliruan të gjithë qytetet shqiptare të Gegërisë, përveç Manastirit, Velesit e Prilepit.
GJYKIMI I DERVISH CARES DHE JEHONA E KRYENGRITJES NË DIPLOMACINË EVROPIANE
Për Dervish Caren ka pasur interesim të madh edhe nga diplomacia evropiane, kurse një ndër to më të interesuar kanë qenë franceze dhe angleze. Konsulli anglez kur e përshkruan komandantin shqiptar, Dervish Caren, thotë: “Kur kuptuam se Dervish Care i lidhur kishte arritur në Selanik, dola dhe e pashë me sytë e mi. Ai dukej një burrë i lartë, përafërsisht i moshës 50 vjeçare, në fytyrë dukej i ashpër dhe fare nuk buzëqeshte”. Por edhe në bazë të të dhënave që kam për kohën e sundimit të tij në Gostivar, si zëvendës i Xheladin Beut, ai prej vitit 1841 njihet si njeri që ka mbajtur rend dhe rregull në Gostivar, Tetovë dhe Shkup.
Gjatë sundimit të vet, Xheladin Beu, ka qenë i pavendosur në disa momente kyçe për aplikimin e ligjit dhe të rendit në Pashallëk, pasi që pashait më tepër i ka interesuar jeta luksoze, sesa kujdesi për qeverisjen dhe zhvillimin e pashallëkut. Në këto raste të pa qarta të qeverisjes së tij, të gjitha detyrat i kryente vetë Dervish Care, si ndihmës i tij.74 Në gjykimin e tij në Stamboll, sipas raporteve të konsullit anglez, Dervish Care në mënyrë lakonike përgjigjet para trupit gjykues, kur ka qenë i pyetur se kush e kishte shtyrë të çojë popullatën shqiptare kundër Perandorisë Osmane. Ai përgjigjet: “Mos e merrni në qafë askënd, të gjithë janë të pafajshëm, kam qenë vetë ai që e kam filluar luftën nga Gostivari, e deri në betejën e Katllanovës, prandaj duhet të më dënoni vetëm mua, të tjerët janë të pafajshëm”. Në këtë gjykim, gjyqi dënoi edhe 28 të tjerë me vdekje, por më vonë Sulltani, me ferman të veçantë uli dënimet me vdekje dhe ua ktheu me burg të përjetshëm. Por mbi 300 bashkëluftëtarë të Dervish Cares mbetën edhe më tutje në internim,75 disa nga ata kurrë nuk arritën të kthehen në vendlindje, vdiqën në burgjet e Stambollit.
Kryengritja e Dervish Cares e tronditi deri në themel Perandorinë Osmane, kurse administrata e saj gati në tërësi u shpartallua në tërë qytetet shqiptare, e në veçanti në Gostivar, Tetovë, Shkup, Kumanovë e deri në Preshevë dhe Vrajë. Diplomacinë evropiane, këto ngjarje që ndodhën midis Ballkanit, shqetësuan pa masë, mirëpo ajo më së shumti ishte e interesuar të ruante status-quon në Ballkan se sa të pranonte ndryshimet e reja. Prandaj, ajo asnjëherë, në asnjë çast, nuk mori në mbrojtje popullin shqiptar dhe kërkesat e tij. Ndërsa diplomacia ruse tregonte për ngjarje dhe ndodhi, të cilat fare nuk i takonin popullit shqiptar si popull i robëruar, së bashku me popujt e tjerë që banonin në këto troje. Me gjithë atë, diplomacia ruse tentonte që nëpërmjet internacionalizmit të këtij problemi, të ngrejë çështjen e sllavëve të Ballkanit, që nëpërmes tyre ajo të forconte influencën e vet. Kjo ishte politika permanente e saj, që t’i afrohet Detit Adriatik. Prandaj, ajo përmes diplomatëve evropianë, kërkonte me të shpejtë të intervenohet, që sa më parë të shuhej kjo kryengritje pastër shqiptare. Diplomacia ruse e dëshironte me çdo kusht disfatën e kryengritësve shqiptarë. Për Rusinë dhe diplomacinë e saj, ishin të papranuara kërkesat e luftës së popullit shqiptar për çlirim nacional dhe formimin e shtetit etnik shqiptar midis Ballkanit.
Kjo kryengritje ishte e përgjithshme, me karakter pastër shqiptar. Në këtë kryengritje, më herët apo më vonë, u bashkëngjitën të gjitha shtresat popullore shqiptare, për të luftuar reformat e Tanzimatit, që rrezikonte interesat kombëtare shqiptare. Në krye të kësaj kryengritjeje ishin shtresat e mesme dhe të ulëta popullore. Për këtë arsye, kjo kryengritje mori epitetin e Lëvizjes Nacional- çlirimtare. Kjo kryengritje ka pasur edhe karakter gjithë popullor, për arsye se në këtë kryengritje morën pjesë të gjithë shqiptarët që patën mundësi të mbajnë armë dhe u nisën në luftë, për të çliruar tokat e veta të robëruara nga sundimi dhe administrata turke, e cila kohët e fundit po përpiqej me forma të llojllojshme të asimilojë popullin shqiptar, duke i trajtuar ata si popullatë turke. Prandaj, ajo përmes reformave të Tanzimatit, do të mundohet t’i shpërngul nga trevat e tyre autoktone.
Pasojat në këtë kryengritje ishin shumë të mëdha. Pas shuarjes së kryengritjes u likuiduan të gjithë krerët shqiptarë që kishin influencë në popull, ku një pjesë e madhe e tyre nga të gjitha qytetet shqiptare u internuan, kurse popullsia e pafajshme iu nënshtrua haraçeve të ndryshme që i lypte me forcë ushtria turke. Pra, strategjia e sundimit turk kundër popullatës shqiptare ishte permanente, ajo vazhdonte me likuidimin e krerëve shqiptarë, siç bëri edhe në Vilajetin e Manastirit në vitin 1830, kur likuidoi mbi 500 krerë të zgjedhur të popullit shqiptar që donin lirinë e popullit të vet.
Kryengritja e Dervish Cares ishte kryengritje e përgjithshme dhe e para kryengritje që përfshiu mbi 70% të krahinave të banuara me popullatë shqiptare. Kjo rezistencë gjithëshqiptare ruajti në esencë karakterin autokton të kërkesave shqiptare për vetëvendosje, deri në kërkesën e plotë për çlirim nacional. Historiografia shqiptare nuk ia ka dhënë peshën e merituar që ka kjo kryengritje popullore në historinë tonë kombëtare, bile mund të themi se edhe e ka injoruar. Edhe pse kjo kryengritje nisi në Pollog, aty kah fundi i vitit 1843, mori karakter mbarëkombëtar gjatë vitit 1844 dhe mbaroi me rezistencën e fundit të qyteteve veriore të Kosovës, aty kah fundi i vitit 1845.
Kjo kryengritje, në bazë të rrjedhave të saj, mund të konsiderohet pastër si kryengritja e parë fshatare, pasi në këtë lëvizje nuk pati udhëheqës nga lartë, por ata dolën nga vetë populli. Prandaj, kjo kryengritje e pastër fshatare duhet të hyjë në histori si kryengritje më e madhe e shqiptarëve midis Ballkanit e më gjerë, e ngjashme me atë të Matija Gubecit në Kroaci. V.Xh..

UDHËHEQËSIT SHQIPËRISË LINDORE PARASHTRUAN KËRKESA PËR AUTONOMINË E SHQIPËRISË
Kryengritja e Dervish Cares nuk duhet shikuar veçmas, por në kuadër të të gjitha kryengritjeve të mëparshme shqiptare, duke filluar madje nga luftërat e Skënderbeut në shekullin XV-të. Fakt është se shqiptarët gjatë gjithë periudhës osmane kishin ruajtur shumë të fuqishme fisnikërinë e vet, siç ishin familjet Kastrioti, Muzaka, Dukagjini, pastaj udhëheqësit si Ali pashë Janina, Mustafa pashë Shkodrani e të tjerë, që gëzonin autoritet te bashkëvendësit e tyre dhe që ishin shpesh të pavarur ose gjysmë të varur, me një fare autonomie të brendshme. Po ashtu, është fakt se gjatë gjithë kësaj periudhe, shqiptarët ishin të organizuar në fise, bajraqe e klane, që kishin njëfarë kohezioni në popull. Nuk duhet nënçmuar e mënjanuar as bektashizmin, i cili në këtë kohë ishte tejet i zhvilluar, që u bë fe e tretë në Shqipëri dhe që si mbindërtim e ideologji ishte shpesh në opozitë të ashpër me islamin, duke zhvilluar edhe ndjenjën për autonomi të veçantë. Këta tre faktorë ndikuan pozitivisht për ruajtjen dhe zhvillimin e ndjenjës për diçka të veçantë që i largonte nga Perandoria Osmane, kundër së cilës ngriheshin shpesh në luftë për autonomi. Ata, këtë frymë kryengritëse e kultivonin dhe e bartnin në radhët e gjeneratave më të reja, duke idealizuar në kohë të njëjtë e në radhë të parë doktrinën e luftës dhe taktikën e të Madhit Skënderbe.
Nëse kësaj i shtohet edhe fakti se shqiptarët në Perandorinë Osmane trajtoheshin si popull i robëruar dhe ata që ishin ortodoks ishin të detyruar të mësonin greqisht, ndërsa myslimanët turqisht dhe arabisht, kurse shqiptarët katolikë italisht, pa u njohur me gjuhën shqipe. Me gjithë pengesat që pati gjuha jonë në shkollat e huaja që u hapën në tërë Shqipërinë Etnike, shqipja për shqiptarët në komunikimin reciprok ishte dhe mbeti absolutisht e para, pasi gjuha ishte edhe porosi familjare e nënave shqiptare: “Mos e harro gjuhën e nënës”. Po ashtu, në ngritjen e vetëdijes kombëtare ndikuan edhe faktorë të tjerë, ku në mesin e shekullit XIX, ndihej gjithnjë më shumë depërtimi i elementeve kapitaliste në mbarë Shqipërinë, e posaçërisht në vendet bregdetare (limanet tona), që ndikoi në paraqitjen e klasës qytetare dhe të inteligjencies, si dhe paraqitjet tendencioze të Serbisë dhe Greqisë së pavarur që ndikuan shumë mbi vetëdijen shqiptare. Këto rrethana të reja në Ballkan shkaktuan dukurinë dhe kristalizimin e ideve për autonomi edhe të Shqipërisë, që do të ngelte edhe më tutje vasale ndaj sulltanit. Gjatë kryengritjes së Dervish Cares, një gazetë e përditshme në Peterburg shkruante: ”Prijësit e kryengritjes e kanë lajmëruar komandantin e fuqive osmane se do t’i dorëzonin armët, por me kusht që edhe atyre t’u jepen të drejta të ngjashme me serbët”. Po ashtu, edhe shtypi rumun, duke i përcjellë ngjarjet në Shqipëri, flet për preokupimet e shqiptarëve për çlirim acional e kombëtar të tyre.76
Këtë fakt e kumton edhe konsulli austriak në Shkodër, Ippen, i cili thotë: “Kryengritësit shqiptarë kërkonin autonomi të posaçme për Shqipërinë, të ngjashme me atë të Serbisë, pra që t’u jepeshin të drejta si gëzonte principata serbe në atë kohë.77 Konsulli francez në Selanik, Griz, mendonte se Shqipëria trajtohet më shumë si vend i pushtuar se si provincë e perandorisë, banorët e së cilës qenkan në përleshje me pushtetin, prandaj kërkuan njëfarë autonomie të ngjashme me serbët.78
Por siç dihet kjo kryengritje e madhe shqiptare nuk është përkrahur fare nga bashkëvendësit sllavë. Ata jo që nuk e përkrahën këtë kryengritje shqiptare, por shpifnin te Sulltani lloj-lloj trillimesh duke kërkuar që kjo kryengritje e udhëhequr nga Dervish Cara me krerët e saj shqiptarë të shuhej sa më parë.79 Poashtu edhe historiografia maqedonase gjatë kohë ka manipuluar me origjinën e tij se edhe komandanti i shquar i Kryengritjes Shqiptare Dervish Cara, “është me prejardhje sllave–myslimane”, pasi familja e tij ka jetuar në fshatin Urviçë.80
Të dhënat dhe dokumentet historike flasin ndryshe se Devish Cara ishte udhëheqësi i kryengritjes më të madhe shqiptare. Këtë e vërteton edhe fakti se ai, së bashku me luftëtarët shqiptarë të këtyre trojeve e ka çliruar tërë territorin shqiptar deri në Veles. Pra, të gjitha qytetet shqiptare të krahinës së sotme të Maqedonisë në vijën mbi Kumanovë me qytetet: Qustendil, Stracin–Katllanovë. Prandaj ky ka vepruar edhe ushtarakisht për çlirimin e tokave shqiptare deri në Veles; ka luftuar deri aty ku shtrihen kufijtë e Shqipërisë Etnike.81
Kjo kryengritje shqiptare, edhe pse nisi në pjesën e Shqipërisë Lindore aty kah fundi i vitit 1843, mori karakter gjithëkombëtar dhe mbaroi me rezistencën e fundit të qyteteve të Shqipërisë Veriore kah fundi i vitit 1845. Kryengritja e Dervish Cares ishte kryengritja më e madhe shqiptare në kohën e Tanzimatit. Kjo kryengritje vuri themelet e saj drejt autonomisë së Shqipërisë, në luftë për çlirim e bashkim kombëtar. Kjo kryengritje u hapi rrugën shqiptarëve dhe krerëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare drejt autonomisë së Shqipërisë dhe parapërgatiti konditat për mbajtjen e Lidhjes së Parë Shqiptare në vitin 1878 në Prizren.
_____________________
Literatura e shfrytëzuar:

1.Britanski dok…, II, dok. nr.7. f.40-87.
2. A.M. Shkup, letër e Blantit deri te ambasadori Kening; “Public record office, the foreing ofice turkey”0, Salonica, dok. 195/196 më 14 mars 1843; Poashtu raport i konsullit anglez nga Selaniku më 15 korrik 1843; Aleksandar Matkovski, vep. e cit. f. 40.
3. Kliment Xhambazovski, Gragja za istoriju makedonskog naroda iz ariva Serbije V. Lib. I. (1820-1848), Beograd 1979, dok .241.
4. Stojan Novakoviqa, “Ballkanska pitanja”, Beograd 1906, f. 108-110.
5. “Dituria” Revistë për shkencë …, e Mit’had Frashërit, nr.12. Vëll. III, Tiranë 1928, f. 338-339.
6. Risto Pop Llazarov, “Buntot na Dervish Car”, pun. i cit. f. 212.
7. Historia e popullit shqiptar II, vep. e cit. f. 92.
8. Risto Popllazarov, Eden interesen dokument za “Buntot na Dervish Car”, pun. i cit, f. 213
9. Vebi Xhemaili, Shqiptarët e Maqedonisë së sotme nga Kryengritja e Derrvish Cares 1843 deri te kryengritja e Dibrës 1813, Tetovë 2014, f. 43-51.
10. Aleksandar Matkovski, Otporot vo Makedonija Tom. IV, Shkup 1983, f. 787.
11. Risto Pop Llazarov, Eden interesen dokument za “Buntot na Dervish Car”, viti-XVIII ANNEE, nr. 1. “Glasnik” INI, Shkup 1974. f. 212; Shtetet sllave të Ballkanit, Shqipërinë Lindore e kishin pagëzuar sipas popullsisë gege që jeton në këtë pjesë të Shqipërisë etnike, ata në gjuhën sllave e quanin “Gegalik”, toka e gegëve, territori i gegëve, që nënkupton territorin e Shqipërisë Verilindore. Po ashtu edhe diplomacia gjermane Shqipërinë e ndanë në Toskë, që kanë jetuar në Shqipërinë e Jugut, dhe Gegë që përfshinin territorin e Shqipërisë Verilindore.
12. Aleksandar Matkovski, Otporot vo Makedonija, vep. e cit. f. 790.
13. Historia e popullit shqiptar II, Tiranë 2002, f. 92; Kryengritja e Dervish Cares filloi në Gostivar, e jo si e paraqet historia më e re e popullit shqiptar II, e botuar në vitin 2002, f. 92. Se kryengritja filloi në Shkup, pastaj u përhap në muajin shtator, ndërsa kryengritësit e çliruan Gostivarin në nëntor 1843.
14. Branko Horvat, Kosovsko pitanje, Lubjanë 1989, f. 37.
15. Gazeta “Transalvania”, Rumani, 2 maj 1844.
16. Shukri Rahimi, Rëndësia historike e Dervish Cares, “Shqiptarët e Maqedonisë”, Shkup 1994, f. 216.
17. Toskovi e ka ngatërruar emrin e fshatit Care, me titull mbretëror. Pasi “Car” përdoret te sllavët si titull më i lartë shtetëror, (Car-perandor), që ka pushtet të pakufizuar.
18. Jovan Trifunovski, Albansko stanovnishtvo u Makedoniji, Beograd 1988, f. 41; ky albanofob pranon se shumë familje shqiptare mbajnë mbiemrat e fshatrave si është rasti me Dervish Caren nga fshati Caren përgjatë lumit Drin, krahinë e Kalisit.
19. Aleksandar Matkovski, Otporot vo Makedonija Tom. IV, Shkup 1983, f. 787.
20. Në bazë të dhënave të grumbulluara në teren nga vetë autori i librit, te anëtarët e Famijes Cara gjatë viteve; 1988-1990, trungu i familjes së Dervish Cares nga baba i cili quhej Sulejman, ky kishte edhe tre vëllezër tjerë me këto emra; Hamit, Esat dhe Abdi Care.
21. Sipas shënimeve të mbledhura në teren, kjo familje sot përveç Pallçishtit, jeton e shpërndarë në disa fshatra: Sellarcë, Bogovinë, Pirok sheTetovë.
22. dok. brit. II, dok. nr. 96, f. 142; raport nga Selaniku 30.08.1844; Vebi Xhemaili, Shënime të mbledhura për shtrirjen e familjeve të carëve në Pollog, Tetovë 1994.
23. Risto Popllazarov, Eden interesen dokument za “Buntot na Dervish Car”, viti-XVIII ANNEE, nr. 1. “Glasnik” INI, Shkup 1974. f. 211.
24. Gragja za istoriju makedonskog naroda iz Ahriva Srbije, Beograd 1979, dok. 201; Raport i konsullatës nga Shkupi AC. MUD, II-VI 117/1841, pranuar më 5 gusht 1841. f. 247-248.
25. Vebi Xhemaili, Pashallëku i Tetovës dhe Kryengritja e Dervish Cares (fejton) në gazetën “Bota sot”. Prishtinë, viti 2000.
26. Britanski dokumenti…, dok. nr. 82, f. 123; dhe dok. 173, f. 271.
27. Ligor Mile, Kryengritjet popullore në fillim të Rilindjes…,(1830-1877), Tiranë 1962, f. 114
28. A. Matkovski, Kryengritja e Dervish Cares, vep. cit. f. 50-51.
29. Aleksandar Matkovski, Vostanijeto na Dervish Cara vo Pollog, “Bigorski sobiri”, Tetovë 1978, f.129; Tetovo i tetovsko niz istorijata, vep e cit. f. 236.
30. Aleksandar Stojanovski-Dragi Gjorgjiev, Nasellbi i naselenie vo Makedonija-XV I XVI vek, Shkup 2001, f. 202. Numri i familjeve shqiptare (myslimane) ishte 666 familje, ndërsa i të krishterëve ishte 294 familje, nga këta ka pasur edhe shqiptarë katolikë. Shkupi deri në vitin 1912 ka qenë qendër e kishës së krishterë shqiptare.
31. Letër e konsullit francez nga Selaniku, dërguar në Francë, më 12 tetor 1843.
32. Konsullata franceze në Selanik dërguar një letër në Francë nr. 179. më 12 tetor 1843; Makedonija vo delata na stranskite patopisci, 1827-1849, Kumanovë 1992, f. 563-570.
33. Makedonija vo delata na stranskite patopisci…, po aty.
34. Gragja za istoriju makedonskog naroda, (dokumente nga arkivi i Serbisë), Lib. I, dok. 260, vep. e cit, f. 299-300.
35. Sadulla Brestovci, Marrëdhëniet shqiptaro-serbo-malazeze, gjatë viteve 1838-1856, Prishtinë 1983, f. 126.
36. Gragja za istoriju makedonskog naroda, (dokumente nga arkivi i Serbisë), Lib. I, dok. 263, f. 302.
37. Gragja za istoriju makedonskog naroda, (dokumente nga arkivi i Serbisë), Lib. I, dok. 264, f. 303.
38. Po aty, dok. 264; Vebi Xhemaili, Të dhënat për Kryengritjen e Dervish Cares, në raportet e konsullit anglez nga Selaniku: Çarls Blant; Me rastin e 150-vjetorit të Kryengritjes së Dervish Cares, simpozium i mbajtur në Tetovë më 22-23 tetor 1994; Raport i konsullit anglez Çarls Blant, më 20 tetor 1843, ky në raportin e vet jep të dhëna për Komandantin Sulejman Toli.
39. Po aty, raporti Çarls Blantit.
40. Gazeta “Transilvania”, më 2 maj 1844.
41. Vebi Xhemaili, Pashallku i Tetovës dhe Kryengritja e Dervish Cares.,“Bota sot”, (fejton), Prishtinë v. 2000.
42. A. Matkovski. Kryengritja e Dervish Cares, vep. e cit. f. 137.
43. Hristo Andonov Poljanski, Britanski dokumenti za itorijata na makedonskiot narod, II, Shkup, 1977, dok.72; Vebi Xhemaili, Kryengritja e Dervish Cares, (fejton) “Flaka e Vëllazërimit” 1988.
44. AMAE, Raport nga Selaniku nr. 1372 nga 8 maji 1844.
45. A. Matkovski, Otporot vo Makedonija, vep. e cit, f. 230; Pollogu nëpër shekuj, Tetovë 1994, f.178.
46. Dok. brit. II,dok. nr. 89, f.133.
47. Makedonija vo dellta na stranskite patopisci 1778-1826, Shkup 1992, f. 275.
48. Sipas Ptolomeut, Shkupi ishte Kryeqytet i Dardanisë; Shih librin; “Makedonija vo dellta na stranskite patopisci 1778-1826, Shkup 1992, f. 275.
49. Vebi Xhemali, Pashallëku i Tetovës dhe Kryengritja e Dervish Cares, (fejton), botuar në “Bota sot”, më v. 2000.
50. Vebi Xhemaili Pashallëku i Tetovës dhe kryengritja e Dervish Cares, (fejton), “Bota sot”. Prshtinë, v. 2000.
51. Vlladimir Stojançeviq, Juzhnosllovenski parodi u osmanskom carstvu od Jedrenskog mira 1829 do Pariskog Kongresa 1856, Beograd 1971, f. 319.
52. Raport i konsullit anglez Lejardi nga Selaniku, maj 1844..
53. Vebi Xhemaili, “Të dhënat për Kryengritjen e Dervish Cares në raportet e konsullit anglez nga Selaniku Çarls Blant”; Simpozium Shkencor “Pollogu gjatë shekujve”, Tetovë, më 22-23 10.1994.
54. Vebi Xhemaili, Po aty, Simpozium shkencor në Tetovë, mbajtur në vitin 1994.
55. Skender Rizaj, Derish Cara në kujtimet e diplomatit anglez, Referat i lexuar në Simpoziumin Shkencor me rastin e 150 vjetorit të Kryengritjes së Dervish Cares, Tetovë 22-23, tetor 1994. f. 3.
56. Gazeta “ Vjedmosti” Sant Peterburgskie, v. 1844.
57. Shukri Rahimi, 150 Vjetori i Kryengritjes së Dervish Cares, “Flaka e Vëllazërimit”, (fejton), Shkup,17.04. 1994.
58. Vebi Xhemaili, Raport i konsullit anglez nga Selaniku, Çarls Blant. Lexuar në Simpoziumin Shkencor në Tetovë, më 22-23, 10, Tetovë 1994.
59. A. Selishev, Pollogu dhe popullsia bullgare, vep. e cit. 125.
60. Qirill Pejçinoviç i negovoto vreme 1973, f.127-128; Matkovski-P. Angelakova, Patuvanjeto na dvajca angliçani niz Makedonija vo 1839, 1842 i 1844; INI, v. XVIII, nr. 1 Shkup 1974, 241-247.
61. Jovan Haxhi Vasileviq, Skopje i vjegova okolina, Beograd 1939, f. 479.
62. A. Matkovski, Kryengritja e Dervish Cares, vep. e cit. f. 150.
63. Senkeviç, Albanija v period vostoçnako krizissi, f.627-228; Risto poplazarov, Eden interesen dokument “Za buntot na Dervish Car”, v. XVIII ANNEE, Shkup 1974, f. 213;
64. Aleksandar Matkovski, Otporot vo Mekedonija, vep e cit. f. 799.
65. Toskov vep. e cit. f. 420.
66. Në këtë kohë qëndronte i barikaduar në kalanë e Shkupit Kuçuk Beu, ky i trembi qytetarët e Shkupit kur kuptoi se në betejën e Katllanovës ka dalë fituese ushtria turke, ky i porosit qytetarët që mos të shkojnë në ndihmë Dervish Cares, se do ta djeg qytetin me topa, që i kishte drejtuar nga kalaja e qytetit.
67. Skender Riza, Dervish Cara në kujtimet e diplomatit anglez Layard 1845, Referat i lexuar në Simpoziumin për Dervish Caren në Tetovë më 23 tetor 1994.
68. Dok.91, f. 135; Raport i Çarls Balntit, dërguar Grofit Aberdin, Selanik, 23 maj 1844.
69. AMAE, letër nr. 1503 nga 22 maji 1844.
70. Toskov, po aty, f. 420.
71. A. Matkovski, P. Angellova, Patuvanjeto na dvajca angliçani vo 1839, 1842 i 1844, INI, v. XVIII, nr. 1, Shkup 1974, f.247.
72. J. H. Vasileviç , Skoplje i njegova okolina…, f. 480; Stojançeviq, vep. e cit. f. 231.
73. M. A. Hitrov, ishte konsull rus në Manastir nga viti 1862.
74. Po aty, raporti i njëjtë.
75. Vebi Xhemaili, Diskutim në Simpoziumin Shkencor, në lidhje me Dervish Caren, shih Lib.“Shqiptarët e Maqedonisë”, vep. e cit. f. 610.
76. A. Selishev, Pollog dhe popullata bullgare në v. 1929, Sofje f. 125.
77. Albina “Romansa”, qershor 1844.
78. Brestovci Sadulla, Mardhëniet shqiptaro-serbe-malazeze, gjatë viteve (1839-1856), Prishtinë 1983, f. 128.
79. Archives dy ministere des affaires etraigeres, Direction politique, consulat Selonique, Paris nr. 29 nga 18 .XII. 1844; Shukri Rahimi, “Gjurmime Historike të Rilindjes Kombëtare, Prishtinë 1986, f. 112.
80. Vebi Xhemaili, Kryengritja e Devish Carës, në: “Bota sot”, 15-20 prill 2000.
81. Aleksandër Matkovski, Otporot vo Makedonija, Tom IV, Shkup 1983, f. 805.
82. Vebi Xhemaili, “Kryengritja e Dervish Carës dhe lufta e tij për autonomi”, (kumtesë e mbajtur në Universitetin e Tetovës, me rastin e 155-vjetorit të Kryengritjes së Dervish Carës), Tetovë më 25 dhjetor 1999.

– FUND –

___________________

PJESA E PARË:
PROF.DR.VEBI XHEMAILI: DERVISH CARA-TETOVA KËRKON AUTONOMINË E SHQIPËRISË PARA 170 VJETËSH (I)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3180

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura