PROF.DR.ZAMIRA ҪAVO: ARROGANCA E PUSHTETARËVE!

Tiranë, 19. 10. 2015: Arroganca ka rrëzuar mbretëri dhe jo më pushtetarë apo pushtete të përkohshme. Ky është mësimi që vjen nga historia. Sofokliu që në lashtësi thoshte: “Nuk mund të njihet mirë natyra dhe karakteri i njeriut nëse nuk e shikon se si e administron pushtetin”. Dhe sigurisht, këto mësime vijnë nga kohëra kur pushteti administrohej nga njëshi. Në demokraci, kur pushteti i takon popullit, qeveritari, qoftë dhe Kryeministër, President a cilido zyrtar tjetër i lartë, është fare i përkohshëm dhe në këtë drejtim shumë vunerabël për t’u larguar nga ky pushtet. Ndaj duket gati qesharake arroganca që po shfaqet në një sistem zinxhir nga maja e deri në bazën e ndërtimit të shtetit tonë. Ata që duhet të sillen si shërbëtorë të popullit, po sillen si pronarë të tij.
Qytetari ka nevojë të ketë një shtet të fortë dhe jo pushtetarë që tregojnë forcën.
– Kemi nevojë për rend dhe jo policë që të ofendojnë e të trajtojnë si plaçkë,
– kemi nevojë për shërbim dhe jo për punonjës të administratës që e kujtojnë vetën pronar të vendit të punës.
– Kemi nevojë për kryetarë të qeverisë dhe jo kryeministër që thotë: Pritni se nuk keni parë gjë akoma!
Po a ka vërtet arrogancë nga pushtetarët tanë?

– Arroganti i politikës shqiptare /sh.b/ –

Nuk kam ndërmend të merrem me makinat zyrtare që nuk pyesin për rregulla të qarkullimit, as me fëmijë të zyrtarëve që bëjnë si u do qejfi duke shkelur çdolloj rregulli aty ku janë, por le të ndalemi pak në disa tregues makro që dëshmojnë pikërisht për këtë arrogancë:
– Tashmë po bëhet kohë që media po shpreh gati çdo ditë revoltën e njerëzve ndaj masave shtrënguese të qeverisë mbi biznesin e vogël dhe të mesëm. Po e njëjta revoltë duket dhe ndaj mënyrës së tatimit. Specialistët nga ana tjetër po i vënë theksin kësaj mënyre jo fort të gjetur për të forcuar shtetin. Akademikët po kështu. Por pushtetarët as që duan t’ia dinë. Ata kanë “mendjen e tyre” që çuditërisht nuk përkon as me të popullit e as me të specialistëve dhe akademikëve.
– Parlamenti aprovon ligje dhe pse grupet e interesit jo vetëm nuk pyeten, por edhe kur e kundërshtojnë as që ua dëgjon fjalën njeri. Ligjet aprovohen se “këtë dinë pushtetarët”.
– Pushtetarët na hakërrohen se duhet të jemi korrektë me detyrimet tona për të paguar energjinë elektrike apo taksat e tatimet, por asnjë prej tyre nuk jep llogari ku shkuan milionat e shpërdoruara nga pushtetarët po për këtë energji, po për pagesat e Crown Agents, apo shpërdorimet marramendëse, të cilat i paguajmë po ne, populli. Madje kur media apo njerëzit përpiqen të kërkojnë llogari se çfarë bëhet në të tilla afera dhe kush mban përgjegjësi vjen përgjigjja arrogante se “ne kemi bërë më të mirën dhe e kemi shpëtuar vendin”.
Cilin vend kanë shpëtuar? Apo, cilin popull …?
– Rilindja (e Edi Ramës – sh.b) erdhi në qeverisje me tezën “Ne luftojmë kundër varfërisë”, por sot çuditërisht është shndërruar “Ne luftojmë kundër të varfërve”! Dhe në këtë rast të varfër jemi të gjithë përderisa vetëm 0.5% e popullsisë është supermiliardere dhe vetëm 15% e popullsisë (ku bëjnë pjesë më shumë pushtetarë dhe ish- pushtetarë) na përbëjnë strehën e mesme. 85% janë të varfër.
Të sillesh si pushtetar do të thotë të jesh i përgjegjshëm për fatet e popullit e mbi të gjitha të jesh transparent e i qartë me politikat që i takojnë atij. Nuk është asgjë më pak se një arrogancë pushtetari të thuash se “e dimë ne këtë” dhe të mbulosh çdo aferë korruptive duke u ndier dukshëm i kërcënuar nga të ngjashmit në pushtet dhe jo nga populli. Të veprosh me kokëfortësi në të kundërtën e asaj çka publiku kërkon, flet apo percepton dhe t’i nënshtrohesh kërcënimit të një individi që të rrezikon pushtetin, do të thotë të ndihesh pushtetar, por jo të sillesh si i tillë.
– A nuk është arrogancë të thuash se kemi arritur të shmangim arbitrazhet duke i dhënë nga (X) në (Y) euro, kur këto euro, (që janë miliona) dalin nga gjaku ynë? Kush do mbajë përgjegjësi për këtë thikë që po i hyn në palcë jetës së popullit???
– A nuk është sjellje arrogante të thuash se sot “Shqiptarët janë më mirë se ç’kanë qenë kurrë ndonjëherë”? A nuk është kjo thënie një tallje me realitetin ose një cinizëm i denjë për një arrogancë pushtetari?
Të sillesh si pushtetar do të thotë të ndihesh i përulur para fuqisë së popullit dhe ta respektosh atë. Por të hiqesh si i pushtetshëm dhe ta kthesh Parlamentin në një parlament bajat kur të gjitha batutat nënkuptojnë më së paku seksin dhe bordellot e dala mode, do të thotë të tregohesh i pushtetshëm, por jo të sillesh si pushtetar. Pushtetari është e duhet të jetë i përgjegjshëm për rolin e tij, për qëllimin që ka pushteti dhe jo për të mbrojtur interesat individuale në vend të interesave publike. Të jesh pushtetar do të thotë të mos të zërë gjumi për zhvillimin e vendit, për prosperitetin dhe mirëqenien e popullit. Unë nuk besoj se pushtetarët tanë janë të tillë. Ata ndihen të pushtetshëm, por nuk duan të sillen si pushtetarë. Historia ka provuar se arroganca shkon kaluar, por kthehet në këmbë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

BESONI SHKENCËS!

BESONI SHKENCËS! Unë besoj në shkencë, POR… Shtërngimi (Detyrimi)kushtëzimi nuk është shkencë, Mbajtja ‘ fshehja e të dhënave…