RASIM BEDO: PSE NUK FITOI “BALLI KOMBËTAR” I NACIONALIZMIT SHQIPTAR?

Addison IL, USA , 17. 09. 2015: Pse u bë gjithë ajo gjakderdhje, pse gjithë ajo urrejtje kundra Klerit Katolik? Cilat janë shkaqet e dështimit të Ballit Kombëtar? … Prof.Dr. Isuf Luzaj jep këtë përgjigje: “Faji kryesor i mosorganizimit, ishte te bejlerët, të cilët ishin anëtarë të Komitetit Qendror. Balli, për të mos fituar komunistët, do të duhej të bënte këto veprime: Të mbante tri grupe të ushtrisë nën komandën e vet; një grup në Shkodër, ndërsa dy të tjerët në Tiranë dhe Elbasan, që përbënin rreth 120.000 ushtarë të armatosur. Po t’i kishte udhëhequr Balli këta ushtarë, komunistët nuk do të fitonin… Komandantët e grupeve erdhën ilegalisht me ne, ndërsa oficerët e ushtarët lanë kazermat e shkuan në shtëpitë e tyre, vetëm gjeneralët erdhën me ne! Balli, po ashtu, nuk ishte në gjendje të formonte çeta në tërë Shqipërinë. Çeta pati vetëm në Vlorë, Berat e Korçë. Në Berat ishte Abaz Ermenji, që nuk zbrazi asnjë pushkë kundër italianëve. Vetëm në Dibër, kuptova se e kishim humbur luftën, për shkak të bejlerëve, nga të cilët Shqipëria kurrë s’ka pasur ndonjë përfitim. Bëjmë përjashtim për Ismail Qemalin dhe Mit’hat Frashërin… Mit’hati ishte një njeri shumë i ndershëm. Atdhetar qind për qind dhe i sinqertë. Demokrat në teori, aristokrat në praktikë. (Por Mit’hati nuk kishte një qëndrim të prerë, ndaj kundërshtarëve të tij: “Janë bijtë tanë – thoshte ai për kundërshtarët”. U tregua “Pacifist e tolerant ndaj komunistëve, në një kohë kur atyre po t’u binte në dorë e zhduknin në moment, si armik e tradhtar. shën. im”). Komunistët ishin shumë të organizuar. Kishin përvojë, sepse u vinin urdhra dhe mësime nga Beogradi. Balli Kombëtar nuk kishte as statut, as kod apo ligj. Çlirimi i Shqipërisë, ndodhi nga vdekja e boshtit Romë – Berlin. Luftën e humbi Hitleri dhe Musolini. Shqipëria mbeti zonë e asnjërit.
Nuk ka njeri që e ka njohur më mirë Enver Hoxhën. Cili është Enver Hoxha? Ai qëndroi 11 vjet në Francë dhe nuk fitoi diplomën. I jepte para i kunati i tij, që ishte një milioner nga Gjirokastra. Kur ai vajti e pyeti në Universitet dhe mori vesh se s’ka dhënë asnjë provim, ia ndërpreu ndihmat. Enveri mbeti pa burim financimi dhe u fut në Partinë Komuniste, sepse ajo u jepte të huajve dreka e darka, ushqim dhe strehim. Mbante një çantë të madhe, për t’u paraqitur para të tjerëve, se kishte libra në të. Ndërroi disa fakultete, por nuk u diplomua kurrë. Tregojnë edhe një barsoletë për të: Një ditë ai më telefoni vonë. ”Ç’ke bërë ashtu”- më pyeti i nervozuar.” Ke nxjerrë nga çanta ime librat e ke futur ca tulla në të”. Iu betova se nuk e kisha bërë unë një gjë të tillë. Kur i tregova për këtë Dhori Panos, ma ktheu duke qeshur: “Unë kam gjashtë muaj që ia kam futur në çantë ato tulla, po ai tani i paska parë”. Enver Hoxha na pat treguar një ditë, se e kishte të vështirë ta gjente universitetin ku ishte regjistruar, sepse shkonte njëherë në gjashtë muaj. Pata rast të takoja një doktor japonez në Amerikë… Ai kishte qenë 5-6 vjet mjek i Enver Hoxhës. Më tha se diktatori shqiptar ngrihej shpesh natën nga gjumi dhe bërtiste: “Erdhën, erdhën të më vrasin!”… Vinte roja me vrap, e më thërrisnin mua për t’i bërë injeksion. (Vehbi Bajrami “Shqiptarët e Amerikës”, bot 2003, f. 195, 196).

Kur në fund të luftës, situata në Shqipëri u bë shumë e nderë për nacionalistët, miqtë e Harapit e këshilluan atë të mërgonte jashtë vendit, por ai refuzoi. Në këtë kohë u larguan 118 profesorë, edhe pse kishin marrë doktorata të Sorbonës, Berlinit e Romës. ( këto figura të ndritura, Mit’hati nuk i shfrytëzoi për t’i bërë anëtarë të K. Q. të Ballit, por e mbushi me trutharët bejlerë. Isuf Luzaj tregon një barsoletë për beun e Elbasanit Shefqet Vërlacin: “…në një restorant të shtrenjtë në Paris, hante ushqimin me dorë dhe kjo e kishte neveritur menaxherin e lokalit: –Ose hani si duhet, ose do t’ju nxjerr jashtë!, -i kishte thënë francezi. Ndërsa Shefqet Vërlaci, pasaniku më i madh i Shqipërisë në atë kohë, i mllefosur ia kishte kthyer: – Më thirr pronarin, dua të bisedoj diçka me të!… –Sa kushton ky restorant? – e kishte pyetur të zotin e lokalit. – Nuk e kam për shitje, – ia kishte kthyer ai. Pas insistimit te Beut, pronari francez i kishte dhënë një çmim të lartë dhe Shefqet Vërlaci kishte nxjerrë paratë nga çanta… – Një herë pata shkuar ta vizitoja si i dërguar i Ballit, -tregon prof. Luzaj… – I thashë, po si nuk keni asnjë libër në shtëpi? -Nuk më duhen librat. –Të gjitha i kam në kokë”.
At Anton Harapi, nuk i ndoqi pas korifenjtë, që u larguan para dhe pas kësaj mërgate, por refuzoj largimin duke thënë: “Kam punue për Shqipni e ballafaqas. Nuk pres shpërblim, por as dënim, nuk kam pse me pritun. Bashkatdhetarët e dijnë se kurrë s’i tradhtova. Me ta vuajta, me ta punova, me ta qëndrova. Me ta edhe do të vdes”. (U. Q).
Rreth 50 vjet më parë, shkruan në librin e tij komisari i forcave të ndjekjes, Fadil Paçrami,” fill pas çlirimit, filloi ndjekja kundër armiqve dhe klerit katolik, duke krehur vendin me një kontroll të imtë në çdo anë e kënd. Në qershor të vitit 1945 hymë në fshatin Pluth, mbi Shkodër, afër një shtëpie, në luadh pamë një çoban me kërrabë në dorë dhe para tij disa dhën. U përshëndetëm me çobanit dhe iu drejtuam shtëpisë dhe trokitëm. Me pak rezistencë u hap dera nga një zonjë që gjetëm në atë shtëpi të vetme. Pas një kontrolli të imtë, në dollap gjetëm një gotë me ujë dhe në të proteza me dhëmbë floriri. Zonjës iu kërcënua jeta dhe djegia e shtëpisë, nëse ajo nuk tregonte se të kujt janë ata dhëmbë. Pas hezitimit, ajo u tregoi nga dritarja çobanin… E arrestuan. (F. P.). Kënaqësia e madhe e komisarit Fadil Paçrami.
Me vendim të datës 19 shkurt të 1946, të gjykatës speciale të Tiranës, At Anton Harapi është shpallur si kriminel lufte, armik i popullit dhe sabotator i pushtetit. Ai u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua po atë vit. Nuk dihet ku gjendet varri i tij.
Kryevepra e Anton Harapit, “Andrra e Prekashit”, kushtuar bashkëveprimtarit të tij të dashur, Luigj Gurakuqit, ka vlerë të madhe dokumentare. “Me veprën e përvuejtë të virtytetve shqiptare do ta ngrehim madhinë e kombit tonë” shkruan Harapi. Tragjikja e Anton Harapit, mbetet me pranimin e tij të tezës së hidhur “armiku i armikut tim, duhet të jetë miku im”. Ai pranoi pushtimin gjerman, si mbrojtës kundër komunizmit, sepse gjermanët ishin armiq të betuar të popujve sllavë.
Kur Lufta e Dytë Botërore zhvillohej ndërmjet dy blloqeve dhe nuk dihej se kush do të fitonte në fundin e saj, atëherë Patër Antoni bëri mirë që përqafoj anën e Gjermanisë dhe në vend të mirënjohjes, e pushkatuan. “Në gjyq i hodhi poshtë akuzat me thëniet e trupit gjykues për dënim si tradhtar, jo nga populli, por nga armiqtë e kombit që trillojnë shpifje. Theksoj burrnisht me fakte pafajësinë, tue mos pranue me lypë falje. U tha: “Zoti pastë mëshirë për ju, që nuk keni dashtë me dijtë, se çfarë krimesh po bëni kundër popullit e atdheut, jo vetëm për dënimin tem e të qindra të tjerëve të pafajshëm sikurse unë, po për tragjedinë që keni vulosë kundër tanësisë kombëtare, në dhunim shqelmues të tagrit të shqiptarëve për atdheun etnik. Mundimet dhe jeta ime i qofshin falë kombit”.
“Mbas vrasjes së Patër Anton Harapit, ambasadori jugosllav ka shkue për vizitë zyrtare te Enver Hoxha. Në bisedë e sipër, Enveri asht mburrë për zhdukjen e Harapit. Ambasadori i ka thënë se i gjithë kleri katolik shqiptar ashtë Patër Antona, prandaj për mbarëvajtjen e partive e të qeverive tona motra, kam porosi të shpejtë rezervate prej Beogradit, që me çdo mjet, duhet me i likuidue të gjithë sa më parë. Ata janë lidhun me Vatikanin, me atë çerdhe të spiunazhit të kapitalistëve imperialist”. E atëherë a ka se si besohet shestimi i kësaj katastrofe për ne, prej Beogradit? Pse Enveri pranon me u ba vegël serbe kundër shqiptarëve? Ma në fund, pse komunistët serb nuk e hjekin qafet klerin e tyre, që gjatë luftës përgjithësisht ka qenë me çetnikët”. (UQ) Fantazma e komunizmit mjegulloj edhe Shqipërinë. Ajo la këtu thikën e serbëve në shpinë të klerit katolik dhe të intelektualëve shqiptarë. Këllëfi i thikës, ishte doktrina ateiste komuniste. Asnjëherë nuk u prezantua rezultati i konferencës së Teheranit midis Rusveltit , Çurçillit dhe Stalinit për Shqipërinë. Por fabula e La Fontenit “over lupe credit”. “Ujku ka gjithnjë më të drejtë se qingji”. Në tetorin e vitit 1943, në këshillin e Shpëtimit Kombëtar, që përbëhej nga 4 veta, u zgjodh edhe Patër Anton Harapi. Ky njeri i nderuar i kombit, në bankën e të akuzuarve tha: “Feja nuk e dobëson njeriun, por e naltëson, i jep vlera dhe e plotëson në jetë, në marrëdhënie shoqërore e familjare”. Për këto mendime progresive, ai arriti në bankën e të akuzuarve si armik i popullit. Pas akuzës, Patër Anton Harapi pyeti: “Po pasi të mbarojnë armiqtë, me kë do të merreni z. prokuror? A po do të filloni me njëri-tjetrin”?… Çërçilli ka thënë: “Komunizmi ha foshnjën e tij”. “Druri i pemës, i ushqen krimbat dhe krimbat e thajnë drurin, duke shpërndarë helm nën etikën e mjaltit, përgatisin shkatërrimin, në vend të përparimit, robërimin në vend të lirisë”. Diktatori gjakatar ndoqi këtë mendim për qytetarët e vet: “E mbytëm Patër Anton Harapin, dhe me të, kemi plagosur për vdekje klerin katolik”. Kjo ishte shprehja e një “burri shteti” që tërhoqi zvarrë Shqipërinë për një gjysmë shekulli. “O…po kemi ende gjallë At Gjon Shllakun që peshon shumë”. Në një tavolinë përplaset një dosje ku lexohet: Aprovohet dënimi me vdekje për: -At Gjovani Faustin, nga Breshia. –At Danieli Darjanin, nga Shkodra. –At Gjon Shllakun nga Shkodra. –Mark Ndoc Curin nga Shkodra. –Qerim Sadik Myftarin, nga Gucia. –Gjelosh Lulash Barjaktarin nga Shoshaj i Dukagjinit. Ministri i Luftës e i Mbrojtjes, Gjeneral Kolonel Enver Hoxha. (M. T.).
Populli i Finlandës, që sovjetikët i ka fqinjë në kufi, shpëtoi nga kthetrat sovjetike për arsye të forcës së bashkimit kombëtar. Po ne, pse nuk fituam? Kryetari i Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri, mbushi Komitetin Qendrorë me anëtarë bejlerësh e nuk mori asnjë nga gjeneralët e nga brumi i inteligjencës së kombit, nga brumi i nacionalizmit dhe nga figurat e ndritura të klerit katolik. Forcat ushtarake prisnin në kazermë për organizimin e ri (që në fillim, pas 7 rillit 1939) nën drejtimin e gjeneralëve të tyre të varur nga komanda supreme e Ballit Kombëtar, që numëronin rreth 120.000 trupa, për t’i ndarë në grupe të vazhdonin luftën kundër komunizmit, që ishte akoma në djep dhe kundra fashisto-nazistëve. Mit’hati nuk veproi për organizimin e ushtrisë dhe ushtarët e oficerët lanë kazermat e shkuan në shtëpitë e tyre. (Me një fjalë, kjo ishte tradhti, kjo ishte vdekja. Do të ishte normale dhe do të fitonte Balli Kombëtar, në qoftë se vendin e kryetarit të “Ballit Kombëtar” do ta kishte njëri prej gjeneralëve më të zotë, ose Abaz kupi, apo Muharrem Barjaktari dhe t’u kërkonte bejlerëve e agallarëve të zgjidhnin qesen për organizimin e armatës shqiptare, ku të zgjidhej një komisar atdhetar i vendosur si (prifti Simurden që zgjodhi Robespieri për armatën e Vandesë, të komanduar nga Goveni zëmërbutë “Viti 93, V. Hygo”). Dhe komisar për në shtabin e armatës, do të ishte më i përshtatshëm Patër Anton Harapi. Mit’hati mbajti anën e bejlerëve, se ishte vetë aristokrat dhe bej, ishte me bejlerët e Toptanit, farefis edhe me ata të Elbasanit, të Korçës e të Shkodrës. “Ata bejlerë, ishin armiku i popullit, sepse ata e mbajtën 500 vjet në hu e në litar popullin shqiptar nën sundimin turk. (Isuf Luzaj). Nuk fitoi Balli Kombëtar. Pse? Sepse duhet të kishte mbajtur ushtrinë të komanduar nga gjeneralët e saj, që nga fillim të vitit 1939 pas pushtimit të Italise fashiste dhe të detyronte pasanikët të derdhnin paratë në tavolinë si dhe në Komitetin Qëndror të Ballit Kombëtar të mos mbante këta bejlerë injorantë si Shefqet Vërlaci që folëm më sipër. Të vendoste në Komitetin Qendror dhe në Shtabin e armatës e në gjithë vendin, Brumin e pastër të inteligjencës së kombit, të nacionalizmi dhe të klerit Katolik. Ju la rruga e lirë Jugosllavëve, ndërsyen Enverin e pa diplomuar me shpirtin katran, vrau inteligjencën me klerin katolik shqiptarë, që ishin më shqiptar se shqiptarët myslimanë dhe ortodoksë. Kujt do t’i ngarkohet faji për këtë masakër? Që vetë kryetari I Ballit Kombëtar Mit’hat Frashëri i ktheu krahët atdheut dhe nuk qëndroi, që në gjyq, ku të dilte të demaskon Enver Hoxhën me komunistët Jugosllavë. Por u largua dhe militoi si kryetar i Ballit Kombëtar në diasporë, pa asnjë përfitim për atdheun, vetëm “Dhunë e Iiri – mërgimtar në qiej të zi…” Dhe ja shkëndrit Fytyra jote / Fatlum, O Lumo, drita jote tmerr për 70 vjet. Dhe së fundi gjeti vdekjen në hotelin Leksikton të New Yorkut, ndofta me llahtari të madhe. Megjithatë poeti në ceremoninë e varrimit e poetizoi: “Ehu, flamur i vjetër / ehu flamur, Historia ka filluar për tu zgjidhur. Ajo që nuk u zgjidh më 1913 dhe 1944, për bashkimin e Shqipërisë / Ty frymë e fundit Frashëri / Vakëf për ne, për Shqipëri”. (Nga Bardhyl Pogoni). Ndërsa Patër Antoni Harapi nuk i ktheu krahët atdheut. Ishte shqiptar i kulluar, siç kemi treguar më lartë. Lëvizja Etnike, vazhdon sot, me shumë shqiptarë patriotë.

Rasim Bebo, Addison IL, USA

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura