REXHEP KASUMAJ: ‘KULTURA E TEPRISË’

Berlin, 04. 12. 2015: (Një thirrje për zhbërjen e saj) – Ndërsa një muzg, me erën që ndiqte retë dhe fletët e molisura, mendoja për dramën e fundme të Prishtinës, do t’më kujtohej një floskulë (e kujt kje vallë?) tepër interesante e domethënëse: ”Kultura e teprisë”! Natyrisht, farkuesi i hollë do ta ketë vënë në një kontekst tjetër, por unë me ngasjen e vetishme për ta adoptuar në miljeun e mbërthyer ekstremesh e improvizimesh të çuditshme, thashë me vete: po ku është trollëzuar e tillë farë më mirë?
Etablimi i saj, tashmë, rezulton të ketë dy nivele, dy ndërgjegje dhe dy kahe përballëse a, krejt, të kundërta që prekin kulmet e teprisë: njëra është vepruese, e pandjeshme dhe agresive, kurse tjetra e lëbyrshme, bestyte dhe fatpajtuese! Po kush, vallë, identifikohet me to? Të parët – e cilët tjetër?- janë hierarkët e pushteteve, ndërkohë që të dytët – a s’kuptohet lehtësisht? – janë turma, elektorët dhe hijefigurat nga “Të përbuzurit…” e Franc Fanonit!..Duke qenë një sipërkulturë, ajo ka poshtëvënë gjithë të tjerat: kulturën e përgjegjshmërisë (ligjbërja e kartelave të krimit), të harmonisë (shkallmosja e klasës mesme si nyjë paqëtuese), atë kritike (klientelizmi i pështirë medial), mandej, poaq, të rezistencës civile (nënshtrimi i pakusht ndaj naciokratëve të ndërkryer) dhe, së fundmi, vetë kulturën e lirisë!..

Dhe ah, darët e teprisë kapullojnë gjithçka: në një anë, tepri në vjedhje e mashtrim, pabarazi e vobektësim (athua ka masë etike për to!?) dhe, në anën tjetër të humnerës: tepri në apati, si shndërrim i atdhetizmit kushtetues në gjunjëzim popullor (a ka peshore të arsyes për të!?), ose, më saktë, si do thoshte Orveli, meqë i zgjedhin lirshëm përfaqësuesit politikë – tepri edhe në pjesëmarrje e bashkëpunim me shkaktarët e fatkeqësisë së vet.
Gjendja sikur ngjan fare shpresëkotë sepse, mjerisht, perpetuohet pambarimisht në rreth të mbyllur: të parët nuk fisnikërohen, e të dytët, ndërkaq, nuk vetëdijësohen! Rrjedhimisht, ndërsa hierarkët katrrisen me thonj e gjak, për t’mos rënë nga qarkullimi horizontal i sundimit, të përbuzurit zjejnë e rrotullohen në botën e asgjëbërjes, pa ëndërruar, apo organizuar kolektivisht mohin e rendit të bajlozëve të zinj!..
Amorfiteti i të poshtmëve ka, ndaj, shprehjen e kërkimdaljes individuale nga unaza shtrënguese mbi jetët e tyre. Një palë do të heshtin, një tjetër priret për shpërngulje në largësitë e panjohura dhe ndonjëri nga palë e tretë, po qëlloi të ketë shkundje a vegime shpëtimtare, nuk pikësynon askurrë ti shmanget skemës së trishtë. Madje, besnik i tipologjisë fanoniane, vuan dëshirimin e fshehtë për tu ngjitur në galerinë e të epërmve, pra jo drejt lirisë së vet dhe të tjetrit, por, në ndjekje të rregullave unikale të “teprisë”, për tu bërë edhe ai – Persekutor!
“Ai ç’prej vjetësh tremijë
Nuk mësoi gjë për veten,
I tretur mbetet n’errësi
Nga dita n’ditë t’shtyjë jetën”!

Patriarku i letrave të Europës, Gëte, thuase do ti ketë shkruar këto vargje, disi, parathënshëm, jo për gjermanët e vet, por pikërisht për shqiptarët, që, të pamësuar çlirësie ndër qindjeçarë, gëzojnë ende statusin e përulshëm të kujdestarisë, tipik për popuj adoleshentë apo veteranë të robnisë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura