PROF.DR.MUHAMET PIRRAKU: APELI NË PËRMBYLLJE TË LËVIZJES SË PAJTIMIT KOMBËTAR

Prishtinë, 26. 04. 2012) – Të nderuar, Për këtë eveniment shkencor për të dëshmuar faktin së UÇK-ja me konceptet programatike politike ishte pasuese e Programit Politik, të Lëvizjes së Pajtimit Kombëtar, përmes faljeve të hasmërive e cila filloi më 2 shkurt dhe u përmbyllë me Kuvendin e Tretë, të Lëvizjes, më 17 maj 1992, i cili iu drejtua popullit me një Apel që qartë flet se Pajtimit Kombëtar Shqiptar, përmes faljeve të hasmërive e trasoi udhën për ngritjen UÇK-së.Apeli titullohej:
     Popull liridashës!
     Kuvendi III i Lëvizjes Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve, të Plagëve dhe të Ngatërresave, i mbajtur në Prishtinë më 17 maj 1992, fton shqiptarët në Atdhe dhe në oazat e mërgatës: të shtrihet dora e pajtimit dhe e faljes së gjaqeve e të hasmërive të tjera aty ku nuk u shtri pajtimi; të gjithë shqiptarët të përbuzin me urrejtje institucionin mesjetar të drejtësisë popullore patriarkale – hakmarrjen dhe gjakmarrjen.
     Bashkatdhetarë!
     Për detyrë të shenjtë të mbajmë zbatimin konsekuent të amanetit nga ata që falën gjaqe, plagë e ngatërresa për ardhmërinë e lirë e të bashkimit të popullit shqiptar. Fëmijëve tanë t’ua lëmë rrugët e shtruara me lule e dashuri vëllazërore, e jo të mbytura në gjakun e vëllezërve e të prindërve sipas porosisë së mesjetës, e për interesa të pushtuesve, të cilët gjithmonë zbatuan maksimën: ’Përçaj e sundo…!’
Qofshin faqebardhë, brez pas brezi, ata Burra e ato Burrëresha që falën gjakun e më të shtrenjtëve, për kauzën tonë kombëtare…!»
     Duke përfunduar, mund të konstatojmë se me përmbylljen e Lëvizjes paqekrijuese të 2 shkurtit 1990 – 17 majit 1992, u kurorëzua me suksese historike një ndër kapitujt më të rëndësishëm të historisë së integrimit të kombit shqiptar.
     Në këtë Lëvizje kombi shqiptar, i ndarë me dhunë ndërkombëtare u përgatit për të hyrë në periudhën tjetër jetësore
     për finalizimin e përpjekjeve shekullore për lirinë e Kosovës dhe të tokave shqiptare të aneksuara shteteve fqinje dhe për bashkimin e Shqipërisë në kufijtë e saj etnikë dhe historikë.
     Për këto qëllime, në odat e pajtimit dhe në tubimet e pajtimit janë betuar, në Flamurin kombëtar dhe në gjakun e martirëve të kombit, mbi 1 715 380 veta; të rinj e të reja, nëna e baballarë, që do të thotë mbi 78% të banorëve të Kosovës, përkatësisht rreth 52 % të shqiptarëve nën zgjedhën koloniale të Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi.
     Gjaku i derdhur për liri dhe gjaku i falur për liri – është pengu i lirisë: Sanguis heroum semen libertatis!
     Të nderuar, si historian që jam nuk i akuzoj strukturat komanduese pse hoqën dorë nga Programi Politik fillestar që e kishte çimentuar Lëvizja e Pajtimit Kombëtar, përmes faljeve të hasmërive, por do ti qortoja pse nuk më përkrahen për mbajtjen e SIMPOZIU PËR UÇK-në, më 2001 në Dhjetëvjetorin e përballimit të Rrethimit të Parë të Kullave të Komandantit legjendar të UÇK-së – Adem Jasharit, më 30 dhjetor 1991 kështu lanë shteg për devalvimin e historisë së lavdishme të UÇK-së , pa asnjë kriter shkencor!?!
     Të rënëve për liri e dinjitet kombëtar me tërë qenien u thërrasë: “Lavdi!”, kurse eprorëve, e luftëtarëve të UÇK-së ua kujtoj një ndodhje historike: Ishte viti 1943, një njësit i partizanëve i shkojnë në konak Shehut të Junikut, e pasi i terën rrobat e u nginë bukë, njëri ndër ta që shquhej si më “llafazan” iu drejtua Shehut: “Baba Sheh! Çka mendoni Ju, kjo lufta jonë a është luftë kombëtare!?!” Shehu nuk u mendua shumë dhe iu përgjigj:” Po, nëse kur ta merrni pushtetin e kur tu vije vdekja, nëse varroseni me pare të Bashkisë, lufta e juaj është e mbetët patriotike!”
     Shumë i respektuari Auditor, kam njohur shumë komandantë të partizanëve e komunistë, të cilët në dëm të qenies sime i kam salvuar për të gjallë të tyre, por e di saktësisht se ata nuk bënë “Bina” dhe të themi simbolikisht janë varrosur me para të Bashkisë, kurse komandat e ushtrisë që e përkraha dhe ndihmova më zemër e me shpirt, kanë bërë “Bina” e pasuri faranësh…..!?! Edhe kjo është devalvim i UÇK- së lavdishme!
Prishtinë, 26 prill 2012

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura