RILIND GËRVALLA: LOGJIKA PUTHADORE E ISA MUSTAFËS, OFENDUESE PËR QYTETARËT

Pashtriku.org, 29. 08. 2015: (“Popujt kërcënohen kur nisin ta refuzojnë të qenit vullnetarisht shërbëtor” – Alain Badiou) – Jam rritur me nënën që punon arsimtare që nga viti 1972. Jam rritur me babën që pas instalimit të masave të dhunshme nga Serbia u dëbua nga TVP, por vazhdoi aktivitetin duke dhënë kontributin në Këshillin për Financim për ta ndihmuar arsimin. Kam vazhduar studimet në Fakultetin e Gjuhës Angleze nëpër bodrumet e rrugës “Xhemail Ibishi” e Shkollës fillore “Nazim Gafurri” që rastisi të jetë edhe vendi i punës së nënës, ku unë kam mbaruar shkollën fillore. Motra më ka punuar si infermiere e akushere në vitet ‘95-‘98 brenda Shkollës Fillore “Emin Duraku”.
Nuk ka ofendim më të madh se të bësh analogji midis “Zajednicës” (këtij projekti shovinist) dhe rezistencës gjithëpopullore e vetorganizimit të profesorëve, arsimtarëve, nxënësve, studentëve, mjekëve e infermiereve, punëtorëve etj.
Populli i Kosovës organizoi sistem paralel për t’i rezistuar pushtuesit, kurse “Zajednica” po themelohet për ta rikthyer e rritur ndikimin e Serbisë.
Ja se çfarë thotë kryeministri: “Kjo nuk duhet t’i pengoj askujt, sepse ne e kemi përjetuar vetë, sa rëndë është kur dikush ta mohon të drejtën të mësosh fëmijët e tu e të shërohesh ashtu siç t’i dëshiron”.
Sipas kryeministrit, “Zajednica” na qenka punë e të drejtave të njeriut dhe e respektimit të minoriteteve.
Shih shih, po kërkesa për “Zajednicën”, të erdhi nga Serbia apo qytetarët serbë?! Nga Serbia, s’do mend. Por, kjo s’është veçse një grimcë kontradikte, karshi përhumbjes totale që e ka kapluar kryeministrin. Isa e ka humbur toruan. Sipas tij, ne deri para Marrëveshjes kemi ushtruar represion. Ai ka dyshime edhe më të mëdha. Krahasimi me represion e viteve ’90 që është ushtruar ndaj shqiptarëve e përgatitë aluzionin për legjitimitetin e kërkesave të Serbisë për ndarje, kurse Kosovën e nxjerrë si shtet pushtues. Kështu është kur problemi i Kosovës shkëputet nga historia duke u reduktuar tek sasia e të drejtave, apo numërimi se kush çfarë mori nga tavolina. Kosova është pushtuar dhunshëm nga Serbia, dhe kjo punë nuk fillon as me Millosheviqin as me Rrahman Morinën, daton së paku prej vitit 1912.

Kjo është logjikë puthadore, është logjikë autonomiste e viteve ‘80-’90-të që ka vdekur politikisht, por që shohim se jetuaka ende në mendjen e Isa Mustafës. KY ËSHTË OFENDIM!
Kjo mendësi është e kundërta e asaj që kishim bërë në vitet 90-ta kur u organizua padëgjueshmëria ndaj regjimit serb, paralelizmi në arsim e shëndetësi e që shpesh LDK i merr si meritë ekskluzive të saj, e jo të popullit që mendonte LDK-në si Lëvizje gjithpopullore.
Isa Mustafa si drejtues i Fondit të 3%, akuzohet publikisht nëpër media për keqpërdorim, e si ministër në ekzil e paska harruar edhe se si u financua arsimi, shkenca, kultura, shëndetësia, sporti e edhe partitë politike në vitet 92-99, që u bënë vija krahasuese me “Zajednicën” e i krahason ata/ato që sakrifikuan nën regjimin fashist të Millosheviqit me strukturat paralele serbe që Kosovën e quajnë pjesë të Serbisë.
Ja përkujtojmë që së pari janë formuar Këshillat e prindërve për vetëfinancim, më pas Këshillat Financiare Komunale për Arsim, më pas Këshilli Qendror për Financim në krye të së cilit ka qenë Mehmet Hajrizi e më pas Ismajl Kastrati. Në Këshillin Financiar për Komunën e Prishtinës në kohën kur ti sodisje Perëndimin, kanë filluar punën Shefki Ajeti, Shukri Fetahu dhe që ta bëjë Këshillin Financiar profesional, udhëheqjen e merr Abdyl Hoxha, i biri i Ramiz Cërnicës, i cili ne Lidhjen e Prizrenit thotë: “JO ME SERBI, PO, TË MADHE ME SHQIPËRI”.
Isa Mustafa dhe këshilltarët e tij tërë ditën flasin për të drejtat që ua japin të tjerve kur përmendet “Zajednica”.
Flasin për fjalën e lirë, përfshirë edhe ofendimet direkte nga kryepushtetari që ka në dorë tërë aparatin e dhunës, por nuk e durojnë kritikën qytetare në FB zyrtar që menaxhohet nga taksat e po këtyre qytetarëve. Përpos fshirjes masive të komenteve të qytetarëve e bllokimit të tyre që të mos komentojnë më, fshin edhe një koment të një nxënësi që kritikon gjuhën e pushtetarit, vetëm pse ka 244 pëlqime, më shumë se 230 pëlqimet e kryeministrit.
Kjo gjuhë e mënyrë e të komunikuarit që nxit tërë aparatin e dhunës kundër atyre që kundërshtojnë “Zajednicën” duke i arrestuar, anatemuar, linçuar është gjuhë e tjetërsuar nga një regjim millosheviqian që iku e rri vetëm në mendësinë e “Kryeministrit” që nuk e do përballjen. E për më keq, ai nuk debaton me qytetarët publikisht.
Në mbledhje të Qeverisë, Kryeministri paska kërkuar që institucionet e vendit të marrin masa kundër çdo kundërshtarit të tij dhe familjes së tij. Nuk turpërohet për aferën e BMW-së, bile thotë që nuk ka nevojë për aq pak para. Po na i përsërit masat e dhunshme dhe tashmë edhe e kuptuam porosinë:
Regjimi ka një drejtues të ri të MISIONIT TË RI e një KTHESË drejt autokracisë, Isa Mustafën!
Dhe për fund, këtu është bërë luftë çlirimtare dhe betim e ata/ato që e kanë bërë dhe ata/ato që vazhdojnë ta kenë në mendje e shpirt, nuk do ta lejojnë kurrë që jo JU, po as ata të shantazhuarit në koalicionin qeverisës që e kanë braktisur idenë e UÇK-së ta realizoni “Zajednicën” si projekt.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura