RRJETI BIZNESOR I ISA MUSTAFËS (NË KOHËN KUR ISHTE KRYETAR I KOMUNËS SË PRISHTINËS)

Pashtriku.org, 18. 10. 2015: Kreu i Prishtinës dhe i LDK-së, Isa Mustafa ka qenë i lidhur ngushtë me një licencë taksie, me monopolin e reklamave dhe me tenderët e biznesmenit Ragip Mustafa.
Skuadra e futbollit të kryeqytetit është një klub ku ka aksione kryetari i Komunës së Prishtinës dhe disa përfitues të rregullt nga aktivitetet e prokurimit të Komunës së Prishtinës. KF Prishtina bashkon Isa Mustafën me Ragip Mustafën e Ahmet Kurtollin, por degëzimi biznesor i kryetarit të Komunës së Prishtinës nuk mbaron me kaq. Ai ka një rrjet të tërë njerëzish me lidhje biznesore e familjare, të cilët kanë përfituar nga buxheti dhe asetet tjera të komunës.
Kryetari i Prishtinës dhe i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka qenë i lidhur me një licencë taksie, me monopolin e krijuar tash e më shumë se një dekadë në fushën e reklamave publike dhe me tenderët milionësh të dhënë për biznesmenin e “papërgjegjshëm”, ndaj vetë Komunës së Prishtinës, Ragip Mustafa.
Lidhje e Isa Mustafës me “City Taxi”
Që nga ardhja në krye të Prishtinës të Isa Mustafës, në vitin 2007, publikisht dihet që në tregun e radio-taksive janë futur “London Taxi”, “City Taxi” dhe së fundi janë parë në qarkullim edhe “Golden Taxi”.
“London Taxi”, është kompani e lidhur me Fatmir Sejdiun, ish-kryetar i LDK-së të cilit në kohën kur iu dha licenca për këtë kompani, Isa Mustafa pos që e kishte shef partie, i shërbente edhe si këshilltar i tij për ekonomi.
Megjithëse Fatmir Sejdiu asnjëherë në deklarimin e pasurisë në Agjensionin Anti-Korrupsion nuk i deklaroi bizneset e djalit të tij, lidhja me familjen Abazi, më saktësisht me biznesmenin Meriton Abazi mik i Bardhyl Sejdiut, e nxjerrë të “zbuluar”, këtë licencë. Kjo licencë e dhënë në atë kohë për djalin e shefit të Isa Mustafës, i dha mundësinë familjes presidenciale të Sejdiut qasje në asetet publike. Meriton Abazi, ishte ortak në kompaninë “London Taxi”, e cila është në emër të Shqipo Sejdiut, djalit të ish-presidentit Sejdiu. Në këtë kompani aksione kishin edhe Muhamet Berisha, Etrit Zeneli e Luan Berisha.
Një vit më vonë, në vitin 2010, do të jepej edhe një licencë tjetër për radio-taksi. Preportr, ka gjetur se me këtë licencë për kompaninë “City taxi”, është i lidhur ngushtë Isa Mustafa. Ky biznes i licencuar për të operuarit si radio-taksi u themelua nga Gëzim Idrizi e Burim Hasani, të dy me lidhje me krerët e tanishëm ose të dikurshëm të LDK-së.
Gëzim Idrizi është tash shoferi personal i Isa Mustafës, kurse Burim Hasani është nga familja Fona, nga e cila vjen edhe Isa Mustafa, dhe nip i Hazbi Hasanit. Hazbi Hasani, ishte ortak me djalin e madh të Isa Mustafës, Arbenin, në kompaninë “Intereuropa Kosova L.L.C.”.
Preportr, në një kërkesë për qasje në dokumente publike ka pritur në afat ligjor përgjigje nga Komuna e Prishtinës mbi numrin dhe emrat e kompanive të licencuara për të operuar si radio-taksi që nga viti 2007 si dhe numrin e kërkesave që janë refuzuar gjatë kësaj kohe të qeverisjes së Isa Mustafës me Prishtinën, por nuk ka marrë përgjigje.

Lidhje e Isa Mustafës me monopolin e reklamave
Isa Mustafa është aksionar në Klubin Futbollistik “Prishtina”. Në Këtë klub aksionar është edhe Ahmet Kurtolli, i cili së bashku me biznesmenin tjetër, Gëzim Salihu janë ortak në kompaninë “AMM”, e cila mban monopolin e hapësirave reklamuese në kryeqytet.
Kjo kompani që nga viti 2000 mban të drejtën ekskluzive për vendosjes së reklamave në “Bill Board-e” në kryeqytet, derisa edhe kontrata mbi të cilën ajo punon nuk është publikuar ndonjëherë nga Komuna e Prishtinës. Asnjëherë nuk u lejua qasje në këtë kontratë, përderisa e njëjta ishte vazhduar në vitin 2006 mbi një tender që ishte hapur për ndërtimin e qoshqeve ku do të kishte edhe hapësira reklamuese. Por, edhe në vitin 2006, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, gjeti parregullsi në kontratën me AMM-në. Auditorët që në vitin 2006 në mes tjerash gjetën se çmimet e kësaj kontrate, të lidhur mes komunës në fjalë dhe “AMM-së” janë për 50% ma të ulëta se tarifat komunale ekzistuese. Ndër shkeljet e tjera që ishin gjetur në këtë kontratë, ishte se në panot e ekspozuara reklamohet duhani dhe alkooli edhe përkundër asaj se në rregulloren komunale për taksa e tarifa është e ndaluar të reklamohen këta artikuj, se ishin lëshuar dy akt-vendime të kundërligjshme mbi këtë kontratë, njëra për vendosjen e posterit të Bill Klintonit, ndërsa tjetra për promovim të albumit muzikor. “Për asnjërën nuk janë përdorur procedura të prokurimit. Mos-respektimi i kushteve të kontratës për artikujt që dëmtojnë shëndetin, mungesën e transparencës dhe devijim nga rregullat për taksa dhe tarifa”, ishin disa nga gjetjet e ZAP për kontratën, deri tash sekrete, në mes të Komunës së Prishtinës dhe financuesve të LDK-së, Kurtolli e Salihu.
Kompania AMM më vonë u ekspozua si financuese e LDK-së, partia që tradicionalisht udhëheq me qeverinë lokale në Prishtinë. Preportr, ka publikuar deri më tash dy hulumtime: “Monopoli komunal në reklama” dhe “AMM – Absolut Mustafa Monopol” për këtë kontratë.
Lidhje e Isa Mustafës me tenderët e Ragip Mustafës
Isa Mustafa dhe biznesmeni Ragip Mustafa, ndonëse kanë të njëjtin mbiemër nuk janë kushërinj. I pari është kryetar i Prishtinës, kurse i dyti kontraktor tradicional i kësaj komune, megjithëse kompania e tij është shpallur e papërgjegjshme dhe ka bërë ndërtime ilegale në këtë komunë.
Isë e Ragip Mustafën i lidh futbolli duke qenë se ata janë bashkaksionarë në Klubin Futbollistik “Prishtina”. Preportr, ka gjetur se në komunën e drejtuar nga Isa Mustafa, biznesmeni Ragip Mustafa, që është pronarë i kompanive “Beni Dona Plast” dhe “Olti Trasing”, me këto dy kompani, vetëm nga viti 2007 ka marrë tenderë dhe hise në tenderë, si pjesë e konzorciumeve, shuma që kapin vlerën prej 3.4 milionë eurove. Këtu përfshihen vetëm tenderët e mëdhenj dhe të mesëm, pa analizuar tenderët e tjerë, ku bizneset e Mustafës marrin hise që nga furnizimi i shkollave me xhama e deri te tenderët për organizimin e ndejave.
Kompania “Beni Dona Plast”, sipas gjetjeve të Auditorit (ZAP), ka qenë një kohë të gjatë e papërgjegjshme ndaj Komunës së Prishtinës, por megjithatë del që ajo është favorizuar duke iu vazhduar kontrata kundërligjshëm.
Kjo kompani bën edhe ndërtime kolektive pa leje. Ragip Mustafa, në lagjen Ulpiana, rruga “Imzot Nikë Prela”, ka ndërtuar objekt kolektiv pa leje ndërtimi. Ajo ndërtesë është shumë e dukshme, dhe mban mbishkrimin “Beni Dona”. Ky biznesmen, “rrugëtimin e favorizmit” nga Komuna e Prishtinës e kishte nisur që në vitin 2005, kur ishte kryetar Ismet Beqiri, tash kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së në Parlamentin e Kosovës.
ZAP në vitin 2006 gjeti se për parkingjet publike nëpër trotuare, Komuna e Prishtinës kishte kontraktuar kompanitë “Beni Dona Plast” dhe “LTG”. Këto dy kompani i mbetën borxh komunës në vlerë prej 164,480 eurosh. “Nga viti 2005, Komuna ka pasur kontratë me ndërmarrjen “Beni Dona”, për dhënien në shfrytëzim të vendeve për parkim publik në rrugët e qytetit. Kjo kontratë është vazhduar edhe njëherë deri me 30.06.2006. Nga zyrtarët përgjegjës në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, është thëne se kontrata është vazhduar edhe për vitin 2007. Mirëpo, kjo nuk është ofruar si dëshmi ekipit të auditimit”, shkruajnë auditorët.

Shkruar nga: Visar Duriqi [email protected] dhe Qëndrim Bunjaku [email protected] – Prishtinë, 24. 04. 2013. 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura