MEHMET BISLIMI: SONTE DO TË SHKRUAJ

Pashtriku.org, 29. 08. 2013 – Mehmet Bislimi u lind me 24 mars 1958 në fshatin Prekaz i Epërm, në Drenicë. Shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, kurse gjimnazin në Skenderaj. Në Universitetin e Prishtinës ka studiuar shkencat natyrore. Në vitin 1981, për shkak të veprimtarisë atdhetare arrestohet dhe dënohet me burg. Pas daljes nga burgu më 1986, veprimtarinë kombëtare e ka vazhduar në gjirin e LPK-ës. Në vitin 1994, për t’i shpëtuar arrestimit, është strehuar në Zvicër, ku vepron dhe jeton me familjen e tij. Gjatë luftës çlirimtare në Kosovë ka kryer detyra më përgjegjësi. Me krijimtari letrare ka filluar të merret që herët. Shkrimet e para i ka botuar në gazetën ”Bota e re” në Prishtinë, më vonë në revistën”Alternativa”, në Lubjanë dhe në disa numra të gazetës ”Rilindja”, që botohej në Zvicër. Disa vite ka shkruar për organin e LPK-së “Zëri i Kosovës” që botohej në Zvicër dhe për të përkohshmen “Rruga jonë”- që dilte në Francë. Në “Zërin e Kosovës” dhe te “Rruga jonë” me vite është paraqitur në këndin e humorit me nofkat “Ngucakeqi” dhe “Gjembi”. Kohë pas kohe shkrimet e tij kanë gjetur vend edhe në gazetën “Epoka e re”, “Kosova sot”, “Gazeta Lajm” si dhe shkrime të shumta në dhjetëra faqe elektronike. Veprimtaria e tij letrare përfshinë shkrime publicistike, anekdota, humor, satirë, poezi si dhe mendime autoriale të urta. Autori është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtar i Krijuesve Shqiptarë në Zvicër si dhe anëtar i të persekutuarëve politik të Kosovës.

Krijuesi Bislimi deri me tani ka botuar këto libra:
1. ”Anekdota popullore dhe satira autoriale”, Prishtinë 2002
2. ”Trëndafila maji” – poezi, Prishtinë 2002
3. ”Fjalë dhe gurë” – poezi, Prishtinë 2003
4. “KËTU I THONË DRENICË” – Tahir Meha – Monografi, Prishtinë 2004
5. “Ironi e verdhë” – poezi, Prishtinë 2005
6. “Stinë e vonuar” – poezi, Prishtinë 2008
7. “Shkrime publicistike”, Prishtinë 2009
8. “Anekdota popullore dhe satira autoriale II” – Prishtinë 2010
9. “Mehmet Delia- alisa Mehmeti i Vogël”- Monografi, Prishtinë 2011
10. “Shpirtndrituri” – poezi, Prishtinë 2012
11. “Burrëri e lagur” – poezi satirike, Prishtinë 2012
12. “Lirikat e fjetura”- poezi lirike, Prishtinë 2013.

=================================

SONTE DO TE SHKRUAJ

e habitshme
me këta njerëz
si nuk po mund të kuptohemi
e dhëmbë e dhëmballë
njëri-tjetrit
ia njohim

hipokrizi e pështirë
hiqemi se duhemi
e prapa shpinës me fjalët më të pista
elegji sharjesh thurim
me vet-veten
përballje e vështirë

padiskutueshëm
edhe mbretin
edhe shërbëtorin
edhe pushtetin
një ditë
me vete
lumi do t’i merr

e megjithatë
ne
nuk flasim
mendjen për asgjë nuk e vrasim
se ngrëni gënjeshtra
sa nuk plasim
kur armiqtë na lavdërojnë
ne brohorasim
kur miqtë na qortojnë
nga smira
sa nuk pëlcasim

për të qenë krejt i sinqertë
me veten
me ju
me ata
që nuk po na dëgjojnë
burrërisht duhet ta pranojmë
se
nuk u la gjë pa u bë
nuk u bë asgjë pa u thënë
u bë
a nuk u bë
ajo që kishte për t’u bërë
brenda një rrethi vicioz
po sillet
bota individuale
mbi sfondin e kalldrëmeve kinez
në sheshin e kryeqytetit
po sillet një rrotë
pa histori
që dogji veten e vet
nën përthyerjen e rrezeve në pasqyrë
simetri
kjo simetri rrote
dikë do ta shtypë në kokë
dikë në gjoks
dikë do ta lëvizë
dikë do ta ulë
dikë do ta ngre
dikë do ta shkulë
dikë do ta ngulë
dikë …

botë me hile
si nuk i ngritën atdhedashurisë një shtatore
ku do të përkuleshin
në shenjë pendimi
vrasësit e atdheut
eh

në fakt
kohë e pakohë
solli servilët
tam – tamët
debilët
që sillen rreth boshtit të interesit
vallë
të kenë qenë kaq shumë
ku fshiheshin
e ne nuk i kishim vënë re
si kërpudhat pas shiut
mbinë
sa shumë armiq
që miq hiqen
derisa kushtet të piqen
të piqen
e të mos digjen shijet
për ta ngrënë njeri-tjetrin
me dhëmbë
iku burrëria
iku fjalë e dhënë
për ideal

tani ç’t’i themi babaqemos
rrofshin hileqarët
servilët dhe zagarët
buka e ngrënë me hile
në fyt kujt s’i mbet’
as sot
ata
buka nuk po i vret
një shije e hidhur
mbeti nga pas
do të përpiqem me vargje
sonte
të të kujtoj
do përpiqem me vargje
sonte
të të vras
me këto vargje sonte
si i marrë
botën do thërras deri në kupë të qiellit
o njerëz
me ndjeni që po shkruaj kaq rrallë
për njerëzit e sinqertë
për burrat e dheut
malli më paska rënë
sa shumë
malli
më paska marrë
korrik 2013, CH
Mehmet BISLIMI

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura