SHERADIN BERISHA: MASAKRA E KRUSHËS SË VOGËL – KRIM I PANDËSHKUAR(VIII)

Pashtriku.org, 05. 04. 2013 – (SI E PËRJETUAN GRATË E KRUSHËS SË VOGËL MASAKRËN E 26 MARSIT 1999?! FLASIN: NEXHMIJE DHE SELVETE HAJDARI, NAXHIJE SHEHU DHE AJSHE SHEHU) 
– Nexhmije Hajdari është njëra nga nënat e shumta të Krushës së Vogël, që me 26 mars 1999 ka përjetuar trishtimin e barbarisë serbe. Atë ditë të kobshme, kriminelët serbë ia vranë gjashtë njerëzit më të dashur: burrin, Halimin (1935) me pesë djemtë: Selajdinin (1965), Nazimin (1969), Rasimin (1974), Veselin (1982) dhe Murselin (1986). Familja e gjerë Hajdari, më 26 mars 1999, ka humbur edhe tetë mashkuj: Shani Mahmut Hajdarin (1959), Halil Mahmut Hajdarin (1950), Hysni Halil Hajdarin (1978), Qamil Mahmut Hajdarin (1945), Zenun Qamil Hajdarin (1975), Sait Mahmut Hajdarin (1964), Abaz Abedin Hajdarin (1956), Abedin Abaz Hajdarin (1983).

NEXHMIJE HAJDARI: “SI I LAMË TË RRESHTUAR BURRAT DHE DJEMTË, SKAJ MURIT”
Nexhmije Hajdari e mbanë mirë në mend – mëngjesin e 25 marsit 1999, kur njësitë kriminale serbe, kishin rrethuar fshatin Krushë e Vogël. “Më kujtohet sikur sot ajo ditë, sepse u detyruam të ngrihemi shumë herët për tu larguar nga shtëpitë. Forca të shumta serbe ishin vendosur në hyrje të fshatit dhe tek – tuk dëgjoheshin të shtëna.” – nis rrëfimin Nexhmije Hajdari. “Nga frika – thotë ajo – u detyruam të ikim e të kërkojmë shpëtim dika. Gra e fëmijë të shastisur u futëm nëpër male për të kërkuar strehë. Ishte natë shumë e ftohtë, ndërsa fëmijët qanin sa nga frika, sa nga fakti se ju kishin prishur gjumin në atë mëngjes të hershëm (të 25 marsit 1999 – Sh.B). Morëm fëmijët duke qarë, disa mbathur e disa zbathur ashtu si kishim mundur për të shpëtuar kokën.

– Nexhmije Hajdari – 

Djali im Selajdini u mundua që të hapte një gropë dhe të fuste disa thasë me miell, sepse tha se nuk i dihej si mund të ndodhte. Krismat e armëve nuk pranin. Djemtë dhe burrat më të rinj u futën në mal pak më thellë, duke mos dashur të rrezikonin, sepse kishin frikë se serbët mund t’i merrnin vetëm më të rinjtë e t’i pushkatonin. Sahiti ka qëndruar gjatë gjithë kohës në shtëpi dhe është kujdesur për lopët në stallë, bashkë me Veselin dhe gruan e tij Dritën. Pasditen e së enjtes nisi djegia e shtëpive të fshatit, por pasi i kishin marrë të gjitha gjësendet e vlefshme, vendosëm të largohemi menjëherë nga aty. Të rrinim edhe më tutje në shtëpi ishte shumë rrezik. Tymi përhapej gjithandej qiellit, ndërsa flakët kishin nisur të përpijnë gjithë fshatin. U bashkuam me pjesën tjetër të fshatit në shtëpinë e Sejdi Batushës, ku kishte shumë gra, fëmijë, burra e shumë të rinj. Kishim hallin e tyre, se ne më pleqtë as që e mendonim se mund t’na ndodhte diçka e keqe. Shumë njerëz mendonin se serbët do të djegin fshatin, siç kishin bërë edhe më parë në shumë fshatra të Kosovës, kurse njerëzit do të mund të ktheheshin në shtëpi pas kësaj.” – kujton me dhimbje Nexhmije Hajdari.
“Pak prej nesh e kanë menduar se mund të ndodhte gjithë ai tmerr”, – nis rrëfimin – Selevtja (nusja e Nexhmijes) dhe lotët nisin t’i rrjedhin faqeve. Emocione të fuqishme e ngërthejnë dhe ajo nuk mund të vazhdojë më tej. Buzët i dridhen, kurse zëri i mbetet në fyt, sikur një fuqi e brendshme e ngulfat në fyt për të mos nxjerrë hollësi për gjithë atë që ka parë e përjetuar ajo me bashkëfshatarët e vet.
Madje Selvetja flet me nxitim, duke dashur që ky rrëfim të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse rikujtimi i momenteve të fundit me më të dashurit, nxit dhimbje e vuajtje të reja.
“Nuk kam besuar se mund të na ndodhte kjo gjë, por burrat sikur kishin një parandjenjë të keqe.” – thotë Selvetja dhe vazhdon: “Burri im Selajdini në çastet e fundit u mundua të më thoshte diçka, por vetëm fjalët:
– Ruaji fëmijët! Kujdesu për fëmijët, se puna jonë e pati me kaq! Ruaji fëmijët! Ruaji fëmijët! …. më kanë mbetur në mendje.
Nuk dija se çka t’i thosha, vetëm se kisha një ankth të fortë në shpirt. Diçka më thoshte se ky është momenti i fundit që po flas me të. I afrova pranë vetes fëmijët, duke dashur t’ia bëj me dije se fëmijët do të jenë mirë dhe ti mos u shqetëso, se do të kujdesem shumë për ta. Këto fjalë të fundit nuk më hiqen nga kujtesa asnjëherë dhe shpesh vetëm këto më kujtohen nga e gjithë ajo që kemi përjetuar.”
“Adelinën, vajzën time të vogël e kisha pranë vetes, ishte shumë e vogël por as ajo nuk qante dhe as jepej. Nazmiu rrinte nën gomë të traktorit të Sejdi Batushës dhe kërkonte që të iknin djemtë e burrat, mirëpo burri im i thoshte se pse nuk kemi ikur me kohë, por tani që jemi nën tytat e pushkëve të serbëve. Në këto momente askush më nuk mund të paramendonte të ikte nga rrethimi, sepse gjithandej ishin drejtuar pushkët në drejtim të turmës.”
“Më kujtohet edhe një moment kur Halili, që kishte të shoqen shtatzënë, i tha së ëmës që të merrte pesëqind marka, se nuk i dihej si mund të vinte puna e së shoqes, që donte edhe pak kohët të lindte foshnjën e saj.
Gruaja e re nisi të qante me zë të lartë:
– kuku për neve çka do me na gjet…
– Çka ke moj nuse. A vetëm ty po të dhimbset jeta a! A po e sheh se këtu ka edhe të tjerë edhe ata kanë shpirt e fëmijë. – i tha Halili të shoqes që ta qetësonte.
Plaku jonë Halim Hajdari ia dha të shoqes disa marka letër që kishte në xhepa, duke i thënë se këto para do t’ju merrnin shkijet, e sa i marrin ata më mirë merrni ju se nuk i dihet.
* * *
Pastaj kanë urdhëruar ndarjen dhe të gjithë kanë përjetuar gjënë më të rëndë që mund të përjetojë njeriu kur ndahet nga më të dashurit. Ne i lamë ashtu të rreshtuar burrat e djemtë tanë, skaj murit. Të gjitha gjërat që kishin në xhepa i kishin urdhëruar t’i nxirrnin jashtë. Kapelat, gjërat personale dhe çdo gjë tjetër i kishin nxjerrë para këmbëve të tyre. Ata vetëm shikonin me mall nënat, gratë, motrat e fëmijët e tyre si parakalonin në rresht dhe ata mbeteshin në duart e njerëzve të armatosur dhe shumë të inatosur.
“Kur kemi dalë në rrugë, pranë shitores së Calit, vjehrra e kishte djalin e vogël për dore, Murselin katërmbëdhjetë vjeçar. Një milic i ka dhënë urdhër atij që të ndahet nga nëna.” – kujton me trishtim Selvetja.
* * *
Nexhmija dëgjon me vëmendje tregimin e së resë dhe sakaq nisin ti rrjedhin faqeve disa pika loti, që shpeshtohen gjithnjë e më shumë. Fshin me dorë lotët që rrjedhin faqeve të zhuritura nga dhimbja e malli.
Nis e flet me zërin që i dridhej dhe nën shiun e lotëve që rrjedhin e rrjedhin, rrëfen:
– “Ai ma mori djalin nga duart, duke i thënë se duhej të ndahej nga nëna.” – thotë e përlotur Nexjimja, dhe vazhdon “Murseli më tha: nënë a jam rritur edhe unë për luftë a!” Unë sikur doja ta qetësoja që të mos kishte frikë, ju përgjigja se tashmë je bërë burrë e duhet të bashkohesh me burrat tjerë. Ndonëse kishte vetëm katërmbëdhjetë vjet ishte rritur shumë dhe më dukej se çdo ditë e shihja duke u rritur. Bashkë me të i morën edhe tre djemë të rinj që kishin nga 12, 13 apo 14 vjet dhe i dërguan tek burrat, (Bajramin, Abedinin).
Disa gra që e panë se çka po ju ndodhte djemve të rinj, i afruan afër vetes djemtë e tyre dhe ju thanë që të ulnin kokën sa më poshtë dhe të rrudheshin sa të jetë e mundur që të mos dalloheshin.
Duke u ndarë i thashë:
– Hajt me nënën mos u bëj merak se nuk ju bëjnë asgjë se ju jeni të vegjël. Mirëpo e ndjeja se kjo ishte hera e fundit që po e shihja djalin tim. Gjatë gjithë rrugës kam qarë me zë për të. Nuk më janë tharë lotët deri sa kemi shkuar në Shqipëri, por edhe atje kam qarë gjatë gjithë kohës.
Kur jemi afruar afër shtëpisë së Culit e kemi parë atë që ka kërkuar që fëmijët e Mehmetit të hyjnë në shtëpinë e tij dhe e bëri një kryq në derën e Mehmetit, që ishin fqinj vizavi rrugës. Serbët e fshatit tonë bartnin sa mundnin gjësendet nëpër shtëpitë e shqiptarëve dhe i futnin në shtëpitë e tyre. Traktorët e tyre ishin të ngarkuar me frigoriferë, televizorë, shporet dhe gjithçka tjetër që ju nevojitej.
Aty e kemi takuar edhe Dimitrijen (Nikolič – Sh.B) me të shoqen dhe ju kemi kërkuar që të ndërmarrin diçka për të shpëtuar djemtë e burrat tanë. Lumja, vajza e Sofijes ju afrua atij dhe i tha që t’ia shpëtonte vëllain e vetëm Refkiun që e ndalën serbët. Mirëpo, Dimitrije na tha:
– “e keni kërkuar NATO-n e tash çka ka me ju gjet. Vetë e keni kërkuar këtë”, dhe u fut në shtëpi bashkë me gruan e tij.
Kur kemi zbritur tek tyrbja na kanë ndalur edhe një herë. Aty kishte shumë ushtarë e milicë, të cilët na shanin me fjalët më të ndyra. Më kujtohet një ushtar serb ishte ulur tek dera e Dinës, dhe qante me zë dhe i binte kokës me duar, teksa shihte gjithë ato gra e fëmijë dhe asnjë mashkull. Si sot më kujtohet ajo fytyrë e atij ushtari, që qante dhe i binte kokës me grushta.
Ne vazhduam rrugën për në fshatin Bregdri. Në breg të Drinit kanë dalë burra të fshatit dhe me traktorë na kanë bartur në anën tjetër të bregut me tre traktorë. Ishte siklet i madh të shihje vetëm gra e fëmijë. Ata treguan solidaritet të madh dhe u bënë njësh me ne, me hallet tona. Edhe ata kishin përjetuar tmerr, pasi që milicët serbë i kishin nxjerrë burrat nga shtëpitë dhe i kishin vënë në rresht për pushkatim, por nuk e di pse nuk e kishin bërë këtë.
* * *
Pas katër ditësh ka ardhur urdhri i serbëve për të lëshuar këtë fshat dhe të nisemi për në Shqipëri. Rrugës kishte forca të shumta ushtarake e milicë, të cilët na shanin me fjalët më të rënda dhe më banale. Në kufi na ndaluan dhe na i kërkuan dokumentet personale, që i mblidhnin në një vend. Pastaj nga Kukësi na dërguan në fshatin Otllak të Beratit. Aty na kanë pritur banorët e këtij fshati dhe na kanë bërë të gjitha respektet. Aty kemi qëndruar pesë javë dhe kemi pasur një pritje shumë, shumë të mirë. Pas pesë javësh ka ardhur vëllai im dhe kur e kam parë atë më është dukur sikur të jetë vetë zoti.
Kur jemi kthyer në shtëpi kemi dëgjuar gjithfarë fjalësh, se gjoja i kanë parë burrat e Krushës duke zbritur teposhtë fshatit, se gjoja kanë qenë të ngjyrosur dhe të baltosur e kështu e ashtu. I kemi gjetur vetëm eshtrat e dy njerëzve tanë, i kemi edhe eshtrat e katër të tjerëve pa i gjetur. Nuk kemi shpresa se janë gjallë …” – thotë me pikëllim Nexhmije Hajdari.
NAXHIJE SHEHU: ZLLATKOJA I SPIROS DHA URDHËR QË TË NDAHESHIN GRATË, FËMIJËT DHE BURRAT NË GRUPE!
Naxhije Shehu më 26 mars 1999, ka humbur burrin, Ismetin (1944) dhe të birin, Mentorin (1983). Ajo rrëfimin e saj e nis me një ngjarje që i ka ndodhur Ismetit, në verën e vitit 1998.

– Naxhije Shehu – 

“Në verën e vitit 1998 burri im Ismeti – thotë Naxhija – ka qenë duke kositur livadhin dhe duke u kthyer në shtëpi me kosë në krah, e milicët që ishin të stacionuar në Krushë të Vogël kanë shtënë në drejtim të tij, por për fat plumbi nuk e ka qëlluar. Ismeti ka vazhduar rrugën dhe ka qenë bashkë me dy bashkëfshatarë të tjerë: Veliun e Miftarin. Plumbat nuk e kanë goditur, por kur Ismeti ka vazhduar rrugën për në shtëpi milicët e kanë ftuar që të shkojë në vendstacionimin e tyre dhe i kanë thënë që t’i thërrasë edhe dy të tjerët. Aty i kanë mbajtur disa orë dhe i kanë marrë në pyetje dhe i kanë kontrolluar hollësisht. I kanë liruar por me vërejtjen që të mos lëvizin shumë nëpër fshat edhe pse ishte kohë pune në fusha.” Naxhija për shkak të gjendjes së rëndë, e ka pasur nën përkujdesje të veçante edhe djalin – Mentorin, kur shkonte në shkollë. “Unë – thotë ajo – gjithmonë kam pasur frikë mos po i ndodhë diçka rrugës djalit tim dhe gjithmonë e kam përcjellë në shkollë për në Krushë të Madhe. Gjithashtu e kam pritur edhe kur është kthyer, sepse kisha frikë se mos milicët i bënin ndonjë të keqe deri sa kthehej nga shkolla. Dilja deri larg shtëpisë në rrugë për të parë kur ai vinte nga shkolla dhe asnjëherë nuk mund të qetësohesha deri sa ai vinte në shtëpi. Kam bërë shumë përpjekje që kur nisi lufta ta përcjelli djalin jashtë Kosovës dhe ta shpëtoj, sepse kisha një parandjenjë të keqe. U mundova shumë por nuk arrita të bëj gjë, sepse për fat të keq rrugët mbylleshin sa herë që gjeja ndonjë lidhje për ta përcjellë jashtë, pra rrugët e komunikimit sa vinin e ngushtoheshin. Isha e gatshme të paguaja shumë para për ta shpëtuar, mirëpo nuk qe e thënë. Kështu ishte fati i tij dhe fati im i zi” – deklaron Naxhija.
“Në fillim të marsit të vitit 1999 kemi qenë në oborr duke punuar diçka, kur një autokolonë serbe është ndalë dhe ka nisur të shtijë në drejtim të shtëpisë tonë pa shkak. U strehuam dhe askush nuk pësoi, por kam dëgjuar një zë tjetër urdhërues në serbisht:
– nemoj da pucash! (mos gjuaj!) aty duhet të ketë pasur edhe serbë të fshatit tonë, pasi që gjuajtjet bëheshin vetëm në shtëpitë e shqiptarëve e jo edhe të serbëve. Pra dikush e dinte mirë se ku ishin shtëpitë e shqiptarëve e ku të serbëve.
* * *
“Më 24 mars në mbrëmje fija e shpresës për liri u ndez nga qielli.” – thotë Nagjija dhe vazhdon: “Aeroplanët e NATO-s nisën sulmet dhe ne u futëm të gjithë nëpër shtëpi, duke mos guxuar të bëjmë më asnjë lëvizje nëpër fshat e as nëpër oborret tona. Tani e dinim se serbët ishin shumë të inatosur dhe mund të bënin gjithçka të keqe ndaj nesh. Tanket dhe autoblindat janë ndalë para shtëpisë tonë në rrugën kryesore. Nuk kanë shtënë, por vetëm janë ndalë dhe kanë nisur marshimin. Në atë vend kanë ardhur edhe dy kamionë për ngarkesa të rënda dhe nga aty kanë dalë shumë ushtarë të armatosur. Kur e kanë nisur marshimin kanë nisur të shtinë në drejtim të shtëpive tona. U detyruam të lëshojmë shtëpitë dhe të ngjitemi përpjetë, sepse tashmë rruga ishte mbushur me ushtarë e milicë dhe nuk kishte asnjë mundësi të kalohej në anën tjetër të rrugës.”
Nagjija thotë se “Jemi mbledhur në krye të katundit dhe aty kemi parë se ishin shumica e banorëve të katundit tonë. Pas pak ka ardhur djali im dhe treguan se e kishin parë doktorin Fahredin Hoti duke kërkuar djalin e tij që ia kishin vrarë serbët, por nuk e gjente dot. Duke dëgjuar këtë tregim unë i thashë burrit tim Ismetit që ta merrte djalin dhe të përpiqej ta shpëtonte.
– “Ti vetëm djalin merre shpëtoje dhe mos rri këtu me ne”, – i thashë Ismetit. “Atëherë ata janë ndarë nga ne dhe janë futur në mal. Kjo më dha shpresë se djali mund të shpëtonte. Ne jemi futur në shtëpinë e Sejdiut, kurse burrat në shtëpinë e Osmanit.
Në mbrëmje vonë ka ardhur djali im, i cili më tha se burrat ishin marrë vesh që natën ta kalonin aty, kurse në mëngjes duhet të bëhen përpjekje për të kaluar rrethimin, sepse gjithandej kishte forca ushtarake serbe të pozicionuara në të gjitha vendet kyçe.
Disa gra kanë provuar të shkojnë në shtëpitë e tyre për të marrë gjësende për të ngrënë dhe për tu mbuluar, sepse nata ishte shumë e ftohtë. Mirëpo, gratë treguan se gjithandej në oborre ishin të vendosura forcat serbe dhe nuk kishte mundësi të futeshin në shtëpitë e tyre. Atëherë në mëngjes është biseduar që të provohej të bisedohej me serbët dhe gratë e fëmijët të ktheheshin nëpër shtëpi. Me vete i kishim edhe magjuptë, të cilët vazhdimisht shëtisnin poshtë e përpjetë. Neve na dukej sikur ata po vëzhgonin se kush ishte dhe kush nuk ishte në turmë. Sejda ju tha që të shkonin e të largoheshin nga aty, sepse diçka të keqe po tentoni të na bëni. Magjupët janë larguar nga aty, por kanë thënë se keni me na pa sherrin çka ka me ju gjet.
Destani ka treguar se djemtë e Brankit e kanë pyetur se çka po bënte në shtëpi, kurse ky i kishte thënë se po i ushqente lopët. Menjëherë pasi ka dalë nga shtëpia, tymi ka dalë nga kulmi i shtëpisë së tij. Destani tha se shtëpinë e tij e dogjën djemtë e Brankit. Atëherë nuk ka vonuar shumë dhe kemi vërejtur se milicët ishin vendosur në shtëpinë e Milaimit (Batusha – Sh.B) dhe nga aty na vështronin të gjithëve. Aty urdhër jepte Zllatkoja i Spiros, i cili dukej se ishte komandanti, sepse vetëm zëri i tij dëgjohej. Ai dha urdhër që të ndaheshin gratë, fëmijët dhe burrat në grupe.
Atëherë unë kam tentuar që ta mbuloj djalin tim me një pallto të madhe që të mos dukej se ishte i rritur. Djali im Mentori nuk deshi të vishej si femër, sepse ishte shumë i ri, kishte vetëm 16 vjet. Atëherë duke ecur një milic tha: të gjithë djemtë të ndahen (nga gratë) dhe të shkojnë te mashkujt.
Në serbisht tha:
– “Svi deçaci da se razdvoje i da idu do mushkarce!”
Ishte e tmerrshme kur ma morën nga kraharori djalin dhe nisa të qaj me zë. Shumë gra nisën të qanin e vajtonin. Një grua ra pa ndjenja. Aty erdhën Culi, Dimitrija me të shoqen Raden. Atyre ju thashë që të shkonin e t’i shpëtonin të paktën fëmijët se janë shumë të vegjël e të pafajshëm. Ju thashë se ju i keni kullotur bagëtitë së bashku me burrin tim Ismetin dhe kurrë nuk keni pasur zënka e mospajtime.
– “Unë kam ardhur të liroj pulat dhe a po e sheh se jam i veshur me uniformë”, – më tha Dimitrija – “Por atë që na keni bërë ju tani ne do t’jua bëjmë juve”, – tha ai.
Kjo më tmerroi sepse e vërejta se nuk do të kishte shpëtim për djemtë e burrat tanë. Kam hyrë dhe në shtëpinë e Spiros e të Gjikës dhe kam kërkuar nga ata që të ndërmarrin diçka, mirëpo ata nuk kanë folur asgjë. Në oborrin e Gjikës kishte shumë gjësende shtëpiake të vjedhura nga shtëpitë tona. Aty kishte traktorë, kamionë, vetura të gjitha të vjedhura nga shtëpitë tona. Unë e kam parë mirë djalin e Gjekës që kishte hipur në traktorin tonë të ngarkuar dhe u fut në shtëpinë e vet. Jam futur edhe në shtëpinë e Brankos, por ata ma mbyllën derën dhe nuk më lanë fare të hyj. Më tej kam parë një veturë civile të kuqe. U afrova duke menduar se janë serb të fshatit tonë, por pashë se ishin milicë të panjohur dhe nuk munda fare të flas me ta. Arritëm afër tyrbes dhe aty u ndalëm edhe një herë. Kishte shumë forca dhe një ushtarak që dukej me grada i tha një milic se a janë ndarë të gjithë burrat. Ai ju përgjigj se kjo ka përfunduar. Atëherë duke na sharë me fjalët më banale na thanë se duhet të ikim sa më parë nga këtu.
– “Ose shkoni mbytuni në Dri ose shkoni në Shipni”, – na tha një milic në shqip.
* * *
Sapo kemi kaluar rrugën kryesore dhe jemi nisur për në Bregdri, kemi dëgjuar breshëri automatikësh. Menjëherë më ra një hije e keqe dhe thashë:
– “Kuku për neve moj gra se na i vranë djemtë tanë!”
– Në mesin e grave u dëgjuan britma e thirrje vajtuese.
Atëherë kemi vendosur të kthehemi për të parë çka ka ndodhur, mirëpo nuk kemi guxuar të kthehemi e të futemi në mesin e ushtarëve edhe një herë. Jemi kthyer disa gra e kemi qëndruar në një shtëpi aty afër për të parë se mos mësonim diçka të re për fatin e djemve tanë. Aty na kanë parë ushtarët serbë, por nuk kanë dashur të na vrasin. Aty kemi qëndruar një kohë, por asnjë lëvizje, asnjë lajm. Atëherë kemi marrë rrugën e ikjes, ndërsa këmbët nuk na bënin që të largoheshim nga aty. Kishim lënë djemtë e burrat tanë në duart e katilëve të pa mëshirë. Ne e dimë sa e gjatë ishte rruga deri në breg të Drinit dhe ne e dimë çka kemi përjetuar deri sa kemi arritur në Shqipëri. Një pjesë e qenies tonë mbeti në Krushë të Vogël, aty ku mbetën djemtë tanë. Qanim pa pra nga mëngjesi deri në agim, por ngushëllim nuk gjenim dot. Ata muaj që i kemi kaluar në Shqipëri kanë qenë muajt më të gjatë të jetës time. As nuk mund të haja si duhet, as të flija e as të isha e qetë për një moment të vetëm. As kur jemi kthyer në shtëpi qetësi nuk kam gjetur. Vazhdimisht më rri në mendje ndarja ime nga djali dhe njerëzit tjerë të fshatit. Akuzoj veten pse nuk gjeta mundësi të përcjell djalin jashtë Kosovës, pse nuk e dërgova andej apo këtej, por tani e di se nuk mund të ndryshohet asgjë. Jetojmë kështu gjallë mbi tokë, por nuk kemi vullnet për të jetuar jetën siç duhet,” – përfundon rrëfimin nënë Naxjija.
AJSHE SHEHU: “FQINJËT SERBË – BURRAVE DHE DJEMVE TANË JU KANË THËNË, NËSE SULMON ‘NATO’ NUK DO TË KALONI LEHTË”!

– Ajshe Shehu – 

Dëshmitarja Ajshe Shehu, tashmë i ka kaluar mbi shtatëdhjetë vjet jetë dhe i ka lindur 12 fëmijë: 7 djemë e pesë vajza. Më 26 mars 1999 ajo ka përjatuar dramën më të tmerrshme në jetë. Kriminelët serbë ia vranë burrin: Saliun (1945), dhe katër djemtë: Sahitin (1970), Xhavitin (1974), Dritonin (1980), dhe Naitin (1982).
“Lufta mi mori katër djem dhe burrin. Djali im Jetoni – 24 vjeçar tashmë ka probleme me veshkat dhe mbahet në dializë. Kjo gjendje i ka ardhur pas luftës dhe tashmë nuk na ndihmon askush.” – thotë Ajshe Shehu në fillim të rrëfimit. Ofshan pa pushim dhe nuk di se si t’ia fillojë bisedës. E ka shumë të vështirë të përmbledhë veten dhe të tregojë momentet e fundit të ndarjes nga djemtë dhe burri. Madje ajo thotë se fare nuk e kishte menduar atë që ndodhi. Asnjë të keqe, asnjë dëm dhe madje asnjë fjalosje nuk kishin pasur me serbët e fshatit. Ajo edhe sot nuk mund ta kuptojë shkakun e gjithë këtij tmerri të përjetuar nga nënat, gratë dhe motrat e Krushës së Vogël. Ulë kokën dhe mbledh forcat për të nisur një bisedë që asnjëherë nuk do ta bënte me askënd. Ajo do që tërë këtë helm që i helmon shpirtin ta marrë me vete në varr. Mirëpo, “nuk u vdiska me zor” – thotë ajo. Vajton për fatin e zi të resë së saj dhe të mbesave të veta.
Ajshe Shehu, kujton me dhimbje momentin e ndarjes së djemve dhe burrave nga gratë. “Aty më mbetën djemtë dhe burri, vëllezërit e burrit dhe shumë kushërinj të tjerë.” – thotë ajo dhe vazhdon – “Atë natë që erdhën shkijet në katund, ju thashë djemve që të iknin dhe të shkonin diku për të shpëtuar, sepse e kishim një parandjenjë se do të ndodhte diçka shumë e keqe. Për këtë na kishin paralajmëruar edhe fqinjët tanë serbë. Ata ju kishin thënë disa herë burrave e djemve tanë se nuk do të kalonin lehtë, nëse ndodh që NATO të sulmojë Serbinë. Mirëpo djemtë nuk donin të largoheshin nga ne, sepse kishin gratë dhe fëmijët aty. Ju vinte keq t’i linin ashtu në duar të serbëve. Djali i madh, Sahiti e kishte në krahë vajzën e vogël Jetmirën në momentin kur milicët thanë se duhet të ndaheshin meshkujt nga gratë (më 26 mars 1999 – Sh.B).
Sahiti hoqi nga krahu dhe ia dha së shoqes. Vajza nuk donte të ndahej nga i ati, por nëna e vet e shkëputi si me zor nga ai. Në atë moment i thashë Sahitit që ta kishte në kujdes djalin më të ri, Naitin që kishte 18 vjet. I pashë edhe Xhavitin dhe Dritonin kur u ndamë. I lamë ashtu të rreshtuar dhe ne u larguam me dhunë. Duke ecur rrugës së fshatit kemi dëgjuar breshëritë e automatikëve dhe në atë moment kemi ndjerë një si tronditje në shpirt. Shumë prej grave ja dhanë britmave dhe qanin me të madhe. Na i vranë djemtë. Kuku për neve se i kanë vrarë të gjithë, thoshin gratë. Kur kemi arritur afër tyrbes së katundit, e kam dëgjuar pastër kur një milic që rrinte pranë një tanku i tha milicit që ishte mbi tank e që para vetes kishte një mitraloz të madh:
– “Pucaj, shta qekash!”
Ne u ndalëm dhe nuk mund të bënim më asnjë hap përpara. U shtangëm duke pritur që të dëgjoheshin krismat e mitralozit. Gratë e fëmijët ja nisën një vaji dhe rrëmuje të pa parë. U tmerruam të gjithë. Mbase disa prej grave këtë e dëshironin, sepse e përjetuan shumë vështirë ndarjen nga djemtë dhe burrat. Mbase do të kishte qenë më mirë që t’na vrisnin në vend, se sa kur mësuam të vërtetën që na e tha Qamil Shehu, kur arrit në Bregdri, pasi që kishte shpëtuar nga maskara.
Mirëpo për fat milici, që dukej shumë i ri në fytyrë, tundi kokën në shenjë mohimi. Ai nuk lëvizi fare nga vendi dhe ne nisëm të marrim frymë pak më lirshëm.
Pastaj vazhduam rrugën matanë lumit. Kemi parë se nga shtëpia ku ishin vrarë e djegur njerëzit tanë, dilte tym i zi për dy ditë me radhë. Njerëzit pyesnin se pse gjithë ai tym, kur i gjithë fshati tashmë ishte bërë shkrumb e hi. Qamili na tregoi si kishte ndodhur e gjithë ngjarja. Ai ka ardhur në shtëpinë ku ishin familja e tij dhe nga ajo shtëpi janë dëgjuar britma të forta grash e fëmijësh. Të gjithë qanin e vajtonin dhe ne u tmerruam nga ato që dëgjonim.
Pastaj ne ikëm për në Shqipëri. Kemi pritur më kot që të marrim ndonjë lajm për njerëzit tanë, por ja kaluan kaq vite dhe shumica e atyre që u ndaluan atë ditë nuk janë askund. Si kemi mbetur kështu. Nuk mund as të qajmë si duhet tanët. As gjallë, as vdekur. Vajzat që kanë mbetur bonjake tashmë kanë nisur ta ndjejnë mungesën e baballarëve. Vajza e vogël e Sahitit, që lindi pasi që jemi kthyer në shtëpi, një ditë më tha:
– “Gjyshe më duket se edhe unë nuk kam baba. Pse shumica e shokëve dhe shoqeve të shkollës kanë baba e unë nuk kam. Kush është babai im dhe ku është ai. Pse nuk po vjen më?”
Pyetje të tilla më shkaktojnë shumë trazim dhe nuk di si t’i përgjigjem mbesës. I them se një ditë edhe babai yt do të vijë, por ashtu i kanë dalë disa punë e nuk do të vijë edhe për një kohë të gjatë. Ajo një ditë duhet ta mësojë të vërtetën, por gjithnjë e kam brengë se si do të reagojë kur ta mësojë se nuk ka baba dhe as varr për t’ia dërguar një lule e për të derdhur disa pika loti mbi varrin e tij.
Unë nuk mund të qëndroj fare në shtëpi. Dal e shëtis poshtë e përpjetë nëpër fqinj dhe të afërmit e mi. Nuk mund të shoh vendet ku kanë jetuar djemtë e mi, shtëpitë që i kanë ndërtuar dhe çdo gjë që ata kanë bërë me duart e veta. Nuk mund të mbledh mendjen asnjëherë dhe të jem e qetë. Nuk dua të shqetësoj rejat e mia të veja dhe mbesat jetime. Nuk dua që ato të më shohin duke qarë vazhdimisht. Shpesh ngjitem në kodrën afër shtëpisë dhe qaj e qaj deri sa të lodhem dhe pastaj kthehem krejt e dërmuar.
Dal e rri tek ata fqinj që kanë njerëz të humbur e të vrarë dhe bisedojmë për hallet e përbashkëta. Burrin nuk e qaj aq sa djemtë, sepse ata ishin shumë të rinj. Tani më duket se nuk ka mbetur askush në shtëpi. Krejt jeta ime është boshe. Nganjëherë kur kemi ndonjë ngjarje që lidhet me të vrarët e të zhdukurit, dal sa për të takuar gratë që kanë dhimbjen e njëjtë. Bisedojmë, por më kot, nuk zgjidhim asgjë. Jam krejt e humbur dhe nuk di si të eci as rrugës e as si të rri në shtëpi me njerëzit e mi.

Nga e majta: 1. Fitnete Shehu ka të vrarë babain: Seferin (1948) dhe dy vëllezërit: Adnanin (1980) dhe Xhelalin (1985) 2. Burbuqe Shehu ka të vrarë babain – Azizin (1946) dhe dy vëllezërit: Samiun (1974) dhe Selamiun (1975) 3. Suzana – motra e Fitnetes, dhe 4. Kimete Shehu ka të vrarë vëllain: Arben Sadik Shehun (1978).

Florije Shehu…

*  *  *

Presim me ditë e me net të na sjellin ndonjë lajm për gjetjen e ndonjë ashti të bijve tanë. Deri më tani vetëm dy i kemi gjetur dhe varrosur. Shpresojmë që të paktën të gjendet ndonjë asht sa për t’ia ditur një shenjë djemve të mi. Dua të qaj e të shfryhem mbi varret e tyre, deri sa të lodhem e të mos kem më fuqi as kokën të ngre. Mirëpo, gjithnjë kam frikë se dikush do të sjellë vetëm disa eshtra sa për t’na hutuar se gjoja i kanë gjetur e për të na qetësuar shpirtin. Më mirë të presim kështu me vite dhe në fund të varrosim eshtrat e bijve tanë se sa të varrosim e t’i qajmë eshtrat e huaja.” – thotë në fund të rrëfimit, me pikëllim Ajshe Shehu.

( VIJON… )

================================
– LEXONI –
PJESA E PARË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1424  
PJESA E DYTË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1426  
PJESA E TRETË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1429
PJESA E KATËRT:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1436
PJESA E PESTË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1443
PJESA E GJASHTË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1446
PJESA E SHTATË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1452

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura