Pashtriku, 18 mars 2021: Në 40 vjetorin e demonstratave të vitit 1981
Dihet mirëfilli se politika zyrtare jugosllave, demonstratat e pranverës 1981 i shpalli si «Kundërrevolucionare» dhe për disa muaj rresht të gjitha nivelet e pushtetit federativ, republikan dhe krahinor me qëllim të ‘sanimit’ të gjendjes në Kosovë, finalizuan një dokument me titull »Platforma Politike për aksionin e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë në zhvillimin e vetëqeverisjes socialiste, të vëllazërim – bashkimit dhe të bashkëjetesës në Kosovë» që shkurtimisht njihet si «Platforma për Kosovën».
Ky dokument u miratua në Mbledhjen e XXII të Komitetit Qendror të LKJ’së në Beograd, më 17 nëntor 1981, duke u bërë udhëzuesi praktik i politikës antishqiptare në planin afatgjatë.
Në këtë platformë antishqiptare ndër të tjera analizohet gjithashëm përmbajtja «reaksionare dhe kundërrevolucionare» e parullës ‘Kosova Republik’ duke u definuar qartë edhe masat për «qërimin e hesapeve» me forcat e «errëta të nacionalizmit shqiptaromadh…», përmes gjykimit dhe diferencimit të shqiptarëve në çdo segment të jetës politike e shoqërore.
Dhe në këtë drejtim strukturat e regjimit, me kohë ndërmorën një fushatë të gjerë arrestimesh e burgosjesh kundër organizatorëve të demonstratave, ndërsa në institucionet publike, e veçanërisht në institucionet shkencore – akademike të Kosovës, kishte nisur diferencimin ideo – politik ndaj të gjithë atyre që në forma të ndryshme përkrahën kërkesat e studentëve.
Në shënjestër të këtij diferencimi gjithëpërfshirës ishin padyshim tri institucionet më të rëndësishme akademike:
– Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK),
– Instituti Albanologjik dhe
– Universiteti i Prishtinës.
Prandaj, jo rastësisht KQ i LKJ’së dhe strukturat tjera pushtetore të këtij regjimi në Kosovë, këto institucione, e veçanërisht Universitetin e Prishtinës e patën cilësuar si“Bastion të nacionalizmit dhe seperatizmit shqiptar”.
Akademik Rexhep Qosja, në një intervistë për «Epokën e Re» (4 Maj 2006), kujton bashkëpunimin e intelektualëve të shumtë me regjimin e kohës dhe vënien e tyre në shërbim të diferencimit. Qosja me këtë rast thotë: «Me përjashtim të Ukshin Hotit, nuk ka kuadër tjetër universitar që ka mbrojtuar demonstratat…
Ishte i madh numri i atyre veprimtarëve politikë dhe intelektual që ishin vënë në shërbim të diferencimit, d.m.th në shërbim të atij procesi në të cilin njerëzit duhej të dënonin demonstratat. Mes këtyre profesorë fakulteti, akademikë, shkrimtarë, krijues të arteve të tjera.
Disa prej këtyre intelektualëve që merreshin me ndjekjen e «shtrigjve» janë autoritete në kulturën tonë: të rehabilituar dhe të favorizuar!…Një numër i intelektualëve ishte kundër demonstratave, kurse një numër tjetër i shikonte me simpati… Në bisedat me njëri tjetrin disa intelektualë i përkrahnin demonstratat, por në mbledhjet e partisë apo në mbledhjet e bashkësive punuese kjo nuk ngjante. Kam marrë pjesë në mbledhje në institut (Institutin Albanologjik – Sh.B) në Fakultetin Filozofik, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve. Janë mbajtur jo një a dy, por më shumë mbledhje në të cilat flitej: në fillim për demonstratat pastaj për kinse për pasojat e demonstratave, pastaj për detyrat në lidhje me këto pasoja, etj.
Kam parë shumë intelektualë që çoheshin në këmbë dhe lëshonin breshëri dënimesh për demonstratat duke i quajtur armiqësore, nacionaliste dhe irredentiste, të drejtuara kundër bashkim-vëllazërimit dhe integritetit territorial të Jugosllavisë! Disa prej këtyre, më vonë, janë bërë patriotë të mëdhenj dhe kanë përparuar në punën profesionale dhe në punën politike! Disa e bënin këtë me gojë e ndonjëri, besoni apo mos besoni, me shkrim ishin përgatitur përpara!
Në dënimin e demonstratave në mënyrë të veçantë janë shquar anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve. Në këtë institucion janë dënuar demonstrata shumë herë, por njëra prej mbledhjeve të Akademisë, në të cilën janë dënuar demonstratat është dhënë në tërësi në televizion, si mësim për popullin se si duhet të sillet ndaj armikut të bashkim’vëllazërimit, të socializmit vetëqeverisës dhe të integritetit territorial të Jugosllavisë Socialiste Federative! Ishte kjo mbledhje e turpit në nivel më të «lartë» të shkencës sonë».
Madje, në vazhdën e procesit të diferencimit është botuar edhe një libër (Shqip – serbisht) me fjalimet dënuese të «akademikëve» kundër demonstratave të pranverës 1981. «Për shkak se nuk jam diferencuar, më kanë qitur para komisionit të Universitetit bashkë me Ali Hadrin dhe Fehmi Aganin dhe na kanë shqiptuar dënimin…» – ka thënë në fund akademik Qosja.
UKSHIN HOTI DHE DIFERENCIMI I TIJ IDEOPOLITIK NË UNIVERSITETIN E PRISHTINËS NGA – AZEM VLLASI, AGIM ZATRIQI DHE HAJREDIN HOXHA!
Komiteti Krahinor i LKK’së, për luftimin e “nacionalizmit dhe seperatizmit” shqiptarë në Universitetin e Prishtinës (UP) kishte autorizuar 3 komunistët më të përkushtuar:
– Azem Vllasin,
– Agim Zatriqin dhe
– Hajredin Hoxhën.
Në UP, kërkesat e studentëve u përkrahën, edhe nga profesorët, por me kalimin e kohës, për shkak të presioneve të mëdha, nga UDB’ashët dhe anëtarët e Komitetit, shumica prej tyre e kishin ndryshuar qëndrimin, ndërsa kishin mbetur të palëkundur në qëndrimet e tyre një grusht profesorësh në Fakultetin Filozofik, në krye me Ukshin Hotin.
Nga shumë mbledhje maratonike që mbajtën organet e pushtetit në UP, vlen të veçohet mbledhja e OB të LK’së, e mbajtur më 19 nëntor 1981 në Fakultetin Filozofik, Dega Filozofi – Sociologji. Në këtë mbledhjeUkshin Hoti, si i vetmi politikan i specializuar në fushën e marrëdhënieve politike ndërkombëtare bëri elaborimin shkencor të statusit ‘Kosova Republikë’ të artikuluar zëshëm nga studentët, në demonstratat e atij viti. Ukshin Hoti kërkesën për republikë e shpjegoi edhe me kërkesën për zhvillim më të shpejtuar, sepse të gjitha parametrat ekonomik, social etj., tregonin se hendeku midis Kosovës dhe republikave më të zhvilluara jo vetëm nuk ishte zbutur, por përkundrazi ishte thelluar edhe më shumë.
Për më tepër, Ukshin Hoti argumenton në mënyrë bindëse se, përpjekjet për barazi më të madhe nacionale shkojnë krahas me avancimin e proceseve demokratike nëpër vende të ndryshme në botë, duke nënvizuar se ato janë të ligjshme dhe të pandalshme.
Shemsi Reçica, ish’ligjerues në Katedrën e Filozofisë dhe të Sociologjisë pranë Fakultetit Filozofik të UP’së, ka marrë pjesë në mbledhjen e 19 nëntorit 1981, dhe në një intervistë dhënë të përditshmes “Epoka e Re” (Mars 2006) ka deklaruar se në këtë mbledhje “kanë qenë të pranishëm Azem Vllasi, Agim Zatriqi, Hajredin Hoxha, etj.” dhe se nga ata ish’funksionarë “ka pasur edhe kërcënime, sharje, edhe me nanë…” duke thënë se “këtu e kanë çerdhen demonstratat”.
„Pasi i gjykuan demonstratat, – kujton Prof.Reçica, – ata (Vllasi, Zatriqi, Hoxha – sh.b) kërkuan fjalën e profesorëve, por rreth 20 minuta askush nga profesorët nuk e merrte fjalën. Ishin para një dileme të madhe. Kishin frikë, sepse diheshin pasojat.
Pas atyre diskutuesve që i dënuan demonstratat, fjalën e mori Ukshin Hoti, i cili tha: “Ne duhet të diskutojmë hapur për kërkesat e studentëve tanë” dhe vazhdoi “Sa e di unë, në Jugosllavi, jo vetëm që nuk është zgjidhur në praktikë çështja shqiptare, por as teorikisht nuk është zgjidhur kjo çështje si duhet”, dhe filloi që këtë konstatim ta argumentojë nga pikëpamja e tij, nga shkencat politike.
“Të gjitha shkrimet që janë botuar për çështjen kombëtare, tha ai, edhe ato nga pikëpamja juridike, edhe kushtetuta nuk e kanë zgjidhur as teorikisht çështjen shqiptare në Jugosllavi” dhe vazhdoi: “Unë mendoj që kjo është kërkesë e arsyeshme, e drejtë…”, dhe me një tonë të lartë përfundoi: “Kosova duhet të jetë Republikë dhe ne duhet ta përkrahim Republikën”. (Reçica, fq. 9 – 10.)
Ukshin Hoti në këtë mbledhje (të OB të LK’së), ka pasur një ballafaqim të ashpër me “Akademik” Hajredin Hoxhën. Hoti, duke i shpjeguar zhvillimet e brendshme (veçanërisht ato në Kosovë) me disa zhvillime demokratike në rrafshin ndërkombëtar (mori shembullin e skocezëve në Angli dhe francezëve të Kuebekut) dhe ka theksuar, se: “kërkesa për Kosovën Republikë në esencë nuk është asgjë tjetër veçse kërkesë për zhvillim të shpejtuar dhe të gjithanshëm ekonomik të Kosovës.”
Me këtë rast ka reaguar Hajredin Hoxha, i cili ka thënë “se ne e kemi zgjidhur çështjen nacionale më së miri në botë.” Për ta argumentuar këtë pohim Hoxha betohet se është ashtu.
Ndërkaq Ukshin Hoti pasi ia ka tërhequr vërejtjen H.Hoxhës, se “betimi nuk është argument shkencor”, ka thelluar argumentin e tij, si vijon: “do ta plotësoja diskutimin tim edhe me ca shembuj të tjerë. Më duket se kushtetuta belge poashtu u aprovua në fillim të viteve ’70, apo më sakt, më 1972. Kjo kushtetutë i vë në pozitë të barabartë valonët dhe flamanët në Belgjikë, bile flamanëve u jep të drejtën e raporteve specifike me Holandën.
Mendoj se flamanët industrialisht janë më të zhvilluar se valonët, por megjithatë, siç tregojnë ngjarjet e fundit atje, një pjesë e mirë e tyre i akuzojnë valonët se e mbajnë “lidhjen franceze” në planin ekonomik dhe atë kadrovik, d.m.th. mendojnë se ndodhen në pozitë të pabarabartë dhe se ekonomikisht janë të eksploatuar nga valonët, pa marrë parasysh kushtetutën demokratike të Belgjikës.“ (Hoti, 1995)
Në mbledhjen e 19 nëntorit, Ukshin Hoti fuqishëm ka kundërshtuar edhe ndërprerjen e bashkëpunimit midis Universitetit të Prishtinës dhe atij të Tiranës. ”Unë jam kundër suspendimit të këtyre marrëdhënieve. Nuk e besoj se na kanë indoktrinuar. Kam qenë njëri nga bartësit kryesorë të këtyre marrëdhënieve.“ – ka thënë Ukshin Hoti. Diskutimin e Prof. Hotit e kundërshtuan edhe Azem Vllasi e Agim Zatriqi.
Lidhur me këtë rast Shemsi Reçica thotë (po citoi):
“Më kujtohet sidomos Agim Zatriqi, të cilit, në atë qetësi të hekurt që u krijua pas fjalës së Ukshin Hotit, i kërcitnin dhëmbët nga shtrëngimi i nofullave. Pas përfundimit të mbledhjes, neve na arrestuan.”
Burgosja dhe gjykimi i Ukshin Hotit – nëntor 1981
Dhe vërtet, më 21 nëntor 1981 ndodhi arrestimi dhe burgosja e Ukshin Hotit, Halil Alidemajt, Shemsi Reçicës, Ekrem Kryeziut etj., të cilët u denuan si “Grup i intelektualëve”, me akuzën për “veprimtari armiqësore kundër shtetit jugosllav.”
Ja si e përshkruan Ukshin Hoti arrestimin e tij në Prishtinë: “Më 21 nëntor të njëjtit vit, u arrestova nga jo më pak se 40 policë të armatosur, gjysma e të cilëve u futën në banesën time me armë të gatitura automatike e gjysmëautomatike. Më vonë mora vesh se edhe shtëpia e prindërve të mi në fshat, që ndodhet afro 100 km larg Prishtinës, po atë natë ishte rrethuar dhe ishte kontrolluar nga ana e një numri jo më të vogël të personave të armatosur… Në momentin e arrestimit e kisha të veshur pixhamën dhe qetësisht po e lexoja një libër.”
Pas tetë muajve sa zgjati procesi i hetuesisë, Prokuroria Publike e Qarkut në Prishtinë ngriti aktakuzën PP. nr. 281/81, dt. 31 maj 1982, ndërsa Gjykata e Qarkut në Prishtinë, formoj një trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët: Isak Nishevci, Ismet Emra e të tjerë, dhe në procesin gjyqësor të mbajtur më 21 korrik 1982 „në emër të popullit“ u denuan këta intelektualë:
1. Halil Alidema (1936), Pozharan, mr.i historiesë – 11 vjet burg;
2. Ukshin Hoti (1943) Krushë e Madhe, mr. i shkencave politike – 9 vjet burg;
3. Ekrem Kryeziu (1943), Pejë, regjisor – 8 vjet burg;
4. Mentor Kaçi (1952), Gjakovë, montazher në TVP – 7 vjet burg;
5. Hilmi Ratkoceri(1955), Llugaxhi, absolvent – 3 vjet burg;
6. Ali Kryeziu (1950), Pejë, jurist – 5 vjet burg;
7. Nezir Haliti (1948), Firajë, profesor – 2 vjet burg;
8. Shemsi Reçica (1952), Gllavicë, profesor – 7 vjet burg;
9. Muharrem Fetiu (1945), Peçan (Suharekë), mr. i historisë – 6 muaj burg. (Dr.Keçmezi-Basha, f.179/180)
***
Trupi gjykues, (duke u bazuar paraprakisht në gjykimin politikë që ia kishte bërë këtij grupi intelektualësh, soji i kjomitelinjëve Azem Vllasi, Agim Zatriqi, Hajredin Hoxha etj), në aktgjykim ka konstatuar se ata kanë kryer “… vepra penale të drejtuar në rrëzimin e pushtetit të klasës punëtore dhe të punonjësve, thyerjen e “vëllazërim – bashkimit”, prishjen e barazisë së kombeve e të kombësive dhe ndryshimin antikushtetues të rregullimit federativ të RSFJ’së…” sllogane këto që përsëriteshin në të gjitha aktakuzat dhe aktgjykimet e grupeve, që dënoheshin në vitet 80’ta në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare.
Ukshin Hoti u dënua me 9 vjet burg, por duke qenë se aktgjykimi i shkallës së parë s’kishte asnjë bazë juridike për një denim kaq të lartë, gjykata supreme më 11 qershor 1984, u detyrua t’ia zbriste dënimin në 3,5 vjet burg.
Postime të Lidhura
XHAFER DURMISHI – SKENDERI: KADRIU I PROPOZON ANËTARËSIM IBRAHIM KELMENDIT POR AI NUK PRANOI (5)
Pashtriku, 24 Korrik 2019: 16.Avokati secilën herë trishtohet më shumë Ibrahim Kelmendi: ”Po më vështirësohet formulimi i komentimeve,…
KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE E VITIT 1911
KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE E VITIT 1911 Gjatë kryengritjes së Malësisë së Madhe për udhëheqjen e luftës…
NGA ARKIVI: E DREJTA E DUSHAN MUGOSHËS PËR TË VENDOSUR GJATË LUFTËS N-Ҫ NË SHQIPËRI
Pashtriku.org, 4. 11. 2016: Historiani Kastriot Dervishi ka publikuar në rrjetin social Facebook autorizimin që serbi Dushan Mugosha…
BEJTULLAH TAHIRI: KUSH I ORGANIZOI DEMONSTRATAT E PRANVERËS 1981?
(Pashtriku.org, 14. 03. 20123) – Kanë kaluar tri dekada që nga Pranvera e vitit 1981, nga ajo Pranverë…