SHERADIN BERISHA: ROLI HISTORIK I DEMONSTRATAVE SHQIPTARE (TETOR – DHJETOR 1968) /I/

Pashtriku.org, 26. 11. 2013 – Ndonëse viti 1968 njihet si vit i lëvizjeve studentore në Europë, ku universitetet më të njohura të Francës, të Gjermanisë dhe të Anglisë u përfshinë në valën e trazirave studentore të së”majtës së re”, megjithatë ato nuk reflektuan aspak tek lëvizja studentore shqiptare e Kosovës,për faktin sepse lëvizja studentore europiane kishte karakter social,ishte lëvizje shoqërore dhe synonte një rend më të mirë shoqëror, ndërkohë që lëvizja studentore e Kosovës kishte karakter kombëtar, karakter të rezistencës kundër një robërie të egër shekullore. Në qershor 1968 shpërthyen demonstratat studentore edhe në Beograd, të cilat ndonëse u përpoqën të manifestonin jehonën e demonstratave studentore të Evropës,ato u përshkuan me kërkesa ultranacionaliste e shoviniste. Në këto rrethana u planifikuan demonstratat studentore në Kosovë.
Përmbajtja e lëndës:
1. Pozita kushtetuese e Kosovës dhe e viseve tjera shqiptare në ish’Jugosllavi, në periudhën 1946- 68;
2. Konfliktet politike në mes të forcave byrokratike dhe atye unitariste (për çëllime sunduese), që rezultuan me shkarkimin e Rankoviqit – në plenumin e Brioneve 1966;
3. Debatet e nxehta publike për ndryshimin e kushtetutës së vitit 1963 dhe avansimin e statusit të Kosovës në republikë;
4. Dyftyrësia e Fadil Hoxhës;
5. Demonstratat studentore të vitit 1968 në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare
6. Demonstratat e tetorit 1968 në Prizren, në Therandë (ish – Suharekë) dhe në Pejë
7. Kush e përbënte ”Komitetin e Studentëve”, që i përgatiti demonstratat e nëntorit 1968 ?
8. Si u morë vendimi për organizimin e demonstratave në disa qytete të Kosovës më 27 nëntor 1968 ?!
9. Si u zhvilluan demonstratat e 27 nëntorit 1968, në Prishtinë, në Ferizaj, në Gjilan dhe në Besianë (ish – Podujevë) ?!
10. Demonstrata në Prishtinë;
11. Demonstrata në Ferizaj;
12. Demonstrata në Gjilan;
13. Demonstrata në Besian (ish-Podujevë)
14. Çfarë masash politike propozoi Veli Deva ndaj organizatorëve të demonstratave ?!
15. Kush i gjykoi e denoi në „emër të popullit“ organizatorët e demonstratave?
16. Si u organizuan demonstratat e dhjetorit 1968 në Tetovë?
17. Kush u denua për organizimin e demonstratave në Tetovë?
18. Përfundim.

Pozita kushtetuese e Kosovës dhe e viseve tjera shqiptare në ish – Jugosllavi, në periudhën 1946 – 1968
Dihet mirëfilli se pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova me Kushtetutën e parë të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, miratuar më 31 janar 1946, u definua si njësi autonome territoriale – administrative brenda Serbisë e quajtur: ”Qarku Autonom i Kosovës dhe Metohisë (QAKM)”. Dhe, ky bashkim i dhunshëm i Kosovës me Serbinë qe vetëm një pjesë e padrejtësisë që u bëhej shqiptarëve të ndarë nga Shqipëria londineze, për faktin se kompaktësisë gjeografike të Kosovës iu shkëputën trevat etnike shqiptare në Maqedoninë Perëndimore, në Mal të Zi por edhe Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, ku shqiptarët ishin shumicë. Akti më i lartë juridik-kushtetues i QAKM’s ishte statuti, i cili duhej të ishte në pajtim me Kushtetutën e RFPJ dhe atë të Sërbisë. Pas aneksimit të Kosovës (Republikës së Sërbisë) dhe pas sanksionimit të statutit të QAKM’s, shteti jugosllav e vazhdoi politikën diskriminuese ndaj shqiptarëve në çdo sferë të jetës. Në të gjitha dokumentet kushtetuese federative dhe republikane, nga viti 1946 deri në vitin 1963, statusi i gjuhës shqipe, ashtu si statusi i autonomisë së Kosovës, erdhi duke u rrudhur dhe në këtë kontekst e gjithë jeta private, shoqërore e politike e shqiptarëve ishte vënë nën kontrollë të plotë të UDB-së, e cila kishte hapur rreth 120 mijë dosje për shqiptarët. Me Kushtetutën e 7 prillit 1963, RFPJ shndërrohet në Republikë Socialiste Federative të Jugosllavisë (neni 1), ndërkaq Kosova shpallet Krahinë Autonome (neni 111), ndërsa shqiptarët nga nocioni “pakicë kombëtare” me këtë Kushtetutë u definuan si ”kombësi”. Kjo Kushtetutë nuk kishte sjellur ndonjë ndryshim esencial në trajtimin e shqiptarëve, por megjithatë sinjalizonte ndryshime që mund të bëheshin në të ardhmen.

J.B.Tito dhe A.Rankoviqi

Konfliktet politike në mes të forcave byrokratike dhe atye unitariste
Shqiptarët gjatë periudhës 1948-1966 (që në popull quhej si koha e Rankoviqit), u përballën me një fushatë të egër shkombëtarizimi e shpërnguljeje masive nga trojet e tyre stërgjyshore. Krahu shovinist serb, i drejtuar nga Aleksandër Rankoviqi, sekretar i Komitetit Qëndror të LKJ-së, ministër i Punëve të Brendshme dhe nënkryetar i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, gjatë kësaj periudhe pushtetin e vet të dhunës mbi shqiptarët e ushtroj nën ombrellën e kryetarit J.B.Tito. Asokohe A.Rankoviqi, bënte politikën e kuadrove partiake e shtetërore në të gjitha republikat e posaqërisht në Serbi dhe mbikëqyrte të gjitha institucionet partiake, shtetërore dhe ushtarake, madje ai mbikëqyrte edhe punën e jetën private të kryetarit të shtetit e të Partisë -Titos.
Së këndejmi, në fillim të viteve të 60-ta kur kreu shtetëror jugosllavë nisi një reform ekonomike në shkallë vendi, për shkak të pabarazisë ekonomike lindën kundërshtimet e para ndërmjet republikave, të cilat shumë shpejt u shndërruan edhe në konflikte të hapura politike. Kjo situatë e rëndë u shpërfaq në disa mbledhje të Komitetit Ekzekutiv të LKJ-së, të zhvilluara në nëntor të vitit 1965 e shkurt të vitit 1966. Pushtetarët serb, që me kohë kishin zënë pozita sunduese politike në federatë (UDB, ushtri, polici e në aparatin burokratik), meqë këtë reformë ekonomike me kërkesat e saj decentralizuese, e shihnin si formë të avancimit të Sllovenisë e Kroacisë dhe si një rrezik për dobësimin hegjemonist të tyre, atëherë u vunë në lëvizje për t´iu kundërvënë reformave të tilla.
Në këto zhvillime politike u krijuan dy forca rivale: forcat burokratike decentralizuese në krye me Titon dhe ato unitarise serbe në krye me Rankoviçin. Për t´i sfiduar forcat unitariste serbe në radhët e pushtetit, Titoja në qershor 1966 në mbledhjen e KE të KQ të LKJ’së formoj një komision të posaqëm, për të shqyrtuar veprimtarinë e aparatit të Sigurimit të Shtetit (UDB’së), që drejtohej nga Aleksandër Rankoviç. Dhe, në Plenumin e IV të KQ të LKJ’së të mbajtur më 1 korrik 1966 në Brione, fuknsionarët më të lartë të UDB’së si A.Rankoviç, Svetisllav Dolasheviç… akuzoheshin se kishin keqpërdorur pozitën, se nëpërmjet të rrjetit të gjerë të bashkëpunëtorëve të tyre në organizatat punuese e madje edhe në parti kishin synuar të vendosnin kontrollin mbi njerëzit e thjeshtë deri tek udhëheqësit më të lartë politik në vend, duke përfshirë këtu edhe vetë Titon. Ky Plenum rezultoi me dorëheqjen e Rankoviqit prej detyrave të partisë dhe të UDB-së, ndërsa në mbledhjen e dhomave të Kuvendit federativ, më 14 korrik 1966 ai dha dorëheqje si deputet dhe nënkryetar i RSFJ’së.

Në tetor të atij viti KQ i LKJ’së e përjashtoi A.Rankoviçin nga LKJ’ja, dhe pasi ka filluar një proces gjyqësor kundër tij dhe bashkëpunëtorëve tjerë është ndërpre, për shkak të numrit të madh të njerëzve, ndër ta shumë personalitete të larta politike, që ishin përfshirë në veprimtarinë kriminale të organeve të UDB’së. Denimi verbal i Rankoviçit, duke u ngarkuar me përgjegjësi për çrregullime serioze në shërbimin e Sigurimit të Shtetit, më shumë ishte një taktikë dinake e J.B.Titos, sepse ai me kohë i dinte të gjitha deformimet që ndodhnin në organët e UDB’së. Në Plenumin e Brionit nuk u tha asnjë fjalë për arsyet e vërteta të shkarkimi të Rankoviçit, pra për kundërshtimin e tij ndaj Reformave ekonomike e ndaj sistemit të vetadministrimit ,sepse fajësimi për shkeljet e shpërdorimet e rënda të përditshme të organeve të UDB-së, ishte një akuzë, e cila nga të gjitha shtresat e popullsisë pranohej më lehtë dhe ngjallte kundër tij një revoltë shumë më masive se sa të denoncojë kundërshtimet e tij ndaj Reformës ekonomike apo vijimsinë e kursit të vetadministrimit, ku iniciatorë ishte vetë Tito dhe grupi i tij. 1
Në kuadër të fushatës që ndërmori J.B.Tito për të goditur Rankoviçin, një vend të posaqëm kishin edhe shqiptarët. Shkarkimi i Rankoviçit dhe ithtarëve të tij nga postet e rëndësishme shtetërore e partiake, ndonëse ishte goditje serioze për regjimin e egër policor në Jugosllavi, njëherësh vinte në dukje edhe kontradiktat ndërnacionale dhe luftën e ashpër që po zhvillohej për pushtet në gjirin e udhëheqjes së saj. Brenda politikës koniunkturale, për të vendosur një ekuilibër të ri midis klaneve… kreu i PKJ (më pas LKJ’së) J.B.Tito filloi t´u ”buzëqesh” edhe shqiptarëve. Si fillim, pati kujdes të fshinte nga kujtesa popullore krimet e bëra prej vetë atij dhe Rankoviçit, dhe në diskutimet publike për “denoncimin” e veprimtarisë së klanit rankoviçian, u përpoq që ta thejë kompleksin e inferioritetit që u ishte imponuar shqiptarëve.
Debatet e nxehta publike për ndryshimin e kushtetutës së vitit 1963 dhe avansimin e  statusit të Kosovës në Republikë
Në këto rrethana për shqiptarët u krijua një klimë paksa më e relaksuar politike dhe duke e shfrytezuar këtë krizë të krijuar, një pjesë e intelegjencës shqiptare dhe disa segmente politike filluan të flasin hapur për padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptarë në arsim, kulturë dhe në fusha tjera të jetës politike e shoqërore. Këto hapsira lirije u bënë edhe më të mëdha në vitin 1967, pas fillimit të debatit publik për amandamentet e reja që do të ndryshonin Kushtetutën e RSFJ-së, kushtetutat e republikave dhe statutet e krahinave autonome të vitit 1963.
Në gamën e gjerë të diskutimeve rreth këtyre amandamenteve, në Kosovë nga dita në ditë problemi i pazgjidhur kombëtar u bë mbizotrues. Për pozitën kushtetuese të Kosovës, më 14 korrik 1967 dhoma krahinore e Kuvendit Popullor të KA të Kosovës vendosi formimin e ”Komisionit për studimin e çështjeve që kanë të bëjnë me ndryshimet dhe plotësimet e Statutit”. Me këtë rast Kryetar i këtij Komisioni u zgjodh Fadil Hoxha – kryetar i Kuvendit Krahinor të Kosovës. Ky komision hartoi ”projektin e propozimeve për ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të KA Kosovës”, në konsultim edhe me Komisionin kushtetues të RSF të Jugosllavisë dhe atë të Serbisë. Ky “projekt” më 22 prill 1968 iu dorëzua KE të KK të LK të Kosovës dhe në diskutimet që pati, u vunë në dukje shumë pasaktësi që kishte në Kushtetutën ekzistuese (federative e atë republikane) të vitit 1963, lidhur me pozitën e KA të Kosovës. Në verën e vitit 1968 diskutimet për ndryshimet dhe plotësimet në Kushtetutën federative dhe në atë republikane të v.1963, lidhur me pozitën që duhej të kishte KA e Kosovës, u zhvilluan edhe në aktivet politike komunale të LK’së. Debati i parë u zhvillua në Gjakovë më 18-20 gusht 1968, për të vazhduar pastaj në Pejë, në Prishtinë, në Deçan, në Gjilan, në Gllogovc, në Lipjan, në Podujevë, në Prizren etj.
Në këto aktive u kërkua që Kushtetuta federative të garantonte të drejtën e vetvendosjes së shqiptarëve, ashtu si kombet tjera të Jugosllavisë; që Kosova të ishte njësi federale d.m.th republikë; që si ligj themelor i krahinës të ishte Kushtetuta e jo Statuti; që në dhomën e kombeve Kosova të kishte 20 deputetë, sikundër dhe republikat e tjera; që të zyrtarizohet përdorimi i simboleve kombëtare; që emri i krahinës të ndryshohet nga Kosovë – Metohi në Kosova – Kosovo; që Kosova të ketë gjyqin e vet suprem dhe kushtetues dhe të jetë i lidhur me gjyqet respektive në nivel të federatës; që të sigurohet barazia e gjuhës shqipe në nivel federativ; që në kushtetutën federative populli shqiptar të mos emërtohej në mënyrë fyese ”shiptari” por ”albanci”; që të precizohej në këtë kushtetutë e drejta për riatdhesim jo vetëm për pjestarët e kombeve, por edhe për pjestarët e kombësive etj. 2
Tubimeve të tilla publike, paraprakisht i ndihmuan edhe tri ngjarje të rëndësishme historike, të cilat tek shqiptarët ringjallën dinjitetin dhe krenarinë kombëtare:
– Konferenca Albanologjike e mbajtur në Tiranë (17 janar 1968) dhe Simpoziumi shkencor mbajtur në Prishtinë (9-12 maj 1968), me rastin e 500 vjetorit të vdekjes se kryetrimit Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ku morrën pjesë studjues shqiptarë e të huaj të fushave të historisë, të letërsisë, të gjuhësisë, të folklorit dhe të etnografisë; 3
– Konsulta e njësimit të gjuhës Shqipe e mbajtur më 22 – 23 prill 1968 në Prishtinë, në të cilën u konstatua se si “gjuhë letrare e shqiptarëve në Jugosllavi njihej njëzëri gjuha letrare e shtetit amë (Shqipërisë)”. 4
– Manifestimet e shumta, të mbajtura me rastin e 90 vjetorit (qershor 1968) të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Meqenëse kërkesa që Kosovës t´i njihet statusi i Republikës, shpejt u përqafua nga poulli shqiptar dhe u bë kërkesë gjithëpopullore, çarqet shoviniste serbe për ta penguar këtë trend të ngjarjeve, më 31 gusht 1968 në një mbledhje të zgjeruar të kryesisë së Komitetit Ekzekutiv Krahinor të mbajtur në Prishtinë, gjykuan ashpër kërkesën që Kosova të bëhet Republikë. Në konkluzionet e miratuara në këtë mbledhje, nën presionin e serbëve u vendos, që ”në Kosovë nuk duhej të shtrohej kërkesa për republikë e vetëvendosje” dhe të ndalohen diskutimet për këtë çështje. Pavarësishtë nga këto vendime, zhvillimet e diskutimeve në aktivet politike të komunave të kosovës treguan qartë se aspirata e shqiptarëve për republikë ishte e fuqishme.
Alternativa e Republikës së Kosovës u shtrua edhe në një takim të delegacionit shqiptar që pati me Titon dhe Kardelin në tetor 1968, mirëpo Titoja (pavarësisht që kjo kërkesë kishte dalur nga tubimet e gjera të popullit shqiptar) në mënyrë diplomatike e kundërshtoj alternativën e republikës, duke deklaruar se ”republika nuk është shkop magjik e as i vetmi faktor që mund t´i zgjidh të gjitha problemet”, dhe konkludoi se ”zgjidhja e statutit të Kosovës dhe sigurimi i të drejtave të plota të krahinës duhet të realizohet brenda kuadrit të RS të Serbisë! 5 Me këtë ”sugjerim” Titoja i mbylli diskutimet në rrugë legale për statusin e republikës.
Dyftyrësia e Fadil Hoxhës
Kundërshtimi i kreut jugosllav, i sinjalizoi qartë strukturat politike në Kosovë, për luftimin e opcionit të Republikës me të gjitha mjetet. Burokracia politike shqiptare, e cila deri në vitin 1966 qe zbatuese e verbët e politikës shoviniste të Rankoviqit, në këto rrethana për të dëshmuar lojalitet dhe basnikri të plotë ndaj politikës së reklamuar të Titos, për Socializmin Vetqeverisës, për vëllazërim’bashkimin e plotë e të slloganeve të tjera, doli hapur kundër kërkesës për Republikë.


Fadil Hoxha

Dy qëndrime të Fadil Hoxhës (Kryetar i Komisionit) duket se e vërtetojnë këtë përfundim. Më 22 prill 1968 në mbledhjen e Komitetit Krahinor të LK të Kosovës F.Hoxha deklaron: ”Gjatë disa mbledhjeve të zhvilluara në Beograd, unë kam thënë se mospranimi i këtyre kërkesave (Kërkesa republikë – vërejtja ime) dhe propozimeve të tjera, të cilat sipas mendimit tonë janë shumë realiste dhe të domosdoshme do të na detyrojnë të kërkojmë mënyra tjera për të gjetur zgjidhje”. Ndërkaq, në tetor të atij viti, në një mbledhje të Kuvendit të Kosovës ai thekson: ”Ne nuk jemi të orientuar për republikën. As Komisioni, as faktorët tjerë politikë të Kosovës, të cilët mbi vete e kanë përgjegjësinë e plotë, e as faktorët tjerë jashtë Kosovës, nuk janë të orientuar për krijimin e republikës”! 6
Me këto veprime, Fadil Hoxha dhe përgjithësisht politikanët shqiptar kanë dëshmuar qëndrimet e tyre të dyzuara, pavendosmërinë për t´i tejkaluar kornizat e autonomisë, dhe për t´u përballuar me guxim karshi presionit serb e jugosllav, në mënyrë që të zgjidhet për momentin çështja kombëtare nëpërmjet satusit të republikës. Fushata antirepublikë e zhvilluar nga strukturat autonomiste nuk u mirëprit në popull, e veçanërisht nga intelektualë e studentë, që vepronin në kuadër të organizatave politike ilegale të kohës. Deri në vitin 1968, ndonëse të gjitha grupimet politike ilegale kishin si synim të vetin – çlirimin e Kosovës me viset tjera shqiptare dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë, pa hequr dorë nga nga ky qëllim, do të angazhohen edhe për jetësimin e opcionit të Republikës, të përfshirë këtu Kosovën dhe viset tjera shqiptare nën Jugosllavi dhe kjo u konsiderua si shkalla e parë për realizimin e bashkimit kombëtar.
Demonstratat studentore të vitit 1968 në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare
Ndonëse viti 1968 njihet si vit i lëvizjeve studentore në Europë, ku universitetet më të njohura të Francës, të Gjermanisë dhe të Anglisë u përfshinë në valën e trazirave studentore të së”majtës së re”,megjithatë ato nuk reflektuan aspak tek lëvizja studentore shqiptare e Kosovës,për faktin sepse lëvizja studentore europiane kishte karakter social,ishte lëvizje shoqërore dhe synonte një rend më të mirë shoqëror, ndërkohë që lëvizja studentore e Kosovës kishte karakter kombëtar, karakter të rezistencës kundër një robërie të egër shekullore. Në qershor 1968 shpërthyen demonstratat studentore edhe në Beograd,të cilat ndonëse u përpoqën të manifestonin jehonën e demonstratave studentore të Evropës,ato u përshkuan me kërkesa ultranacionaliste e shoviniste. Në këto rrethana u planifikuan demonstratat studentore në Kosovë.
Demonstratat e tetorit 1968 në Prizren, në Therandë (ish – Suharekë) dhe në Pejë
Demonstrata në Prizren

Në Kosovë demonstratat e inicuara nga grupimet e organizuara studentore, fillimisht shpërthyen në tetor, vazhduan në nëntor dhe përfunduan në dhjetor 1968 në Tetovë. Demonstrata e parë, pas Luftës së Dytë Botërore, u organizua më 6 tetor 1968, në qytetin e Besëlidhjes shqiptare në Prizren. Vatër kryesore e saj ishte Shkolla e Lartë Pedagogjike ”Xhevdet Doda” në këtë qytet. Në organizimin e demonstratës u shquan studentë, nxënës e arsimtarë të Gjimnazit:
1. Meriman Braha,
2. Isa Demaj,
3. Pashk Laçi,
4. Haxhi Maloku,
5. Zymer Neziri,
6. Gjergj Camaj,
7. Shpresë Elshani,
8. Simon Kuzhnini,
9. Rafet Rama,
10. Lemane Braha,
11. Pjetër Dreshaj,
12. Isë Morina etj,
ndërsa u përkrahën edhe nga intelektualë, zejtarë të qytetit dhe fshatarë të fshatrave përreth. 7
Demonstruesit e grumbulluar në afërsi të SHLP – ”Xhevdet Doda”, tek vendi Qafa e Pazarit (tani Qafa e Kishës), të prirë nga flamuri kombëtarë, që mbanin lartë vajzat Shpresë Elshani dhe Lemane Braha, marshuan në drejtim të sheshit ”Shadërvan” dhe kaluan rrugës kryesore duke brohoritur parullat:
– ”Rroftë flamuri kuq e zi!”,
– ”Rroftë populli shqiptar!”,
– ”Duajm Universitet!”,
– ”Duam barazi!” dhe
– “Kosova Republikë!”.8
Masa e demonstruesve që tashmë kishte arritur në rreth 3 mijë vetë, pas paraklalimit rrugëve të qytetit u grumbulluan në sheshin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Para demonstruesve në shesh, organizatorët: Meriman Braha, Isa Demaj e Zymer Neziri shpalosën Flamurin Kombëtar, ndërsa Haxhi Maloku e mbante në duar me krenari. Pasi iu bënë nderime drejtuesve të LSHP-së, Abdyl Frashërit dhe Ymer Prizrenit, para shtatoreve të tyre, Pashk Laçi lexoi edhe një referatë ( të përgatitur nga Zymer Neziri etj)., ku u paraqitën synimet e popullit shqiptar, që të jetojë i lirë si popujt e tjerë; t´i gëzojë të gjitha të drejtat ashtu si popujt tjerë në Federatë; të flasë lirisht kudo gjuhën e vet shqipe dhe t´i përdorë lirisht simbolet e veta kombëtare; të shkollohet në gjuhën amtare nga fillorja e deri në universitet; të ketë punë edhe për shqiptarët, në administratë të përdoret gjuha shqipe etj. 9 Masa e tubuar për të manifestuar kërkesat për barazi kombëtare, nga sheshi i lidhjes, marshuan rrugëve të qytetit për t´u kthyer mëpastaj sërish në sheshin e selisë së LSHP-së dhe nga aty u shpërndanë të qet. Gjatë tërë kohës, demonstruesit ishin nën vëzhgim të forcave të mëdha policore, të cilat për të mos eskaluar situata në përmasa të paparashikueshme, nuk intervenduan për shpërndarjen e tyre. Pas kësaj demonstrate u arrestuan disa nga organizatorët e saj, të cilët pasi u mbajtën 2-3 javë në izolim u liruan, me qëllim që të mos i jepet publicitet kësaj ngjarje të madhe historike. 10

Demonstrata në Therandë
Një demonstratë e ngjashme me këto kërkesa, do të organizohet edhe në Therandë (ish’Suharekë). Pjesëmarrësit aktivë dhe organizatorët e demonstratës së Prizrenit: Isa Demaj, Haxhi Bajraktari dhe Isa Morina, vendosën që në Therandë të mbahet demonstratë më 8 tetor 1968, pikërisht në ditën e martë, kur ishte ditë tregu në këtë qytet. Përgjegjësinë për organizimin e demonstratës, u vendos ta ketë Haxhi Bajraktari, mësues në shkollën fillore të fshatit Nishor. Ndonëse në vitin 1968, në Therandë, funksiononte paralelja e ndarë e Shkollës Normale të Prizrenit ku përgjegjës i kësaj shkolle ishte Isak Bajraktari, Haxhi Bajraktari me Isakun u morën vesh që në mesditën e 8 tetorit, të gjithë nxënësit të dilnin të organizuar në demonstratë. U vendos që në demonstratë të brohoriteshin parullat: “Kushtetutë – Republikë!”, “Duam Universitetin e Prishtinës!” dhe “Rroftë flamuri!”. Po ashtu, u vendos që flamurin ta përgatiste Haxhi Bajraktari. Ky atdhetar i ri do ta vizatojë me përkushtim të madh, me tush, shqiponjën në pëlhurën e kuqe gjatë tërë natës, duke ia mbajtur llambën e vajgurit mbi kokë për t`i bërë dritë e motra Fatimja.


Isa Demaj

Të martën, më 8 tetor 1968, nxënësit e Shkollës Normale ishin të rreshtuar para derës së shkollës. Nxënësi më i rritshëm dhe më i zhvilluar, Osman Gega, nga Studençani, u caktua të bartë flamurin kombëtar në ballë të demonstruesve. Kolona me nxënës dhe me arsimtarë u drejtua për në rrugën kryesore të qytetit. Theranda gumëzhinte nga njerëzit që kishin ardhur nga të gjitha fshatrat e rrethinës, në ditën e tregut. Pa u hamendur fare, pothuaj të gjithë iu bashkëngjitën normalistëve dhe brohoritën parullat “Republikë – Kushtetutë!”. Për disa orë, demonstruesit marshuan në rrugën kryesore të Therandës duke kënduar pandërprerë këngë për flamurin. Më në fund demonstruesit në qendër të qytetit në një shtyllë të lartë të elektrike ngritën flamurin Kombëtar. Duke parë se situata po dilte nga kontrolli dhe numri i demonstruesve po shtohej edhe më tutje, policia do të tentojë të rrëmbejë flamurin kombëtar nga shtylla ku ishte vendosur. Në këtë punë, policia do të ndihmohej edhe nga bashkëpunëtorët e UDB’së nga radhët e shqiptarëve. Por, aty pranë flamurit ishte formuar një rreth i burrave të vendosur që assesi nuk lejonte policinë të largonte flamurin nga shtylla ku ishte vendosur. Si në një roje nderi, flamurin e mbronin: Miftar Bajraktari, Veli Gashi me tre djemtë e vet, Nezir Gashi, Rrahman Kryeziu, etj. Ata, me trupat e tyre, e kishin mbështjellë vendin ku valonte flamuri ynë kombëtar. Pas një kohe të qëndrimit të demonstruesve në qendër të qytetit, ata, me flamur në ballë të kolonës, përsëri vazhduan të defilojnë nëpër rrugët e Therandës, e cila tashmë ishte nën kontrollin e demonstruesve. Ndonëse ishte gatishmëria e qytetarëve që të demonstrohej edhe më tutje, megjithatë, organizatorët e demonstratës vendosën që demonstruesit të shpërndaheshin. Ata ishin të bindur se, në këtë mënyrë, ishte shprehur publikisht dëshira dhe vullneti i shqiptarëve të Therandës, si edhe të tërë Kosovës, që të njihej statusi i Republikës së Kosovës, të lejohej përdorimi i lirë i simboleve kombëtare shqiptare, të hapej Universiteti i Prishtinës, etj. 11

( VIJON… )

_______________________
SHERADIN BERISHA: ROLI HISTORIK I DEMONSTRATAVE SHQIPTARE (TETOR – DHJETOR 1968) /I/
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2141
***
SHERADIN BERISHA: ROLI HISTORIK I DEMONSTRATAVE SHQIPTARE (TETOR – DHJETOR 1968) /II/
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2142
***
SHERADIN BERISHA: ROLI HISTORIK I DEMONSTRATAVE SHQIPTARE (TETOR – DHJETOR 1968) /III/
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2143

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura