SHERADIN BERISHA: STATUTI I LËVIZJES REVOLUCIONARE TË BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE (LRBSH) 1964/

Pashtriku.org, 12 mars 2018:
“Ҫfarë karakteri ka lufta jonë?
1. Karakter të bashkimit kombëtar,
2. Karakter të çlirimit kombëtar.
Populli ynë ende nuk mund ta quej vetëvehten komb, sepse për të mundë nji popull me u shndërrue në komb duhen plotësue – përveç tjerash – këto katër kushte themelore:
1. me qenë i bashkuem territorialisht;
2. me pasë nji treg të përbashkët ekonomik;
3. me pasë nji gjuhë të përbashkët letrare;
4. me qenë i përshkuem nga ndjenjat e dashunisë, përkatësisë dhe solidaritetit reciprok vllaznor.
Prej këtyne katër kushteve themelore, populli shqiptar i plotson vetëm dy kushte, prej të cilave, kushtin nr.3 dhe kushtin nr.4. Këto dy kushte të fundit rrjedhin dhe janë fryt historik i dy kushteve të sipërme, të kushtit nr.1 dhe nr.2, të cilat kanë qenë të plotësueme gjatë periodës së sundimit turk…” – kështu shkruan Adem Demaçi në fillim të Programit të LËVIZJES REVOLUCIONARE TË BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE.

Programi i LRBSH-së, përpilohet nga Adem Demaçi dhe Ramadan Shala, në shtëpinë e Ramadan Shalës në Pejë, më 27 – 31 janar 1964, ndërsa Statutin e ka shkruar vetë Adem Demaçi në muajin mars 1964. Me propozimin e anëtarit të organizatës Zeqir Gërvalla, Adem Demaçi pajtohet që shumëzimin e Statutit ta bëjë veprimtari Vezir Ukaj, nga Dobraja e Madhe e Lypjanit, i cili atëkohë punonte në redaksinë e revistës letrare ‘Jeta e Re’ në Prishtinë.

Në 37 vjetorin e demonstratave të pranverës 1981, pashtriku.org e boton Statutin e LËVIZJES REVOLUCIONARE TË BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE.
***
STATUTI I LËVIZJES REVOLUCIONARE TË BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
PJESA E PËRGJITHSHME

Neni I
Qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë asht sigurimi i të drejtës për vetëvendosje deri në shkëputje për viset e banueme në shumicë prej shqiptarësh, që gjinden ende nën administrimin e Jugosllavisë, d.m.th. qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë asht – çlirimi i krahinave shqiptare, t’aneksueme prej Jugosllavisë dhe bashkimin e këtyne krahinave me nanën e vet – Shqipninë.
Neni II
Lëvizja jonë, për të mbërrijtë qëllimin e naltëpërmendun, ka me përdorë të gjitha mënyrat dhe mjetet që i vijnë përdore – prej atyne politiko – propagandistike – mjete paqësore, e deri te lufta e armatosun dhe kryengritja e përgjithshme popullore – mjete jopaqësore.
Neni III
Në realizimin e të drejtës së patjetërsueshme të popullit shqiptar,për çlirim dhe bashkim. Lëvizja jonë ka me pranue, me miradije të madhe, çdo ndihmë e përkrahje të sinqertë, materiale dhe morale – prej kahdo dhe kujdo që t’i vijë e t’i afrohet.
Neni IV
Lufta jonë nuk e drejton aktivitetin dhe luftën e vet kundër Jugosllavisë dhe sistemit të saj shoqnoro – ekonomik si tanësi – por aktivitetet dhe lufta e saj do të vazhdojë, do të shkojë në atë shkallë, sa t’i çlirojë t’i bashkojë me Shqipninë krahinat shqiptare e t`aneksueme prej Jugosllavisë.
Neni V
Lëvizja jonë ka ”Programin” dhe ”Statutin” e vet.
PJESA ORGANIZATIVE
Neni VI
Anëtar i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve mund të jetë çdo kush, që tue vu interesin e përgjithshëm përpara interesit personal përpiqet e lufton me mish e shpirt, që përkrahë pa rezervë në çdo kohë e kudo që gjindet – si personalisht – tue flijue jetën e vet si materialisht, si moralisht – çashtjen e çlirimit dhe bashkimit të Shqiptarëve.
Neni VII
Në krye të Lëvizjes qëndron Komiteti Revolucionar i Bashkimit të Shqiptarëve. Zgjanimi i tij bahet me kooptim – me pëlqim të njizashëm t’anëtarëve tjerë.
Neni VIII
Komiteti Revolucionar i Lëvizjes koordinon dhe drejton aktivitetin e mbarë Lëvizjes. Emnon dhe shkarkon të gjitha organet dhe të gjithë përgjegjësitë e Lëvizjes. Vendimet e tij merren me shumicë votash dhe janë të detyrueshme për të gjithë anëtarët e Lëvizjes – kudo që të gjinden.
Neni IX
Vetëm Komiteti Revolucionar i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve ka të drejtë me plotësue ose ndryshue ”Programin” ose ”Statutin” e Lëvizjes.
Neni X
Ai që tradhton – në nji mënyrë ose në nji tjetër – ai vetveten e denon me vdekje. Komiteti Revolucionar i Lëvizjes, konstaton dhe vërteton tradhtinë e bame, njiherit merr masa edhe për zbatimin e vendimit të pafalsham.
Shkëputur nga libri ‘Dosja Demaçi’ i autorit Dr.Hakif Bajrami, Brezi’81 – Prishtinë 2003, faqe 86 – 88.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura