SOKOL BYLYKBASHI: KUSHTETUESJA POLITIKE DHE UNIVERSITETI QEVERITAR

(Prishtinë, Gusht 2012) – Gjykata Kushtetuese në një shtet që ka demokraci të konsoliduar, është institucion i respektuar, ngase garanton zbatimin në përpikëmëri të aktit më të lartë juridik. Gjykata Kushtetuese e Kosovës me vendimet e saj në çështjet e ndryshme ka dëshmuar që është përjashtim nga ky rregull. Kjo gjykatë gjithnjë e më shumë po tregohet jo profesionale e njëanshme dhe qesharake. Kushtetuesja në vend që të bëjë interpretimin dhe mbrojtjen e Kushtetutës, po bën interpretimin dhe mbrojtjen e interesave politike të partive në pushtet. Në vendimin e fundit të kësaj gjykate për mandatin e plotë të presidentes Atifete Jahjaga, ndër të tjera thuhet se: “I Gjithë populli pret që Atifete Jahjaga të jetë presidente deri në fund të mandatit”. Ky konstatim i këtij lloji kur del nga një gjykatë kushtetuese është tepër skandaloz, sepse i ngjan shumë sondazheve që i bëjnë organizatat joqeveritare. Nëse Kushtetuesja ka bërë ndonjë hulumtim për përkrahjen e presidentes në përfundimin e mandatit të saj, atëherë nuk ka dyshim që respodentët e anketuar nuk janë qytetarët por pushtetarët.
Kushtetuesja ka raste që ka shkelë rëndë Kushtetutën, duke u thirrur ne mbrojtjen e saj. Kjo shkelje është bërë me aktgjykimin për përputhshmërinë e Ligjit për fshatin Hoçë e Madhe dhe Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit me Kushtetutën. Nuk ka nevojë që të jemi juristë, për ta kuptuar që këto ligje janë në kundërshtim me kornizën juridike. Me këto ligje do të krijohen këshilla me kompetenca ekzekutive në fushën e trashigimisë kulturore, si dhe në fushën e planifikimit rural. Në këto këshille do të jetë e përfaqësuar me nga një anëtar edhe Kisha Ortodokse Serbe. Në ligjin për vetëqeverisjen lokale nuk parashihet krijimi i asnjë organi lokal jashtë kumunës, që i ndalon vendimet e kësaj të fundit.Veç kësaj, ky ligj nuk thotë që Kisha duhet të përzihet në punët e shtetit.

……………………………………………….

Me qytetin historik të Prizrenit, Kushtetuesja është marrë edhe më herët. Një ankesë që patën bërë përfaqësuesit e pakicës boshnjake dhe të asaj turke në Prizren, Kushtetuesja doli me qëndrimin se stema e Komunës së Prizrenit me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, ishte antikushtetuese. Ky vendim kundër simbolit të kësaj ngjarje shumë të rëndësishme historike ka për qëllim shkombtarizimin. Ndërkombëtarët duan që vlerat dhe ngjarjet kombëtare historike të popullit tonë të mos kenë karakter institucional, prandaj edhe kanë bërë presion në Kushtetuese që t’i hiqet Prizrenit stema që e mbante me krenari prej shumë vitesh. Kushtetuesja në të ardhmen mund të merrë vendime në favor të secilit minoritar që ankohet në simbole kombëtare të ndonjë komune.
Një vendim tjetër tërësisht jashtë praktikave demokratike i Kushtetueses, është bërë me sqarimin e çështjes se imunitetit të deputetëve. Vendimi lë të kuptohet se deputeti mund të arrestohet pa pasur një vendim të Kuvendit për heqjen e imunitetit. Ky vendim e ka cenuar rëndë statusin e deputetit si i deleguar i popullit. Qeveria dhe lideri i saj e ka shfrytëzuar këtë interpretim për eleminimin dhe shantazhimin e kundërshtarëve politik. Qeveria duke u thirrur në këtë interpretim ka përdorur policinë për të ushtruar dhunë brutale kundër deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në protestat kundër Serbisë që janë mbajtur në Merdarë dhe Dheu i Bardhë.
Kushtetuesja me rastin Kiçina është bërë hallkë e zinxhirit të padrejtësisë të ashtuquajturës “drejtësi ndërkombëtare” në Kosovë. Burim e Arsim Ramadani dhe Arben e Jeton Kiçina janë viktimat më të mëdha të fushatës së mekanizmave ndërkombëtare për t’i kriminalizuar dhe burgosur pjesëtarët e UÇK-së. Këta persona akuzohen për një vrasje të pesëfishtë pa asnjë fakt të vetëm. Filmi dokumentar ”Krimi në Drejtësi” i realizuar nga Milaim Zeka dhe i transmetuar në RTK, sjell argumente tronditëse për mbajtje në burg të personave të pafajshëm. Kushtetuesja e perligji padrejtësinë ndaj rastit Kiçina, duke e hedhë poshtë kërkesat për prishjen e dënimeve të Gjykatës së Qarkut.
Të gjitha këto dhe vendime të tjera të Gjykates Kushtetuese kanë bërë që qytetarët ta humbin besimin tërësisht ndaj këtij institucioni. Sipas një ankete të bërë pak kohë më parë nga agjensia e lajmeve “Kosovapress”, ku morën pjesë afër njëmijë respodentë, pjesa dërrmuese e tyre u deklaruan se kjo gjykatë është e korruptuar politikisht.
Pa kushtetutë që buron nga vullneti i popullit tonë dhe pa kushtetuese të pavarur prej politikës ndërkombëtare dhe vendase, ne nuk mund të kemi shtet të së drejtës dhe drejtësi kushtetuese.

UNIVERSITETI QEVERITAR

Në Kosovë publikja në kuptimin institucional ekziston vetëm formalisht, ngase praktikisht ajo është privatizuar nga pushtetarët. Institucioni më i lartë i arsimit publik në vendin tonë ështe fakti më i shpërfaqur i degjenerimit të institucioneve publike si pasojë e ndikimeve politike. Zgjedhja e rektorit të ri të Universitetit të Prishtinës, që më shumë ishte emërim politik i tij në këtë dëtyrë, është tregues i shkatërrimit të shtetit nga ata që do të duhej ta mbronin dhe zhvillonin atë.
Procesi i “zgjedhjes” se rektorit, Ibrahim Gashi në krye të UP-së, ishte tërësisht i orkestruar nga Qeveria e jonë. Pak javë para se të “zgjedhet” rektor, Gashi kishte dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet që mbante në parti dhe në Qeveri. Nuk ka dyshim që dorëheqja e tij u bë pasi që ai e dinte fare mirë që do të bëhej rektori i UP-së, pavarësisht kriterëve që kërkon kjo pozitë e rëndësishme e UP-së. Kandidatët e tjerë që ishin në këtë proces janë diskriminuar në mënyrën më eklatante, me arsyetimin se ishin më të dobët dhe iu mungonte dokumentacioni i plotë. Kandidatët që përfaqësonin integritet të lartë moral e profesional janë përjashtuar nga gjasat e barabarta për punësim dhe e drejta universale për punë.
Pozita e rektorit të UP-së doli të ishte pjesë e marrëveshjes ndërmjet partive që janë në koalicionin qeverises. Partitë që qeverisin nuk i ndajnë vetëm dikasterët qeveritare, por edhe pozitat drejtuese të institucionëve publike, duke mos e kursyer as UP-në. Këshilli Drejtues i UP-së, i cili e votoi Gashin me unanimitet të plotë përbëhet nga anëtarë që kanë lidhje shumë të afërta me qeveritarët. Duke qenë kështu, të gjithë drejtuesit e UP-së ishin të politizuar dhe, rrjedhimisht edhe të inkriminuar në aktivitete të jashtëligjshme. Nuk janë të rralla rastet kur mediat raportojnë për afera të ndryshme korruptive të udhëheqësve të lartë të UP-së. Pavarësisht kësaj, organët e drejtësisë nuk kanë bërë asgjë konkrete për t’i hetuar seriozisht këto raste.

………………………………………………

Universiteti i Prishtinës nën drejtimin e ish-rektorit, Mujë Rugova dhe paraardhësve të tij është katandisur si mos me keq. Cilësia e studimëve është dukshëm më e ulët nëse e krahasojmë me periudhën e paraluftës. Dihet që në UP mund të regjistrohesh dhe të diplomohesh nëse ke lidhje të forta me qeveritarët, pa pasur njohuritë e kërkuara me kriterët universitare. Përdërisa ka favorizime për njerëzit e fuqishëm, për studentët e rendomtë ka shumë diskriminime. Studentët përveç vështirësive financiare, ata ballafaqohen më shumë padrejtësi nga menaxhmenti UP-së. Studentët maltretohen në forma të ndryshme që nga shërbimet administrative e dëri të papërgjëgjshmëria e profesorëve në ligjerata dhe provime. Të gjitha keto kanë bërë që UP-ja të tjetërsohet nga një institucion i edukimit dhe i arsimimit në një institucion tregtar.
Ibrahim Gashi që u bë rektor i UP-së me ndikimin direkt të qeveritarëve në Këshillin Drejtues të Universitetit, do të jetë në shërbim të interesave të tyre të jashtëligjshme. Ky rektor do të thelloj kontrollin e qeveritarëve në UP. Me rritjën e ndikimit të qeveritarëve në UP, padyshim që do të rritën të gjitha dukurit negative në këtë universitët. Me një arsim pa cilësi, potencialisht do të jemi të prapambetur në çdo aspekt. Mbase qeveritarët tanë nuk duan që shoqëria e jonë të jetë e arsimuar në shkallë të gjërë. Pushtetëve të padrejta iu konvenon një shoqëri e paarsimuar, sepse vetëm kështu keqeverisje e tyre mund të jetë jetëgjatë.
Për problemet e mëdha në UP po vazhdojnë që të heshtin organizatat e shumta studentore. Organizatat studentore sikurse mekanizmat tjerë në UP janë nën ndikimin e qeveritarëve. Kjo është arsyeja që këto organizata pothuajse asnjëherë nuk e ngrejnë zërin kundër padrejtësive të shumta në UP. Misioni i organizatave studentore do të duhej të ishte organizimi i paknaqësisë së studentëve, e jo amortizimi i paknaqësisë se tyre. Përjashtim bën vetëm Lëvizja Studentore për Barazi “STUDIM KRITIKË VEPRIM”. Studentët që bëjnë pjesë në këtë organizat studentore kanë reaguar dhe kundërshtuar në forma të ndryshme padrejtësitë në UP. Në vendet demokratike studentët jo vetëm që reagojnë kur shkelën të drejtat e tyre, por edhe kur shkelën të drejtat e qytetarëve në përgjithësi. Universiteti i Prishtinës duhet të çlirohet nga çfarëdo ndikimi politik, në mënyrë që të jetë në fuksion të dijës dhe shkencës. Por kjo nuk mund të bëhet pa e pasur një qeveri saktësisht të kundërt nga ajo që e kemi tani.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura