SYLEJMAN PIREVA: NËSE JO TASH, PASTAJ DO TË JETË VONË

Prishtinë, 19. 07. 2014 – Ideja dhe gatishmëria e LVV për t’i ftuar dhe më pas përkrahur koalicionin pas zgjedhor nga tre subjektet LDK-AAK-NISMA, është sqaruar bindshëm dhe qartë nga politikanët e saj se nuk është kjo zgjidhja më e mirë që i duhet shtetit të Kosovës, “se kjo është zgjidhje e zorit”, por më e mirë dhe më e pranueshme se qeveria ‘Thaçi 3’ gjithsesi, duke pasur parasysh të bëmat dhe të pa bëmat e qeverisë ‘Thaçi 2”, e cila do të mbahet mend për pasojat që i ka sjellë vendit. Kjo i bie që nga dy të këqija, të përcaktohesh për të keqen më të vogël, e jo sipas deklarimit dëshpërues dhe plot pezëm të kryeministrit në ikje, kinse koalicioni opozitar është formuar për inat të vetë atij! Kjo nuk pi ujë fare!
Kushtëzimet e VETËVENDOSJE-s
Kushtet e LVV drejtuar koalicionit të lartpërmendur nuk ishin dhe nuk janë diçka e papritur për të, kur të kihet parasysh që këto janë në përputhje të plotë me qëndrimin, konceptin dhe vizionin e kësaj Lëvizjeje. Prandaj, është për t’u habitur se sa kollaj është kuptuar dhe pranuar mbështetja e VETËVENDOSJE-s për formimin e koalicionit nga këto tri subjekte, pa e vrarë shumë mendjen se qysh do t’ia dalin për t’i plotësuar kushtet e parashtruara? E nëse veç u ka shkuar mendja se VETËVENDOSJE pas një kohe do të zbusë qëndrimin dhe do të lëshojë pe, atëherë po del se ia paskan huqur keq. Vendosmëria e VETËVENDOSJES, si një tipar dhe si virtyt i saj, është pikërisht kjo që e shquan dhe e dallon nga të gjithë subjektet e tjerë në skenën tonë politike.

LDK-AAK-Nisma dhe VV me marrëveshje para seancës konstituive.

Kurti: Nuk mund të vazhdojmë me takime pa marrëveshje të shkruar.

Momenti historik
Kjo që kërkon dhe insiston LVV, nuk është pse asaj kjo i është tekë, por ka të bëjë pikërisht me interesin e vendit që nuk pranon të bëhet pazar me të, të cilin nuk ka çmim që mund ta mbulojë! Bile konsideroj se është momenti i duhur dhe i përshtatshëm për t’u shfrytëzuar kjo mu tash si një moment historik. Rrethanat e brendshme politike, posaçërisht, të krijuara aktualisht janë të tilla që nuk përsëriten aq shpesh dhe aq lehtë. Çdo përpjekje tjetër e këtij koalicioni tre palësh për t’iu shmangur pranimit të këtyre kushteve, do të nënkuptonte ruajtjen dhe vazhdimin e status-quos-së së gjertanishme, e që është e papranueshme. Atëherë me çka mund ta dallojë veten ky koalicion nga qeveria në ikje?! Publikisht u bë e njohur vetëm pas mbajtjes së Kuvendit të pestë se një natë përpara koalicioni LDK-AAK-NISMA kishte arritur marrëveshjen me kushtet e parashtruara të VETËVENDOSJE-s, por që, çuditërisht, në mëngjes bëhen pishmanë dhe heqin dorë prej saj! Kushedi se çfarë uragani i kishte përla përpara!… Kjo me siguri do të merret vesh një ditë… Megjithatë, siç është bërë e ditur, është mirë që ka ende edhe pak kohë dhe shpresë që marrëveshja e arritur të mërkurën natën vonë të mos jetë e dështuar, pasi kjo nuk është e përfunduar dhe mund të vazhdojnë bisedimet edhe më tej, prandaj ndoshta dhe nënshkrimi i saj.
Dy objektivat e VETËVENDOSJE-s
Lëvizja Vetëvendosje, duke përkrahur koalicionin LDK-AAK-NISMA, kishte si pikësynim arritjen e dy objektivat relevantë: pamundësinë e kthimit të qeverisë “Thaçi 3’ dhe korrigjimin e gabimeve fatale për shtetin e Kosovës gjatë mandatit të kaluar nga i njëjti njeri! Prandaj është e çuditshme se si ky koalicion shfaq mëdyshjet e tij dhe heziton ta nënshkruajë marrëveshjen e kushtëzuar nga LVV, thua se përfaqësuesit e saj nuk janë vëllezër me ta dhe nuk i përkasin të njëjtit popull dhe thua se nuk janë të vetëdijshëm se për çfarë bëhet fjalë. E kuptoj në një masë mëdyshjen e këtij koalicioni se arritja e kësaj marrëveshjeje nuk është e lehtë për t’u proceduar dhe duhet djersitur goxha fort për të arritur rezultatet e pritura, por asnjë punë e vlefshme nuk arrihet lehtë dhe pa u djersitur goxha fort. E nëse ky koalicion e do ardhjen në pushtet sa për t’u rehatuar dhe akomoduar për shtatë palë qejfe, atëherë kjo nuk na duhet dhe më mirë mbetshim pa të!
Maratona e VETËVENDOSJE-s
Siç mund të kemi vërejtur, LVV nuk është e përvëluar si subjektet e tjera që të bëjë çmos për të ardhur në pushtet, nëse paraprakisht nuk janë arritur dhe as nuk janë krijuar kushtet për t’i sjellë shumëçka të mirë vendit dhe popullit të vet, e që deri më tash i kanë munguar dhe vazhdojnë t’i mungojnë shumëçka prej tyre. Dhe jo për ndonjë arsye tjetër, por pikërisht për shkak të mungesës së një qeverie të hairit që mendon dhe punon për të. Se është kështu, kjo është dëshmuar katërçipërisht dhe nuk do koment. VETËVENDOSJE që nga fillimi ka qenë e përgatitur për një maratonë më të gjatë të pritjes për të ardhur në pushtet mu për këto arsye: që programi i konceptuar sipas vizionit të saj do një strategji dhe kohë dhe nuk arrihet shpejt e lehtë, por që edhe zgjedhja e çdo rruge tjetër më të shkurtër, bie në kundërshtim me interesat e Republikës dhe popullit të saj. Kjo po vërtetohet çdo ditë e më tepër dhe sa më shpejt që të arrihet kjo, më mirë do të jetë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura