ËSHTË I ÇUDITSHËM PRESIONI I AMBASADORIT HILL PËR THEMELIMIN E ASOCIACIONIT, SI NJË KRAHINË AUTONOME E SERBËVE NË KOSOVË!

ËSHTË I ÇUDITSHËM PRESIONI I AMBASADORIT HILL PËR THEMELIMIN E ASOCIACIONIT, SI NJË KRAHINË AUTONOME E SERBËVE NË KOSOVË!

Nga Sheradin Berisha, Facebook 11.12.2022 – Pashtriku 13. 01. 2023

“Shqiptarët në Kosovë duan të shohin se sa hapësirë ​​kanë për ndërkombëtarizimin e çështjeve të tyre, por Serbia thotë se serbët kanë jetuar atje me shekuj dhe Serbia dëshiron të shohë se çfarë të ardhme do të kenë, dhe kjo bie në çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pra të shihet se çfarë strukturash mund të formohen që serbët në Kosovë ta dinë se çfarë i pret.” Kështu ka deklaruar ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, në emisionin “Intervistë” për televizionin serb “Insajder”.

Me këtë rast Ambasadori Hill shprehet se Albin Kurtit ia kemi bërë të qartë se s’ka marrëveshje tjera pa zgjidhjen e çështjes së të drejtave kolektive të serbëve në Kosovë.

“Ai do të duhet të flasë me negociatorët në Evropë, ndërsa amerikanët dhe BE-ja i kanë thënë qartë se duhet të zgjidhë çështjen e të drejtave kolektive të serbëve në Kosovë. Jini të sigurt se nuk do të ketë marrëveshje të mëtejshme derisa ta zgjidhim këtë çështje”, ka thënë Hill në “TV Insajder”.

SI MUND TË REALIZOHEN TË “DREJTAT KOLEKTIVE TË SERBËVE NË KOSOVË”?

– Të drejtat kolektive të tyre mund të realizohen vetëm përmes bashkimit dhe administrimit politik të Komunave serbe, si Bashkësi e Komunave me shumicë serbe, në nivelin e një Krahine Autonome të Serbëve në Republikën e ngritur mbi rezolutën 1244 dhe pakon e Ahtisarit, e jo mbi gjakun e Adem Jasharit.

Rrjedhimisht ambasadori Hill këmbëngulë hapur e pa hezitim “se nuk do të ketë marrëveshje të mëtejshme derisa ta zgjidhim këtë çështje”.

Insistimi për formimin e një Bashkësie (Zajednice) që i ngjanë statusit politiko – juridik të një Krahine Autonome, në Republikën e Kosovës ahtisariane është sa i çuditshëm aq dhe i dëmshëm! Pse? Sepse më kujton statusin politiko-juridik të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK-u) në periudhën e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë – RSFJ-së (1946 – 1989) të Tito – Rankoviçit – Millosheviçit!

Me Pakon e Ahisarit statusi i Kosovës më ngjanë të jetë i dizajnuar duke u bazuar pikërisht në Kushtetutat e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ), në atë të Republikës së Serbisë (RSS) dhe të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) të viteve 1946, 1963 dhe 1974.

ÇFARË STATUSI KISHTE KOSOVA (KSAK) NË JUGOSLLAVINË (RSFJ-në) E VITEVE 1945 – 1989?

1. Pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova me Kushtetutën e parë të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë (RFPJ), të miratuar më 31.01.1946, u definua si njësi autonome territoriale – administrative brenda Republikës Socialiste të Serbisë e quajtur «Obllast Kosovo i Metohije (OKM)» – «Qarku Autonom i Kosovës dhe Metohisë (QAKM)».

2. Me Kushtetutën e 07.04.1963, RFPJ shndërrohet në Republikë Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ), ndërkaq Kosova me Statut shpallet si Krahinë Autonome e Kosovës dhe Metohisë (KSAKM). Konkretisht ky Statut Kosovën e përkufizonte si bashkësi shoqërore e politike në kuadër të Republikës së Serbisë, e themeluar si Obllast (Qark) me një Vendim të miratuar nga Kuvendi i Serbisë, në fund të vitit 1945.

3. Në gjysmën e dytë të vitit 1968, filluan diskutimet për ndryshimin e Kushtetutës Federative dhe të kushtetutave të republikave (të vitit 1963) dhe në fund të këtij viti u formuluan disa amendamente kushtetuese. Në Amendamentin VII thuhet se krahinat autonome (i Vojvodinës dhe Kosovës) u takojnë Republikës së Serbisë edhe Federatës së Jugosllavisë. Me Nenin 1 të Kushtetutës së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) të datës 27 shkurt 1974, Kosova definohet si bashkësi shoqërore politike, (me lidhje hibride politiko – juridike). Konkretisht thuhet se Kosova është njësi integrale e Republikës Socialiste të Serbisë (RSS-së) dhe njësi konstituive e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ-së).

Saktësisht Kosova atëkohë kishte këtë status, dhe aktualisht mbi këto premisa juridiko – politike po përpiqen të imponojnë themelimin e Asociacionit, si Krahinë Autonome për serbët e Kosovës.

NOMINIMI I DIPLOMATIT CHRISTOPHER HILL PËR AMBASADOR TË SHBA-ve NË BEOGRAD NUK ISHTE I RASTËSISHËM!

Në tetor të vitit 2021 diplomati i shquar amerikan, Christopher Hill u emërua ambasador i ShBA-ve në Serbi, dhe emërimi i tij nuk ishte i rastësishëm. Gjatë luftës në Kosovë (1998 – 1999) Zoti Hill ishte ambasador i ShBA-ve në Shkup dhe roli i tij gjatë luftës në Kosovë ishte i madh.

Christopher Hill, të enjten e 31 marsit 2022 ka nisur punën e ambasadorit të SHBA-ve në Serbi:

Ekspert i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Shtetet e Bashkuara, Charles Kupchan në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka folur për emërimin e diplomatit Hill si ambasador në Beograd. Sipas tij, Christopher Hill, i nominuari i presidentit amerikan, Joe Biden, për ambasador në Serbi, është njeri me përvojë të jashtëzakonshme në Ballkan dhe nam të madh në Uashington, si dhe me shumë peshë në qarqet diplomatike.

Me këtë rast eksperti Kupchan ka folur edhe për prioritetet e Christopher Hill-it që do t’i ketë gjatë punës së tij në Serbi dhe rajon.

“Do ta ketë një agjendë të gjerë. Marrëdhënia me Kosovën do të zë pjesën më të madh, por gjithashtu edhe përfshirja ruse në Serbi, më pas ekonomia ruse dhe nevoja për ta bartur Serbinë në drejtimin e duhur, jo vetëm në aspektin politik, por edhe atë ekonomik. Marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë besoj se do ta dominojë mandatin e tij, për aq kohë sa ekziston si çështje në rajon dhe që vazhdon të krijojë tensione në mes të shqiptarëve dhe serbëve etnikë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në linja kufitare në Maqedoni të Veriut. Mendoj se kjo çështje është e vështirë, por që do të ndihmojë në përmirësim të marrëdhënieve në rajon.

Fillimisht, Christopher Hill, i njeh lojtarët dhe do të ketë marrëdhënie personale të fuqishme me disa prej figurave të rëndësishme në rajon. Dhe kjo është gjë e mirë për fillim. Nuk do t’i duhet të krijojë lidhje. Së dyti, ai është njeri me përvojë të jashtëzakonshme dhe ka shumë kredibilitet në Uashington. Kjo nënkupton se ai do të ketë qasje të drejtpërdrejtë jo vetëm te Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, por edhe në Shtëpi të Bardhë dhe lojtarë tjerë kyçë. Ai ka shumë peshë në qarqet diplomatike. Ai ka shumë përvojë brenda Departamentit të Shtetit. Ka qenë edhe jashtë për një kohë dhe ka krijuar reputacion si komentator i zgjuar, si dhe analist. Ai është një prej individëve më me përvojë dhe reputacion të lartë dhe mendoj që ky është lajm i mirë për Serbinë.” ka thënë z.Charles Kupchan për REL. 

***

Për emërimin e Hillit si ambasador i ShBA-ve në Serbi ka folur edhe ish-kryeministri i Serbisë, Nikola Shainoviç për “Kosovo Online”. Shainoviç thotë se emërimi i ambasadorit të ri amerikan në Serbi, Christopher Hill dhe biseda me të mund të sqarojë më lehtë se cilat janë synimet e qeverisë amerikane në rrjedhën e mëtejshme të dialogut Kosovë -Serbi.

Ai me emërimin e ambasadorit Hill paralajmëron aktivitete të detajuara nga administrata amerikane e Joe Biden në procesin e negociatave me Kosovën.

“Kur një njeri i tillë vjen sot si ambasador, atëherë në një bisedë me të nuk mund të niseni nga formulimi “a e dini”, por me formulimin “siç e dini”, sepse ai ishte atje dhe diplomatikisht dhe i njeh faktet”, ka thënë Shainoviç për “Kosovo Online”.

Ai theksoi se Hill e kupton se cila është politika e qeverisë së tij, se kjo është karakteristika themelore e një ambasadori dhe se faktori personal nuk është vendimtar, por se të folurit e Hill mund të sqarojë më lehtë se cilat janë synimet e qeverisë amerikane në rrjedhën e mëtejshme të dialogut Serbi – Kosovë.

“Ne shumë shpejt do të shohim se çfarë do të ndodhë pas mbërritjes së tij. Përshtypja e përgjithshme është se administrata amerikane dëshiron menjëherë aktivitete të detajuara dhe të gjera, sepse përndryshe Hill do të ishte këshilltar, dhe nuk do ta zëvendësonte ambasadorin ekzistues i cili tashmë është në Serbi”, tha ai.

Shainoviq deklaroi se Hillin e njeh mirë personalisht sepse ka bashkëpunuar gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, përgatitjen e Marrëveshjes së Dejtonit dhe pas Dejtonit për zbatimin e asaj marrëveshjeje, dhe më vonë në vitet 1997 – 1999 për problemet mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka kujtuar se gjatë vitit 1998 Ambasadori Hill ka punuar edhe draftet e quajtur Hill 1, Hill 2 dhe Hill 3, për statusin e një autonomie të Kosovës në kuadër të Republikës së Serbisë.

PËRFSHIRJA E AMBASADORIT HILL NË NEGOCIATAT E FSHEHTA SHBA – SERBI PËR STATUSIN DHE SIGURINË E KOSOVËS NË KUADËR TË SERBISË!

Ambasadori amerikan në Shkup Christopher Hill gjatë vitit 1998 ka qenë i përfshirë edhe në negociatat e fshehta me Beogradin për statusin politik dhe të sigurisë të Kosovës në kuadër të Republikës së Serbisë.

Për negociatat e fshehta SHBA – Serbi për herë të parë ka folur për javoren serbe ‘Nedeljnik’, profesori i së Drejtës Kushtetuese të Serbisë, Vladan Kutleshiç.

Ai ka deklaruar se negociatorët nga pala serbe ishin: presidenti i Serbisë, Milan Milutinoviç, dhe personalisht ai në cilësinë ekspertit të së Drejtës Kushtetuese të Serbisë, ndërsa nga pala amerikane ishin: Këshilltari special i Sekretares së Shtetit Madeleine Albright, Jim O’Brien dhe ambasadori amerikan në Shkup, Christopher Hill.

“Negociatat e fshehta me amerikanët mbi statusin e Kosovës u mbajtën në Beograd edhe para Konferencës së Paqes në Rambuje, e cila dështoi dhe çoi në bombardimet e Serbisë.” ka thënë Vladan Kutleshiç.

Profesori Vladan Kutleshiç, si ekspert i së Drejtës Kushtetuese, së bashku me Këshilltarin e M.Albright, Jim O’Brien në Beograd kanë përpiluar një dokument me përmbajtje politike (për statusin e një autonomie) për Kosovën, ndërsa një dokument tjetër, me natyrë ushtarake, lidhur me aksionin ushtarako-policor serbë në Kosovë, u përgatit nga presidenti serb Milan Milutinoviç, së bashku me ambasadorin amerikan Christopher Hill.

Zoti Kutleshiç e kujton shumë mirë bashkëpunimin e ambasadorit Hill me presidentin Milutinoviç.

“Ambasadori Hill iu drejtua Milutinoviçit me shumë përzemërsi, mirëkuptim dhe këshilla se si të kryhej veprimi në Kosovë, por në të njëjtën kohë ai vendosi kufizime ndaj tij të përfshira në rregullat e OSBE’së për konfliktet e brendshme.” kujton Kutleshiç.

Dhe pastaj e dëgjoj, mund të citoj atë që dëgjova: “Milan, ne nuk duhet të jemi të gjelbër në fushë, vetëm blu. Do të thoshte që ne nuk ishim ushtria për të qenë atje, por policia. ‘Nëse nuk ka blu sa duhet, pikturojeni atë në të gjelbër në blu’. ‘Asnjë aviacion, asnjë helikopter,’ asnjë tank, asnjë BPR, asgjë mbi 80 mm ‘. Këto ishin rregullat e OSBE-së që amerikanët kërkuan të respektoheshin” – tregon Kutleshiç.

Më gjerësisht lexoni këtu:

SI U ZHVILLUAN NEGOCIATAT E FSHEHTA SHBA – SERBI PËR KOSOVËN, GJATË LUFTËS 1998 – 1999?!

***

https://www.facebook.com/1125324528/posts/10221519858442248/

***

SI PËRFUNDIM

Në këtë kohë kur është intensifikuar procesi i dialogut Kosovë – Serbi, dhe po shtohet presioni për themelimin e Asociacionit si Krahinë Autonome e Serbëve në Kosovë, nuk është i rastësishëm përfshirja aktive e  ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill. Ashtu siç nuk ishte i rastësishëm as emërimi i ish presidentit finlandezë, Martti Ahtisaari, (në fund të vitit 2005) si i dërguar special i Kombeve të Bashkuara për përmbylljen e Statusit të Kosovës, gjatë procesit të negociatave në Vjenë (2006 – 2007), i cili gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s (maj – qershor 1999) së bashku me diplomatin amerikan, Strobe Talbott dhe diplomatin rus, Viktor Chernomyrdin zhvilluan bisedime të fshehta dhe publike me Kriminelin Sllobodan Millosheviç, për pranimin e kushteve të Grupit të Kontaktit (sot shtetet e Quintit) në krye me SHBA-të…

___________ 

VERIU BOMBË E KURDISUR!

Total
0
Shares
1 comments
  1. I’ve been browsing online more than 3 hours lately, yet I neer found any
    attention-grabbing article like yours. It is
    lovely worth sufficient for me. Personally, if all webmasters and bloggers made good content material as you did, the web
    can be a lot more useful than ever before.

    Here is myy web blog: Bbs.Boway.Net

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura