TRI RRYMAT POLITIKE SHQIPTARE NË KOSOVËN E PAS LUFTËS SË DYTË BOTËRORE …

Tri rrymat politike shqiptare në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore dhe mësimi që mund të nxjerrim prej tyre

Nga Fatmir Lekaj

Hyrje

Përpjekjet për avancimin politiko-kulturor dhe çlirimin e Kosovës (Pas Luftës së Dytë Botërore), kryesisht karakterizohen nga ndikimi i tri rrymave politike: revolucionarëve, institucionalistëve dhe akademikëve. Kjo ndarje tipologjike nuk nënkupton se këto tri rryma politike nuk kanë pasur edhe karakteristika të tjera që i dallojnë. Njëkohësisht, nuk nënkupton se nuk kanë pasur asnjë karakteristikë të përbashkët sepse në kuadër të këtyre tri rrymave politike ka pasur (më pak dhe më shumë) edhe personalitete që mund të cilësohen edhe si intelektuale etj. pavarësisht prej dallimeve kryesore, si revolucionarë, institucionalistë dhe akademikë.[1] Me fjalë të tjera, ndarja tipologjike në kuadër të shkencave shoqërore bazohet në dallimet dhe ngjashmëritë sistematike dhe, si e tillë, edhe pse është thjeshtëzim i kompleksitetit empirik, megjithëkëtë është e dobishme për t’i kuptuar/shpjeguar më mirë fenomenet shoqërore. Për më tepër, tipologjitë, nocionet modelet etj. janë konstruksione teorike (syze) nëpërmes të cilave studiojmë fenomenet shoqërore etj. Rrjedhimisht, në vijim mëtoj ta shtjelloj shkurtimisht ndarjen tipologjike në mes të tri këtyre rrymave politike, duke u fokusuar në dallimet e tyre kryesore si revolucionarë, institucionalistë dhe akademikë, përfshirë edhe mësimin që mund të nxjerrim prej tyre.

Revolucionarët identifikohen me veprimtarinë e grupeve klandestine revolucionare të inkurajuara nga Adem Demaçi, Metush Krasniqi, Ahmet Haxhiu, Kadri Osmani, Hyrie Hana, Mehmetriza Murtezani, Regjep Gali Balidemaj, Rafi Halili etj. Kjo veprimtari e grupeve klandestine revolucionare rezultoi, përveç të tjerash, edhe me organizimin e demonstratave të vitit 1968, ku ra dëshmor Murat Mehmeti dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

Njëherësh këto demonstrata e patën një lloj ndikimi të tërthortë në kuadër të një procesi politik që kishte filluar në udhëheqjen jugosllave në vitin 1966, që rezultoi edhe me ndryshimet kushtetutare duke përfshirë Kushtetutën e Kosovës në vitin 1974. Në këtë vazhdë, veprimtaria revolucionare e grupeve klandestine edhe pse pësoi goditje, pas demonstratave të vitit 1968 (burgosje dhe tortura të pjesëtarëve të vet), u fuqizua gjatë viteve ’70, duke përfshirë edhe shtypin klandestin që disa nga këto grupe klandestine arritën ta botonin dhe ta shpërndanin (“Zëri i Kosovës” etj.), duke ndikuar kështu edhe si një ndër faktorët kryesor për shpërthimin e demonstratave të fuqishme të vitit 1981, me kërkesën kryesore: “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë”.

  • Drejtuesit e organizatave: Adem Demaçi, Metush Krasniqi, Kadri Halimi dhe Ali Aliu

Demonstratat e vitit 1981, përveçse ishin edhe më të fuqishme sesa demonstratat e vitit 1968, reagimi i pushtetit serb ndaj këtyre demonstratave ishte edhe më brutal. Forcat policore plagosën qindra demonstrues, ndërsa dëshmorë ranë: Naser Hajrizi, Asllan Pireva, Xhelal Maliqi, Salih Abazi, Salih Zeka, Ruzhdi Hyseni, Rizah Matoshi, Sherif Frangu, Nesimi Dervishdana, Salih Maloku, Afrim Abazi, Ibrahim Krasniqi etj. Kështututje, në kuadër të përpjekjeve për transformimin e Krahinës së Kosovës në Republikën e Kosovës, një pjesë e konsiderueshme e grupeve revolucionare klandestine rezultuan në vitin 1982, me themelimin e LPK-së, që si organizatë, fillimisht nga viti 1982, njihet si Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRShJ), pastaj si Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), e nga viti 1993 njihet si Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK).[2]

Për dallim nga dy rrymat e tjera politike (institucionalistët dhe akademikët), revolucionarët zgjodhën një rrugë më të vështirë për çlirimin e Kosovës, dhe si idealistë që ishin, në vazhdën e përpjekjeve për çlirimin e Kosovës dhe Bashkim Kombëtar, ishin luajalë ndaj vendit amë (Shqipërisë Londineze) sepse, pa ndihmën, në radhë të parë të Shqipërisë Londineze (pavarësisht prej sistemit politik), ishte i paparamendueshëm çlirimi dhe realizimi i Republikës së Kosovës drejt Bashkimit Kombëtar dhe për këtë, koha i dha goxha të drejtë. Gjithashtu, pushteti në Shqipërinë Londineze vendosi t’i përkrahë publikisht kërkesat e demonstruesve shqiptarë në Kosovë në vitin 1981, njëherësh në kuadër të kësaj përkrahjeje përpiqej ta kontrollonte veprimtarinë revolucionare të grupeve klandestine të shqiptarëve në Jugosllavi, me “përgjegjësinë e kalkulimit real-politik” që kishte si pushtet/shtet amë.[3] Pra në rrethanat që vepronin dhe si idealistë që ishin, veprimtarët e grupeve revolucionare klandestine s’kishin alternative tjetër, dhe në këtë kuptim enverizmin e kishin më shumë mjet politik sesa ideologji (përveç ndonjë shembulli/shembujve të izoluar). Këtë e vërteton edhe fakti se pas shembjes së murit të Berlinit, LPK-ja jo vetëm se u distancua nga enverizmi, por e hoqi/shfuqizoi edhe pararojën – marksiste leniniste si organ udhëheqës i LPK-së, ndërsa përpjekjet për çlirimin e Kosovës i vazhdoi. Madje ka pasur zëra edhe më herët, në kuadër të LPK-së (para shembjes së murit të Berlinit), për heqjen/shfuqizimin e pararojës marksiste leniniste. Në këtë kuadër ndikim të veçantë ka pasur mendimi kritik i Adem Demaçit ndaj Enver Hoxhës, pas daljes së tij nga burgu, përkatësisht pas vizitës së parë që i bëri Shqipërisë. Për më tepër, një dëshmi e rëndësishme se LPK-ja në vazhdimësi kishte si qëllim parësor çështjen kombëtare mbi çdo ideologji, e ilustron shembulli i një ndër themeluesve kryesorë të LPK-së, Jusuf Gërvallës, i cili në një intervistë të realizuar para demonstratave të vitit 1981, përkatësisht në vitin 1980, e publikuar më 20 janar 1982 në gazetën gjermane “Tagische Zeitung”, në njërën nga pyetjet e gazetarit të kësaj gazete, se a do ta kërkonit bashkimin me Shqipërinë, pavarësisht se në Shqipëri mbretëron sistemi radikal komunist, radikal demokratik ose një sistem i së drejtës? Jusuf Gërvalla përgjigjet: Pavarësisht nga çfarëdo sistemi![4]

Institucionalistët

Insititucionalistët identifikohen me udhëheqjen institucionale të shqiptarëve në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore. Përkatësisht me Partinë Komuniste të Kosovës, e njohur më pastaj me emrin Lidhja Komuniste e Kosovës, dhe me institucionet politike të Kosovës: Kuvendin e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, Kryesinë e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, Këshillin e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, Këshillin Ekzekutiv të Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës etj. Disa nga këta udhëheqës institucionalistë, duke qenë të shqetësuar vetëm për karrierën e tyre në kuadër të institucioneve udhëheqëse (duke përfshirë edhe institucionet udhëheqëse federative jugosllave), nuk kanë dhënë ndonjë kontribut për të ardhmen politike të Kosovës. Përkundrazi, shpeshherë kanë qenë të dëmshëm, duke iu nënshtruar krejtësisht qasjes shtypëse dhe diskriminuese të politikës serbo-jugosllave ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe ndaj shqiptarëve në viset e Kosovës. Ndërsa një pjesë tjetër e konsiderueshme e udhëheqësve institucionalistë: Fadil Hoxha, Imer Pula, Veli Deva, Xhavit Nimani, Rezak Shala, Iljaz Kurteshi, Mahmut Bakalli etj., përveç të tjerash, e kanë dhënë kontributin e tyre në kuadër të procesit politik që filloi në udhëheqjen jugosllave në vitin 1966 dhe që rezultoi edhe me ndryshimet kushtetutare, duke përfshirë Kushtetutën e Kosovës në vitin 1974. Dhe në ato rrethana që gjendeshin dhe vepronin si establishment real politik i Kosovës (përkatësisht në atë situatë politike që kishte mbetur Kosova pas Luftës së Dytë Botërore), si alternativë të vetme e kishin përdorimin e titizmit si mjet në përpjekjet e tyre për t’i forcuar deri në një masë institucionet politike të Kosovës dhe për t’i amortizuar goditjet/qëllimet neofashiste të Serbisë karshi Kosovës. Në këtë kuptim, institucionalistët e kishin titizmin më shumë mjet politik sesa ideologji (përveç ndonjë shembulli/shembujve të izoluar). Megjithëkëtë, gjatë këtij procesi dhe në vazhdimësi, përkushtimi i kësaj pjese të institucionalistëve ka qenë i karakterizuar nga një rezistencë pasive, në kuptimin se nuk kanë qenë proaktivë në kuadër të përpjekjeve për transformimin e Krahinës së Kosovës në Republikën e Kosovës[5], edhe pse kishte pengesa reale për këtë transformim. Në lidhje me këtë, historiani Noel Malcolm rendit “tri pengesa” kryesore që e pamundësuan Kosovën të avancohet në Republikë në vitin 1974. Pengesa e parë ishte teorike, e bazuar në doktrinën komuniste të zhvilluar në Bashkimin Sovjetik që, në fakt, ishte edhe gurthemel i federatës jugosllave dhe nënkuptonte se republikat ishin entitete për “kombet” dhe jo për “kombësitë”. Ky kriter teorik s’respektohej plotësisht. Për shembull, popullata rumanishtfolëse e Moldavisë që kufizohej me Rumaninë e kishte republikën e vet në kuadër të Bashkimit Sovjetik. Pengesa e dytë praktike nënkuptonte se Kosova si republikë formale do të mund t’i bashkohet Shqipërisë. Pengesa e tretë politike nënkuptonte se avancimi i Kosovës në republikë formale do të krijonte indinjatë të madhe te serbët në Serbi dhe te serbët në Kosovë.[6]

  • Triada titiste: Fadil Hoxha, Veli Deva dhe Ali Shukrija, të cilët me përkushtim për Jugosllavinë e AVNOJ-it

Vlen të theksohet se për dallim të institucionalistëve, revolucionarët, përkatësisht veprimtarët e grupeve revolucionare klandestine si idealistë që ishin dhe duke marrë parasysh përvojat e hidhura historike të popullit shqiptar në Jugosllavi, (para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore) ishin shumë të motivuar në përpjekjet e tyre për ta transformuar Krahinën e Kosovës në Republikën e Kosovës, si një hap i domosdoshëm për sigurinë politike të shqiptarëve në Kosovë (që do të shërbente edhe për sigurinë politike të shqiptarëve në viset e Kosovës), njëkohësisht si një parakusht për bashkimin kombëtar të shqiptarëve në të ardhmen. Për këtë arsye, veprimtarët e grupeve revolucionare klandestine s’u magjepsën shumë nga ndryshimet politike që solli Kushtetuta jugosllave e vitit 1974 sepse këto ndryshime që rezultuan edhe me Kushtetutën e Kosovës në vitin 1974, nuk e zgjidhnin çështjen politike të shqiptarëve në Jugosllavi. Madje në kuadër të këtyre ndryshimeve pozitive të barazisë etnike në Kosovë, rezultuan edhe efektet negative sepse shqiptarëve u imponohej dhe u mundësohej më së shumti mobilizimi në radhët e partisë. Sipas Malcolmit, “… pabarazia e përgjithshme në punësimin publik asnjëherë nuk u përmirësua: më 1980 llogaritej se çdo i pesti serb kishte rrogë shtetërore, kurse çdo i njëmbëdhjeti shqiptar merrte rrogë shtetërore. Aty ku shqiptarët bënë përparimin më të madh ishte hyrja e tyre në radhët e partisë dhe të administratës lokale”.[7] Rrjedhimisht, rekrutimi masiv i shqiptarëve në Lidhjen Komuniste, dhe privilegjet e pozitave partiake dhe burokratike, përveç anës pozitive, bartnin me vete imponimin, presionin dhe indoktrinimin, në kuptimin e lojalitetit dhe servilitetit ndaj Jugosllavisë dhe titizmit. Në këtë vazhdë rezultoi strategjia “përçaj dhe sundo” nga shërbimi i sigurisë shtetërore jugosllave, i dominuar nga Serbia (UDB), që nëpërmes privilegjeve, shantazheve dhe presioneve, përdorte një pjesë të shqiptarëve, për ta luftuar veprimtarinë revolucionare të grupeve klandestine. Padyshim se përparimi kulturor-politik i shqiptarëve në Kosovë gjatë fundviteve ’60 dhe fillimviteve ’70, duke përfshirë Kushtetutën e Kosovës në vitin 1974, ishte një e arritur e madhe. Por, njëkohësisht, nuk ishte ndonjë garanci e zgjidhjes së çështjes shqiptare në Jugosllavi sepse Kosova nuk kishte evoluar në një republikë formale që do të mund t’u garantohej një siguri politike shqiptarëve në Jugosllavi, edhe pas vdekjes së Titos, i cili prioritet parësor kishte pushtetin dhe stabilitetin politik dhe jo të ardhmen politike të shqiptarëve në Jugosllavi. Madje edhe përafrimi i Titos me Enver Hoxhën ishte strategjik. Malcolm konstaton se pajtimi i Jugosllavisë me Shqipërinë kishte të bënte se Tito ishte frikësuar paraprakisht nga pushtimi i Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik dhe kishte nevojë për të gjitha shtetet antiruse në Ballkan. Shqipëria në këtë periudhë kohore i kishte të prishura marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe nuk merrte subvencione nga sovjetikët. Rrjedhimisht, në fillimvitin 1969 rezultuan marrëveshjet tregtare në mes të Jugosllavisë dhe Shqipërisë dhe, pas disa muajsh, edhe marrëveshja në bazë të së cilës erdhën (gjatë fillimviteve ’70), rreth 200 profesorë nga Shqipëria për të ligjëruar në Universitetin e Prishtinës, duke përfshirë përdorimin e teksteve të botuara në Shqipëri.[8]

Gjatë fillimviteve ’80 filloi gradualisht edhe zhbërja e rrymës politike institucionaliste të shqiptarëve të Kosovës. Në fakt, pas demonstratave të vitit 1981, dy nga udhëheqësit institucionalistë më me ndikim në Kosovë, Mahmut Bakalli dhe Fadil Hoxha, dhanë “dorëheqje”, ndërsa pasardhësit e tyre më me ndikim që kishin mbetur, ishin Azem Vllasi dhe Kaqusha Jashari. Në vitin 1989, me urdhër të Millosheviqit, u arrestua edhe Azem Vllasi për “veprimtari kundërrevolucionare”.

Akademikët

Akademikët identifikohen me veprimtarinë në kuadër të institucioneve shkencore – kulturore të Kosovës: Institutin Albanologjik (1967), Entin e Historisë (1967), që më pastaj evoluoi në Institutin e Historisë së Kosovës, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (1975), veçanërisht me Universitetin e Prishtinës. Disa ndër drejtuesit kryesorë dhe me më ndikim të kësaj veprimtarie kanë qenë: Fehmi Agani, Idriz Ajeti, Rexhep Qosja, Ali Hadri, Esad Mekuli, Dervish Rozhaja, Gazmend Zajmi, Ejup Statovci, Anton Çeta, Mark Krasniqi, Ibrahim Rugova, Zekeria Cana, Edi Shukriu etj. Kjo elitë akademike nuk arriti gjatë viteve ’70-’80 të determinojë figura sikurse Haveli, Valenca, Sakharov etj., dhe me ndonjë përjashtim (Ukshin Hoti, Halil Alidema, Ekrem Kryeziu dhe ndonjë shembulli tjetër i izoluar), deri në fillimvitet ’90 nuk karakterizohet nga përpjekjet e veçanta për transformimin e Krahinës së Kosovës në Republikën e Kosovës. Madje shumica e kësaj elite akademike e Kosovës (kush më shumë e kush më pak) deri me shembjen e murit të Berlinit flirtonte herë me titizmin e nganjëherë edhe me enverizmin, (madje disa prej tyre edhe duke shkruar elozhe për Titon dhe Enverin, madje duke i krahasuar me Leninin). Megjithëkëtë, kjo elitë akademike e Kosovës në përgjithësi, e ka dhënë, përveç të tjerash, një kontribut të rëndësishëm në kuadër të veprimtarisë institucionale-shkencore-kulturore dhe ngritjes së sistemit të lartë arsimor në Kosovë. [9] Njëherësh vlen të theksohet se fillimet e themelimit të institucioneve shkencore në Kosovë, pas Luftës së Dytë Botërore, datojnë që nga viti 1946, kur u krijua sektori për gjuhë, folklor dhe histori. [10] Në këtë kontekst vlen të përmendet edhe kontributi i veteranëve Ilhami Nimani, Selman Riza, Mehdi Bardhi, Ali Rexha etj. të cilët udhëhoqën Institutin Albanologjik të Prishtinës në periudhën 1953-1955, edhe pse ky Institut u mbyll nga regjimi serb në vitin 1955[11], dhe u rihap në vitin 1967 në krye me Fehmi Aganin. Pas shembjes së murit të Berlinit, pjesa më e madhe e kësaj elite akademike e Kosovës e themeloi partinë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) që evoluoi në Lëvizjen Paqësore të Kosovës, në krye me Ibrahim Rugovën dhe e pati një rol kyç për organizimin e gjithmbarshëm politik të shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit neofashist të Millosheviqit.

  • Në vitin 1989: në lokalet e revistës “Fjala”, Ibrahim Berisha, Ali Podrimja, Ibrahim Rugova dhe Milazim Krasniqi. (Foto – Enver Bylykbashi).

Për hovin e mobilizimit në kuadër të Lëvizjes Paqësore (në vigjilje dhe menjëherë pas themelimit të LDK-së) ndikuan edhe një sërë ndodhish dhe aktivitetesh të organizuara nga pjesëtarë të veprimtarisë revolucionare klandestine të Kosovës, tashmë kryesisht të organizuar në LPK, dhe nga pjesëtarë të rrymës politike institucionaliste të Kosovës por, gjithashtu, edhe nga veprimtarë që nuk iu takonin këtyre dy rrymave politike. Përveç të tjerash, si reaksion kundër inicimit për suprimimin e autonomisë së Kosovës, rezultuan protestat në fundvitin 1988 dhe u fuqizuan në fillimvitin 1989, veçanërisht nëpërmes grevës së minatorëve më 20-28 shkurt dhe të studentëve më 19-29 shkurt. Më 23 mars të vitit 1989, nën rrethimin policor e ushtarak të Kuvendit të Kosovës, u imponua suprimimi i autonomisë së Kosovës. Një pjesë e delegatëve shqiptarë të Kuvendit të Kosovës (si pjesë e establishmentit të rrymës politike institucionaliste të Kosovës), pavarësisht prej presionit, e kundërshtuan hapur ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës: Riza Lluka, Melihate Tërmkolli, Shkëlzen Gusinja, Ukë Bytyqi, Sadik Zuka, Remzi Hasani, Menduh Shoshi, Bajram Buçani, Mehdi Uka, Avdi Berisha etj.[12] Suprimimi i Autonomisë së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës ngjalli indinjatë të madhe te shqiptarët, gjë që rezultoi edhe me demonstrata dhe protesta masive gjatë periudhës 1989-1990, në Kosovë dhe diasporë. Gjatë këtyre demonstratave në Kosovë, përveç burgosjeve dhe persekutimeve, u vranë dhjetëra shqiptarë nga forcat policore dhe ushtarake të Millosheviqit.[13] Më 2 nëntor 1989 ranë heroikisht në Prishtinë dy udhëheqësit emblematikë të LPK-së, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, nën rrethim dhe përballje të armatosur e të pabarabartë me forcat policore.[14] Më 2 shkurt 1990 filloi aktivitetin aksioni për pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave, i iniciuar nga disa veprimtarë të LPK-së (Jashar Salihu, Nurie Zeka, Naser Veliu, Ibish Neziri, Adem Grabovci, Hava Shala, Myrvete Dreshaj, Lulzim Etemaj, Ibrahim Dreshaj etj.) dhe u udhëhoq nga profesor Anton Qeta etj., duke evoluar në një mobilizim dhe solidaritet gjithëpopullor.[15] Më 14-18 shkurt 1990, Grupi për Ballkanin i Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GBKNH), si sektor lobist dhe i diplomacisë joformale i LPK-së, në kuadër të Federatës së Helsinkit, organizoi vizitën e parë zyrtare të Ibrahim Rugovës në shtetet perëndimore, përkatësisht në Oslo, me nisje nga Oslo.[16] Në këtë vazhdë, në prill 1990, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQShA) organizoi vizitën e parë zyrtare të Ibrahim Rugovës në ShBA, përkatësisht në Kongresin Amerikan.[17] Organizimi dhe realizimi i suksesshëm i këtyre dy vizitave të para zyrtare dhe historike u hapi rrugë vizitave të tjera gjithandej shteteve perëndimore udhëheqësit karizmatik të lëvizjes paqësore të Kosovës, Ibrahim Rugovës, njëkohësisht këto vizita ndikuan në ngritjen edhe më të madhe të popullaritetit të tij (dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës në përgjithësi), si në Kosovë ashtu edhe në diasporën shqiptare. Gjithashtu, në kuadër të shtimit të lidhjeve diplomatike të Kosovës me shtetet perëndimore, rol të rëndësishëm nga Kosova (përveç Ibrahim Rugovës), gjatë fillimvitit ’90 kanë pasur edhe bijtë e disa ish-funksionarëve politikë-institucionalistë të Kosovës, Gazmend Pula, Veton Surroi, Shkëlzen Maliqi etj., të cilët themeluan edhe Komitetin Kosovar të Helsinkit në prill 1990 (në krye me Gazmend Pulën, Shkëlzen Maliqin, Veton Surroin, Arbër Xhaferin, Muhamedin Kullashin, Agni Dikën, Drita Mekulin, Ekrem Beqirin etj.). Për më tepër, me themelimin e Komitetit Kosovar të Helsinkit dhe paraprakisht në fundvitin 1989, themelimin e Këshillit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Prishtinë (ku anëtar themelues ishte edhe Gazmend Pula) dhe u udhëhoq, fillimisht nga Bajram Kelmendi, Zekeria Cana, Zenun Qelaj etj., e më pastaj u shtua veprimtaria e këtij këshilli nën udhëheqjen e simbolit të rezistencës kombëtare dhe të drejtave të njeriut, Adem Demaçi (i cili u lirua nga burgu më 21 prill 1990), dhe duke e përfshirë themelimin e Shoqatës Bamirëse të Kosovës “Nëna Terezë” (1990), dhe themelimin e organizatës për të drejtat e grave dhe grupeve të margjinalizuara, “Motrat Qiriazi” (1990) etj., u formësua bërthama e Shoqërisë Civile në Kosovë, që njëkohësisht (sidomos fillimisht) ndikoi edhe për afirmimin dhe për përkrahjen e rezistencës paqësore në Kosovë në krye me Ibrahim Rugovën.[18]

Në kuadër të këtyre zhvillimeve, në muajt prill-maj 1990 LPK-ja (Xhemajl Fetahaj etj.), organizoi nënshkrimin e një peticioni drejtuar Kuvendit të Kosovës që ta shpallë Republikën e Kosovës. [19] Në këtë vazhdë, LPK-ja vendosi bashkëpunimin me Bashkësinë e Sindikatave të Pavarura të Kosovës që u themelua në qershor 1990 në krye me Hajrullah Goranin. [20] Më 2 korrik 1990 delegatët shqiptarë të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës (kryesisht si pjesë e establishmentit të rrymës politike institucionaliste të Kosovës), që filloi punën më 4 dhjetor 1989, morën vendimin e guximshëm dhe shpallën Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Rreth dy muaj më pas, përkatësisht më 7 shtator 1990, në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Kaçanik, në mbledhjen e drejtuar nga Iliaz Ramajli, ku ishin të pranishëm pothuajse të gjithë delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, u miratua edhe Kushtetuta e Kosovës (Kushtetuta e Kaçanikut), që ishte përpiluar paraprakisht nga akademikët Gazmend Zajmi, Ejup Statovci etj. Në këtë vazhdë disa pjesëtarë të ish-strukturave udhëheqëse të rrymës politike-institucionaliste të Kosovës, por edhe disa pjesëtarë të mirënjohur të ish-veprimtarisë revolucionare klandestine (kryesisht ish-të burgosur politikë), iu bashkuan strukturave udhëheqëse të LDK-së. Gjithashtu, me pluralizmin politik në Jugosllavi, përveç LDK-së, u themeluan edhe disa parti të tjera të shqiptarëve në Kosovë (Partia Shqiptare Demokristiane, Partia Liberale, Partia Fshatare, Partia Socialdemokrate, Partia Republikane, Parlamenti Rinor që, në fakt, ishte bërthama e Partisë Parlamentare etj.), dhe u organizuan në kuadër të një këshilli koordinues të udhëhequr nga LDK-ja, në krye me Ibrahim Rugovën. [21]

Këshilli koordinues i partive politike të Kosovës (i përbërë nga Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Ali Aliu, Ramush Tahiri, Veton Surroi, Shkëlzen Maliqi, Reshat Nurboja etj.), e emëroi një komision qendror për organizimin dhe mbajtjen e referendumit popullor (i përbërë nga Fehmi Agani, Fatmir Sejdiu, Rifat Blaku, Hivzi Islami, Ramush Tahiri, Ejup Statofci, Ismet Salihu etj.). Pavarësisht prej rrethanave të vështira, referendumi u mbajt më 26-30 shtator 1991, ku mbi 90 % të shqiptarëve të Kosovës votuan pro pavarësisë së Kosovës dhe rrjedhimisht e legjitimuan Deklaratën e 2 korrikut dhe Kushtetutën e 7shtatorit. Gjithashtu, më 24 maj 1992 u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare [22], dhe presidenciale në Kosovë, të cilat i fitoi Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryetari i saj Ibrahim Rugova u zgjodh president. Paraprakisht, më 19 tetor 1991 ishte themeluar Qeveria e Kosovës në Egzil, në krye me Bujar Bukoshin, që fillimisht u vendos në Lubjanë të Sllovenisë dhe më pastaj nga viti 1992 në Bon të Gjermanisë.

Në kuadër të formatimit të kësaj qeverie, përveç të tjerëve, edhe me pëlqimin e LPK-së, konkretisht sekretarit të LPK-së, Emrush Xhemajli, ministër i Informatave u caktua Xhafer Shatri, i cili paraprakisht ishte një ndër bashkëdrejtuesit e LPK-së (LRShJ-së) në emigracion, dhe kryetar i Komitetit të Kosovës për Informimin e Opinionit Botëror (KKIOB). Deri në këtë periudhë kohore ishin themeluar edhe degët e LDK-së në shtetet perëndimore dhe koordinoheshin nga një qendër në Gjermani në krye me Hafiz Gagicën, i cili paraprakisht ishte një ndër veprimtarët e njohur të LPK-së (LRShJ-së) në emigracion.

Në këtë vazhdë, ngjashëm sikurse në vitet 1988-1990, veprimtaria e LPK-së dhe veprimtaria e disa pjesëtarëve të establishmentit të rrymës politike institucionaliste të Kosovës, duke përfshirë edhe disa veprimtarë që nuk u takonin këtyre dy rrymave politike, e veçanërisht rënia e dhjetëra dëshmorëve në demonstrata (kundër nismës dhe suprimimit të dhunshëm të autonomisë së Kosovës) si faktor i brendshëm, dhe shembja e murit të Berlinit, si faktor i jashtëm, që e patën ndikimin e vet, për t’i dhënë legjitimitet ndërkombëtar Lëvizjes Paqësore të Kosovës. Gjithashtu, politika e Lëvizjes Paqësore (para Konferencës së Dejtonit) si faktor i brendshëm dhe gjenocidi në Bosnjë si faktor i jashtëm (që preku thellë ndërgjegjen e shteteve perëndimore), e patën ndikimin e vet, që t’i japin legjitimitet ndërkombëtar luftës së mëvonshme të UÇK-së, në kuptimin se shqiptarët e Kosovës, në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, kishin provuar me vite ta zgjidhin problemin e Kosovës pa luftë, por ishin refuzuar nga Millosheviqi dhe se shtetet perëndimore nuk mund të toleronin të ndodhte në Kosovë e njëjta përmasë gjenocidiale që kishte ndodhur në Bosnjë.

Njëherësh, duhet të kihet parasysh se Lëvizja Paqësore e Kosovës, në krye me akademikun urtak me përgjegjësi të madhe politike, Ibrahim Rugovën, e ka pasur rolin kryesor për shmangien e luftës në Kosovë (kur kjo luftë i konvenonte shumë Serbisë) në fillimvitet ’90. Përndryshe, ka pasur gjasa të mëdha që gjenocidi me përmasa aq të mëdha që ndodhi në Bosnjë, të ndodhte me përmasa edhe më të mëdha në Kosovë. Por, pas konferencës së Dejtonit ishte e qartë se çështja e Kosovës nuk mund të imponohej për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare vetëm me politikën paqësore. Prandaj veprimtaria e grupeve klandestine revolucionare pas Luftës së Dytë Botërore, më pastaj e konsoliduar si veprimtari kryesisht në kuadër të LPK-së, shërbeu në vazhdimësi si katalizator drejt çlirimit të Kosovës, e veçanërisht pas Konferencës së Dejtonit, duke kulmuar me UÇK-në.

Me fjalë të tjera, LPK-ja është pothuajse organizata më e suksesshme politiko-ushtarake në historinë kombëtare shqiptare, e cila, pas atentatit ndaj themeluesve të saj emblematikë, Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, kurrë nuk fokusoi në ndërtimin e kultit të liderit, si strategji që t’u shmanget goditjeve të tjera kaq të rënda nga atentatet e UDB-së ndaj udhëheqësve të saj. Përveçse me veprimtarinë dhe udhëheqjen e saj kolegjiale, dha kontribut shumë të rëndësishëm si organizatë edhe në kuadër të procesit për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, arriti të themelojë, të ngrehë dhe ta mbështesë UÇK-në si në aspektin organizativ, ushtarak dhe logjistik, po ashtu edhe në aspektin politiko-diplomatik. Në këtë vazhdë, UÇK-ja, e përgjakur edhe me sakrificën e pashembullt dhe qëndresën heroike të familjes Jashari, dhe në ballë me simbolin e rezistencës kombëtare dhe përfaqësuesin e përgjithshëm politik të UÇK-së, Adem Demaçin, arriti t’i inkurajojë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të gjithë shqiptarët ashtu siç i inkurajoi Lidhja e Prizrenit në vitin 1878 dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912.

Rrjedhimisht, pavarësisht prej divergjencave në mes tyre, këto tri rryma politike (revolucionarët, institucionalistët dhe akademikët) në një mënyrë komplementare e kanë dhënë kontributin e tyre (më shumë dhe më pak, dhe në mënyra të ndryshme) në kuadër të përpjekjeve për avancimin politiko-kulturor dhe çlirimin e Kosovës.

Përfundim

Pas shembjes së murit të Berlinit (1989), po aq sa ka qenë e domosdoshme nisma për pajtimin e gjaqeve që filloi më 2 shkurt 1990, dhe u përhap në një mobilizim dhe solidaritet gjithëpopullor, duke pasur një impakt shumë pozitiv në kuadër të zhvillimeve politike të Kosovës, po aq, madje edhe më shumë, ka qenë e nevojshme të kishte një nismë për një lloj pajtimi më të duhur në mes të këtyre tri rrymave politike në kuadër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për Çlirimin e Kosovës me vise (pas Luftës së Dytë Botërore), përkatësisht revolucionarëve, institucionalistëve dhe akademikëve. Së paku, një pajtim në kuptimin e mosmbetjes peng të divergjencave dhe stigmave të së kaluarës dhe rëndësisë për mirënjohje të ndërsjellë për çdo kontribut të këtyre rrymave politike në kuadër të përpjekjeve komplementare për avancimin politiko-kulturor të Kosovës drejt çlirimit. Kjo patjetër do të kishte kontribuar për një bashkëpunim dhe mirëbesim më të mirë në kuadër të elitës politike shqiptare në Kosovë dhe në diasporë pas vitit 1990, por edhe pas çlirimit të Kosovës (1999). Madje mungesa e një nisme të tillë po i kushton shoqërisë së Kosovës në vazhdimësi duke lënë hapësirë, përveç të tjerash, për politizim të skajshëm dhe për uljen e besimit brenda shoqërisë, shpeshherë si rezultat i shkaktuar nga disa qeveritarë, opozitarë, gazetarë, analistë etj. të papërgjegjshëm për fjalët publike, kryesisht për përfitime të politikave ditore, interesave meskine etj. Prandaj, (pa dallim të bindjeve/përkatësive politike, fetare, krahinore etj.), është obligim moral dhe politik i udhëheqjes së re politike të Kosovës, nga viti 2021, dhe i politikanëve në përgjithësi, duke përfshirë aktivistët, intelektualët, akademikët dhe të gjithë që kanë ndikim në shoqërinë në tërësi në Kosovë, që të kontribuojnë në mënyrë konstruktive për respektimin dhe mirënjohjen e të gjitha përpjekjeve për avancimin politiko-kulturor të Kosovës drejt çlirimit, prej vitit 1912, që në kuptim komplementar suksesshëm kulmuan me UÇK-në.

Për më tepër, si në shumë raste të tjera në botë, edhe në rastin e shqiptarëve Lëvizja Kombëtare nuk ka qenë tërësisht politikisht homogjene që nga Lidhja e Prizrenit (1878), e veçanërisht pas vitit 1912. Megjithëkëtë, rrymat e ndryshme politike në kuadër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare pas vitit 1912 kanë qenë më shumë rezultat i kalkulimeve strategjike (sesa i indoktrinimeve ideologjike), me përpjekjet e gërshetuara kryesisht të rezistencës aktive dhe pasive, dhe me një synim kryesor dhe të përbashkët për çlirimin e Kosovës me vise drejt Bashkimit Kombëtar. Rezistenca aktive, kundër pushtimit dhe sundimit serb të Kosovës që nga Lufta e Parë Ballkanike 1912, identifikohet, përveç të tjerash, me: Lëvizjen Kaçake, Komitetin për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, rezistencën kundër ripushtimit serb të Kosovës (gjatë përfundimit të Luftës së Dytë Botërore), në krye me NDSh-në, dhe në krye me rezistencën e Shaban Polluzhës etj., dhe me grupet revolucionare klandestine të pas Luftës së Dytë Botërore që rezultuan me themelimin e Lëvizjes Popullore të Kosovës – LPK (1982) dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – UÇK (1994). Me fjalë të tjera, rezistenca aktive e shqiptarëve, pavarësisht prej rrethanave realpolitike në kohë dhe hapësirë, ka qenë në vazhdimësi e karakterizuar nga idealizmi, përkushtimi dhe sakrificat për çlirimin e pjesëve të okupuara të kombit shqiptar jashtë Shqipërisë Londineze dhe për bashkimin e shqiptarëve në një shtet (federatë/konfederatë), bazuar në idealin kombëtar të Lidhjes së Prizrenit. Në këtë kuptim, rezistenca aktive e shqiptarëve për çlirimin e Kosovës me vise dhe bashkim kombëtar e ka një vazhdimësi të pashkëputur prej vitit 1912 si në aspektin strukturor, ku gjatë goditjeve të ndryshme që ka marrë në kohë dhe hapësirë, ka arritur të riorganizohet në mënyra të ndryshme dhe, si në aspektin e protagonistëve, duke qenë e inkurajuar nga personalitetet me ndikim të jashtëzakonshëm kombëtar, që nga Hasan Prishtina e deri tek Adem Demaçi dhe Adem Jashari.[23]

Rezistenca pasive e shqiptarëve, në kuptimin e “politikës si art i së mundshmes”, identifikohet kryesisht (pas Luftës së Parë Botërore), me Partinë Legale Shqiptare, Bashkimi (Xhemijeti) në kuadër të Jugosllavisë Monarkiste, në krye me Ferat Dragën etj. Ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore identifikohet me udhëheqjen politike shqiptare të institucioneve të Krahinës së Kosovës në Jugosllavinë Federaliste, në krye me Fadil Hoxhën etj. Pas shembjes së murit të Berlinit (1989) identifikohet me Lidhjen Demokratike të Kosovës që evoluoi në Lëvizjen Paqësore të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën etj. Edhe (në kuadër më të gjerë politik-kombëtar), udhëheqja politike e Shqipërisë Londineze, pas Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, në krye me Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën, ka qenë e karakterizuar nga “politika si art i së mundshmes” dhe në këtë vazhdë edhe qasja politike e udhëheqësve të mëpasshëm (me disa ndryshime në rrethanat e reja, pas shembjes së murit të Berlinit), në krye me Ramiz Alinë, Sali Berishën, Fatos Nanon etj.[24]

Shikuar historikisht, vazhdimësia e rezistencës pasive (në Kosovë, por edhe në nivel gjithëkombëtar, duke përfshirë Shqipërinë Londineze), ka shërbyer, përveç të tjerash, t’i amortizojë goditjet e regjimeve të Beogradit etj., që qëllim final kishin të gjejnë “shkas” dhe “justifikim” për zhdukjen dhe dëbimin e tërësishëm të shqiptarëve nga Kosova dhe më gjerë, dhe për aneksimin e mëtutjeshëm të territoreve shqiptare. Ndërsa vazhdimësia e rezistencës aktive e shqiptarëve ka shërbyer si katalizatori kryesor për çlirimin e Kosovës dhe në këtë vazhdë ka ndikuar për inkurajimin e procesit për realizimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni dhe në vise të tjera të banuara me shqiptarë në ish-Jugosllavi. Rrjedhimisht, rezistenca aktive dhe pasive e shqiptarëve për çlirimin e Kosovës me vise, (përkundër sfidave, dobësive dhe divergjencave), ka qenë në masë të madhe komplementare duke kulmuar me luftën legjitime dhe të lavdishme të UÇK-së, që me mbështetjen e shtetit shqiptar (Shqipërisë Londineze) dhe sidomos me sakrificat e heronjve, dëshmorëve dhe viktimave të luftës në Kosovë, arriti ta imponojë çështjen e Kosovës për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare përkatësisht në kuadër të Konferencës së Rambujesë. [25]  E gjithë kjo në kombinim me refuzimin e Millosheviqit të marrëveshjes së Rambujesë (i cili nuk pranoi, siç parashihte kjo marrëveshje, stacionimin e trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO dhe se kjo marrëveshje pas tre vjetësh parashihte një lloj referendumi për Kosovën), rezultoi me intervenimin ajror të NATO-s në krye me ShBA-në dhe Britaninë e Madhe, përfshirë të gjitha shtetet anëtare të NATO-s (të cilëve shqiptarët u janë përjetësisht mirënjohës), dhe me çlirimin përfundimtar të Kosovës.[26]

Gjithashtu, nuk duhet harruar se në periudhën okupuese të Kosovës nga Serbia 1912-1999, nuk ka familje shqiptare në Kosovë që (në kohë dhe hapësirë, më shumë dhe më pak) nuk është dëmtuar nga okupimi, shtypja dhe diskriminimi i regjimeve serbe. Prandaj është paradoksal stigmatizimi dhe mosbashkëpunimi i duhur në kuadër të elitës politike të Kosovës, sidomos në lidhje me çështjet madhore të Kosovës, që po vazhdojmë të ballafaqohemi dhe sfidohemi siç është çështja e asociacionit të komunave serbe në Kosovë etj. Madje është e padrejtë të stigmatizohen edhe bijtë/bijat e atyre prindërve që (pas Luftës së Dytë Botërore) i kanë shërbyer drejtpërdrejt pushtetit serbo-jugosllav për shtypjen e avancimit të procesit politiko-kulturor dhe përpjekjeve për çlirimin e Kosovës që kulmuan me UÇK-në. Përderisa këta bijë/bija distancohen nga kjo pjesë e veprimtarisë së prindërve të tyre (dhe jo për gjera të tjera në raportet prind-fëmijë), sepse fundi i fundit të gjithë kemi vetëm përgjegjësi individuale ndaj veprimeve. Njëherësh duhet të jemi shumë të ndërgjegjshëm dhe të kujdesshëm dhe jorelativizues dhe selektiv, ngaqë që nga paslufta në Kosovë në vazhdimësi është një tendencë për stigmatizimin e UÇK-së si tërësi, për shkak të ndonjë veprimi individual të ndonjë pjesëmarrësi të UÇK-së (ose të ndokujt që është vetëthirrur në emër të UÇK-së) gjatë luftës, që shpeshherë si raste edhe janë hiperbolizuar, megjithëkëtë edhe rastet e tilla eventuale kanë përgjegjësi individuale dhe jo si UÇK si tërësi, meqë nuk ka luftëra krejtësisht të pastra, por ka luftëra me më pak dhe me më shumë legjitimitet, dhe lufta e UÇK-së ka qenë një ndër luftërat më legjitime (vetëmbrojtëse) në historinë njerëzore. Gjithashtu, në vazhdimësi, që nga pas lufta në Kosovë, është një tendencë (e ngritur shpesh për diskutim edhe në Kuvendin e Kosovës dhe sidomos në fushata elektorale), që disa vrasje enigmatike në Kosovë t’i vishen vetëm UÇK-së si tërësi, madje tendenca të tilla ka edhe për ato raste të vrasjeve enigmatike ku ka pasur indikacione të forta se pas tyre ka qëndruar UDB-a për të futur përçarje brenda faktorit politik shqiptar të Kosovës. Ndërsa në vazhdimësi kanë munguar reagimet e njëjta edhe për vrasjet enigmatike pas luftës në Kosovë, të disa pjesëtarëve të UÇK-së. Për më tepër, për dallim të institucionlistëve që u ballafaquan drejtpërdrejt me regjimin serb vetëm gjatë fundviteve ’80, (në disa raste të izoluara) dhe për dallim të akademikëve që kryesisht u ballafaquan drejtpërdrejt me regjimin serb, vetëm pas vitit `90, revolucionarët në vazhdimësi, që nga pas Lufta e Dytë Botërore, janë ballafaquar drejtpërdrejt me regjimin serb, i cili regjim në vazhdimësi i ka burgosur (dhe i ka diferencuar familjet e tyre si familje armiqësore), e ka përdorur torturën ndaj tyre (ku ka edhe shembuj të vrasjeve gjatë torturave), dhe ka organizuar vrasje ndaj tyre në Kosovë dhe jashtë Kosovës duke përfshirë edhe luftën speciale propagandistike kundër tyre etj. Dhe nuk merret në konsideratë se në të gjitha këto vuajtje të revolucionarëve të shkaktuara nga regjimi serbo-jugosllav, në vazhdimësi një ndihmesë e kanë dhënë edhe veglat shqipfolëse të këtij regjimi, kuptohet edhe në këso raste ka dallime ngaqë disa nga këto vegla shqipfolëse të regjimit e kanë dhënë këtë kontribut me një zell më të madh anti-avancimit politiko-kulturor dhe anti-çlirimit të Kosovës. Rrjedhimisht çështjet e tilla nuk do të duhej të politizoheshin në Kuvendin e Kosovës, sidomos jo në fushatat elektorale, ngaqë me këto gjëra do të merret historia dhe, gjithashtu, mund të merret një komision i veçantë që kontribuon për ndriçimin e tyre sa më objektiv, dhe që njëkohësisht motivon për rëndësinë e pajtimit në lidhje me plagët e së kaluarës, të shkaktuara kryesisht si rezultat i riokupimit të Kosovës nga Serbo-jugosllavia pas Luftës së Dytë Botërore.

Krejt në fund, shfrytëzoj rastin të gjithë shqiptarëve t’ju uroj 17 shkurtin 2008, përkatësisht rikonfirmimin e shpalljes së parë të Republikës së Kosovës në demonstratat masive të vitit 1981 që rezultuan si një referendum popullor për Republikën e Kosovës dhe, gjithashtu, rikonfirmim i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 2 korrik 1990. Këto tri akte historike drejt pavarësimit të plotë të Kosovës janë komplementare (edhe pse nuk mund të jenë të barasvlershme) me shpalljen e autonomisë së Shqipërisë nga Lidhja e Prizrenit më 1878 dhe me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, që si dy akte historike më të rëndësishme gjithëkombëtare, e përfshijnë edhe Kosovën me vise.

LAVDI HERONJVE DHE DËSHMORËVE TË KOMBIT!

Referenca:

[1] Fatmir Lekaj (2021): Kombformimi dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe barazi, Armagedoni, Prishtinë, f. 124.

[2] Po aty: 124-126, 131, 142-144

[3] Po aty: f.133 – 134

[4] Intervistë e Jusuf Gërvallës botuar në gazetën gjermane “TagischeZeitung”:https://m.gazetaexpress.com/arkiva/interviste-e-jusuf-gervalles-botuarne-gazeten-gjermane-tages-zeitung-131866/?arch_tb=temphttps://rajonipress.com/interviste-e-jusuf-gervalles-botuar-ne-gazeten-gjermane-tagische-zeitung/

[5] Fatmir Lekaj (2021): Kombformimi dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe barazi, Armagedoni, Prishtinë, f. 127-128

[6] Noel Malcolm (2001): Kosova, një histori e shkurtër. Prishtinë: KOHA, f. 341-343

[7] Po aty: f.340

[8] Po aty: f. 339

[9] Fatmir Lekaj (2021): Kombformimi dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe barazi, Armagedoni, Prishtinë, f. 128 – 129

[10] 30 vjet të Institutit të Historisë në Prishtinë (1967-1997), Instituti i Historisë – Prishtinë, 1998, f. 9

[11] Tridhjetë vjet të Institutit Albanologjik (1967-1977), Instituti Albanologjik i Prishtinës, 1997, f. 13-14

[12] Telegrafi.com (2014): Kujtesë: 25 vjet nga suprimimi i dhunshëm i autonomisë së Kosovës:https://telegrafi.com/kujtese-25-vite-nga-suprimimi-i-dhunshem-i-autonomise-se-kosoves-fotovideo/

[13] Emrush Xhemajli (2009): Në ligjin për dëshmorët dhe familjet e tyre të përfshihen edhe të rënët para fillimit të luftës së UÇK-së. Konferencë shtypi e deputetit Emrush Xhemajli, kryetar i LPK-së (beepworld.de)

[14] Emrush Xhemajli (2002): Lëvizja Popullore e Kosovës 1982-2002: http://lpkkosova. com/historiku.html

[15] Po aty

[16] Fatmir Lekaj (2022): 32 vjet nga vizita e parë zyrtare e Ibrahim Rugovës në Perëndim më 14 – 18 shkurt 1990: <title>32 VJET NGA VIZITA E PARË ZYRTARE E IBRAHIM RUGOVËS NË PERËNDIM, ME 14 – 18 SHKURT 1990 | ILLYRIA

[17] The albanian american civic league: “changing histori for twenty five years”: https://www.aacl.com/our-25-year-history

[18] Fatmir Lekaj (2022):  Ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës para dhe pas shembjes së murrit të Berlinit, Armagedoni, Prishtinë, f. 36-37

[19] Emrush Xhemajli (2002): Lëvizja Popullore e Kosovës 1982-2002: http://lpkkosova. com/historiku.html

[20] Po aty

[21] Fatmir Lekaj (2021): Kombformimi dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe barazi, Armagedoni, Prishtinë, f. 159

[22] Rifat Blaku (2016): Referendumi i parë shqiptar në Kosovë u mbajt në mënyrë dinjitoze: https://www.kosova-sot.info/opinione/140682/referendumi-i-pare-shqiptar-nekosove- u-mbajt-ne-menyre-dinjitoze/

[23] Fatmir Lekaj (2021): Kombformimi dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe barazi, Armagedoni, Prishtinë, f. 186 – 187

[24] Po aty: f. 187

[25] Po aty: f. 187 – 188

[26] Fatmir Lekaj (2022):  Ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës para dhe pas shembjes së murrit të Berlinit, Armagedoni, Prishtinë, f. 60, 63.

———————————

VEPRIMTARIA LOBISTE DHE DIPLOMATIKE E LPK-së NË VITET 1987 – 1994

***

ROLI HISTORIK I MIKES BERIT BACKER NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE SHQIPTARE

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura