VV: MUSTAFA DHE THAҪI PO SHKOJNË NË DIALOG ME VUҪIQIN DHE DAҪIQIN PA LEJEN E KUVENDIT TË KOSOVËS DHE PA PREZENTUAR KURRFARË QËNDRIMESH, PLATFORME APO QËLLIMESH

Pashtriku.org, 09. 2015 – Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti dje konferencë për media lidhur me takimin e sotëm në Bruksel në mes të Isa Mustafës dhe Aleksandër Vuçiqit. “Mustafa po shkon atje për ta vazhduar dialogun me Serbinë aty ku e ka lënë Thaçi. Qeveria e tanishme e Kosovës e ka anashkaluar tërësisht Kuvendin e Republikës sa i përket bisedimeve me Serbinë. Kjo tregon se Qeveria Mustafa është plotësisht vazhdim i qeverisjes së keqe të Hashim Thaçit” – thuhet në konferncën e mbjatur nga deputetët e VV’së, Glauk Konjufca dhe Rexhep Selimi.
Deputeti Glauk Konjufca tha se Mustafa e ka pasur kohën e mjaftueshme, për të paraqitur në Kuvend planin e tij për dialogun, por ende ne nuk e dimë si deputetë të zgjedhur, por as si qytetarë të këtij vendi, se për çfarë saktësisht do të bisedojë Mustafa me Vuçiqin. “Mustafa dhe Thaçi po shkojnë në dialog me Vuçiqin dhe Daçiqin pa lejen e Kuvendit të Kosovës dhe pa prezantuar kurrfarë qëndrimesh, platforme apo qëllimesh. Nuk ekziston kurrfarë dokumenti zyrtar në kuvendin e Kosovës, e madje as në Qeverinë e Kosovës, mbi agjendën dhe karakterin e vazhdimit të dialogut. Takimi i nesërm po zhvillohet tinëz qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës. Takimi i nesërm është jolegjitim dhe i papranueshëm”, tha ndër të tjera Glauk Konjufca.

– Rexhep Selimi dhe Glauk Konjufca –

Konjufca shtoi se qytetarët e Kosovës nuk mund të kenë besim që Isa Mustafa do t’i mbrojë siç duhet interesat e shtetit dhe të popullit: “Ky besim është rrënuar me vetë faktin që Isa Mustafa paraqet një person i cili shumë shpejt i ndërron qëndrimet dhe i tradhton partnerët. Më 10 shtator të vitit të kaluar ai personalisht e vendosi nënshkrimin e tij mbi një marrëveshje me 3 subjektet politike opozitare. Në pikën 5 të kësaj marrëveshje thuhet se “çështjet që do të dialogohen dhe korniza e dialogut të miratohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës”. Dy muaj pas, Isa Mustafa i braktisi këto parime, dhe u përcaktua që dialogun me Serbinë ta vazhdonte gjurmëve të Thaçit”.
Deputeti Rexhep Selimi theksoi faktin se Serbia po vazhdon t’i mbrojë kriminelët e luftës, me theks të veçantë në shefin e Shtabit të Ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviq, për të cilin u dëshmua se është i përfshirë në krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë. “Marrja në mbrojtje e këtij krimineli nga ana e shtetit serb, dëshmon edhe njëherë se Serbia në vend që (së paku) të mos i fshehë kriminelët e padënuar, ajo po i vë në krye të institucioneve dhe po i mbron ata”, tha Selimi, duke shtuar se ish kryeministri kroat Zoran Milanoviq, pati refuzuar pjesëmarrjen në një konferencë ndërkombëtare në Beograd, vetëm për shkak të fjalorit politik të Sheshelit.
Selimi i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që urgjentisht t’i ndalë këto negociata që janë në dëm të Republikës së Kosovës. “Tash kur Serbia po kërcënon me ushtri; kur i mbron kriminelet vrasës dhe i mban në krye të ushtrisë; kur i ka armatosur serbët dhe strukturat e Serbisë në Kosovë; kur zyrtarët e saj në Serbi dhe në Kosovë e proklamojnë Kosovën si pjesë të Serbisë; kur po vazhdon spastrimi etnik nga territoret e uzurpuara në Kosovë; kur shtypja ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc po vazhdon deri në terrorizëm shtetëror; tash më shumë se kurrë Kosova duhet urgjentisht që t’i ndërpresë negociatat me Serbinë, t’i ngritë kapacitetet ushtarake, t’i kthehet vetes dhe shtetndërtimit, t’i rrisë bashkëpunimet me shtetet demokratike, si dhe ta forcojë bashkëpunimin gjithëkombëtar në drejtim të mbrojtjes dhe zhvillimit të një Republike të vërtetë dhe sovrane”, tha ndër të tjera Rexhep Selimi.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura