XHEMAJL PLLANA: KA FRYRJE TË LISTAVE TË VETERANËVE! ATY KA INDIVIDË QË E KANË SABOTUAR LUFTËN! NË LISTË KAM PARË MJEKË QË KANË SHKUAR ME TREN NË DREJTIM TË KRALEVËS! ËSHTË NEVOJË URGJENTE QË TË BËHET NJË LIGJ I RI PËR NDRIÇIMIN E TË VËRTETËS MBI LUFTËN E

Vushtrri, 26. 03. 2015 – “Kujdesuni për mendimin tuaj, sepse jeni përgjegjës para historisë”, – ishte kjo porosi e atdhetarit të madh Hasan Prishtina, dhe kjo porosi duhet të ngulitet në mendjet e atyre që po marrin pjesë në procesin historik të verifikimit të atyre, që në forma të ndryshme dhanë kontribut për çlirimin e Kosovës.
I kam parë listat e veteranëve të disa Zonave të UÇK-së, për të cilat është folur e përfolur, prandaj isha kureshtar të shihja edhe Listën e Zonës Operative të Shalës, ku kam qenë i angazhuar drejtpërdrejt. Nuk ishe e vështirë të vëreheshin manipulimet në këto lista. Në komisionet për verifikim kanë qenë komandantët e pothuajse të gjitha niveleve të Zonës. Ata kanë apo do të duhej të kishin shënime për secilin, për datën e kyçjes, numrin e armës, vijueshmërinë, betejat, angazhimet e përditshme të ushtarëve në kohën e luftës së UÇK-së. Megjithatë, edhe në Listat e Zonës Operative të Shalës vërejta se kishte fryrje të listave. Vërejta emra “dëshmorësh” që nuk kanë rënë në luftë, vërejta emra “invalidësh” që nuk janë plagosur fare në luftë, por që kanë marrë pensione gjatë tërë pasluftës, të cilët në vend se të ndëshkoheshin, ata prapë janë futur në listën e invalidëve të luftës! Kam vërejtur edhe individë të caktuar që janë futur në listat e Pjesëmarrësve dhe Pjesëtarëve të Luftës e që nuk janë parë ndonjëherë në zonat e luftës. Kam parë edhe individë që e kanë sabotuar luftën. Kam parë mjek të cilët në kohën kur më së shumti i duheshin vendit, kanë hipur në tren dhe kanë shkuar në drejtim të Kralevës për të gjetur strehim. Të tillë kam parë e mund t’i shihni edhe ju, mund t’i shohin edhe familjet e tyre, të afërmit e tyre dhe i gjithë populli ynë. Parashtrohet pyetja cilët kanë bërë më shumë e kanë qenë më pjesëmarrës e më pjesëtarë të kësaj lufte kaq të pamëshirshme: nënat tona, motrat e gratë tona që kanë gatuar bukë, kanë strehuar e kanë pastruar me dhjetëra e me qindra të strehuar, duke qenë pak të mbrojtur e me rreziqe të pafundme e të papritura nga armiku, apo këta individë që janë futur në këto lista pa meritë? Mirëpo ç’të bësh kur “çlirimtarë” të tillë u mësuan që nga çlirimi e tutje të papenguar e të pandëshkuar nga askush duke uzurpuar e përvetësuar gjithë privilegjet dhe luksin e jetës së shfrenuar e njollosën luftën e shenjtë të UÇK-së, dhe e bindën popullin se këta nuk paskan qenë çlirimtarë të vërtetë por përfitues e ushunjëza të pangopshme me djersën dhe gjakun e popullit.

Si të shpjegohet ndryshe gjithë ajo pasuri, gjithë ai luks brenda natës në jetën e tyre?
Si të shpjegohen gjithë ato toka, banesa e troje, ajo alamet pasurie e atyre njerëzve që deri dje i takonin një shtrese skajshmërisht të varfër?
Ky soj i “çlirimtarëve” i tregoj popullit se ikën të huajt e erdhën “tanët”, prandaj popull, duro tani se unë të çlirova dhe unë të sundoj!
Ky soj i “çlirimtarëve” nuk mund të ishte ndryshe edhe në përpilimin e listave të veteranëve të UÇK-së.
Ky soj i “çlirimtarëve” nuk brengoset për lavdinë e luftës së UÇK-së, për gjakun e dëshmorëve dhe familjet e tyre, për dhunën dhe masakrat që përjetoi populli.
Ky soj nuk brengoset se liria ishte tepër e shtrenjtë.
Këtij soji të “çlirimtarëve” të cilëve iu besua verifikimi nuk iu intereson as falsifikimi i historisë në pikë të ditës, duke ju lënë brezave që të mësojnë për luftëtarë, pjesëtarë a pjesëmarrës të paqenë të kësaj lufte dhe duke lënë kështu nën hijen e tyre çlirimtarët e vërtetë.
Ngase këtij soji të “çlirimtarëve”, iu intereson të fusin në këto lista babën, djalin, motrën, gruan, e farefisin e tyre, sepse do të marrin pension nga buxheti i varfër i Republikës së Kosovës, prandaj në një rast një nga anëtarët e komisionit verifikues, ish komandant, thërriste: “o burra ndihmoni njerëzit”, sikur kjo listë po bëhej për çështje humanitare e jo si dëshmi historike për një luftë të shenjtë.
Përndryshe, si mund të shpjegohet futja në këto lista e njerëzve që nuk kanë rënë në frontin e luftës, që nuk janë plagosur e që nuk e kanë shkrepur asnjë plumb, ose që kanë shitur armën e kanë ikur dhe që me ndihmën e ish “komandantëve” dhe “komisioneve” të tilla mjekësore kanë marrë pensione si invalid të luftës, dhe përsëri figurojnë në listë.
Në listë janë futur edhe individë dhe grupe që kanë ardhur në zonat e luftës tek pas fillimit të bombardimeve dhe që nuk kanë dhënë asgjë më shumë se i tërë populli ynë duarthatë. Bile populli, prindërit tanë, nënat tona, motrat e gratë tona kanë bërë shumë për të ndihmuar çlirimtarët në luftën e tyre të drejtë, duke përgatitur ushqim, strehim, pastrim e gjithçka për të mbijetuar populli ynë, për të cilin në fakt po bëhej edhe lufta çlirimtare.
Është koha që prokurorët të veprojnë ndaj këtyre matrapazëve që po abuzojnë dhe që po e njollosin luftën tonë çlirimtare, që kanë abuzuar e po abuzojnë me paratë e taksapaguesve dhe me buxhetin e shtetit të Kosovës.
Ligji për Veteranët e luftës së UÇK-së ka lënë hapësirë për manipulim dhe është nevojë urgjente që të bëhet ligj i ri për të ndriçuar të vërtetën e Luftës së Lavdishme të UÇK-së, ngase është obligim njerëzor, moral, atdhetarë dhe historik që me ligj të mbrohet e vërteta e kësaj lufte të lavdishme çlirimtare. Mirëpo ndriçimi i të vërtetës nuk mund të bëhet mbi bazën e deklaratave të njerëzve që u dëshmuan se janë matrapazë, grabitqarë, uzurpatorë dhe të dëmshëm për shtetin, por duhet të bëhet nga njerëz që kanë luftuar dhe kanë ditur ta ruajnë nderin e luftës së tyre.
Ligji duhet të bëhet i tillë që në histori t’iu lë vend vetëm dëshmorëve, invalidëve dhe veteranët e vërtetë të luftës së UÇK-së, pa përjashtuar asnjëherë edhe të gjithë ata që kanë kontribuar me mjete në fondet e caktuara të luftës për liri.

– Autori është veteran i UÇK-së, kontakti: [email protected].

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura