BEHXHET SH.SHALA’BAJGORA: VERDIKTI I ENVER BABËS DHE INTERPRETIMI I LIL TARABËS!

Prishtinë, 02. 06. 2014 – (Në vend se të zgjidhet, lëmshi u ngatërrua) – Presidentja e Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, meqë nuk gjeti sqarim të duhur nga oborrtarët e Pikola (Malla) Jugosllavia që e kanë ngulfatur aq shumë, kërkoi sqarim nga Kardinali Rishele (Enver Baba) për përputhshmërinë apo diskordancën e neneve 84 dhe 95 me të cilat rregullohet roli i presidentes për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë së Kosovës pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014 me ç’rast erdhi deri te përplasja, deri në urrejtje midis koalicionit paszgjedhor të Bali Katravellës i formuar sipas neneve të Kushtetutës së Hajkobillës dhe koalicionit parazgjedhor i formuar sipas Kushtetutës së Kosovë Ahtisarit! Nuk kam besuar që urrejtja do të ketë asi intensiteti që nuk e përjashton as asgjësimin e armiqëve politikë që në botën e qytetëruar njihen si kundërshtarë apo rivalë politik! Lufta brenda llojit është lufta më e rrezikshme e cila detyrimisht nënkupton që njëra palë duhet të zhduket, së pari si pamje e pastaj mbase edhe fizikisht! Kërkesa është e qartë: nuk do të lejohet Thaçi 3 me as një kusht dhe ma as një çmim! Thaçit 3 ia kanë shqiptuar dënimin me “vdekje” kolegji ekzekutues në përbërje: Haradinaj 1, Limaj 1, Kurti 1 dhe Mustafa 1.

Baba Enver&djali Hashim dhe koalicioni i Bali Katravellës!

Në poker ky kombinim njihet si katër pika (asa) dhe është një kombinim shumë i fuqishëm i cili i ka bankrotuar shumë njerëz që e kanë pasion kumarin apo lojën me letra. Te ne ky koalicion me katër njësha më shumë i ngjanë lojës së ruletit rus ku të gjithë plumbat janë të rremë me përjashtim të njërit i cili pashmangshëm i hanë kokën atij që është pjesë e lojës. Në rastin e koalicionit të Bali Katravellës të gjithë janë të rremë sepse janë bashkuar prej zorit, të hurit dhe të konopit me të vetmin qëllim mos të lejuar Thaçin 3. Jo se ndjejnë detyrim ndaj qytetarëve të Kosovës që i kanë votuar por edhe ata që nuk i kanë votuar por u mungon edhe ndjesia elementare për vendin dhe shtetin. Sepse, para së gjithash dhe mbi të gjitha e duan pushtetin! Ata deklarohen se duan ta zëvendësojnë një të keqe të portretizuar dhe satanizuar si Thaçi 3 me katër të këqija siç janë pokeri i katër njëshave, pjesë e koalicionit Bali Katravella. Nëse i vëni në peshore këto, rezultatin e keni të ditur! Dihet që një nxënës i cili i ka katër asa apo katër njësha nuk e kalon vitin por futet në grupin e ngelcanave! Nëse një njësh i bëhet dysh, përsëri e humbë vitin mirëpo me një intervencë të vogël mund të mbes në provim me dy njësha me mundësi reale që të mos e humb vitin. Edhe koalicioni paszgjedhor i Bali Katravellës me katër njësha e ka të vështirë të kalojë apo të mbijetojë. Nëse nuk zvogëlohet numri i njëshave , pashmangshëm do ta ketë fatin e pafat të viktimës që ka hyrë në lojën e ruletit rus. Në poker humbin paratë, në ruletin rus shkon koka! Unë jam diletant në fushën e interpretimit të Kushtetutës dhe i kam shumë lakmi por edhe zili ekspertit të shquar për interpretimin e Kushtetutës në aspektin oral (linguistik) por edhe përmbajtësor i njohur jo vetëm në Kosovë por edhe në planin ndërkombëtar, juristit të shquar Lil Toshi! Madje flitet se ekspertizën e tij në fushën e Kushtetutës e kanë njohur edhe pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës! Nëse Xherdan Shaqiri ka shkëlqyer në kampionatin botëror të futbollit në Brazil, Lil Toshi ka shkëlqyer në interpretimin e Kushtetutës së Kosovës përkatësisht është identifikuar si njohës i shkëlqyer i Kushtetutës së Hajkobillës duke e legjitimuar koalicionin paszgjedhor të Bali Katravellës si fitues të zgjedhjeve të fundit në Kosovë dhe rrjedhimisht ua njeh të drejtën ta japin mandatarin për formimin e qeverisë si dhe kryekuvandarin ku Lil Toshi mund ta ketë ndonjë resor qeveritar apo, së paku do të bëhej drejtor gjeneral i RTK-së! Gjeneral Toshi, gjeneral i RTK-së! Më heret ambiciet e general Toshit ishin më të vogla; mjaftonte të bëhej anëtar Bordi i kësaj shtëpie të vetme publike me letra! Nuk e la gjë pa i thënë presidentes me fat sepse ka kërkuar interpretim nga Enver Baba ndërkaq e ka injoruar babain e të gjitha kushtetutave, ekspertin me renome kosovare dhe ndërkombëtare, Lil Toshin apo Lil Tarabën! Madje, me një fjalor të një intelektuali të shquar kërkesën e presidentes e quajti kërkesë infantile dhe lirisht mund të ma këpusni kokën nëse e di kuptimin e kësaj fjale! Ndoshta duhet të ndjehem i turpëruar dhe sigurisht se duhet të ndjehem i tillë por me këto kapacitetet mendore që i kam , nuk kam mundësi ta përthekoj kuptimin e kësaj fjale! Lili Toshi është figurë poliedrike, multietnike, sarkastike, tragjikomike që ka shkëlqyer kohëve të fundit si opinionist që i vë në gjumë të gjithë! E ka të lehtë sepse përveç se është interpretues i papërsëritshëm në aspektin profesional i Kushtetutës është më filozof dhe më i ditur se vet Aristoteli, Platoni, Aristofani, Hegeli, Kaligula, Neroni , Plutarku , Seneka dhe disa filozofër të vegjël që mbesin përjetësisht në hijen e Lil Toshit! Me të drejtë është mburrje për kombin kosovar!
Si do të zhvillohen gjërat
U deklarova më lart se jam injorant në fushën e interpretimit të Kushtetutës së Kosovë Ahtisarit. Këtë të Hajkobillës e njoh vetëm si kodeks normash morale për afirmimin e njerëzve të pamoralshëm! Mirëpo, ashtu siç e shoh unë, kaolicioni i Bali Katravellës sipas interpretimit të Enver Babës, maksimumin e maksimumit që mund ta arrijë janë zgjedhjet e parakohshme. Aktualisht, me katër njësha ka ngelur fare ndërsa në zgjedhjet eventuale të parakohshme mund të mbetet në provim sepse do të mbetet vetëm me dy njësha (LDK dhe AAK) ndërkaq që Nisma do ta humbë të drejtën e shkollimit sepse nga njëshi do të bëhet zero! LVV – FERR do të ndahej e qullur sepse askush që ka përcaktim kombëtar nuk do të votonte për të në ndërkohë që votat e ORE-së dhe FERR-it nuk do t’i mjaftonin të kompensojnë votat kombëtare! Edhe nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme do të kthehemi në pikën zero sepse fitues me rritje 5-7% do të jetë koalicioni që udhëhiqet nga PDK. Mund t’ju duket paradoksale por edhe LDK do të kishte rritje pre së paku 3%. Nuk ka dyshim se kryekuvendarin e jep PDK nëse i referohemi interpretimit të Enver Babës i cili koalicionet paszgjedhore i llogaritë si fëmijë jashtëmartesorë (kopila) duke ua mohuar të drejtën e trashigimisë politike si parti apo koalicion që i ka fituar zgjedhjet! Edhe mandatarin, në dy përpjekjet për formimin e qeverisë do ta ketë koalicioni parazgjedhor ndërkaq koalicioni paszgjedhor do të bëhet pjesë e kabinetit qeveritar vetëm nëse pajtohet me fituesin e saj. Nuk e besoj se Ramush Haradinaj 1* (ylli i koalicionit Bali Katravella) do të bëhet kryeministër me propozimin e këtyre tre njëshave të mbetur të koalicionit paszgjedhor. Me tre njësha humbet viti! E as Mustafa 1$ nuk mund të bëhet kryekuvendar me propozimin e këtij koalicioni! Zgjidhja është diku afër nesh. Jo më larg se dy kilometra nga selia dhe kafenetë ku kabineti qeveritar i qeverisë Haradinaj ka intensifikuar mbajtjen e takimeve me të vetmën pike të rendit të ditës; nuk ka Thaçi 3! Dragodani apo qendra e dragojve do të vendosë kush do të qeverisë në dy vitet e ardhshme pas së cilave kryekuvendari Mustafa 1$ do të ulet në fronin e zonjës Jahjaga. Se çka do të bëhet me Limaj 1, nuk dua të paragjykoj. Nëse thuhet se të gjitha rrugët të dërgojnë në Romë atëherë me siguri edhe janë dy rrugë që ka mundësi ta kenë një pikëtakim për qeverisje të PDK-së me LDK-në! Kjo siguron një stabilitet! Ose shkoni në zgjedhje të parakohshme për të cilat nuk besoj se ka shumë të interesuar përveç atyre që partia vet ua ka vjedhur votat! Apo atyre që kanë marrë në thua në pragun e Valdete Dakës. Po, tash fillon ajo loja e vërtetë. Nuk e besoj se është në interes të askujt që të arrnohet një qeveri me 62-65 vota dhe e cila, gjatë ditës të lë në ndërtesën e qeverisë në mbledhje, ndërsa ditën tjetër të zhvendosë në Papillon ku detyrohesh ta formosh kabinetin qeveritar!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura