Prishtinë, 11. 09. 2014: (Shtetndërtimi dhe shtetshkatërrimi) Në kohën kur në Jugosllavinë e Zhablakut dhe Serbinë e Arkanit ishte në fuqi ideologu i Lëvizjes neoçetnike, ndryshe edhe vet çetnik i orëve të para, Vojisllav Koshtunica, me një gazetë në dorë hyri Zejnullah Gruda në zyrën e Këshillit të Tregu i Madh, mjaft i tendosur duke ma dhënë gazetën të cilën e kishte nënvizuar pikërisht një intervistë të cilën e kishte dhënë një mediumi të huaj i biri ideologjik i Drazha Mihajlloviqit, Vojisllav Koshtunica. Intervista ishte si një gotë me helm nepërke për shqiptarët ndërsa fjalia e nënvizuar ishte sikur helmi i kobrës mbretërore me të cilën Kleopatra i dha fund jetës para se të binte në duar të romakëve. Në të shkruante se: ”shqiptarët nuk janë shtetndërtues por se ua kënda gjoja ta bëjnë shtetin….”. Tash kur Koshtunica është bërë kufomë e gjallë politike edhe në vet Serbinë dhe jo vetëm që nuk i shkonë më fjala por as pordhët nuk i dëgjohen, mirëpo zhvillimet e fundit në Kosovë sikur edhe ato të mëparshme në Shqipëri kur ajo u dogj tri herë nga vet shqiptarët po ndërlidhen me pohimet e këtij çetniku. Vërtetë a kemi vullnet për të ndërtuar shtet apo në qenien tonë e kemi një mikrob të anarkisë i cili aktivizohet kur duan të tjerët (kundërshtarët apo armiqtë tanë) dhe të cilin, në vend se ta mbajmë nën kontrollë (në pamundësi të lirohemi nga ai), vetëm sa e fuqizojmë! Robëria shekullore më nuk mund të përdoret si arsyetim! Ta bëjmë një shetitje nëpër gjeografinë shqiptare dhe ku jetojnë shqiptarët. Në Shqipëri deri tani ka qenë një gjysmë anarkie dhe vetëm kohëve të fundit po i vjen era shtet. Për këtë arsye edhe ata që vendosin rend dhe rregull në botë po e shohin Shqipërinë me më shumë respekt. Gjermania në radhë të parë prandaj edhe janë ringjallur shpresat që përmes forcimit ekonomik dhe politik të Shqipërisë do të forcohet edhe pozita e shqiptarëve që jetojnë në shtetet jashtë trungut shqiptar, me fajin e të tjerëve por edhe me kontributin e tyre. A do ta shfrytëzojë këtë mundësi Shqipëria, mbetet të shihet?! Këto mundësi nuk ofrohen çdo ditë prandaj duhet të shfrytëzohen maksimalisht. Vetëm në këtë mënyrë Shqipëria do të bëhej strumbullar apo Pijemont për të gjithë shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë! Shqiptarët në Mal të Zi mbijetojnë midis diskriminimit që u bëhet nga autoritetet shtetërore dhe ëndrrës për të emigruar në SHBA ku e kanë edhe një pjesë të familjes. Shqiptarët e Luginës së Preshevës ngushëllohen me libra në gjuhën shqipe për nivelet e ulëta të shkollës fillore (me kurikula të Serbisë) në ndërkohë që serbët e Kosovës furnizohen me tekste shkollore, nga ai parashkollor deri te ai universitar, sipas plaprogrameve të Serbisë, në shtetin e Kosovës! Madje, Serbia, për nxënësit “serbë “ të Shqipërisë gjithashtu ka shpërndarë tekste shkollore në gjuhën serbe sipas kurikulave të Serbisë ndonëse 90 % të këtyre “serbëve“ as që e kuptojnë gjuhën serbe! Në Maqedoni autoritetet diskriminuese të këtij shteti skajshmërisht e përdhosin gjuhën shqipe dhe përdorimin e saj sepse vet udhëheqësit shqiptarë (Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi) nuk flasin njëri me tjetrin ndonëse gjuhën shqipe e kanë gjuhë të nënës. Me Gruevskin nuk kanë fare problem gjatë komunikimit në gjuhën e Kirilit dhe Metodit! Mbeten shumë pak gjëra për t’u komentuar! Së paku deri më sot!
Vazhdimi i luftës apo “armëpushim“ në Kuvendin e Kosovës
Të gjithë e pamë si rrodhi dhe si përfundoi seanca (duhej të ishte solemne) konstituive e kuvendit të Kosovës. Vetëm sa nuk u rrahën për karrikë dhe karrika! Pas përfundimit të seancës (skajshmërisht e turpshme) të gjithë u bënë interpretues të Kushtetutës dhe parashikues të vendimit të GJK. Po të përkthehej sipas gjuhë së bastoreve, kuota do të ishte 9 me 1 në favor të LAN-it, tash VLANLS-it. Nëse u referohemi parashikuesve të medieve, analistëve, shoqërisë civile dhe profesorëve që kishin ligjëruar të Drejtën Kushtetuese thuaja gjysmë shekulli! Deri në vendimin e GJK, presionit më të madh u ishin nënshtruar presidentja Atifete Jahjaga e cila ishte fyer me një fjalorë rruge, GJK në përgjithësi e Enver Hasani në veçanti dhe ata që nuk ishin pajtuar (ishin të paktë) me parashikimet e nostradamusve kosovarë! Pas vendimit të GJK, presionet ishin shndërruar në fyerje, kërcënime dhe akuza me të cilat kriminalizoheshin ata që e morën vendimin. Po të kishin marrë vendim ndryshe sigurisht se do t’i ngritnin në qiej dhe do t’u ngritnin përmendore për së gjalli! Akuzat ishin se GJK është e kapur nga nëntoka, është kapur nga krimi i organizuar, është e kapur nga PDK, është e kapur nga HTH, është e kapur nga SHIK-u, është joprofesionale, nuk është e paanshme dhe e pavarur etj.etj. Më të zëshmit ishin çunat dhe çupat e AAK-së, disa prurje të LDK-së dhe LVV – FERR e cila e ka standard komunikimi. Për analistë mos të flasim fare sepse ata lëvizin sipas kuotës së basteve. Është interesant se këta çunat e AAK-së flisnin në emër të popullit ndonëse një dyzinë e tyre nuk kishin fituar vota të popullit as për të kaluar një prag zgjedhor! Sipas tyre, po del se janë të kapur: Enver Hasani, Arta Rama, Altan Surroy, Rodrigez, Botcharova dhe Ivan Çukaloviq ndërsa i virgjër apo i pakapur ka mbetur vetëm Corolan. Duket se më i kapuri apo i stërkapuri po del Enver Hasani i cili, sipas shijes sime nuk duket aq tërheqës apo tundues. Në fakt, të gjitha këto akuza drejtuar GJK për kapje nga krimi i organizuar, në vende normale do të ishte delikatesë në menynë e Prokurorisë Speciale për t’i vënë para drejtësisë këta “peshq të mëdhenj” të rënë në rrjetën e krimit të organizuar, ose, në të kundërtën, nëse nuk do të ofroheshin fakte bindëse nga denoncuesit, Prokuroria Speciale do të duhej të merrej me ta për shpifje. Këtu është vetëm një e vërtetë dhe dikush do të duhej të shkonte te prokurori. Mirëpo , në rastin konkret Prokuroria e Shtetit nuk reagoi dhe tash nuk po dihet kush qenka kapur, nga kush qenka kapur, sa herë është kapur, në ç’pozitë qenka kapur dhe mos nga kjo kapje kemi një krim tjetër si pasojë e kapjes; abort ilegal psh. Në rastin konkret duket se ka abortuar prokuroria dhe kapja ende vazhdon…! Apo shpifja e paargumentuar e që nënkupton pushkatim publik në sy të shtetit i cili është i detyruar t’i arrestojë të kapurit (kur ka prova) apo t’i kapë ata që shpifin!
Vendimi i GJK është shumë i qartë në dispozitivin e saj. Nuk lë fare mëdyshje se kush e propozon kryetarin e Kuvendit dhe se kush është grupi më i madh parlamentar. Është partia apo koalicioni fituesi i zgjedhjeve, PDK. Dhe se nuk lë fare mundësi që koalicioni LAN, tash LVANLS që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit pa pëlqimin dhe pa marrëveshje me PDK. Kështu e thotë GJK dhe në të gjitha vendet normale vendimet e GJK nuk kundërshtohen por zbatohen. Koalicioni paszgjedhor ka numra të mjaftueshëm për formimin e qeverisë por se këta numra nuk i ndihmojnë fare për kryetar të Kuvendit! Sot e 100 vjet, deri sa të jetë në fuqi kjo Kushtetutë dhe Rregullore. A është kjo e drejtë dhe demokratike, është çështje për diskutim. Edhe këta që sot e shajnë Kushtetutën, vet e kanë votuar dhe miratuar sipas parimit; lëre ose merre. Pa pasur të drejtë ta ndryshojnë as një pikë apo presje. Le ta ndryshojnë Kushtetutën dhe Rregulloren. Tash e kemi këtë gjendje që e kemi. Përkundër një vendimi shumë të qartë të GJK, çunat dhe çupa e AAK-së po kapen për pikat 126 dhe 127 të cilat i kanë mësuar përmendësh si parashkollorët e çerdhes “Gëzimi Ynë“ ndonëse edhe aty është vegëza:” në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren…”që i kthen në pikën zero! Nëse herën e parë, gjatë seancës së 17 korrikut ka pasur keqkuptime, mosdije, joinformim të mjaftueshëm rreth procedurës së propozimit të kandidatit për kryetar të Kuvendit, pas vendimit të GJK se zgjedhja e Isa mustafës, kryetar përbën shkelje të Kushtetutës, si për kah procedura ashtu edhe për kah përmbajtja, vet propozimi se përsëri do të jetë kandidat Isa Mustafa, përbën shkelje të Kushtetutës. Edhe nga ata që këmbëngulin, edhe nga ata që e përkrahin e sidomos nga vet Isa Mustafa. Po të ishte blloku më i kujdesshëm dhe më largpamës, që në mbledhjen e parë do ta votonte Agim Aliun me 119 vota (- vota e Agim Aliut) dhe tash do ta kishte të kompletuar kabinetin qeveritar ku edhe çunat e AAK-së si dhe prurjet e LDK-së do ta gjenin një mriz të sigurt. Kështu, vetëm humbën kohë, mbetën pa kryetar të Kuvendit përkundër urimit të tetka Millkës nga Leposaviqi që e ulën në vend të Flora Brovinës. Besoj se Isa Mustafa, si politikan me përvojë që nga koha e Titos e deri te koha e Hashim Thaçit nuk do ta përsëris gabimin duke i zgjatur dorën përsëri tetka Millkës së Leposaviqit e cila do ta uronte me; “çestitam ti druzhe predsedniçe) – ta uroj shoku kryetar sepse do të përfundonte te GJK e cila vetëm e bënë kopje vendimin e parë! Tash keni mundësi ta merrni drejtimin e qeverisë, më vonë do të jetë shumë vështirë! Ndryshe, shkoni në zgjedhje pasi po thoni se i keni 70 % të votave. Nëse fitoni, jo 70% të votave por vetëm 51% , atëherë do t’i keni të gjitha. Mirëpo, jam i bindur se më me dëshirë do të dilni para ISIS-it, se të pranoni të shkoni në zgjedhje të jashtëzakonshme. Pastaj, postin e presidentes harrojeni në kombinimet që i bëni sepse nuk ka gjë prej asaj pune. Presidentja është forcuar dhe ka fituar në saje të dobësimit të politikanëve të tjerë dhe humbjes së besimit të po këtyre politikanëve. Pa dallime partiake! I keni numrat por Kushtetuta të cilën edhe ju e keni përkrahur, për rastin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit është mbi numrat. E që ky rregull nuk vlen për kryeministrin dhe qeverinë sepse aty duhet vlejnë numrat. Kush bëhet pronar i 61 numrave e ka kryeministrinë dhe qeverinë për çka pajtohem, pa as një dyshim!
Kosova e Hashimit dhe Kosova e Albinit
Në disa mbledhje të Kuvendit të Kosovës, deputetët e VV protestonin brenda sallës së Kuvendit duke bartur një hartë të Kosovës (jo të bashkuar me Shqipërinë) në të cilën shkruante: Kosova e Hashimit. Aty ishin komunat e decentralizuara me shumicë serbe sipas Pakos së Ahtisarit (a është gjallë ende pasi na la kopilin te dera) dhe kufinjt e Asociacionit të Komunave serbe. Ishin aty edhe fotot e policit të vrarë nga banditët serbë në veri të Kosovës, Enver Zymberi. Kërkohej drejtësi. Kjo hartë vendosej para Jakup Krasniqit, kryetar, për ta penguar. Madje, kishte përpjekje t’i merrnin me dhunë mikrofonin Jakupit mirëpo ai heroikisht e mbrojti duke mos e lejuar Albinin ta merrte ate. Në mbledhjen e 17 korrikut që ishte circus-hane e vërtetë, kishte përpjekje t’i merrnin karriken Flora Brovinës duke mos e lejuar as të shkojë në toalet në ndërkohë që e uruan tetka Millkën e Leposaviqit për udhëheqje të drejtë dhe profesionale të sancës pasi e shpalli Isa Mustafën kryetar të jashtligjshëm të Kuvendit! Tash u bë koalicioni i gjerë paszgjedhor me akronimin VLANLS (VV, LDK, AAK, Nisma dje lista Srpska). I vetmi qëllim është ta pengojnë çdo mundësi që koalicioni PDK ta formojë qeverinë. Jo për ta fituar kryetarin e Kuvendit. Kryetarin e Kuvendit e kanë vetëm pretekst ndërsa kryeministin dhe qeverinë e kanë kontekst. Qëllim dhe synim. Numrat i kanë! LAN tash është VLANLS që nënkupton se ka hyrë në gërshërë të VV dhe LS. E ka shumë vështirë ta shpëtojë kokën! Mos ta them të pamundur! Dikush po thotë se ndërkombëtarët nuk e përkrahin VV. E kanë gabim sepse një VV e zbutur deri në qullje në sherbet të bakllavasë (pushtetit) në të cilin është zhytur deri në fyt, me një LS të cilën e udhëheq një Jabllanoviq që Kosova i intereson për të vjelur të mira materiale, paraqet një dhuratë shumë të vlefshme për ndërkombëtarët për aq kohë sa zgjasin bisedimet dhe për aq kohë sa të përfundojë projekti Kosova. Deri atëherë, nëse bëhet qeveria me këta partnerë (për çka nuk besoj), Albini mund ta përdorë Kosovën e Hashimit, tash si Kosova e Albinit. Ndryshon vetëm emërtimi, përmbajtja mbetet e njëjtë! Ndërkaq, te familja e Monit dhe Arbenit shkojnë ata që e kanë vlerësuar dhe e vlerësojnë sakrificën e tyre. Pa pasur interes politik dhe material. Gjithashtu, për parime do të ligjërojnë profesorët në lëndën e etikës. Për parime të dyfishta mund të flasim të gjithë sepse nuk është e ndaluar. Sidomos në politikë.
Për titullin
Xherdan Shaqiri di të shënojë gola. Në kampionatin e fundit botëror shënoi tre gola (hatrick) dhe hyri në histori te shqiptarët. Edhe Isa Mustafa di të shënojë. Jo gola por autogola. Madje, mund t’a kalojë edhe vet Xherdan Shaqirin. Me hetrikat e shënuar. Në fakt edhe e ka kaluar Xherdanin. Ka shënuar hetrik (duke i humbur tri palë zgjedhje radhazi) dhe tash i mbetet ta shënojë vetëm edhe një autogol për ta shënuar treshen e dytë të autogolave. Mjafton të kandidohet edhe një herë për kryetar të Kuvendit dhe e kompleton hettrikun e dytë. Me këtë hynë në histori të Gjykatave Kushtetuese!