GJEKË GJONAJ: THESARI I MALËSISE SË MADHE – KRENARI KOMBËTARE

Pashtriku.org, 08. 10. 2014: Një ekspozitë e veçantë fotografike dedikuar trashëgimisë së pasur historike dhe kulturore të Malësisë së Madhe para disa ditësh i është prezentuar edhe opinionit të Ulqinit. Organizatori, Organizata Joqeveritare “Labeatët” nga Malësia solli artistikisht nëpërmjet fokusit të aparatit në vemendjen e publikut një pjesë nga arsenali i pasur i monumenteve të kulturës materiale dhe shpirtërore të Malësisë, me qëllim të evidentimit të problematikave të ndryshme që shoqërojnë këtë pasuri kombëtare sikurse edhe promovimin dhe mbrojtjen e saj. Fotografitë e ekspozuara dhe të botuara në një katalog domethënës sjellin dëshmi mbi rrënjët e lashtësisë së Malësisë të rëndësishme për njohjen e saj.
Mozaik i pasur
Në literaturën shkencore të monumenteve historike thuhet se trashëgimia kulturore, materiale dhe jomateriale (shpirtërore) përbën bazën e studimeve të çështjeve identitare, e cila sjell kontributet e popujve të ndryshëm në zhvillimin e gjithëmbarshëm të njerëzimit. Jo rastësisht, para dy mijë vjetësh u tha: “Ata që nuk e njohin të kaluarën janë si foshnja-nuk dine gjë! (Lucrecius Car). Popujt si dhe foshnja kanë rritën e vet dhe kjo rritë bazohet në njohuritë dhe në përvojat e fituara nga e kaluara, nga rrënjët individuale e kolektive. Këto rrënjë gjenden në trashëgiminë kulturore, të krijuar nga njerëzit dhe për njerëzit. Edhe treva apo zona e Malësisë së Madhe përmban një mozaik të pasur të trashëgimisë arkeologjike, arkitekturore, shpirtërore dhe të peizazheve kulturore të krijuara që nga koha ilire e deri te kohët moderne dhe përmbajnë atribute shkencore, historike, artistike dhe të mjedisit, siç janë: Kalaja ilire e Samoborit dhe muri ilir i kësaj kalaje, që i përkasin shekullit të tretë para erës së re, tumet ilire (varrezat parahistorike karakteristike për periudhën e bronzit dhe hekurit), pastaj varrezat e tjera unikale të pastudiuara, të cilave nuk u dihet vjetërsia dhe rrënojat e Kishës së Shën M’hillit në fshatin Dinoshë (shekulli IX) etj. Si e tillë trashëgimia kulturore e Malësisë është pjesë fisnike e ambijentit dhe e mantalitetit të banimit.

Rreziku i shkatërrimit
Këto dhe shumë visare të tjera mbresëlënëse të Malësisë së Madhe janë pjesë e identitetit shqiptar me të cilat mburren jo vetëm malësorët. Nga ana tjetër janë edhe shqetësim, për arsye se këto vlera kombëtare janë lënë në mëshirën e fatit. Këtë ekspozitë e lexoj edhe si një alarm të shoqatës “Labeatët” që e gjithë trashëgimia kulturore dhe historike e Malësisë të mbrohet nga rreziku i shkatërrimit nga faktori natyror dhe faktori njeri. Në çdo shtet të botës së civilizuar monumentet e kulturës duhet të promovohen, të ruhen dhe të mbrohen nga rreziku i vazhdueshëm për t’u zhdukur, në kuadrin e institucioneve shtetërore por edhe të organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Mbështetur nga ky fakt këtë detyrim ligjor e ka edhe Mali i Zi si shtet shumënacional dhe shumëetnik, i cili patjetër duhet të fokusohet në evidentimin dhe diskutimin e problematikave nga të cilat vuan edhe trashëgimia shqiptare. Sepse faji për këtë shkatërrim në radhë të parë vjen nga shteti, për të vijuar më pas deri te ndërgjegjja qytetare, e cila ka vite që mungon.
Zëri i intelektualëve dhe specialistëve
Të gjithë jemi dëshmitarë se trashëgimia jonë kulturore në të gjitha trevat e banuara me shqiptarë në Mal të Zi, pra edhe në Malësi, ka qenë dhe vazhdon të jetë e rrezikuar, e pambrojtur dhe se është bërë shumë pak për të mos thënë asgjë për përmirësimin e saj. Situata aktuale e rënduar qoftë nga kriza ekonomike, qoftë politike bën që vëmendja mbi të tilla gjëra të spostohet dhe të kalohet në plan të dytë. Institucionet e trashëgimisë kulturore për fat të keq po vuajnë nga mungesa e një strategjie gjithëpërfshirëse kulturore e shumë faktorë të tjerë, që nuk janë objekt i këtij shkrimi, të cilët në shumë raste kanë sjellë kalimin e përgjegjësive nga një pushtet në tjetrin, nga pushteti qendror tek ai lokal. Në këtë situatë të pakënaqshme ndaj monumenteve të kulturës sonë duhet të pyesim vetveten: A kemi ne ndërgjegje për këto gjëra, a kemi ne ndjeshmëri ndaj trashëgimisë kulturore? Nëse jemi realist duhet thënë dhe duhet pranuar se të gjithë kemi përgjegjësi, e jo vetëm institucionet e monumenteve. Trashëgimia kulturore shqiptare në përgjithësi dhe ajo e Malësisë në veçanti, është e përbashkët. Ajo u takon të gjithëve. Bashkon shumë shpirtëra. I bashkon njerëzit dhe rrit mirëqenien. Po kush janë ata që duhet të parët të ngrisin zërin për këtë trashëgimi të rrezikuar? Intelektualët dhe specialistët. Mendoj.

Mbrojtja dhe prezentimi
Trashëgimia kulturore historike e një populli paraqet tërësinë e vlerave shpirtërore dhe materiale të krijuara gjatë historisë së tij, pasqyron zhvillimin ekonomik, shoqëror, politik, fetar e kulturor në të kaluarën e tij, paraqet luftën e tij shekullore për ruajtjen e identitetit të tij etnik, gjuhësor dhe kulturor. Malësia e Madhe siç thamë ka një identitet kombëtar shqiptar, i cili bashkë me identitetet e tjera pasqyrojnë diversitetin e çmuar kulturor të Malit të Zi dhe të Europës. Për këtë thesar të pasur të trashëgimisë etnokulturore, materiale dhe shpirtërore të periudhave të ndryshme historike të Malësisë duhet të punojmë më shumë se deri më tani. Ka ardhur momenti që trashëgimia kulturore shqiptare në Mal të Zi të aktualizohet siç duhet me veprime konkrete, të bazuara në ligjet shtetërore dhe dokumentet ndërkombëtare të ruajtjes dhe mbrojtjes së monumenteve historike si vlerë universale. Mbrojtja dhe prezentimi i trashëgimisë kulturore të Malit të Zi, përfshirë këtu edhe trashëgiminë kulturore të shqiptarëve si popull autokton, është obligim ligjor që buron nga Kushtetuta e Malit të Zi dhe nga konventat ndërkombëtare. Për Malin e Zi si shtet i pavarur mbrojtja e trashëgimisë kulturore do të jetë test i rëndësishëm i nivelit të civilizimit. Për ne shqiptarët (malësorët) mbrojta dhe prezentimi i trashëgimisë sonë kulturore, natyrore dhe historike do të jetë test i nivelit të vetëdijes sonë për monumentet tona historike, fetare dhe kulturore.

………………………………………….

Shasi – Dokumentar në Top Channel (4 pjesë)

……………………………………………………….

(Ilustrimet janë të pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura