GJOKË DABAJ: UEFA KUNDËR SHQIPTARËVET = EVROPA KUNDËR VETËVETES!

Durrës, 25. 10. 2014 – Shqiptarët u dënuan, vetëm sepse janë shqiptarë. I dënoi UEFA. Nuk i dënoi Sërbia. Sërbia donte t’i vriste lojtarët shqiptarë. UEFA e plotësoi aq sa mundi dëshirën e zjarrtë të sërbëvet. I dënoi shqiptarët, gjoja mbi bazën e disa rregullave, por gjithkush e shikon që aty ka vepruar vetëm 1 rregull: rregulla e shovinizmit. Kjo sindromë e UEFA-s, u pa që në ditët e para, kur Sërbia filloi të hedhë vickla. “I dua tifozët vetëm nga Republika e Shqipërisë.” Pse i dashke tifozët vetëm shtetas shqiptarë?! A e ka të ndaluar ekipi shqiptar të ketë edhe tifozë kroatë, gjermanë, spanjollë, rumunë, turq e kinezë?! Ne, këtu në Republikën e Shqipërisë, kemi pa numër tifozë shqiptarë, për Italinë, për Gjermaninë, pë Anglinë, për Brazilin. Por UEFA e miratoi këtë kërkesë absurde të Sërbisë. E miratoi, sepse e dinte që ekipi i Republikës së Shqipërisë ka tifozë edhe nga Republika e Kosovës, edhe nga Ish-Rep.Jug. e Maqedonisë. Nuk donte Sërbia që të vinin në Beograd shqiptarë të Kosovës dhe shqiptarë të Shkupit. Nuk donte as UEFA, sepse edhe UEFA është shoviniste njëlloj si Sërbia.
“Hajdeni pa tifozë!” Tha Sërbia. UEFA e miratoi. Përse duhej të luante ekipi kombëtar shqiptar pa tifozët e vet?! A i kishte shkelur gjëkundi rregullat e UEFA-s ky ekip dhe a kish ndonjë vendim të UEFA-s që ekipi shqiptar të luante pa spektatorët e vet?! Nuk na duhen këtu përrallat: Jo e pranoi edhe Federata Shqiptare, jo kështu pat ndodhur edhe me Zagrebin. Shikojmë vetëm qëndrimin e UEFA-s.
„Mos na sillni flamuj shqiptarë në stadium!“ Thanë sërbët. UEFA e miratoi edhe këtë kërkesë qartësisht raciste të Sërbisë. Pse nuk i tha UEFA Sërbisë: „Ndaloji edhe ti flamujt e tu, deri sa po i ndalon ata të Shqipërisë!“?! Të 2 ekipet janë juridikisht të barabartë përballë njëri-tjetrit, ndryshe s’ka as gara sportive.

(Ilustrimi është i pashtriku.org, sh.b)

++++++++++++++

Gjyqi i UEFA’s dënon shqiptarët, ndërsa i shpërblen serbët që ulërinin

“Vrisni, prisni – shqiptarët që të mos ekzistojnë”!


„Kë të kapim me shenjat e flamurit shqiptar dhe me ngjyrat kuq e zi, apo, ruajna Zot, me shenjat e UÇK-së, do ta arrestojmë!“ Thanë organet shtetërorë të Sërbisë. UEFA nuk e kundërshtoi as këtë kërcënim më shumë se racist të shtetit sërb. E pra, para jo më shumë se 3 muajsh, sërbët patën prurë një flamur sërb në Tiranë. Jo për ndeshje futbolli, por për të përuruar një kishë shqiptare. Se ç’punë ka një flamur sërb në përurimin e një kishe shqiptare, e di vetëm Zoti ekspansionist i sllavëvet ortodoksë. Megjithatë, policia shqiptare e mbrojti atë flamur. (Sepse ai flamur s‘është vetëm i sërbëvet të këqinj. Është edhe i sërbëvet të mirë.)
Në ceremoninë e hapjes së ndeshjes midis ekipit shqiptar dhe ekipit sërb, nuk u shfaq asgjëkundi parulla JO RACIZMIT. A ish rastësi mosnxjerrja e kësaj parulle?! A e kish harruar UEFA një rregull të tillë, apo nuk deshi t’i nervozojë racistët e Sërbisë?!
Në vend të parullës JO RACIZMIT, u pa e udhës t’i zihej fryma himnit shqiptar në mënyrën më raciste të mundshme. UEFA-s s‘i bëri përshtypje as ky lloj diskriminimi, në një kohë kur, së paku duhej ta kish mbajtur shënim.
Sërbia i priti me rrethim policor të gjithë shqiptarët që ishin ftuar (lejuar) të shkonin atë ditë në Beograd. A pritet ashtu një i ftuar, një mysafir?!
Ndërkaq, kur do të largoheshin nga Beogradi, po ata shqiptarë, të lejuar, pra, të ftuar për të marrë pjesë në një event sportiv, iu nënshtruan kontrollevet nga më poshtëruesit. UEFA, thuhet se s’ka të bëjë me ç’farë ndodh jashtë stadiumevet. Është një cinizëm krejt i zhveshur. Thuhet edhe se s’ka lidhje me politikën e me marrëdhëniet midis shtetevet. Është hi syvet për njerëzit naivë. Po kur tifozët rrahin ose vrasin dikënd jashtë stadiumevet, a s’ka kurrfarë pune UEFA?! Po paratë nga i shkojnë UEFA-s?!
Pasi e miratoi UEFA një ndeshje, qartësisht diskriminuese ndaj shqiptarëvet, pa tifozë shqiptarë, pa flamuj e banderola, ajo e futi ekipin tonë, jo në një fushë futbolli, por në një ferr të vërtetë, mbushur me ulurima histerike. S’ishin ovacione tifozësh, se ovacione tifozësh ka e duhet të ketë kudo, por ishin thirrje për gjakderdhje. UEFA ish aty, bashkë me ata që ulurinin e që kërkonin gjakderdhje, por s’bëri asgjë. Pse s’bëri asgjë UEFA për të mbrojtur lojtarët?! Sepse përbëhet vetë ajo nga një tufë parazhvatësish, të cilët as që duan t’ia dinë nga bie humanizmi. Parullën e joracizmit, ajo tufë racistësh e përdor vetëm për hipokrizi dhe për të fituar para me thasë nga shitblerjet e lojtarëvet.
Në stadiumin e Sërbisë kish banderola të shumta raciste antishqiptare. Mjafton vetëm sllogani kolonialist „Kosova është Sërbi“. Kish deri edhe silueta kafkash, më të zeza se flamujt e ISIS-ëvet. Gurë nëpër xhepa e në duart e tifozëvet të Sërbisë, shishe qelqi dhe stola plastikë, mjete zjarrvënës, deri edhe fuçi me benzinë. Çfarë do të bënte UEFA, nëse këta objekte do t’i shihte në një stadium shqiptar?!
Gjatë gjithë 40 minutave, sa zgjati ajo maskaradë shoviniste antishqiptare, në atë stadium, ku nuk pushonin thirrjet e sërbëvet, jo për t’i mundur në futboll, por për t’i vrarë shqiptarët, UEFA as që deshi të dëgjojë ç’po thuhej. Pse nuk deshi t’i dëgjojë UEFA thirrjet raciste të sërbëvet?! Sepse është vetë një raciste gjer në palcë. UEFA i pa sendet e fortë dhe të quajturat fishekzjarre që hidheshin pa pushim mbi lojtarët shqiptarë, por bëri sikur nuk i pa.
Në anë tjetër, sapo u shfaq sipër stadiumit një simbol i shqiptarëvet, UEFA e pa atë simbol, me alarm dhe me ankth frymëzënës. E pa dhe mbajti shënim (në një kohë kur për asnjë nga shprehjet antishqiptare s’kish mbajtur kurrfarë shënimi). E pa dhe e quajti problem (në një kohë kur as simbolet e çetnikëvet sërbë s’i kish quajtur problem).
Nuk pa UEFA asnjë provokim ndaj shqiptarëvet në krejt atë histori. S’pat sy për të parë asgjë që e cënonte dinjitetin e një kombi AUTOKTON, por i theri si një thikë në zemër sapo u shfaqën në qiell 2 portrete shqiptarësh të shquar, një hartë, një shqiponjë dhe një fjalë e vetme: AUTOKTON!
Aty ku çdo gjë provokonte, UEFA nuk shihte asgjë. Aty ku askush nuk provokohej, UEFA shihte provokimin.
Shqiptarët kishin të drejtë të shpalosnin në atë stadium 1000 harta të tilla dhe asnjëra prej tyre nuk kish pse të merrej as si provokim, as si shpifje, as si padrejtësi, as si urrejtje, as si thirrje për hakmarrje. Po pse UEFA nuk e pranon që shqiptarët të shfaqen si AUTOKTONË?! Sepse njerëzit që bëjnë pjesë në atë organizëm, janë shovinistë dhe racistë nga më të mykurit.
Mund të thotë dikush që ka në atë organizëm edhe njerëz objektivë, joracistë dhe joshovinistë. Kjo mund të provohet fare lehtë: Sa pjesëtarë të atij forumi, i cili i dënoi, ekipin shqiptar të futbollit, Federatën Shqiptare të Futbollit dhe krejt Shqipërinë, do të japin sot dorëheqjen?! Sa do të japin dorëheqjen?! Kjo është prova!
Por e keqja, duhet thënë: tragjikja, nuk qëndron vetëm te UEFA. Do të ish një plagë fare e papërfillshme. E keqja është shumë më serioze e shumë më alarmante. UEFA, duke u pozicionuar kështu kundër shqiptarëvet, është vetëm një nga pasqyrat e politikës miope që ndjek Evropa, edhe sot, si përherë, kundër vetëvetes.
Qëndrimi armiqësor i Evropës ndaj shqiptarëvet ka shekuj që ka qenë etaloni i qëndrimit të saj ndaj vetëvetes. Le ta shfletojnë historinë politikëbërësit e sotëm të Evropës dhe le të shikojnë: Ç’ka fituar Evropa nga mospërkrahja e arbërvet dhe nga mospërkrahja e shqiptarëvet, që janë pasardhës të arbërvet?! Ka fituar një fuçi baruti! Ç’ka fituar Evropa, që nuk ia njohu pavarësinë krejt Shqipërisë, por vetëm çerekut të saj, në vitin 1913?! Ka fituar një pasiguri të përjetshme në pjesën e saj jugperendimore. Ne nuk jemi zhdukur! Ne jemi këtu, AUTOKTONË në jetë të jetëvet! Ne nuk luftojmë kundër Sërbisë. Sërbia dhe krejt Bota Ortodokse, luftojnë kundër nesh, sepse e dinë që, pa na mposhtur ne, e kanë të pamundur t’i hyjnë Evropës nga krahu i Mesdheut. Por Evropa, për fatin e saj të keq, nuk e ka kaptuar kurrë ç’të mira i ka sjellë asaj AUTOKTONIA e këtij kombi.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura