(Pashtriku.org, 15. 06. 2012) – Botohet libri ekskluziv “Lufta speciale e shërbimeve sekrete serbe kundër Kosovës pas shpalljes së pavarësisë”, i autorit Faton Mehmetaj. Botues Instituti për Studime Gjeopolitike dhe Siguri – ISGJS, Prishtinë, faqe 409. Këto ditë doli nga shtypi libri ekskluziv i autorit Faton Mehmetaj, “Lufta speciale e shërbimeve sekrete serbe kundër Kosovës pas shpalljes së pavarësisë”. Ky është libri i tij i katërt i kësaj natyre. Libri përmban në vete fakte e argumente të bollshme që tregojnë veprimtarinë e organizuar të shërbimeve sekrete serbe dhe mekanizmave të tjerë kundër Republikës së Kosovës, veçanërisht në periudhën pas shpalljes së pavarësisë. Në këtë libër pasqyrohet qartë gërshetimi i mekanizmave shtetërorë e parashtetërorë serbë që nuk kufizohen vetëm në veprimtari informative, por kanë shtrirje edhe në akte të shumta sabotimi, diversioni, të krimit të organizuar e deri në ato terroriste.
Njëri nga recensuesit e librit, Dr. Mark Ndreca, veç tjerash shprehet: …Jeni të interesuar që të njiheni me shumësinë e detajeve strukturore të situatës aktuale të sigurisë në Kosovë; A dëshironi që të formuloni një analizë për elementë-trazuesit e sigurisë rajonale dhe burimet e mbështetjes, financimit, organizimit, mënyrës së veprimit, formave dhe metodave që përdorin; të njihni prezencën dhe veprimtarinë e shërbimeve sekrete serbe dhe strukturave paralele në veri të Kosovës; A keni interesa që të njiheni me veprimtarinë e të ashtuquajturave “Shtabe të Mbrojtjes Territoriale”, apo me mënyrat e aktivizimit të organizatës paramilitare “Garda e Car Llazarit”; aktivitetin e “Rojeve të Urës” dhe jetëshkrimin biografik të tyre, raportet dhe mbështetjen e strukturuar të MUP-it dhe të shërbimeve sekrete serbe; a dëshironi të mësoni më tepër rreth mënyrave, që kjo “bashkësi destruktive” po përdorë në Kosovë, për krijimin dhe përshkallëzimin e tensioneve të brendshme, destabilitetin e institucioneve të shtetit të Kosovës, e në mënyrë të veçantë strukturave të sigurisë? – Lexoni me kujdes, se të gjitha këto do t’i gjeni në këtë libër, të titulluar “Lufta speciale e shërbimeve sekrete serbe kundër Kosovës pas shpalljes së pavarësisë”, shkruar nga hulumtuesi i çështjeve të sigurisë, zoti Faton Mehmetaj.
Të gjitha këto fakte dhe argumente do t’i gjeni të mbarështruara përgjatë 409 faqeve të këtij libri.
________________________________________
LIBRAT E AUTORIT FATON MEHMETAJ:
______________________________________
(PERGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)