DILAVER R.GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT

Pashtriku, 06. 12. 2014 – P R O L O G – Konferenca Ndërkombëtare e Rambujesë u organizua posaçërisht për vendosjen e një paqeje të përkohëshme trevjeçare në Kosovë, sikundër u deklarua. Rreth kësaj ngjarjeje janë bërë shkrime të shumta, madje janë mbrojtur edhe grada shkencore e janë dhënë edhe tituj shkencorë. E përbashkëta e gjithë këtyre trajtesave dhe e punimeve shkencore, historike apo studime të veçanta rreth asaj konference, është vlerësimi në superlativa i vendimit të Drejtorisë Politike (Dr.P) të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që pranoi të shkonte dhe ta nënshkruante atë Marrëveshje, edhe pse ajo sanksiononte autonominë e Kosovës në kuadër të Serbisë, si dhe e shkrinte UÇK-në. Në anën tjetër, direkt e indirekt, është anatemuar zoti Adem Demaçi, Përfaqësuesi Politik i UÇK-së, ngaqë u pozicionua kundër nënshkrimit pa kushte të asaj Marrëveshjeje, duke e akuzuar deri edhe për puçist!
Të tilla pozicionime të diskutueshme ndodhin ngaqë në shumicën e rasteve natyra jonë njerëzore është e prirur për të “ditur” atë që na pëlqen ta dimë sesa atë që nuk na pëlqen ta dimë. “Njeriu nganjëherë, – shkruan Ukshin Hoti – edhe pse mund të gjendet në një situatë specifike, mund të dojë të bëjë një gjë normale, e cila pikërisht sepse është normale, në një situatë të tillë specifike mund të duket si e çuditshme.” Kështu ndodhi edhe me pozicionimin e z. Adem Demaçi.
Ngaqë ai pozicionim i Demaçit u duk i çuditshëm, ndaj dhe pjesa dërmuese e opinionit publik e ka të vështirë të përcaktojë se nga cila palë anon më së shumti e vërteta, e cila është një proces që ndryshon, zhvillohet e përsoset mbi bazën e thellimit të njohjes së problemit përkatës dhe s’është kurrë e dhënë një herë e përgjithmonë.
Dihet gjithashtu se, e vërteta është një e vetme, por, ama, ka tri pamje: dy anësore dhe një në thellësi. Në rastin tonë, dy alternativat anësore të së vërtetës, për pranimin ose jo të kushteve për të shkuar në Rambuje, janë: a) vendimi i Drejtorisë Politike dhe b) sugjerimet e Përfaqësuesit Politik të UÇK-së, Adem Demaçit. Prezantimi i dy alternativave (pamjeve) anësore të së vërtetës, mendojmë se ende nuk është bërë i plotë për opinionin tonë publik. Përmes paraqitjes së argumentave të të dy palëve, ne do përpiqemi të ndërtojmë një pamje të tretë të së vërtetës, atë në thellësi, e cila të mund të përfshijë edhe dy pamjet e tjera të të dy alternativave. Vetëm atëherë do të mund të themi se e vërteta është inkuadruar në mënyrë harmonike në rjedhën e natyrshme të saj të plotë.
Meqenëse veprimtaria e Drejtorisë Politike dhe ajo e Adem Demaçit, që ne trajtojmë në këtë analizë, shtrihet në një hapësirë kohore prej 7 Marsit 1998-2 Mars 1999, ku çdo ngjarje përfshin një zgjatje në kohë dhe një shtrirje në hapësirë, kuptohet që, duke i renditur sipas radhës dhe mënyrës se si ka ndodhur secila prej tyre, do të mundohemi të analizojmë se si ato kanë ndikuar tek njëra-tjetra; e cila është një përçapje thelbësore që të afron më shumë drejt njohjes të së vërtetës.
Kanë kaluar tashmë më shumë se 15 vjet nga ajo kohë dhe plot gjëra kanë ndryshuar në Kosovë. Nëse sot i kthehemi vendimit që u muar për të shkuar në atë kohë në Rambuje, duke pranuar apo jo kushtet e panegociueshme të parashikuara në projekt-marrëveshjen e asaj konference ndërkombëtare, këtë e bëjmë për të gjykuar veten tonë, me të vetmin qëllim që, nga ato ngjarje historike të nxirren mësime për të tashmen e të ardhmen e Kosovës.

Ndaj dhe analizën do ta bazojmë në filtrin e ngjarjeve që lidhen me këtë eveniment në terren dhe në Konferencë, në shkrimet dhe dokumentat e botuara gjatë asaj kohe e më pas, (nga autorë vendas e të huaj), si dhe në rezultatin përfundimtar të saj.
Lexuesi, duke u njohur me ngjarjet që kanë ndodhur në UÇK gjatë asaj periudhe kohore njëvjeçare, si dhe me akuzat dhe kundërakuzat që i janë bërë secilës palë, le ta shohë të vërtetën sipas konceptimit të tij, duke bërë gjykatësin. Ky është edhe qëllimi final i kësaj përpjekjeje.
Kthimi i herë-pas-hershëm në këto ngjarje nga autorë të ndryshëm tregon se vendimet e Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe të Adem Demaçit kanë ende elementë të pasqaruar. Me këtë punim ne nuk pretendojmë se do të flitet në mënyrë shterruese për ngjarjen në fjalë. E vërteta përherë bën rrugë të gjatë.
HYRJE
Adem Demaçi, kjo figurë emblematike e desidencës dhe e politikës kosovare prej viteve ‘60 të shekullit të kaluar e në vijim, në javën e dytë të Gushtit 1998 është takuar me dy nga drejtuesit e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Sylën e Xhavit Halitin, në Tiranë, ku, – siç thotë ai -, “arrijnë ujdinë që ata të bëjnë luftën e ky politikën.” Si rjedhojë, më 13 Gusht 1998, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, përmes komunikatës nr.7 të tij, e shpall publikisht Adem Demaçin Përfaqësues të Përgjithshëm Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Prishtinë.
Me këtë veprim, ata që ishin në krye të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës legjitimuan para opinionit publik shqiptar dhe masës së luftëtarëve të UÇK-së, ekzistencën dhe përbërjen aktuale të Drejtorisë Politike të saj, (Hashim Thaçi, Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Azem Syla, në të cilën kooptohet edhe Adem Demaçi), si dhe të Shtabit të Përgjithshëm, (i cili përbëhej atë kohë nga këta të pestë plus Rexhep Selimi, Sokol Bashota, Lahi Ibrahimi). Askush nuk dinte se çfarë tentativash ishin bërë deri atëherë prej antarëve të Drejtorisë Politike, që kishin mundur të delnin në këto funksione të larta drejtuese të UÇK-së, duke shmangur nga drejtimi i Luftës për Çlirimin e Kosovës dhe i UÇK-së dy lëvizjet politike, (Lëvizja Popullore për Kosovën, LPK; Lëvizja Kombëtare Çlirimtare për Kosovën, LKÇK), të angazhuara shumë më herët.
Vendimi i Drejtorisë Politike (Dr.P) për t’i propozuar Adem Demaçit detyrën e Përfaqësuesit Politik të UÇK-së ka qenë një nga veprimet dhe vendimet e saj më të studjuara dhe më të zgjuara. Në periudhën kur thirret Adem Demaçi në ndihmë, UÇK-ja, përveç që kish pësuar disfatë të ndjeshme në aspektin e veprimtarisë së saj ushtarake në terren, ajo ishte edhe e izoluar politikisht nga i gjithë spektri politik mbarë shqiptar, ashtu edhe nga diplomacia ndërkombëtare. Deri në ato momente nuk kemi asnjë takim politik publikisht midis Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe politikanëve shqiptarë si dhe me diplomatët ndërkombëtarë. Dhe që UÇK-ja të delte nga ai izolim, Drejtoria Politike thirri në ndihmë Adem Demaçin, “Bacën, legjendën e gjallë të popullit shqiptar… Figura e tij e rëndomtë në mënyrë gati të padiskutueshme kaloi në legjendë; u tret në shpirtin e gjallë të popullit dhe u mishërua në ëndërrën e tij shekullore; Demaçi dhe populli u bënë një. Nuk ishte më tutje vetëm një bir i denjë i popullit, por gati vetë populli”, sikundër e përcakton Ukshin Hoti. Këtë e kish më se të qartë edhe Drejtoria Politike e UÇK-së, dhe, për të dalë nga situata ku ajo e kish futur UÇK-në, e kuptoi se “për politikën tani e tutje ishte i rrezikshëm vetëdijësimi politik i popullit shqiptar. Dhe këtë Demaçi e artikuloi me inteligjencën e tij të mprehtë; me shpjegimet e thjeshta, por definitive dhe të prera; me referencat e tij-shpatë që coptonin, por që nuk therrnin.” Emërimi i Demaçit në atë pozicion politik e përligjte tendencën historike për bashkim kombëtar shqiptar në një situatë të mëvonshme më të përshtatshme, pavarësisht se ai deklaroi se hiqte dorë nga Ballkania e tij.
Demaçi, duke e pranuar ta kryente legalisht detyrën e përfaqësuesit politik të UÇK-së, në qëndër të kryeqytetit të vendit ku kryhet ajo luftë, duke lëvizur e vepruar haptas përmes forcave ushtarako-policore të pushtuesit, përbën një rast unikal në historinë e luftrave çlirimtare botërore, e cila ishte edhe një sfidë e drejtpërdrejtë që ai i bënte Serbisë. Pranimi i kësaj detyre nga Demaçi, ishte një guxim i marrë, pasi përbënte për të një rezikshmëri të jashtëzakonshme.
Deklarimi publikisht nga Demaçi, si kryesues i asaj detyre politiko-ushtarake, e vuri Serbinë në dilemën për t’u përcaktuar në njërën prej tre alternativave: ta pranonte, duke e lënë të lirë Demaçin; ta arrestonte; apo ta injoronte (të heshtte). Dhe ajo zgjodhi të tretën, heshtjen, sepse po ta pranonte, do të detyrohej të ulej menjëherë në bisedime me të; po ta arrestonte do të shtoheshin radhët e UÇK-së me luftëtarë, mbështetës dhe simpatizantë. Por edhe heshtja pati pasoja të paparashikueshme prej Serbisë, sikundër ishte përpjekja për krijimin e Asamblesë Kombëtare, e cila do të eleminonte Kuvendin e Kosovës i dalë nga zgjedhjet e diskutueshme të Marsit 1998, nën monitorimin e vetë Serbisë, gjë që nuk i interesento asaj.
Megjithatë, mungesa e reagimit serb ndaj atij emërimi të Demaçit si Përfaqësues Politik legal i UÇK-së do të thoshte leje e nënkuptuar (implicite) për veprimtari legale të tij në tërë territorin e Kosovës si Komisar Politik i UÇK-së. Kjo ishte edhe arsyeja pse Demaçi nuk pati pengesa prej Serbisë për krijimin e Asamblesë Kombëtare, i cili, me shumë zgjuarsi ftoi të merrnin pjesë në atë Asamble edhe pakicat kombëtare në Kosovë, për të mos i dhënë shkak Serbisë që ta pengonte funksionimin e asaj asambleje. Politikisht, Serbia prej asaj dite që nuk reagoi ndaj asaj detyre legale të Demaçit, dashje pa dashje nuk mund ta mohonte ekzistencën e një ushtrie çlirimtare në Kosovë dhe, njëkohësishtë, indirekt pranonte se UÇK-ja nuk ishte organizatë terroriste. Dhe faktet e treguan një gjë të tillë më pas. Si rrjedhojë, pretendimet e mëvonshme serbe se UÇK-ja ishte terroriste, e shoqëruar gjithmonë me mjete të dhunës për ngulfatjen e saj, u provuan si absurde.

Përfaqësuesit politikë të UҪK’së: Adem Demaçi dhe Albin Kurti, gjatë konferencës me gazetarë në Prishtinë (1998)

Me një fjalë, emërimi i Demaçit në krye të politikës së asaj lufte çlirimtare ishte një hap avancues shumë i madh nga ana e Drejtorisë Politike, që vështirë se mund të tejkalohej nga ana e Serbisë. Për këtë shkak, leja e nënkuptuar serbe, do të thoshte edhe luftë për legalizimin e mëtejshëm të punës së Demaçit në këtë drejtim përmes të qenit Komisar Politik legal i UÇK-së. Merita në këtë drejtim i takon Drejtorisë Politike, e cila gjeti njeriun më të spikatur, në momentin më të spikatur dhe të vetmin personalitet të mundshëm në Kosovë që mund të përfaqësonte denjësisht gjininë e vet shqiptare.
Sikundër shihet, Drejtoria Politike i kish bërë saktë këto llogari. Duke vënë në krye të politikës së luftës këtë legjëndë të gjallë të shndërruar në popull, jo vetëm që ajo do ta thyente izolimin politik dhe diplomatik të UÇK-së, por do të shumonte edhe rradhët e formacioneve të saj. Njëkohësishtë, me atë veprim të zgjuar, Drejtoria Politike i bëri Serbisë edhe një karshillëk të befasishëm e të paparashikuar prej saj, pasi, veç të tjerave, e përgënjeshtronte propagandën e Serbisë dhe mbështetësve të saj, e cila e akuzonte UÇK-në si një organizatë terroriste, pavarësishtë se vihej në rrezik jeta e Demaçit, e këtij politikani modern, të cilin “Komuniteti politik evropian me gjest fisnik, i pat ndarë çmimin Saharov”, dhe kjo ngaqë Demaçi, duke qenë i lirë në veprimtarinë e tij politike, “ai nuk e luftoi në veçanti asnjë armik, por që të gjithë së bashku. E luftoi dhe e mundi çdokë dhe secilin që deshi ta pengonte emancipimin e popullit shqiptar në Kosovë. Për këtë shkak figura dhe personaliteti i tij u mishërua me progresin”; si dhe me marrshimin përpara të forcave dhe të luftës së UÇK-së, ngaqë “Demaçi u shndërrua në popull. Për këtë shkak, madhështia e tij nuk qëndron në të njohurit e tij nga populli, por edhe në të njohurit e popullit në veten e tij”; por edhe në të njohurit e UÇK-së nga i gjithë populli në Kosovë, nga kombi shqiptar dhe nga ndërkombëtarët.
Mirëpo Drejtoria Politike nuk deshi ose nuk diti ta shfrytëzonte sa më gjatë këtë progres politik që i dha Adem Demaçi UÇK-së në arenën kombëtare e ndërkombëtare, pasi me t’u kthyer nga raundi i parë i bisedimeve në Rambuje, jo vetëm që anëtarët e saj nuk pranuan as të përshëndeteshin me të, por e përzunë edhe nga detyra e Komisarit Politik, që i patën besuar para gjashtë muajve!
Adem Demaçi e pranoi ofertën e SHP të UÇK-së për të qenë Përfaqësuesi i Përgjithshëm Politik i saj në Kosovë, duke hequr dorë nga drejtimi i Partisë Parlamentare dhe vizioni i tij vetjak për konfederatën Ballkania. Sikundër ka treguar koha, zoti Demaçi, vendimin për të pranuar ofertën e bërë nga dy drejtues të lartë politikë të UÇK-së, nuk e mori aspak për interes vetjak, por është nisur nga ideja e çlirimit të Kosovës, si hap i parë drejt bashkimit të saj me shtetin amë, ide për të cilën ai pat luftuar pareshtur gjat gjithë jetës së tij, në luftë me shtetin Jugosllav e më pas me Serbinë.
Hapi i parë që bëri Adem Demaçi, porsa pranoi detyrën politike të afruar nga Shtabi i Përgjithshëm, i sugjeroi këtij organizmi të lartë drejtues që ta ndryshonin strategjinë ushtarake të UÇK-së, “nga lufta për territore, ku pësoi disfatë, por jo edhe humbje përfundimtare, dhe të kalohej në metodën e luftës guerile”. Gjë që rriti besimin në radhët e UÇK-së si dhe në popull, duke u bindur se kishin të bënin jo vetëm me një politikan të sprovuar, por edhe me një takticien ushtarak të zotin. Ajo direktivë e tij tregonte kushtrim, kërkesë, dhimbje dhe shpresë. Ai e dha këtë direktivë strategjike ushtarake ngaqë ia jepte atë të drejtë pozicioni politik. Si rrjedhojë, nënkuptohej se prej atij momenti, vetëm ai kish të drejtë të përcaktonte politikën e luftës për çlirim, si Përfaqësuesi i Përgjithshëm Politik i UÇK-së, duke e bindur popullin se lufta ishte nisur për t’u fituar dhe jo për të bërë pazare me përpjekjet e luftëtarëve të dalë prej gjirit të tij. “Qeveria që formulon politikën e luftës dhe që duhet t’ia përshtasë atë kushteve që ndryshojnë shpesh gjatë konfliktit, – udhëzon teoricieni ushtarak Lidëll Hart – mund të ndërhyjë me të drejtë në strategjinë e një fushate…. Kur qeveria gjykon se kundërshtari ka epërsi ushtarake në tërësi, ose në një teatër të vaçantë operacionesh, ajo mund të vendosë të përdorë një strategji me qëllim të kufizuar.”
Sikundër do ta shohim në vijim, nëse Demaçi do ta kishte de fakto atë fuqi urdhëruese ndaj Drejtorisë Politike dhe Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, për t’i detyruar formacionet e saj luftarake të zbatonin në terren strategjinë e luftës guerile (partizane), atëherë mund të thuhet me siguri se ai ishte udhëheqësi kryesor politik i asaj ushtrie çlirimtare; dhe, e themi me bindje se, nëse UÇK-ja do të vinte në jetë strategjinë ushtarake që propozonte Demaçi, do të ishin serbët ata që do të kërkonin haptas rrugë të tjera jashtë Kosovës, për të fituar në tryeza ndërkombëtare atë që do të humbisnin praktikisht çdo ditë në terrenin e luftës. Por, bazuar në ngjarjet që do të analizojmë, del se Demaçit nuk iu bindën ata që duhej të bindeshin për të vënë në jetë atë strategji ushtarake, që ai kërkoi të aplikohej!
(***)

– LEXONI LIBRIN –
DILAVER R.GOXHAJ: DRAMA E UÇK DHE E ADEM DEMAÇIT
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/Dilaver-goxha-drama-e-UCK-demaci.pdf

…………………………….

(Për botim e përgatiti: editori i pashtriku.org, sh.b) 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura