LEIN: ‘LIRIA E LËVIZJES NË KOSOVË – SFIDAT DHE KUFIZIMET E BRENDSHME DHE RAJONALE’

Pashtriku.org, 04. 02. 2015 – Këto ditë (më 27 janar 2015), në sallën e konferencave në hotelin “Sirius” në Prishtinë, Lëvizja Europiane për Integrime Ndërshqiptare (LEIN) organizoi konferencën shkencore me titull: “Liria e Lëvizjes në Kosovë – sfidat dhe kufizimet e brendshme dhe rajonale”. Në këtë konferencë morën pjesë studiues të ndryshëm nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova Lindore, përfaqësues të ambasadave, përfaqësues të shoqërisë civile e të ftuar të tjerë nga radhët e studiuesve të integrimeve, të sigurisë, të marrëdhënieve ndërkombëtare, shkencave politike, studentë, etj. Të pranishmëve Lëvizja Europiane për Integrime Ndërshqiptare ua shpërndau edhe një draft prej 20 faqesh në të cilën trajtohet Liria e Lëvizjes në Kosovë – sfidat dhe kufizimet e brendshme dhe rajonale.
Prof. dr. Gjon Boriçi, nga Tirana, ligjërues në disa fakultete, në kumtesën e tij shkencore “Globalizimi dhe Lëvizja e Lirë – Rasti i shqiptarëve në Ballkan”, foli për domosdoshmërinë e formimit të një strategjie unifikuese, sepse në rrethana të globalizmit pa strategji e projekte nuk mund të lëvizet drejt progresit. Ndërkaq, studiuesi tjetër Faton Mehmetaj, në kumtesën e tij: “Kufizimet, sfidat dhe problemet me lirinë e lëvizjes në territorin e Kosovës”, trajtoi problemet e lirisë së lëvizjes brenda territorit të Kosovës, vështirësitë që ka Kosova me lëvizjen e lirë, faktorët që determinojnë në pengimin e lëvizjes së lirë, rolin e KFOR-it, të EULEX-it dhe të mekanizmave vendorë të sigurisë, që kanë në sigurimin e lirisë së lëvizjes e çështje të tjera që e plotësojnë këtë trajtesë në tërësi. Ai, pos tjerash, tha se liria e lëvizjes është pjesë e garantuar me Kushtetutë tek ne dhe në shtetet e Europës dhe të botës, është një normë ombrellë që përfshinë më vete shumë traktate e konventa, që garantojnë dhe sigurojnë lirinë e lëvizjes. Pa liri të lëvizjes nuk ka shtet funksional.

Nga të gjithë referuesit në këtë konferencë u fol për lirinë e lëvizjes, kufizimet dhe pengesat që i kanë shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Kosovën Lindore, etj. nw kwtw drejtim.
Mr. sc. Ardian Ramadani, profesor i gjuhës dhe i letërsisë frënge, magjistër i diplomacisë dhe shkencave politike, përkthyes, publicist dhe kolumnist nga Maqedonia, në kumtesën e tij: ”E drejta për lëvizje të lirë, si vlerë fundamentale, rasti i Maqedonisë”, solli fakte rrëqethëse lidhur me pengimin dhe bllokimin e lirisë së lëvizjes së shqiptarëve nga shteti maqedonas edhe pse një pjesë e konsiderueshme e deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë janë shqiptarë, sikurse që e ndajnë pushtetin edhe në ekzekutiv. Edhe studiuesi tjetër nga Maqedonia, Iljasa Salihu, në temën e tij: “Dyer e hekurta mes shqiptarëve”, foli për pengesat që i kanë shqiptarët në Maqedoni me lirinë e lëvizjes me shqiptarët në Kosovën Lindore (veçanërisht rasti i Kumanovës dhe Preshevës) dhe me Kosovën, ku për shkak të rrethanave politike dhe pengesave për t’i vizituar të afërmit në Kosovë dhe në Preshevë nga Maqedonia duhet të udhëtosh qindra kilometra a në fakt këto vendbanime po të ishte krijuar klimë e favorshme e lëvizjes së lirë ka qenë punë 20 minutash për të arritur në pika të caktuara. Iljasa Salihu përmendi edhe rastet kur disa të rinj që kanë provuar të kalojnë kufirin në pika të afërta ka ndodhur që edhe janë vrarë.
Një temë mjaft interesante dhe të faktuar me statistika konkrete e paraqiti edhe Arbër Pajaziti, Shef i kabinetit të Kryetarit të Komunës së Bujanocit, i cili në kumtesën e tij: “Kufizimet e lëvizjes së lirë në fshatrat shqiptare të Kosovës Lindore nga presioni i policisë dhe xhandarmërisë së Serbisë”, i trajtoi ballafaqimet që i kanë shqiptarët e kësaj ane me xhandarmërinë serbe, pengesat që ua shkaktojnë ata qytetarëve shqiptarë në lëvizjen e lirë, presionet që i bën policia dhe xhandarmëria serbe tek shqiptarët e këtyre anëve me qëllim që të shpërngulen dhe ta braktisin vendin e tyre, duke përmendur edhe qindra raste kur shqiptarëve u është marrë shtetësia nga shteti serb. Fatmir Arifi, kryetar i Lëvizjes për Integrim të Luginës së Preshevës, ka folur për marrëveshjen e CEFTA-s dhe dëmtimet që kjo marrëveshje ua ka bërë shqiptarëve në lëvizjen e lirë ekonomike. Naim Prelvukaj, veprimtar dhe analist politik nga Mali i Zi, ka trajtuar pengimin e lirisë së lëvizjes së shqiptarëve në Mal të Zi. Ai e fajësoi edhe elementin shqiptar dhe partitë politike shqiptare se po e bëjnë punën e qeverisë së Malit të Zi në dëm të shqiptarëve, duke thënë se deri më tani nuk është bërë asgjë për integrimin e shqiptarëve të Malit të Zi me Kosovën dhe me Shqipërinë, duke hapur rrugë e duke qelë korridore për të lëvizur lirshëm mes veti dhe për të mundësuar edhe tregtinë e lirë mes shqiptarëve të Malit të Zi, me Kosovën dhe me Shqipërinë.

Në pjesën e diskutimeve u bë një debat konstruktiv rreth lirisë së lëvizjes tek shqiptarët. Në Kosovë, liria e lëvizjes pengohet dhe kufizohet nga elementi pakicë (minoriteti serb), i cili fatkeqësisht në shumë raste vazhdon të jetë i instrumentalizuar nga Beogradi zyrtar. Edhe në Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë Lindore (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë) etj., liria e lëvizjes për shqiptarët që jetojnë në këto shtete pengohet nga oponentë të caktuar të pushtetit. Shqiptarët e Maqedonisë, Kosovës Lindore, Kosovës, Malit të Zi etj., ndonëse kufizohen me shqiptarë, edhe në këtë drejtim kanë pengesa nga shtetet ku ata jetojnë që të mos lëvizin lirshëm, edhe pse është një e drejtë e patjetërsueshme e njeriut. Ky është një problem që do trajtim të gjithanshëm dhe objektiv, që sa më parë kërkon zgjidhje, u tha veç tjerash në këtë konferencë.

Prishtinë, Më 31 janar 2015
Sektori për Informim i Lëvizjes Europiane për Integrime Ndërshqiptare (LEIN)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura