FJALA QË RIVJEN…

FJALA QË RIVJEN…

(Mbi mendimin e munguar elitar)

Nga Rexhep Kasumaj, Berlin 15 shkurt 2022

I doli (s’kish si të ndodhte ndryshe) fjala profesorit tim të dashur, tashmë i ndjerë, fizikhumbur e i pavarr, Ukshin Hotit.

Ishim takuar për të fundit herë, viti 1990, në “Grill-Nani”, Kodra e diellit, Prishtinë. I pranishëm patjetër dhe miku ynë i paharruar Qani Mehmedi!

Dhe Profesori po na thoshte atë që dukej një gjeopolitikë e vjetruar. E pra: se pa një luftë të kufizuar e n’menaxhim të fuqive të mëdha perëndimore dhe pa njohjen nga Rusia s’mund të kishte as çlirim, e as shtet të vërtetë të Kosovës!

Më vonë ndër vite, punët rrodhën njëj  saktësie aksiomatike sipas parathënies së tij. Lufta, aleatët, Kremlini inert e në asistencë sociale europiane, por pastaj sërish, Rusi e rikëndellur dhe lojë e hemisfera të reja bote!

Nuk e besoja atëherë, akoma i ri e pa rezon të formuar historie, se s’do vononte shumë e kjo ditë vinte. Se Moska do të kthehej, tani e krahuar nga Kina ofensive, dhe do të rrekej të rivijëzonte Kartën politike të Europës. Madje me arrogancë, shpërfillje e përbuzje të Fuqisë përendimore të rënë e përçarë si rrallë ndonjëherë!

Kujtojmë, ndaj, prapë e sërish intelektualin e atdhetarin e shquar, Hoti dhe pragun e njohjes nga Rusia që duhet kaluar si stacioni i fundmë i shtetkryerjes. I  pavarsisë reale e të plotënuar të tij!

Por ashtu si është e, mbase, do të rikonfigurohet konstelacioni i fuqisë, njohja nga Moska kalon nga Serbia, kurse njohja prej saj nga një kompromis përvëlues (po “kush quajti aq shumë sa t’mos mund të qajë prapë?” vjershëron poeti iberik)! Ndërkaq kompromisi vetë, me gjasë, parashfaqet të ketë dy fije alternative: politike a territoriale. E para do cënonte rendin kushtetues, kurse e dyta tërësinë tokësore të Kosovës!

Kam shkruar më herët se temat që konvergjojnë a përplasen me interesat e mëdhenj, gjenden shumë pak në dorën e Kosovës. Po të mos ishte ky pikëpërkim dhe ora zero e Kremlinit, një Zot e di ku do greminosej fati i saj në ndërrim mijëvjeçarësh.

Por shqiptarët nuk bënë atë që ishte në zotësinë e tyre. Përkundrazi: shpërdorën për njëzet vjet kohën dhe rastin për të dhënë provën e qytetnisë dhe mesazhin e aftësisë për jetë shtetërore më vete!

E tani, veç frekuencash të liga që lajmërojnë Hartë e Rend të ri, edhe ky argument fatal e përçmues shndërrohet në armë kundër Kosovës.

Dhe shqiptarëve, përgjithsisht!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura