ARTAN MULLAJ: 100 VJET VETMI SHQIPËRIA IME!

(Tiranë, 14. 07. 2012) – Në krejt fasadën e një ndërtese të një biznesi privat përgjatë rrugës Tiranë-Durrës, është shkruar një parullë madhështore: “100 vjet Pavarësi – Shqipëria ime!” E shkruar privatisht, ngutshëm dhe para kohe, a thua koha do të ndryshojë drejtim papritur dhe vjeshta, as festa, nuk do të vijnë, përshtypja e parë që krijohet është frika e biznesmenit patriot, se festës së madhe do t’i mungojë nostalgjia. A e duan aq fort shqiptarët atdheun e tyre, sa të dëshmojnë krenari të tejshme, apo në vend të saj, shpërfillja, pasojë e realitetit të ashpër, do të shoqërojë përvjetorin e zhurmshëm? Midis dashurisë për vendin dhe ashpërsisë, kënaqësia e një përvjetori të tillë do të jetë lumturi kolektive, apo do të ngjajë me një klithmë ngazëllimi të trishtë njerëzish të zhgënjyer.
E adhurueshme si ardhja e dallëndysheve, kjo parullë, me germa të mëdha të zeza në sfondin e kuq të flamurit tonë, përpiqet të ndezë frymën e përvjetorit të Pavarësisë, më 28 Nëntor. Kësaj fryme synon t’i shërbejë edhe angazhimi shtetëror. Vrulli ka nisur dhe përgatitjet e shëmbëllejnë ditën e Pavarësisë me atë të një dasme. Disa janë caktuar të zgjedhin fustanin e nusërisë, të tjerët do të merren me dhuratat, monumentet, mbishkrimet, aktivitetet, përzgjedhjet, gënjeshtrat dhe ritet e nevojshme. Të tjerët, ata më finët, do të përzgjedhin këngëtaren botërore, që do të ndezë turmën në këtë përvjetor, Shakirën ose Ledi Gaganë, dhe do të krijojnë fjalimin e madh. Vjeshta është një çap pas verës dhe për shkak të të nxehtit, aq më shumë duket sikur ka njëfarë nguti kombëtar në bërjen e punëve.

……………………..

100 VJET PAVARËSI

…………………

Flamuri kombëtar duket më shpesh gjithandej, dhe do të shpeshtohet edhe më. Njerëzit nuk është nevoja ta ruajnë më të fshehur në sëndukë, për ta nxjerrë si margaritar të çmuar në festën shekullore të kombit. Është e lehtë të gjesh një flamur, falë dramës së komercialitetit që sundon jetën tonë. Por kjo lehtësi të kujton po kaq lehtë zbehjen e nacionalitetit tonë në çdo skaj. Po të hyjmë në të thella, flamuri shqiptar nuk e ka atë magjinë e dikurshme të përfaqësimit, në kohët e para kur fshehur në sëndukët e vjetër, ato nuk ishin thjesht copa leckash të kuqe me një shkabë të zezë në mes. Atëherë kishte njëlloj nderimi për to. Njerëzit mbanin frymën, sepse në ngjyrën e kuqe fshihej magjia e përbashkimit. Sot jo gjithherë.
Më parë, flamuri pështjellohej në mënyrë simbolike me patriotizmin e shqiptarëve të zakonshëm. Sot është ndryshe. Mungon krenaria. Kjo mungesë nuk është thjesht mungesë nderimi për flamurin tonë. Është përçmim për Atdheun. Përçmimi për Atdheun, a nuk është sot në modë njëlloj si FB-ku? Sa herë na ndodh të dëgjojmë shprehjen, “Këtu nuk jetohet! Ky është një vend i mallkuar! Ka mbaruar gjithçka! Politikanët janë kurva, por janë edhe kafshë të pangopura!”. Sa herë emigrantët tanë që vijnë nga Perëndimi për të pushuar e çmallur me njerëzit e tyre lënë pushimet në mes duke thënë: “Po ju si qëndroni këtu? Si jetoni e duroni këtu? Me këto kushte, me këtë pisllëk, me këta mafiozë të korruptuar dhe me këta barbarë në pushtet? Ka plot vende të tjera në planet ku mund ta shpenzosh gëzueshëm jetën tënde!”
Natyrisht, gjithkush është i lirë ta dojë ose ta përçmojë vendin e tij. Duke e dashur ose duke e urryer, secili shfaq optikën e tij, që mund të jetë sa e sinqertë aq provinciale. E dimë, Shqipëria e shkretë, në prag të nusërimit të pavarësisë, për 100-vjetor, është e sëmurë, e lodhur dhe e zhgënjyer. Por lodhja dhe sfilitja nuk janë arsye për ta përçmuar. Përkundrazi. Dashuria është një fuqi që lind pikërisht nga mungesat dhe vuajtjet. Në vend që ta përçmojmë, duhet të hapim sytë. A mund ta duam Shqipërinë duke vuajtur për të? A mund ta duam duke e pranuar siç është, veshur me zhele dhe këmbëzbathur? A mund të zemërohemi dhe të shpërthejmë, për t’i kundërvënë këtë dashuri barbarisë së sundimtarëve, që e kanë lënë këto 100 vjet në vetmi dhe mjerim?
Si një kritik i qeverisë, shumë herë pyes veten mos ndoshta zemërimi im ndaj brutalitetit qeveritar i kalon caqet e duhura. Shpesh kam mëdyshje, mos ndoshta jam i padrejtë kur nuk besoj te liderët e popullit tim dhe përpiqem t’ua imponoj këtë vullnet edhe të tjerëve. Por në çdo rast bëj një ndalesë. Ndiej se si i çdo qytetari të thjeshtë shqiptar, zemërimi im është i shëndetshëm. Kuptoj se zemërimi, besimi i munguar ndaj politikanëve shqiptarë që vendosin për lirinë tonë, shndërrohet në urrejtje për ta. Sepse ata, sundimtarët, politikanët, po shkatërrojnë Shqipërinë duke i vjedhur pasurinë dhe duke fshirë njëherë e mirë nga shpirti ynë krenarinë.
A mund t’i besojmë kësaj klase politike, e cila pjesën më të madhe të kohës e shpenzon me sharje e fyerje për njëri-tjetrin, duke fyer durimin tonë që rrimë e i dëgjojmë, duke shpresuar se do të ndryshojnë? A ka ende naivë të tillë në Shqipëri që besojnë se në drejtimin e punëve publike gjenden njerëzit e duhur, njerëzit e ditur, karriera politike e të cilëve është e lidhur me pasionin, përkushtimin dhe dashurinë për vendin e tyre. Vështirë! Duke u bërë shtetas shekullorë, shqiptarët janë të zhgënjyer, shpesh të pashpresë. Jo se nuk ka njerëz të tillë, mendimtarë dhe atdhetarë, të aftë e pasionantë, që do ta tërhiqnin zgjedhën e rëndë të zhvillimit drejt suksesit dhe krenarisë. Natyrisht që Shqipëria ka bij të devotshëm, të paprekur nga ndotja e moralit, por ata nuk janë në pushtet, sepse pushteti në Shqipëri është një kështjellë betoni pa dyer. Duke qenë e pamundur hyrja në të, harresa i ka marrë dhe do t’i marrë pas vetes si dallga rërën në bregdet. Shqipëria është e marrë peng nga bastardët. Ndaj nuk ecën përpara. Nuk ecën përpara, sepse nuk rri dot në këmbë, por në gjunjë. Zvarritet në drejtimin e ethshëm ku shumë larg saj, si një galaktikë, vezullon Europa. Zvarritet përpara, mbahet me thonj, me gishta të gjakosur për të dalë nga gremina e tranzicionit, ku klasa politike e ka shtyrë pa mëshirë. Ngjitet në majë, rropatet, përbaltet, kapet pas rrënjëve të pemëve derisa një furi e rrëshqet sërish mbrapsht në humnerë.
Duam të shkojmë drejt Europës, ndërkohë që sfida jonë nuk është rruga drejt saj, por dalja nga kjo greminë e tranzicionit, që na barazon me vendet e Botës së Tretë. Mjegulla e korrupsionit na bën të ngjasojmë më shumë me vendet që nuk qeverisen, sundohen dhe përmbysen me revolucione. Le t’u hedhim një sy halleve tona në këtë përvjetor. Të shohim sesi nënat i rrisin fëmijët e tyre. Se ku edhe si mësojnë fëmijët tanë dhe si ushqehen prindërit tanë. Të shohim sesi varfërohen njerëzit e thjeshtë të punës për të zhvlerësuar nderin dhe drejtësinë. Dhe si rriten ortekët e llogarive bankare të politikanëve hajdutë. Se si lulëzon mediokriteti dhe militantizmi. Të shohim sesi ngrihen lart njerëz që nuk meritojnë dhe si, njerëzit e thjeshtë e të drejtë luftojnë të fitojnë jetesën e vështirë me dinjitetin e tyre.
Në 100-vjetorin e Pavarësisë, arritjet nuk mund të maten me deklaratë boshe dhe demagogji politikanësh të zhytur në llumin e mëkateve të tyre, por me nivelin e dinjitetit që vendi u afron qytetarëve të vet.

…………………..

O SA MIRË QË JAM SHQIPTAR…

…………………………….

……………………

_________________________

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura