Tiranë, 18. 09. 2015: Tani ka dekada që në Shkodër nuk ka divizion, ka struktura ushtarake më të vogla, të përshtatura me kohën e të pajisura si duhet, por titulli i këtij shkrimi është çështje merite, vlerësimi dhe përceptimi. Me 1984 në stadiumin “Loro Borici” të Shkodrës, në një ceremoni ushtarake, në prani të dhjetra mijë qytetarëve, Divizionit “Taraboshi” të Shkodrës i dorëzohej Flamuri luftarak, të cilin e merrte në dorëzim një komandant i ri, i sapoemëruar (në shkurt), po me shumë pervojë në drejtim e komandim, Enver Gaba, nga Tragjasi i Vlorës. Në Shkodër fjala divizion kishte kuptim dhe histori. Divizioni II i UNҪSH kishte çliruar Shkodrën me 29 nëntor 1944. Divizioni më 1912-13, nën urdhër të Hasan Riza Pashës kish mbrojtur Shkodrën. Jo divizioni, po komandanti i tij, Esat Pashë Toptani ia kishte lëshuar Shkodrën Malit te Zi
Divizioni i Shkodrës kishte drejtimin më kryesor të mbrojtjes sonë strategjike andej mendohej rrëziku më i madh. Lugina e Drinit kish mbrojtje Kosovën dhe relievin malor të Shqipërisë. (Sërbëve ende edhe sot nuk u ka dalë tmerri nga kalimi në alpet e Shqipërisë më 1912!) Shkodra me Gentin kish rënë e fundit nën romakët, e fundit nën osmanët, më 1479, e fundit në luftërat ballkanike, më 23 prill 1913. Shkodra ishte thembra e Akilit të Shqipërisë.
Shkodra, më e hapur si reliev dhe shumë më afër Tiranës, përceptohej si drejtimi kryesor i një sulmi të mundshëm jugosllav Këtu, fill pas çlirimit, kish qenë edhe korparmata III, e më pas Korpusi i Shkodrës ,që përfshinte gjithë Veriun. Me 1983 e më pas , kishte disa divizione: edhe Kukësi, edhe Tropoja edhe Puka, po Shkodra ishte drejtimi më i rëndësishëm.
Komandant të Korpusit ose të garnizonit ushtarak (për nje kohë të Brigatës 21), të Shkodres kishin qenë Hasan Riza Pasha, Tahir Kadareja, Shefqet Peci, Arif Hasko, Nexhip Vicani, Hito Cako, Qazim Kapisyzi, (të gjithë gjeneralë, disa edhe “Heronjë të Popullit”) e pas heqjes së gradave: Tefik Ruci, Xhenet Mucaj, Llukan Garo, Enver Gaba vinte si komandant i divizionit të Shkodrës pas suprimimit të strukturës së Korpusit. Veç traditave , divizioni, ruante po atë numër konvencional : 8001.
Me 11 njësi operative: në territorin e 3 bashkive të sotme, të Shkodreës, të Malësisë së Madhe dhe të një pjese të Lezhës, nga Marlula e Vermoshit në Veri, në Gjadër, nga Alpet në bregdet, ishin vendosur 4 brigada këmbësorie, plus dy brigada sulmuese, 1 brigadë artilerie, 1 brigadë tankesh, 2 regjimente kundërajrore, 1 regjiment artmitralier, plus batalionet përkatesë autonome, të ndërlidhjes, të kimisë, të zbulimit, të kundërajrorit, të xhenjos ,etj., përhapur në një territor shumë të fortifikuar. Divizioni kishte mbështetje (brenda territorit të tij ) regjimentin gjuajtës – bombardues të Gjadrit dhe Bazën detare të fortifikuar e pajisur të Shëngjinit, si ” askund në Europë” (Gjeneral D. Gyresh,1991).
Divizioni kishte një shtab të kulturuar e me shumë përvojë, me kuadro si Ibrahim Cela, Ali Isaku e Ndue Sanaj (shefa të Shtabit) Myzafer Malile, Bajo Topulli e Mark Dreni, Xhevdet Jubani, Daut Berdaj, Lazër Pjetri, Liman Kulla, Xhemali Abazi, Thoma Mamillo, Ndoc Gurakuqi, Abdulla Celepia, Hasan Kraja, Pano Cuni, Fejzi Hoxhalli, Ahmet Beqiri, (shefa të armëve dhe sherbimeve), të kompletuar më specialisë ushtarakë e civil ( universitarë) të aftë.
Enver Gaba, 38 vjeç, emërohej nga shumë lart në detyrën e komandatit të divizonit të Shkodrës. Me trup mesatar, serioz si çdo lab, brun, flokëzi kaçurrel, simpatik, tip që i pëlqente llogjika dhe aspak emocional,artilier në specialitet.( kish mbaruar Akademinë ushtarake në Tirane )Vinte në detyrën e lartë të komandantit të divizionit pas një karriere të merituar dhe ngjitjeje shkallë-shkallë( pa kapërcyer asnjë !): nga komandant baterie në Vlorë, shef shtabi grupi,,student në akademinë e Mbrojtjes në Tiranë,shef shtabi regjimenti ne Vlore, shef shtabi brigade në Fier, po aty 5 vjet komandant brigade, e më pas shef shtabi divizioni në Durrës. Si pak kush ai do të bënte në detyrën e komandantit të divizionit të Shkodrës gati një dekade, (9 vjet) nga 1984 në 1992.
Ish komunist, por do të kuptohej gradualisht se nuk i kishte në praktikën e tij vijën e masave, ndërhyrjet në kompetencat e të tjerëve dhe as në ato ato të tijat,i pëlqente ligji, urdhëri dhe zbatimi korrekt. Dhe ndonëse në kohë të vështira për pozicionin e komandantit , Enver Gaba do t’i bënte vend e do t’i delte zot postit të vet.
Pa diskutim që divizioni në ato vite shënoi përparime, majfton të kujtojmë stërvitjet e viteve 1988 dhe 1989, kompletimin e lartë të reparteve dhe njësive ,rritjen e shkallës së shfrytëzimit të fortifikimit në stervitjet e batalioneve , grupeve,të perdorimit të teknikës së re të ndërlidhjes që po futej, të bashkeveprimit me organet e pushtetit në terren etj.Kosova, ku po zhvilloheshin ngjarje dramatike ,ishte motivi i madh i mobilizmit dhe i gatishmerisë .
Divizioni dhe komandanti i tij mbajtën një qëndrim korrekt edhe ndaj zhvillimeve demokratike , në të cilat Shkodra , inisiatore , pati edhe zhvillime dramatike e tragjike sic ishin ato të 2 prillit l991, e më parë, ato të 13 dhjetorit 1990.Por repartet e divizionit nuk do të përziheshin ëe zhvillimet politike të ditës dhe as do tu kundërviheshin protestave popullore.Komandanti i divizionit do të krijonte një emër të mirë dhe do të gëzonte simpati në publik. Kjo ishte njohur dhe pranuar hapur edhe nga forcat politike të ish opozites. Por kur ajo erdhi në pushtet pas 22 marsit, u soll dhe mbështoll në kufizimet e saj ideologjike, dhe jo vetëm nuk e ngriti me lart Kolonel Enver Gabën, sic edhe pritej, po e emëruan komandant të një brigade të divizionit të Tiranës e me pas shef te shtabit te Divizionit! Me gradën nënkolonel! Ai Enver Gaba , i thjeshtë, intelektual i vërtetë, vijonte punën. Në fund të fundit nuk ish Enver Gaba që kish nevojë për gradën. Kjo , grada ushtarake, kish nevoje për të, kish nevojë të identifikohej grada e gjeneralit me një komandant të sprovuar. Padyshim të gjithë ata që e njihnin nuk mund ta mirëkuptonin këtë mënjanim. Po eprorët kishin filluar shpejt të shikonin interesa të pjesshme., partiake.Koha tregoi se gradën ushtarake po e gërryente politika, deri sa e coi gjithe Ushtrinë (1997) në shkatërrim.Enver Gaba e njeh dhe vlerëson drejt kohën dhe jetën.” Po, të dashur, pavarësisht kur jetuam,(kohë) të cilën nuk e zgjodhëm, ne ishim brez i lidhur me punën që bënim, e kjo i bënte nder brezit tonë, por edhe Shqipërisë.” u shkruan ai miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij (fb.16.01 2015)
Atë gradë, të nënkolonelit, mbajti Emver Gaba deri sa doli në pension të parakohshëm ! Ai u ngjan atyre shembujve që bota i njeh nga veprat.Për koicidencë edhe Hasan Riza Pashën, komandantin turk që mbrojti Shkodren, qeveria revolucionare e turqve të rinjë të Stambollit, që e mendonte si kundërshtar politik e pat degraduar nga gjeneral në kolonel. Po ai e mbrojti Shkodren dhe historia e njeh si Hasan Riza Pasha !
E gjithë Shkodra fliste dhe flet me respekt për birin e saj Rexhep Hakën, ish studentin e Akademisë ushtarake italiane qe u vu ne krye të batalionit partizan “ Perlat Rexhepi” të Shkodrës , që shpartalloi në betejën e Recit, gusht 1943, një formacion të ushtrisë italiane prej 1200 vetash , të përforcuar me aviacion e artileri;të batalionit që kapërceu Alpet në dimrin e madh të 1943-44 dhe bashkë me batalionin ‘Bajram Curri “ siguruan punimet e Konferencës historike të Bujanit; të komandantit të grupit partizan të Shkodrës që mori pjesë dhe u shqua në luftë për clirimin e saj, 22- 29 nentor 1944. Po një ditë më pas, me 30 nëntor, kur u formua Brigata e 27s, politika do ta caktonte Rexhep Hakën zv/komandat (!) dhe, pas Clirimit deri sa ishin gradat, e la nënkolonel, dhe e nxori në pension para kohe. Por Rexhep Haka edhe sa ishte gjallë nderohej si rrallëkush.U shkul Shkodra të merrte pjesë në varrimin e tij ceremonial të jashtëzakonshëm .
Regjimi i kaluar socialist nuk i pat dhënë gradë shkencore themeluesit të etnografisë shqiptare, Rrok Zojzit, ish drejtorit të Institutit të Etnografisë! Ndërkohë që Zojzi, atëhere e sot,njihet e nderohet brenda e jashtë vendit për veprën e tij të gjërë e të pasur shkencore.
Këtu ia vlen të kujtojmë fjalët brilante që pat thënë Romen Rolan se nuk kishte pasur nevojë Molieri për Akademinë. Kishte pasur nevojë Akademia për Molierin .
Kur po ringrihej Ushtria shqiptare më 1998 Enver Gaba do të thrritej përsëri ne Ushtri dhe do të punonte 4 vjet pedagog në Akademinë e FA, e për 1 vit do të kryente detyrën e shefit të stërvitjes ne Komanden e Doktrines e të Stervitjes te Ministrise se Mbrotjes .Ne fund të vitit 2002 do te lirohej per herë të dytë dhe përfundimtare nga Ushtria.Por Enver Gaba nuk do te trokiste në dyert e pushtetit. Si civil, do të bënte me dinjitet punën e këshilltarit dhe përkthyesit në disa kompani amerikane që merreshin me ceshtjet e mbrojtjes në Shqiperi.
Ndërkohë familja Gaba ish vendosur diku, këtu në periferi të Tiranës në fermën e saj, ku ka kënaqësi të punojë e të prodhojë. A nuk ishte ai i biri i xha Brahimit nga Tragjasi , “:që dilte cdo mëngjez dhe i ngjitej malit për të sistemuar e rregulluar fidanët e pyllit të Llogarasë”? ( E. Alikaj)Po Enver Gaba është sot e gjithë ditën modern, bën një jetë për tu pasur zili, në një mjedis të pastër e pa ndotje akustike, jeton në një shtepi të bukur qe e ka ngritur sipas kërkesave të tij. Gjen kohë të lexojë, në studjojë, të kerkojë në internet, të lidhet me miq e shokë të shumtë në të katër anët, jo vetëm në fb, posepo.
Nuk e di pse Enver Gaba më kujton disi atë aristokratin e famshëm të republikës romake, Sulën (Lucius Kornelius), i cili pasi hoqi dorë vullnetarisht (79 p.e.s) nga posti i diktatorit të përjetshëm (edhe sot ky akt habit historianët ) qetë , qetë, shkoi në fermën e tij të vijonte punën në kopshtin e vet. Të tjerë më vonë e perdorën funksionin e diktatorit për të marrë pushtet e për tu bërë perandor.
Edhe pse në Shkodër mbeti perkohësisht struktura ushtarake e divizionit, ndryshimet strukturore që u bënë ,ndërrimet e shpeshta te kuadrove drejtues, e zbehën, në mos e fshinë fare imazhin e tyre. Po në mendjen e shkodranëve figura e Enver Gabës nuk ka humbur .Ai vazhdon të jetë për ta “komandant divizioni “.Kjo nuk është vetëm ceshtje kujtese dhe respekti, por, në rradhë të parë, merite.
Më 31 gusht, Enver Gaba festoi 70 vjetorin e ditëlindjes. Urime të shumta dhe miq i shkuan nga Shkodra, nga Vlora, nga të katër anët, edhe nga Amerika. Edhe nje grup ushtarakësh e ish ushtarakësh, që kishim punuar në divizionin “ Taraboshi” te Shkodrës , general-major Viktor Berdo, kolonel Arben Toska, Agron Berdaj,Besnik Gjonbrati, Xhemali Abazi dhe unë, i shkuam për vizitë në shtëpi dhe i shprehëm urimet e falënderimet tona. Pritja ishte miqësore dhe tradicionale, mbushur me kujtime dhe emocione të paharruara.