DILAVER GOXHAJ: DY STANDARTET E GJYKATAVE TË EULEX’it NË KOSOVË!

Tiranë, 13. 02. 2016: Sikundër është bërë e njohur, më 27 maj 2015 gjykata e EULEX-it në Mitrovicë dënoi me 12 vjet burgim ish-komandantin e Zonës së parë Operative të UÇK-së, Sami Lushtaku, me motivacionin “është fajtor sepse i mori jetën një personi, në shtator 1998”. Mirëpo, njeriu që paska “vrarë” Sami Lushtaku, për këtë gjykatë nuk ka rëndësi se nuk i dihet as emri e as mbiemri, as nga është, as i kujt është dhe nga cili vendbanim është, as ku është vrarë, as se ku është varrosur, pasi nuk ka asnjë dëshmitar okular, edhe pse nuk ka dalë deri sot asnjë pjestar familjeje që të interesohet për fatin e tij, etj.. Kështu që ky vendim jo vetëm që të befason, por vë në dyshim edhe drejtësinë Perëndimore, të cilën deri para se të jepej ky vendim e kemi besuar si Perëndinë. Duke e dëgjuar arsyetimin e këtij vendimi absurd, menjëherë të kujtohet mesjeta dhe koha e ndjekieve dhe e krimeve të Inkuizicionit spanjoll.
Ndërsa Sylejman Selimi, ish-Komandant i SHP të UÇK-së, u dënua me motivacionin: “Dënohet me 6 vjet burgim se ka shkelur konventat e luftës, duke e trajtuar çnjerëzisht një dëshmitar si spiun serb.” Lind pyetja: çfarë ligj lufte ka shkelur S. Selimi? Mirëpo, nëse i referohemi PGJ I, Neni 44 dhe Neni 1020, Kreu 10 i DC/COM/FAS të Gjenevës, 6.8.1999, mbi “Të Drejtën e Konfliktit të Armatosur”, mësojmë se: “Spiunët nuk e gëzojnë të drejtën e statusit të të burgosurit të luftës”. Dhe të drejtën e ndëshkimit ekstrem të spiunit (nëse është vërtetuar një gjë e tillë), S. Selimit ia jepte Neni 502.2, Kreut 5 “Të Drejtës së Konfliktit të Armatosur”, ku thuhet: “Luftrat për çlirim kombëtar “në të cilat popujt luftojnë kundër sundimit kolonial dhe pushtimit të huaj dhe kundër regjimeve raciste në ushtrimin e së drejtës së tyre për vetë-vendosje” (PGJ I), të trajtohen si konflikte të armatosura ndërkombëtare”. E megjithatë S.Selimi u dënua nga gjykata e EULEX-it.

Nuk kaluan më shumë se 8 (tetë) muaj dhe po në këtë gjykatë të EULEx-it, në të njëjtën sallë, me të njëjtin trup gjykues ndërkombëtar, u zhvillua gjyqi i kriminelit serb Oliver Ivanoviç, i cili deri para 8 muajve ishte edhe deputet në Parlamentin e Kosovës. Ai u dënua, më 21 janar 2016, me 9 vjet burg. Motivacioni i dënimit të tij është: “ka vrarë 20 civilë të theshtë shqiptarë dhe boshnjakë të pafajshëm”.
Kushdo që i ka ndjekur lajmet e këtyre dy gjyqeve në fjalë është befasuar dhe habitet se si është e mundur që krimineli serb dënohet dy herë më pak se “kriminelët” e pafaktuar shqiptarë, edhe pse serbit i faktohen 20 të vrarë në Mitrovicë, (11 i vrau në Prillin e vitit 1999, kur ishte komandant i patrullës së paramilitarëve serbë, tek rruga kryesore “Miladin Popoviç”, ndërsa 9 të tjerë i vrau po në Mitrovicë, pas një viti, në 4 Shkurt 2000, kur kryente detyrën e komandantit të formacionit serb “Rojet e Urës”).
Nëse bëjmë një llogari aritmetike të thjeshtë del që Oliver Ivanoviç dënohet me 6 muaj burg për çdo shqiptar e boshnjak të vrarë! Ndërsa dy prej ish-drejtuesve kryesorë të UÇK-së dënohen me 12 vjet burg, për vrasjen e një qytetari që nuk ka ekzistuar kurrë; dhe tjetri me 6 vjet burg pse ka vrarë me gjyq të regullt partizan një spiun kolaboracionist. Ndërkohë Oliver Ivanoviçi dënohet me 6 muaj burg për çdo të vrarë edhe pse nuk e mbron asnjë lloj konvente ndërkombëtare mbi luftrat dhe konfliktet e armasura!
Sikur çudirat e gjykatës së EULEX-it të mjaftonin me kaq, do të përbënte gjysmën e çmendurisë së drejtësisë së EULEX-it. Por, duke qenë se kemi të bëjmë me dy ish-komandues të lartë të UÇK-së, me kombësi shqiptare, ata dënimin do ta vuajnë gjith-herë në burg të sigurisë së lartë. Dakort, kështu e ka ligji. Mirëpo për kriminelët serbë ka edhe ligj edhe Maliq. Krimineli Ivanoviç, meqenëse është serb, edhe pse ka vrarë 20 shqiptarë e boshnjakë, kjo gjykatë vendosi që ai ta kryente dënimin me burg në shtëpi! Dhe këtë vendim, kjo gjykatë e justifikon duke iu referuar disa neneve të Kodit Penal të Kosovës. Po mirë, pse nuk i shfrytëzoi kjo gjykatë këto nene të këtij Kodi Penal edhe për dy “kriminelët” shqiptarë që kanë “vrarë” vetëm nga një person, por e shfrytëzuan për një serbë që ka vrarë 20 persona? A ka logjikë juridike, sado miope të jetë, që ta hajë këtë lloj justifikimi? Ç’i kujtojnë shqiptarët këta euro-gjyqtarët e ardhur në Kosovë, mos vallë si dikur Bismarku, “njerëz me bisht”?
Por e mahnitshmja e gjykatës së EULEX-it nuk u mjaftua me kaq. Edhe pse e detyruar nga opinioni publik, më në fund e çoi Ivanoviçin në burg, por për t’i kërkuar ndjesë dhe, për t’u bërë përsëri karshillëk shqiptarëve, pas një jave si e çuan në burg, i dhanë leje Ivanoviçit që të kthehej në shtëpi e të festonte ditëlindjen e djalit! Gjë që në asnjë kod penal të çdo vendi demokratik nuk përcaktohet leje për një rast të tillë.
Por, çudia e çudirave, e asaj date të 10 shkurtit 2016 ndodhi se po atë ditë, mjekët e spitalit të burgut në Mitrovicën Veriore kërkuan që Sami Lushtaku të transferohej në pavionin e Kardiologjisë së Spitalit të Prishtinës, pasi kish nevojë për trajtim më të specializuar, dhe kjo gjykatë nuk i lejoi! Ç’emër t’i vëmë kësaj përveç se raicëm?
Po në atë datë, 10 shkurt 2016, Parlamenti i Kosovës i hoqi mandatin e deputetit ish-komanantit të Zonës së Pestë Operative të UÇK-së, Muarrem Mustafës, për të kryer edhe një pjesë të dënimit me burg që i kish ngelur pa bërë. Dhe çfarë ndodhi?, do të pyesni ju. Ambasadori Britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell menjëherë doli në media dhe tërë kënaqësi deklaroi: “Me vjen mirë që më në fund, Kuvendi e largoi një nga deputetët e dënuar për krime lufte. As Kuvendi, as zyra publike, e as liria nuk janë vendi i duhur për njerëzit e dënuar për krime të rënda. Vendi i duhur është burgu”. Dhe me të drejtë , ish-zëdhënësi i SHP të UÇK-së dhe ish-kryeparlamntari Kosovës, z. Jakup Krasniqi i kthen këtë përgjigje atij ambasadori: “Nuk kam si mos të pajtohem me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar – Ruairi O’Connell-in, “kriminelët nuk e kanë vendin në liri”. Por, a e kanë vendin në krye të shtetit ata që ishin kupola e krimit serb, të cilët ishin pjesë e pandashme e krimit dhe e gjenocidit në tri luftëra shkatërruese në ish Jugosllavi (në Kroaci, në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë) dhe po ata sot të jenë shpresë e integrimeve evropiane e euro-atllantike? Pse dy kute të ndryshme edhe për çështje (krime) që nuk mund të krahasohen bash me asgjë? Mos të harrojmë, për një shekull, shqiptarët e Kosovës qenë të rrezikuar nga dëbimi e shfarosja. Por, sipas logjikës suaj, z.ambasador, ku duhet të jetë Presidenti actual i Serbisë,z. Nikoliq, po Kryeministri aktual i Serbisë, z.Vuçiç, të dy politikanë aktivë në mbështetie të atij genocide antishqiptar, si dhe ministri i Jashtëm i saj, z.Daçiç, i cili ishte zëdhënësi i Millosheviçit gjatë asaj lufte shfarrosëse? Apo atyre u lejohet çdo gjë, pse janë bij të “popullit hyjnor” se kështu dëshirojnë ta quajnë veten politikanët dhe akademikët serb në Beograd”.
Mirëpo, ajo që të habit së tepërmi, asnjë forcë politike dhe asnjë politikan tjetër kosovar, a qeveritar i Kosovës, nuk reagoi për këto trajtime të diferencuara të EULEX-it, përjashtuar Vetëvendosjes. Me sa duket, ngaqë Vetëvendosja bën reagime të tilla, prandaj Hashim Thaçi i quan “armiq të Kosovës”, Xhavit Haliti i quan “Neronë të Kosovës”, ndërsa Isa Mustafa i quan “egërsira serbe”, si dhe i gjithë populli heshtin(!!!). Në mbështetje të politikanëve e qeveritarëve kosovarë doli në datën 12 shkurt edhe vetë kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë një konference për medie të mbajtur në Beograd, pas takimit me senatorin amerikan, Bob Croker, duke thënë: “unë nuk i gëzohem problemeve që po i kanë në Prishtinë, ngaqë më 17 shkurt do të mbahen demonstrata, ndoshta më e mëdhia e mbajtura deri më tani në Kosovë”. Ç’është ky unison qeveritar Prishtinë-Beograd?!
Madje janë po këta qeveritarë e politikanë “patriotë” kosovarë, të cilët votuan Gjykatën Speciale kundër çdo luftëtari të UÇK-së; që pranuan krijimin e mini-shtetit serb në Kosovë (Zajednicën) dhe po ata që i falën Malit të Zi gati 10 000 hektarë territor të Kosovës, si me e pas pronë të baballarëve të tyre. Janë po këta “atdhetarë të mëdhenj”, që në 20 mars 1999 nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë, e cila në Pikën 3 dhe 4, të Nenit 1, të Kreut I të asaj thotë shprehimisht: “Pika 3. Republika Federale e Jugosllavisë është përgjegjëse në Kosovë për këto fusha vijuese, përveç nëse është përcaktuar ndryshe në këtë marrëveshje: a) integriteti territorial, b) ruajtja e tregut të përbashkët brenda Republikës Federale të Jugosllavisë, pushteti i të cilës do të shtrohet në mënyrë të tillë që të mos bëjë diskriminimin ndaj Kosovës, c) politika monetare, ç) mbrojtja, d) politika e jashtme, dh) shërbimet doganore, e) tatimet federale, ë) zgjedhjet federale dhe f) fushat e tjera të përcaktuara në këtë marrëveshje. Pika 4. Republika e Serbisë do të ketë pushtet në Kosovë, ashtu si është përcaktuar në këtë marrëveshje, duke përfshirë edhe çështjen e zgjedhjeve republikane”.
Natyrshëm lind pyetja: si është e mundur që populli i sheh e i dëgjon këto veprime të EULEX-it dhe të politikanëve të tyre kosovarë dhe hesht?! Nuk ka ky popull as gjak e as nerva?!
Këto pyetje mendojmë se e kanë një përgjigje. Dhe ajo mund të jetë: politika pacifiste dhe urospecilistët e ardhur në Kosovë, bashkë me politikanët e BE-së kanë arritur që ta ndryshojnë mënyrën e të menduarit dhe të konceptuarit të ngjarjeve nga ana e popullit shqiptar në Kosovë. Një popull, pasi ndryshon të menduarit dhe të konceptuarit e dukurive shoqërore, pa tjetër që do të ndryshoi edhe karakterin dhe mentalitetin e vet. Historia na tregon se shpirti i njeriut nganjëherë pëson shndërrime tepër të shpejta dhe tepër të mëdha. P.sh. a nuk vihet re se ka një ndryshim të dukshëm ndërmjet natyrës së kosovarëve të viteve ’80 të shekullit që lamë pas dhe atë të një kosovari të ditëve të sotme. Po ashtu, ky ndryshim ekziston edhe midis ish-luftëtarëve të UÇK-së së kohës së luftës dhe veteranëve të sotëm; luftëtari i djeshëm ishte sa i rrëmbyer aq edhe i pavarur në mendime, sot i matur dhe i vëmendshëm duke i mbajtur sytë si lulia e diellit ndaj qeveritarëve, sa duket sikur kanë ndëruar racë në pak vite! Duket sikur ka një botë të tërë ndërmjet natyrës së ish-luftëtarëve me veteranët e sotëm.
A ishin kosovarët e viteve ’80, të cilët ngriheshin në këmbë masivisht kundër Serbisë edhe kur kthehej edhe një ushtar kosovar i vrarë në ushtrinë serbe, ndërsa kur shpërtheu lufta çlirimtare, jo vetëm që qëndruan indiferentë ndaj saj, por në rastin më të parë ua mbathën këmbëve dhe ikën 1 400 000 vetë, duke u shpërndarë në të gjithë globin! Kosovarët e sotëm, përfshi dhe veteranët, janë po ata njerëz që ishin dje, mirëpo për dy dekada e më pak po duket se kanë ndryshuar rrënjësishtë. Kuptohet që shkak janë krizat e mëdha politike që kanë kaluar e kalojnë dhe propaganda pacifiste, e përforcuar nga misionarët europianë, të cilat kanë ndryshuar tiparet anatomike dytësore të kosovarëve, të cilat janë modifikuar lehtësisht. Këto kanë bërë që të shfaqet ndër ta një personalitet i ri, duke u shndërruar karakterin, aq sa duket se zakonet, idetë, sjelljet, me një fjalë gjithçka, janë ndryshuar ashtu siç ndryshon sipërfaqja e liqenit, turbulluar prej stuhisë. Shpresojë që kjo të mos vazhdojë gjatë.
Vetëm këto shkaqe e shpjegojnë ndryshimin rrënjësor të karakterit të këtij populli. A ishin këta kosovarë që pushtetarët dhe politikanët e tyre të djeshëm puthadorë të Titos dhe Millosheviçit i akuzonin për tradhëtarë, edhe pse Titua pushtetin ua kish besuar kosovarëve, por që puthadorët kosovarë bënin sipas urdhërave të serbëve? Edhe sot pushtetarët dhe politikanët kosovarë u nënshtrohen europianëve njësoj si ata të djeshmit titistëve, madje edhe më shumë, duke shkuar deri në ngritje të një Gjykate Speciale kundër çlirimtarëve të tyre, deri në falje territori të Kosovës, deri në lejimin e kthimit të Serbisë në Kosovë përmes Asociacionit të Komunave Serbe të shtuara artificialisht; madje janë po këta kosovarë me pushtet politik të cilët e vjedhin popullin përmes korrupsionit në atë shkallë aq të madhe sa që kosovarët detyrohen të lëshojnë Kosovën dhe as nuk i akuzojnë për tradhëtarë dhe as nuk ngrihen më kundër këtyre hajdutëve të njohur botërisht, të korruptuar deri në gen. Aq i madh është ky indiferentizëm ndaj interesave popullore e kombëtare të kësaj popullsie sa duket sikur ky ish-popull është shndërruar në para-popull.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura