Prishtinë, 22. 02. 2016: Në Kosovë po formohet një klasë e “intelektualëve” të “pavarur”, të cilët në pa mundësi për t’i thurur elozhe shef(it)ave të tyre/tij nga “Rienvesti”, i cili është vërë në shërbim të kapjes së institucioneve më vitale të shtetit, nuk ngurojnë t’i akuzojnë qindra mijëra qytetarë si “serbizues të Ditës së Pavarësisë”!!!
Pse bëhet kjo?
Kjo bëhet për të mbrojtur kapësit e institucioneve të shtetit, natyrisht duke i “sulmuar”, duke thënë shprehjen “gjeniale”: “Këta që e kanë kapur pushtetin, nuk janë të mirë, por më të mirë nuk ka”. Kështu ata mbyllin çdo shpresë për ndryshim. Përkthyer kjo në shqip i bie që këta që janë në pushtet, janë lule në krahasim më ata që mund të vinë. Kjo logjikë e të menduarit të “intelektualëve” tanë “mendjendritur”, nuk jep asnjë mundësi për ndryshim. E vendi ynë, Kosova kurrë nuk ka pasur nevojë më të madhe për ndryshim. E nëse “intelektualëve” tanë nuk ju duhet ndryshimi, është çështje tjetër!?
Unë nuk kam asnjë dyshim, këta “intelektualë” të “pavarur”, kanë origjinë nga trupa “profesionale” ekonomike e mediale që kanë “kullotë” fonde të ndryshme nga shokët e tyre qeveritarë, një pjesë tjetër e tyre kanë shtirë rrënjë gjithandej në institucionet e shtetit. Pse kanë “kontribuar” shumë për te?!
Ketë kastë “intelektuale” duhet ta kuptojmë sa herë që thonë: “këta s’janë të mirë por më të mirë nuk ka”!!! Kjo do të thotë që ne mos të bëjmë ndërrime e mos të ëndërrojmë një perspektivë ndryshe. “Intelektualët” tanë, nuk e vrasin mendjen se nëse nuk ka ndryshim, perspektiva e qytetarëve është e vrarë dhe aty ku vrahet perspektiva, qytetarëve u mbetet vetëm rruga e ikjes, siç e kemi parë jo pak herë!.
A janë të vetëdijshëm intelektualët tanë, oponencë e kujt duhet të jenë?
Qeverisja e keqe, shteti i kapur, nuk mund të ndryshohen pa një oponencë të fuqishme. Dhe oponencë të fuqishme nuk ka aty ku nuk ka opozitë të bashkuar, politike e qytetare. Prandaj qytetarët, më 17 shkurt 2016, nuk e “serbizuan Ditën e Pavarësisë”, por i dhanë kuptim Festës për Shtetin e Pavarur, Sovran e Demokratik. Moto e protestës ishte: “Duam shtet me sovranitet”! Nuk është e domosdoshme që intelektualët të jenë oponencë e pushtetit, por mos të “qëndronë në dy hunjë”!
Kushdo që e interpreton ndryshe, PROTESTËN E 17 SHKURTIT 2016, ata le të tregojnë “ku i kanë çadrat” e mos të na shesin “dushk për gogla”!