MURAT GECAJ: NDERIM PËR DY MËSUES E KOLEGË TË PAHARRUAR

Tiranë, 06. 03. 2016: Në prag të Festës së 7 Marsit – (1.Mesud Abule, mësuesi e pedagogu dhe miku i shtypit tonë) – Në korrik të këtij viti mbushen 11 vjet, nga dita kur u nda përgjithnjë nga jeta mësuesi e pedagogu, studiuesi e botuesi dhe veprimtari i dalluar, arsimor e shoqëror, ish-sekretari i Shoqatës “Bashkësia Dibrane”, Mesud Sulejman Abule.
Lindi në Tiranë, më 21 prill 1932, në një familje atdhetare nga Dibra e Madhe, që trashëgoi e zhvilloi traditat e virtytet më të mira të shqiptarizmës. Shkollën fillore, 7-vjeçare dhe të mesme i kreu në kryeqytet. Më tej, vazhdoi studimet e larta në Beograd dhe i përfundoi me nota shumë të mira, në vitin 1955, në degën matematikë-fizikë, të Institutit të Lartë Pedagogjik të Tiranës.
Me njohuritë e fituara në bankat e shkollës, me pasionin, talentin dhe energjitë e tij djaloshare, Mesudi shërbeu me përkushtim, mësues dhe edukator i nxënësve në shkollat e mesme më në zë të Tiranës, si “Qemal Stafa”, “Çajupi” e “Partizani”. Mbas një pune të gjatë e të pasur pedagogjike, ai u përzgjodh për të punuar pedagog në Shkollën Ushtarake “Skënderbej” dhe në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, në kryeqytet. Aty shërbeu dhjetëra vjet me radhë, mësimdhënës e përgjegjës katedre, duke dhënë një ndihmesë të çmuar në modernizimin dhe zbatimin e matematikë-fizikës, në të gjitha lëndët e përpikta të fushës ushtarake. Breza të tërë kuadrosh të Ushtrisë sonë gjetën te ai specialistin e talentuar në lëndët që jepte dhe njeriun me virtytet më shembullore.
Studimi dhe puna me librin ka qenë një ndër fushat më të pëlqyera për Mesud Abulen. Në gazeta e revista të ndryshme ka botuar dhjetëra artikuj e studime, sidomos nga fusha e shkencës së fizikës, të cilët janë pëlqyer nga lexuesit e moshave të ndryshme. Mori pjesë dhe drejtoi disa sesione shkencore, ku vetë lexoi punimet e tij të thelluara dhe tërheqëse për dëgjuesit, në fushën e mësimdhënies, pedagogjisë etj.

Përvojën e tij të pasur, Mesud Abule e la të pasqyruar në libra shkencorë e shkollorë, si: “Toka dhe historia e saj”, “Leonardo Da Vinçi”, “Astrologjia”(për shkollat e mesme), “Mbi optikën”, “Fjalori i astronomisë” (bashkautor) dhe në botime të tjera për maskimin në ushtri, kurs fizike për shkollat ushtarake etj.
Për shumë vite me radhë, ai ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i redaksisë dhe autor i sa e sa shkrimeve, të botuara në faqet e gazetës “Mësuesi”, organ i MASH. Po kështu, ishte bashkëpunëtor i revistës kulturore e shkencore “Univers”, u aktivizua në borde të ndryshme të shoqatave kulturore e shkencore etj.
Por, mbi të gjitha, Mesudi mbeti i gjallë në kujtesë për familjen, nxënësit e kolegët dhe të gjithë ata, që e njohën, njeri shumë i dashur e gojëmbël, i sinqertë e i respektueshëm, i matur e i papërtuar, shembull për t’u ndjekur, në fjalët dhe veprimet e tij. Prandaj, me të drejtë, të gjithë e thërrisnin “Profesor”. Ai pati gjithnjë pranë bashkëshorten Bukurie, me të cilën rritën dhe edukuan djalin Admir e vajzën Eliana, me virtytet e cilësitë tona më të mira.
Për familjen, kolegët, nxënësit e prindërit dhe gjithë të njohurit, Mesud Abule mbetet i paharruar; jeta dhe veprimtaria e dalluar e tij në fushën e arsimit tonë kombëtar, do të jenë të pashlyera e frymëzuese për breznitë e reja. Ne gjithnjë përulemi përpara kujtimit të tij!
2.Lec Zadeja, një jetë në arsim e i lidhur me shtypin e tij
Disa kohë më parë, pra kur nuk shërbeja më redaktor në gazetën “Mësuesi”, mora një letër të ngrohtë dhe miqësore nga miku e kolegu ynë, Lec Zadeja. Për shumë vite me radhë, ai shërbeu me pasion në fushën e arsimit dhe pastaj ishte në pension, në qytetin e lindjes, aty në Shkodër. Megjithatë, siç shkruante ai në atë letër:
“Unë, megjithëse në pension, nuk rri i qetë, por pasionin që kam pasë për vite, për historikun e arsimit, vazhdoj ta ruaj. Lexoj shtypin arsimor dhe jam informuar se, gjatë kohës që ishit në gazetë, keni përgatitur dhe botuar një libër për historikun e arsimit shqiptar. Por kështu, kur lexova vëllimin e parë të “Historisë së Arsimit dhe Mendimit Pedagogjik Shqiptar”, vërejta se një ose dy kapituj ishin përgatitur nga ju. Kjo gjë më gëzon, se shoh mikun e kolegun tim të vjetër, që tani ka hyrë në “vallen” e studimeve për historinë e arsimit”.
Ndërsa, më tej, Leci sillte përsëri ndërmend gazetën e tij të paharruar: “Ju vetë nuk e dij se me çfarë merreni konkretisht, a shkoni ndonjëherë në gazetën “Mësuesi” dhe a e takoni Ilirin (i bëni të fala) dhe kolegët e rinj aty. Ua kujtoni atyre se, në shtator të 2006-ës, është 45-vjetori i gazetës “Mësuesi””. Në fund, ai kërkonte disa libra për historikun e arsimit dhe u përpoqëm t’ia plotësonim dëshirën.
Në arkivin vetjak ruaj një dorëshkrim të vitit 1975, të dy bashkëpunëtorëve të tjerë të rregullt dhe të kahershëm të gazetës “Mësuesi”, Idriz Kali e Muamer Vuci. Ai i kushtohet pikërisht veteranit të arsimit, Lec Zadeja dhe mban titullin “Punëtor i palodhur i arsimit”. Ndër të tjera, aty flitet se ai e nisi punën e nderuar të edukatorit të brezit të ri, në Oblikë të Shkodrës. Në vitin 1948, aty u ngarkua me detyrën e mësuesit dhe drejtorit të shkollës. Me qëllim ngritjen e mëtejshëm të nivelit arsimor e profesional, u regjistrua e ndoqi studimet pa shkëputje nga puna, në ILP “Aleksandër Xhuvani” të Tiranës. Pas shërbimit ushtarak, përsëri Leci ishte në drejtimin e disa shkollave, në fshatrat Gruemirë, Gur i Zi e Mjedë. Të gjithë nxënësit e prindërit e kujtojnë atë për punën shembullore të tij, në shkollë e jashtë saj. Ndërsa arsimtarët e rretheve të Veriut e mbajnë mend atë, si një “arkiv të gjallë”, në qendrën e konsultimeve, pranë ILP të Shkodrës.
Krahas detyrës së përditëshme në shkollë, Lec Zadeja nisi të studiojë historinë e arsimit dhe të bashkëpunojë me shtypin pedagogjik, me gazetën “Mësuesi”, numri i parë i të cilës doli në shtator 1961. Po kështu, ndër të tjera, përgatiti për botim punimin: “Një vështrim historik, rreth punës për krijimin dhe zhvillimin e shkollave, në rrethin e Shkodrës, në vitet 1944-1974”.
Gjatë një periudhe disavjeçare, ai trajtoi në faqet e gazetës “Mësuesi” çështje nga më të ndryshmet, të historisë dhe zhvillimit të arsimit në rrethin e tij. Me informacione, korrespondenca, artikuj problemorë, reportazhe, vëzhgime etj., ashtu serioz dhe sistematik siç është, ai zuri vend ndërmjet bashkëpunëtorëve më aktivë të kësaj gazete dhe fitoi dashurinë e respektin e lexuesve të saj. Shkrimet e tij janë dalluar për saktësinë, thjeshtësinë dhe thellësinë e mendimit, për çështjet e trajtuara.
Për punën e bërë në fushën e arsimit dhe si bashkëpunëtor i shtypit arsimor, Leci u nderua me disa medalje e urdhëra. Ashtu siç e pohon vetë, në letrën e mësipërme,edhe në vitet pasardhëse nuk qendroi duarlidhur dhe e sfidoi moshën e tij, duke u marrë me kërkime, shkrime e studime në fushën e arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar. Ndër të tjera, ai e ndieu veten krenar se, sëbashku me qindra bashkëpunëtorë e korrespndentë vullnetarë, e arriti 1 shtatorin 2011, pra jubileun e 50-vjetorit të krijimit të gazetës së dashur “Mësuesi”, botim i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Lec Zadeja dëshironte të ishte edhe në përvjetorë të tjerë, por fatkeqësisht u nda nga jeta, në ditët e para të marsit të vitit 2012, kur afrohej “Dita e Mësuesit”, Festa e Arsimit Kombëtar Shqiptar.
(Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues – Tiranë, 6 mars 2016)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

GRAFOMANIA

GRAFOMANIA  PIKËPAMJE (Intervistë me vetveten) Met Rexhepi Le ta nisi për gjuhën. Çfarë gjuhe përdorim sot në komunikimin…