(Prishtinë, Gusht 2012) – Jakup Krasniqit i pëlqen fort dialogu. Ai ka shumë qejf të dialogojë, për çkado qoftë (bile edhe për vetë dialogun), me këdo qoftë – për të dialogu është vlerë në vetvete. I rehatuar në kolltukun e tij, larg nga problemet ekzistenciale me të cilat përballen njerëzit e zakonshëm, kundër ndonjë individi në pushtet thjesht sa për t’ia rritur vlerën vetes, e merr mundin nganjëherë ta lëshoj ndonjë margaritar sa për t’u bërë lajm e objekt i muhabeteve të çarshisë, pa i shqetësuar kundërshtarët as gëzuar ndokë. Jakupi nuk ka shokë, ai ka partnerë dhe bashkëpunëtorë. Jakupi nuk ka armiq, ai ka kundërshtarë politikë. Nuk dashuron as nuk urren, e kuptoni, krejt është brenda lojës, pa vërtetësi. Qenia e tij është dialogu.
Megjithëse dikujt mund t’i duket që Jakupi është një politikan pragmatist, nga ata që dinë të masin e të llogarisin, me deklarimet e tij Jakupi na e dëshmon saktësisht të kundërtën. Ja çfarë thotë ai në një intervistë dhënë të përditshmes “Epoka e Re”: “Kosova ka njerëz që mund të bisedojnë me Serbinë dhe pa u frikësuar se gabojnë… bisedimet nuk janë problem pse do të mbahen, çështja është se si do të bisedohet, çka do të bisedohet dhe sa do të jemi të përgatitur”. Për Krasniqin nuk ka kurrfarë lidhje se po bëhet fjalë për bisedime me një shtet që nuk na e njeh shtetin, me një shtet që na e mban një pjesë të territorit të okupuar, se bisedimet po zhvillohen madje duke e mirëkuptuar këtë qëndrim të Serbisë nga faktorët ndërkombëtarë. Për Krasniqin nuk janë problem bisedimet me Serbinë, por kush, si dhe çka do të bisedohet, duke tentuar kështu ta bëjë një ndarje kontradiktore të paqenë midis dialogut dhe njerëzve që marrin pjesë aty. Në fakt, ata që po marrin pjesë në dialog janë po ata që e kanë krijuar situatën për dialog, kanë krijuar premisat prej nga vijnë edhe përfundimet e mundshme të dialogut.
Jakup Krasniqi: “Kosova është ndërtuar si shtet mbi bazën e konceptit qytetar…”.
…………………………………………..
Është ky kryeministër që e bëri ndërhyrjen e papërgjegjshme, avanturiere e cila i forcoi strukturat paralele, ngriti barrikadat që sot e kësaj dite nuk po hiqen, ndërhyrje kjo që e dogji edhe parafytyrimin e një ndërhyrjeje të vërtetë e gjithpërfshirëse në funksion të integrimit të veriut të vendit. Kemi po ashtu një proces paraprak të bisedimeve që Kosovës ia hoqën një sërë atributesh shtetërore, ndërkaq Serbisë kjo i ndihmoi në hapjen e dyerve nga Bashkimi Evropian, por edhe solli në pushtet koalicionin fashist Daçiç – Nikoliq. Janë këto zhvillime të njëpasnjëshme, ky gradualitet që po na sjell tek një kalim cilësor – dialogu për vetë veriun e vendit. Nga gjithë këto zhvillime, Krasniqi pret që nja dy persona që do të futeshin brenda dialogut do të rrënonin gjithçka. Krasniqi me këtë rast dëshiron ta ndajë procesin nga rezultati. Krasniqi si historian që është e ka një botëkuptim johistorik mbi subjektin që do të mund të bënte mrekulli. Ai beson tek superheroi i filmave të Hollywood-it.
Një shkarje tjetër e Jakupit është edhe deklarimi i tij mbi vlerat qytetare. Ai thotë: “ Kosova është ndërtuar si shtet mbi bazën e konceptit qytetar…”. Kosova në fakt, duke pasur Planin e Ahtisaarit mbi Kushtetutën, njësi themelore e ka komunitetin, pra bashkësinë etnike. Çfarë po ndodh me bisedimet e ardhshme për veriun është zgjerim i këtij koncepti diferencues, koncept ky që si i tillë ndërtohet mbi dallimet për t’i mirëmbajtur e zgjeruar ato. Pra, kontradikta themelore nuk qëndron midis Planit të Ahtisaarit dhe rezultatit që do të prodhojë dialogu, por midis çfarëdo dialogu me Serbinë në kushtet aktuale dhe sovranitetit të plotë që s’ka si të vijë përmes dialogut me Serbinë.
Për Krasniqin, bisedimet duhet nisur, ato janë vlerë në vetvete. Për të me rëndësi është që të bëhemi bashkë, qoftë edhe për ndarjen. Nuk ka rëndësi nëse bëhemi bashkë për interesin tonë apo për të tjerët, duhet nisur bisedimet sepse ashtu po na thonë miqtë ndërkombëtarë!? Koncepti i tij mbi politikën është ai i tufës që udhëhiqet nga bariu. Mirëpo, ne jemi për bashkësinë politike, ne duhet të jemi për bashkësinë politike, nëse me gjithëmend duam Republikë.
Zgjim Hyseni – Prishtinë, 15 gusht 2012