DHIMBJA E MITRUSH KUTELIT NË LETRËN DREJTUAR GRUAS SË TIJ!

Pashtriku.org, 6 maj 2017: (Një mësim për politikanët e sotëm!) – Shkrimtari, përkthyesi dhe ekonomisti ynë i shquar, Mitrush Kuteli (13.09.1907 – 4.05.1967) në letrën e fundit drejtuar bashkëshortes së tij – e cila mund të ishte manifesti politik-ekonomik i secilit politikan që synon të jetë i Ri – shkruante:
“Ne u bashkuam, rrojtmë, dhe bëmë fëmijë në vjete stuhie: burg, urbanizëm, hotel. Po atëhere kisha shëndet dhe i kapërxeva të gjitha. Tani, ti e di… I di ditët e netet e mija. Sëmundjet dhe brengat më brehnë, më hëngërn. Unë e shoh tani vdekjen si një lirim nga dhembjet. Nuk e dua, po nuk e largoj dot. E shoh se afrohet, më çik.
Më vjen keq se do t’i le fëmijët të vegjël, pa krah, mbase në vobekësi të madhe, në pamundësi për t’u arritur synimeve. Pensioni im nuk do të mjaftojë. S’kam “vjete shërbimi”. Domosdo, 22 vjet jashtë. Edhe atje kam punuar sa jam shuar, por këta vjete pune nuk peshojnë për efekt pensioni. Fati im i keq, fati i tyre i keq.
Ndofta, pas vdekjes, kur të pushojnë pasionet dhe urrejtjet, shteti ynë mund t’ju ndihmojë për hir të punës sime së kaluar: në gazetari dhe letërsi, që në moshë të njomë, dhe sidomos në fushën ekonomike. Një pjesë të shkrimeve të mija – shqip dhe rumanisht – janë aty, në Bibliotekën Kombëtare.
Disa njerëz i dinë përpjekjet e mija kundër kapitalit italian, kundër grabitjeve gjermane. Kam punuar pa interes vetiak, bile kundër interesit vetiak.

Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mund të bëhej vetëm me dy mjete: me vjedhje (ka njëmijë e një mënyra vjedhjeje dhe unë s’kam përdorur asnjërën) dhe me trathëti, duke u shërbyer të huajve për të grabitur vendin dhe duke marrë para për këtë shërbim. Zgjodha rrugën e kundërt: luftën kundër atyre që donin të grabisnin, atyre që grabisnin.
Nuk i ndala dot të tëra, jo se s’desha, jo se kisha interes, po se s’munda. Kaq munda, kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave.
Nuk zgjodha kurrë udhën e rehatit vetiak, udhën e “urtë e butë e lugën plot”. Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë. Tani jeta shkoi, nuk kthehet dot, nuk ndreqet dot.
Të kam treguar se gjermanët do të më varnin përpara bashkisë, kur muarr vesh se kisha sabotuar nxjerrjen e monedhës së re që donin të bënin. Më shpëtoi fati.
Nuk do të skuqem kurrë nga turpi as me veprimin tim në ditët e para të çlirimit. Punova si i marrë, luftova kundër grabitjeve jugosllave. Aq më fort nuk mund të skuqem nga turpi për veprimtarinë time praktike-në fushën ekonomike-në Rumani. Edhe atje kundër gjermanëve.
Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë “popuj mbi popuj” ose “të mëdhenj mbi të vegjël”, por “popuj përkrah popujsh”. Ky parim ka ushqyer në mënyrë të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, automatikisht, veprimtarinë time.
Kam qënë kundër rusëve sepse ata mbajnë nënvete dhe shkombëtarizojnë popuj të tjerë; kundër gjermanëve sepse kanë shfrytëzuar dhe zhdukur popuj të tjerë, kundër anglezëve për të njëjtën arësye. Biri i një populli të vogël nuk mund të bënte ndryshe. Në Rumani kam luftuar, aq sa mund të luftojë një njeri i vogël, kundër shfrytëzimit të kapitalit vëndas dhe të huaj.
Këtë qëndrim kam pasur edhe kur isha drejtor banke. Një nga pasojet e para ka qënë një “skedë e zezë” në aparatin gjerman të Vjenës, më 1940-41. Për këtë “skedë të zezë” ardhi e më foli dikush në bankë: “Ç’po bën kështu? Nuk e di ç‘të pret? Pse kundërshton që vëndin e kapitalit çifut ta zerë kapitali mik gjerman?”
Unë di një gjë: kapitali s’mund të jetë kurrë mik, po vetëm kapital. Ay ushqehet me fitime, mbahet me fitime, rron për fitime. Dhe fitimet s’kanë kurrë të mbaruar. Njëja kërkon të bëhet dy, dyja katër, katra tetë, mija dhjetë mijë, milioni qindmilion e kështu me radhë. Në dëm të njerëzve, të popujve. Si ish drejtor tri bankash (gjithnjë i varfër) di se fitimi i vjetër nuk ngopet me fitim të ri, siç nuk ngopet deti me ujë.
Do të më njohë dhe do të më kuptojë dikush, të paktën pas vdekjes? Nuk di. Desha të më kuptonte dhe njihte jo për nder e lavdi, po që fëmijët e mij-të cilëve u le trashëgim punën dhe ëndrat e mijatë mos vuajnë për bukë sa janë të vegjël, të ndjekin studimet dhe të gjejnë udhën e tyre në jetë.”

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura