Pashtriku.org, 23 maj 2017: Fjala e Prof.dr. Ahmet Kamberi (*) në varrimin e Prof. dr. Elez Selimit.
Ndarja nga shoku im i ngushtë.
Të dashur pjestarë të familjes,
Të nderuar të afërm, miq, shokë, dashamirës të profesor Elezit!
Janë çaste të dhimbshme dhe reflektimi për të gjithë ne që jemi mbledhur sot këtu,për tu ndarë fizikisht nga një bashkëshort dhe baba i shtrenjtë, nga një shok shumë i dashur, nga një njeri fisnik,nga një njeridashës i madh, nga një mjek i shquar, nga një pedagog i mrekullueshëm, nga një themelues i Pneumologjisë shqiptare, nga i çmuari Profesor doktor Elez Selimi.
– Dr.Elez Selimi –
Ai e jetoi jetën e tij jo si një njeri i zakonshëm. Ai punoi deri sa mbylli sytë, për ta përdorur jetën e tij, jo vetëm për veten e vet.Ai i dha asaj një kuptim të veçantë, duke e vënë plotësisht në shërbim dhe të mirë të familjes së tij, të farefisit, të vendlindjes së tij të dashur, Pukës,të njerëzve në nevojë, të studentëve, të zhvillimit të mjekësisë moderne shqiptare, veçanërisht të pneumologjisë, të kërkimit shkencor e të mësimdhënjes. Ai pati zotësinë ta gjente kohën e nevojshme për të gjitha këto. Ai jetoi më shumë për të tjerët sesa për veten e vet.
Por edhe të tjerët ia njohën këto cilësi, ia çmuan dhe ia kthyen në respekt e dashuri. Bashkëshortja e tij, Yllka, dy vajzat e tij të mrekullueshme, vëllezërit ,por edhe tërë farefisi, u kujdesën për të në mënyrë shëmbullore. Pacientët e tij të shumtë i shprehën mirënjohje dhe e mbajtën në gojë emrin e tij. Presidenti i Republikës i akordoi dekoratën e lartë “ Mjeshtër i Madh”, Puka e tij e dashur dhe Fush-Arrësi e nderuan me titullin “Qytetar Nderi”
Por unë dua të theksoj, se për familjen e vet, për ne shokët e tij, për kolegët e studentët e tij, për të sëmurët të cilëve u shërbeu dhe, për këdo që e njohu nga afër, ai u nda fizikisht,dhe kjo është e natyrshme në një çast të caktuar për njerëzit, por ai do të mbetet përgjithmonë midis tyre, sepse në kujtesën e tyre ka lënë optimizmin e tij të pashoq, përkushtimin deri në vetmohim për të ndihmuar të tjerët dhe këmbënguljen për të bërë më të mirën.
Prandaj, prehu i qetë Elez,se jeta jote qe një jetë e lavdrueshme.
Lamtumirë , i dashur shok.
Ahmet Kamberi.
Tiranë, më 5 maj 2017.
*) Prof.dr. Ahmet Kamberi, figurë e shquar e kardiologjisë dhe e mjeksisë shqiptare.