SHINASI RAMA: PROJEKTI I SHPËRBËRJES SË KOMBIT SHQIPTAR DHE RRUGËT E VLLAVRASJES!

New York, 22 tetor 2017: Ka një plan të qartë dhe të padyshueshëm për shpërbërjen e kombit shqiptar në shtetin shqiptar. Ky plan ndiqet me konsistencë në shtatë drejtime kryesore. Qëllimi është shpërbërja e shqiptarëve si komb dhe transformimi i tyre në skllevër të parisë oligarkike bizantino-jeniçere dhe të pronarëve të saj të sindikatës ndërkombëtare të krimit.
Së pari, ka një luftë të paparë ndaj çdo gjëje që është kombëtare dhe shqiptare në nivel të kombit e të shtetit. Identiteti dhe historia sulmohen e shtrembërohen me qëllim dhe në të gjithë mënyrat e mundshme. Lufta kryesore është e drejtuar në mbajtjen gjallë të disa interpretimeve artificiale dhe të anshme të identitetit shqiptar. Sundimi osman, Skenderbeu, lidhja me Perëndimin, gjendja e shqiptarëve nën atë perandori, roli i territorit historik, i gjuhës, dhe i kulturës e me radhë deri tek roli i figurave dhe individëve gjatë Luftës së Dytë Botërore janë çështje që nuk lihen të shuhen e të heshtin. Përmes një aparati ç’edukues dhe degjenerues të arsimit, por edhe përmes veglave të tyre të ashtuquajtura intelektuale, dhe mediave kjo luftë po zhvillohet me një intensitet të paparë dhe me një këmbëngulje që tregon qartazi se nuk është vetëm një luftë për të vërtetën por për synime të tjera që vijnë në zbatim mbas shpërbërjes së shqiptarëve si komb dhe transformimit të tyre në skllevër.
Së dyti, ka një luftë të hapur në drejtim të degjenerimit të qëllimtë moral të shqiptarëve si qënie shoqërore, d.m.th. si qytetarë me turp e moral në një shoqëri normale. Nëpërmjet mediave të fuqishme dhe bllokuese, moslejimit të asnjë interpretimit tjetër dhe promovimit të pandalshëm të një mendësie që i sheh kudo shqiptarët si kriminelë, vrasës, të paedukuar, të paqytetëruar, arrivistë, trafikantë, shpërndarës droge, prostituta, mashtrues, dhe si një komb të përshtatshëm për llumin e shoqërive njerëzore. Qëllimi është njerëzit të mos kenë asnjë respekt për veten e tyre, për kombin dhe për familjet e tyre. Duke qënë se kjo lloj mendësie ka disa breza që po kultivohet, ajo ka zënë rrënjë dhe tashmë po mbisundon jo vetëm në mediat e shkruara dhe vizive por edhe në mendësinë e shumë njerëzve.
Së treti, ndasitë fetare dhe krahinore po thellohen e po ndahen me qëllim. Ka gati 30 vjet që u lejuan bashkësitë fetare të kthehen në jetën shoqërore. Jo vtëm aq. Me një gatishmëri të dyshimtë, sundimtarët e shqiptarëve i kanë shtyrë bashkësitë fetare që të bëhen parësore në identitetin e njerëzve. Përfundimi logjik është që mbas pak viteve një shqiptar musliman do të ndihet më shumë turk se shqiptar, një shqiptar ortodoks do të ndihet më shumë grek se shqiptar, dhe një shqiptar katolik do të ndihet më shumë Italian se shqiptar, dhe një evangjelist do të ndihet më shumë i huaj se shqiptar. Nga këtu është vetëm një hap drejt përplasjes që ndodhi në Siri dhe sado e dhimbshme që është për ta thënë, jemi vetëm shumë pak larg përplasjes fetare dhe krahinore.
Së katërti, ka një përpjekje shumë të qartë për të ndarë shqiptarët në struktura jo vetëm të bashkësive fetare por edhe krahinore. Gegnia dhe Toskëria tashmë janë po aq të ndara sa në vitin 1817. Kjo ndasi, megjithatë shihet në ndarjen që po ndodh në mes të shqiptarëve që jetojnë në Kosovë dhe në Maqedoni dhe të atyre që jetojnë në shtetin shqiptar. Një palë janë kombëtarsitë dhe këta brenda kufinjve nuk janë e nuk ndjehen shqiptarë.
Së pesti, çarja e madhe në nivelin e shteteve dhe të politikave po bëhet me shumë se një fakt i përplasjes së parive. Sundimtarët e Tiranës, shumica Toskë, shumica Bizantinë dhe Jeniçerë të riorganizuar në struktura okulte, e shohin dhe konsiderojnë vetën si të ndryshëm nga shqiptarët. Jo vetëm aq, por ata e shohin veten edhe si superiorë. Me kohë, kjo sjellje kriminale po çon e do të çojë në kundërvënien e një shteti ndaj tjetrit.
Së gjashti, ka një përpjekje intensive, e mbështetur dhe nga të huajt që të shpërbëhet kombi shqiptar duke përdorur çdo mjet. Të huajt dhe sidomos europianët por edhe fqinjët e turqit, nuk e durojnë dot një shtet shqiptar kombëtar. Megjithatë, si askund tjetër, agjenda e shpërbërjes së një kombi, të shqiptarëve, po ndiqet me kaq konsistencë. Me pakica të deklaruara apo të supozuara si 300000 grekë, 250000 vllehë, 100000 bullgarë, 250000 romë, gabelë e magjypë, 30000 malazezë, por edhe serbë, turq, italianë e me radhë së shpejti do të pyetet se kush është shqiptar?! I kujt është shteti??? Me një million shtetas joshqiptarë, shteti është shumëkombësh e jo shqiptar. Që nga fillimi i kësaj jave, tani edhe televizioni shtetëror do të transmetojë në pesë gjuhët e minoriteteve. Së shpejti, bashkësitë do të kenë gjuhën e tyre në shkolla, librat, subvencionet, strukturat dhe partitë politike. Në fakt i kanë të gjitha që tani.
Së shtati, paria politike sunduese nuk ka kenë ndonjëherë me frymë shqiptare dhe tashmë e tregon edhe fytyrën e vet dhe interesat e veta haptazi dhe pa bezdi. Por transformimi i saj në një strukturë në shërbim të interesave kozmopolitane si dhe shitja e hapur e shtetit, e kombit shqiptar, e nderit dhe e dinjitetit të tij, e pasurive dhe e vlerave, shitja e të ardhmes dhe lënia peng me borxhet e me radhë është më shumë se një akt kriminal. Këta me qëllim i kanë transformuar shqiptarët në mafiozë e banditë, trafikantë e kontrabandistë rritës droge e krimi. Sepse këta e kanë bërë këtë degjenerim me ndërgjegje dhe vetëm në emër të pasurimit të tyre. Shqiptar është ai që sillet si shqiptar, dhe punon për të mirën e shqiptarëve. Këta nxënës të zellshëm të djallit, pasardhës çobenësh e kusarësh duan që të krijojnë ferrin ku vetë ndjehen mirë.
***
Në më pak se një brez, do t’ia arrijnë qëllimit. Sepse si duken bathët, shqiptarët do të shpërbëhen si komb dhe atëherë riorganizimi do të ndodhë sipas njërit nga katër drejtimet e mundshme.
Së pari, kjo pari kriminale kozmopolitane, në shërbim të interesave joshqiptare dhe të sindikatës ndërkombëtare të krimit do të mundohet të shtrijë influencën e saj dhe të kontrollojë edhe shoqëritë e tjera shqiptare për të zbatuar gjithkund të njëjtin projekt antishqiptar. Sot këtë po e bën përmes tentakulave organizative mirëpo ato janë të pabesueshëm dhe të diskredituara pse kanë punuar për të gjithë pushtuesit. Vetëm me ndihmën e të huajve mund t’ia dalë mirëpo nuk ka gjasa që shqiptarët jashtë kufinjve të ndjekin këtë rrugë edhe për shumë kohë. Dikur njerëzve iu del edhe marrëzia.
Së dyti, është ndërtimi i pesë kantoneve me bazë fetare dhe krahinore dhe kulturore: në Gegni, Malësia me katolikë, dhe Verilindja me sunitë. Në Jug, një kanton jeniçer dhe një bizantin dhe në qendër një kanton Durrës-Tiranë ku paria sundon vetë. Duke i vënë shqiptarët kundër njëri tjetrit, ajo mbetet gjithnjë në pushtet. Kjo ka gjasa që të ndodhë më së shumti por do të jetë edhe një ndarje më shumë me shqiptarët jashtë kufinjve.
Së treti është ndërtimi i një sistemi miletësh, sipas modelit osman dhe tani të disa shteteve që sheh një grup të caktuar si qytetarë të dorës së parë dhe të tjerët si bashkësi të caktuara fetare por si qytetarë të dorës së dytë e të tretë. Në shtetin shqiptar, qytetarë të dorës së parë do të jenë pjestarët e oligarkisë financiare dhe politike bizantino-jeniçere të parisë së Tiranës. Të tjerët do të kënë mundësi që të drejtohen nga priftët, popat, mullahët, dhe pastorët e tyre në këtë shtet të frymëzuar nga mendësia e djallit.
Së katërti, është një mundësi që kur të mos shohin zgjidhje tjetër, sepse dikur mbarojnë paratë, besimi, influenca, respekti, lidhjet e me radhë, këta ti vënë minat dhe ti fusin shqiptarët në vllavrasje. Të gjitha kushtet janë plotësuar për një vllavrasje të tillë. Identitetet janë mpiksur, interesat janë ndërtuar që të ketë përplasje, dhe strukturat janë duke i fryrë zjarrit të sherrit e të vllavrasjes.
Dhe mbas secilit variant, është llogaritur që atij vendi dhe atij kombi do ti dalin të zotët e pronarët e vërtetë. Dhe vetëm shqiptarët nuk do të jenë. Natyrisht në se nuk ndërrojnë rrugë dhe nuk bëjnë atë që duhet, si duhet, me shumë kujdes dhe me mençuri. Mirëpo pa u vetëdijësuar se cili është projekti dhe pse duan ti bëjnë skllevër, si e kam thënë kaq herë dhe do ta them sa të kem frymë, nuk do të mund të ketë shpëtim për asnjërin. Vetëm zgjimi, vetëdijësimi dhe organizimi janë zgjidhja që na duhet. Për më shumë lexoni Manifesti Politik i Bleta Shqiptare të cilin mund ta shkarkoni edhe këtu:
http://bletashqiptare.org/wp-content/uploads/2017/01/Broshura-ok-2-1.pdf
***
Zgjohuni, vetëdijësohuni dhe organizohuni. Nuk ka zgjidhje të menjëhershme, por ka zgjidhje të domosdoshme. Dhe e vetmja zgjidhje që ne kemi e cila na shërben është që të bëjmë shtet-kombin tonë duke e prerë degën e kalbur dhe duke kërkuar një fillim të ri për të dalë nga fundi i këtij ferri ku na kanë katandisur ata që na duan skllevër e prind skllevërish, sepse skllevërit nuk kanë komb, nuk kanë shtet, e nuk kanë as nder e as dinjitet.

Paria oligarkike bizantino-jeniçere e Shqipërisë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura