UK LUSHI: PASHMANGSHMËRIA E TË (PA)PARASHIKUESHMES NË HISTORI

(New York, 15. 10. 2012) – Një popull i emancipuar nuk duhet të lejojë disa personalitete antihistorike të luajnë rulet me të tashmen dhe, aq më pak, me të ardhmen e tij. Historia është liri dhe tentim permanent i vullnetit të lirë të njëmendësohet. Vullneti padyshim që duhet të jetë i gatshëm edhe për të papriturën dhe të paparashikueshmen.
Rregulli nr. 1: E paparashikueshmja ndodh gjithmonë. Nuk është kurrë e mundshme të profetizosh çdo gjë.
Rregulli nr. 2: Të ndodhurit e asaj që planifikohet të ndodhë nuk është alternativë e paalternativë. Qeverisja respektivisht sundimi i njerëzve janë të sigurta vetëm përderisa kihet parasysh postulati që gjith’herë ngjan e pritshmja. Por, kur kuptohet që validiteti i postulatit të tillë nuk është i përjetshëm, Rregulli nr. 1 gjith’sesi mbizotëron dhe realiteti duket cullak.
Rregulli nr. 3: Liria, vullneti dhe drejtësia nuk mund të rrënjosen nga përjashta individëve, por as nuk mund t’u merren njerëzve me dhunë.
Rregulli nr. 4: Historia gjithmonë befason. Para pak më shumë se një gjysmë qindvjeçari, shqiptarët, të ndarë nëpër disa shtete ballkanike, ishin kruspullosur nën rëndesën e tmerrshme të monizmit dhe mosmundësisë së komunikimit. Lufta e Ftohtë midis shteteve të Përëndimit dhe atyre të Lindjes dukej eternale. Atëbotë, kush do të kishte denjuar të imagjinonte që shqiptarët një ditë jo të largët do të jetonin në sisteme pluraliste dhe do të (ri)fillonin shërimin dhe ngjizjen e indeve të tyre si grup njerëzor, mund të ishte vlerësuar të kishte probleme mendore!

…………………………………………..

Në vitin 1988 ndofta askush nuk mund të parashikonte se me 1989 popujt e Europës Lindore do të dilnin masivisht në rrugë dhe do të shpërbënin një superfuqi si BRSS-ja. Apo një kopje të keqe të saj, si RSFJ-ja.
Në dhjetor të vitit 1990 Tirana do të dyndej nga Lëvizja e Dhjetorit, që e donte popullin shqiptar si krejt popujt europianë. Njëkohshëm me vëllezërit dhe motrat e tyre në kryeqytetin e RPSSH-së, shqiptarët nën RSFJ do të hidhnin hapat e parë të një rezistence stoike dhe, afër një dekadë më vonë, të një lufte çlirimtare heroike.
Ndërsa shumë popuj të rruzullit po lundronin drejt limaneve të lirisë së tyre, SHBA-ja, superfuqia e vetme e mbetur, në rastin e RSFJ-së po luhatej: herë duke këmbëngulur për integritetin e Jugosllavisë, herë duke qëndruar prapa vullnetit të popujve të saj për jetë të pavarur. Kështu është politika – asnjëherë një vijë lineare dhe e vizatuar drejt.
Mirëpo, as politika e as politikanët nuk e bëjnë historinë. Politika është arti, i cili e kornizon sjelljen njerëzore. Politika, përkundër pretendimeve, megjithatë nuk mund të shtyhet me historinë.
Politika është një supermarket me një duzinë raftesh, në të cilat i shet produktet e veta dhe aq. Në inventarin e politikës gjenden shumë artikuj, ambalazhi i të cilave shpeshherë është më cilësor se artefaktet që i mbështjell. Politika sa mund të jetë fisnike, po aq mund të jetë edhe e korruptueshme.
Historia, për dallim prej politikës, determinohet vetëm nga tri variabla: vullneti njerëzor, mundësia e përjetësimit të atij vullneti në varshmëri të kushteve si dhe probabiliteti i ndodhjes së të papriturës – gjegjësisht të paparashikueshmes. Pra, që historia të mos shkaktojë tërmet duhet që të mos shkilet Rregulli nr. 3. Fatkeqësisht, sot, kudo jetojnë shqiptarët në Ballkan, ka kundërvajtje drastike të këtij Rregulli dhe për rezultat frikë që historia dhe politika janë nisur për t’u përplasur me njëra-tjetrën.
Dy analogji krahasuese. E para: me 1985 asnjë gjerman nuk besonte që Gjermania Përendimore do të bashkohej me Gjermaninë Lindore. Me 1990 u bë një Gjermani. E dyta: në vitin 2010, asnjë ekspert në gjeopolitikë nuk kishte parashikuar që në vitin 2011 qytetarët e Tunizisë do të kryengriteshin dhe do ta rrëzonin regjimin qeveritar që po u merrte frymën duke mos e kuptuar që historia është më shumë e tashmja se e kaluara. Për më çuditshëm, asnjë specialist, as nga rajoni e as nga zyret e mobiluara me shije të mijëra Think Tanks apo Agjensive për Studimin e Ardhmënisë, nuk kishte bërë prognozë që dy Gjermanitë do të ribashkoheshin dhe në fakt do të nisnin procesin e afrimit të krejt kontinentit europian apo që revolta tuniziane do të ndizte zjarrin e ndryshimeve jo vetëm në Tunizi, por në krejt Lindjen e Mesme.
Shqiptarët nuk do të duhej të rrisin probabilitin e ndodhjes së të panjohurës. Megjithëkëtë disa politikanë shqiptarë, veçanërisht prej fillimit të shekullit XXI, janë duke i kthyer krahët interesit shqiptar dhe për më keq janë duke kontribuar në ngritjen e probabilitetit të paparashikueshmërisë së ngjarjeve. Këta politikanë duke krijuar sisteme keqqeverisjeje dhe duke braktisur idealet tona origjinale janë duke u pozicionuar në anën e kundërt të vullnetit historik shqiptar. Por, ata duhet ta kuptojnë që nëse kujtojnë se mund t’i shkaktojnë disfatë historisë, duhet sëpari të përfytyrojnë burgjet dhe varret që kanë mbajtur apo ende mbajnë kërmën e personaliteteve kundërhistorike. Historia i rrëzon të gjithë ata që duken të paprekshëm dhe të pamposhtur dhe që pacipërisht përdhunojnë besimin njerëzor dhe fuqinë që e jep pushteti.
Historia venerohet si e kaluar, por, në të vërtetë, historia është sjellja individuale dhe kolektive e qenieve njerëzore në raport me veten dhe botën. Historia është e tashmja, e cila nuk mund të anashkalohet. Historia përgatitet nën sipërfaqen e të tashmes më shumë se mbi sipërfaqe. Qetësia e syprinës gjithherë prishet nga trazimet e tërsëlluara të thellësisë, jo anasjelltas.
Pse e pritshmja ndodh, kjo nuk do të thotë që e papritshmja nuk ndodh gjithashtu. Dallimi është që e pritshmja zakonisht sjell më shumë shans, ndërkaq e papritshmja, përpos shansit si yang, me vete sjell edhe rrezikun si ying. “Historia është filozofi e mësimdhënies nëpërmjet shembullit, por gjithashtu edhe nëpërmjet paralajmërimit.” – shkruan Lordi Henry St. John Bolingbroke.
Të gjithë ata që injorojmë Rregullat nr. 1, 2 dhe 3, nuk do të duhej të habiteshim në qoftë se (pa)befasisht në jetët tona do t’na shfaqet Rregulli nr. 4.
Një popull i emancipuar nuk duhet të lejojë disa personalitete antihistorike të luajnë rulet me të tashmen dhe, aq më pak, me të ardhmen e tij. Historia është liri dhe tentim permanent i vullnetit të lirë të njëmendësohet. Vullneti padyshim që duhet të jetë i gatshëm edhe për të papriturën dhe të paparashikueshmen.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura