Kukës, 19 dhjetor 2018:
Vera Istrefaj: Cikël poetik – Dehje në bardhësi
***
Mbi barkën e dhimbjes
nisa unë mendimet,
këtij dimri acar
me shpresën e vrarë
Kristali i zi
thyhet mbi liqen,
shpresa sërisht vjen
Vozit shpresa barkën
tok dhimbjet e mia,
nën akull të zi
mbeti veç lakmia
***
Në pikë loti, trëndafil,
më ka mbetur dhimbja e shkretë,
e prej dhimbjes mbi pistil
nuk po ulet asnjë bletë
Herë pikë loti, herë pikë vese
rreze dielli, rreze shprese,
drithërimë e ofshamë shpirti
qetësi zemra kurrë s’më diti
Rrjedh damarësh dhimbje e shpresë
loti im, lule mbi vesë,
në krahë zogu mbeti qetësia
turbulencë e netëve të mia
***
Pishë e vogël gjelbërore
si princeshë ndër ballkone,
nën mantelin bardhësi
dehem unë e dehesh ti
Na deh ajri akulluar
dhe veshtirimi mjegulluar,
zogjtë sot s’paskan hare
kemi mbetur vetëm ne
Pishë e vogël nën dritare
nis vallëzo me fjolla bore,
zemra ime në dihatje
dhimbjen e ka zënë për dore
______________________
KUSH ËSHTË VERA ISTREFAJ
Vera Istrefaj është lindur në Kukës më 1 nëntor 1975. Që në vegjëli ka botuar vjersha dhe skica në shtypin e kohës.
Në vitin 1991 është paraqitur në një Almanak të krijuesve me 76 poezi dhe me një skicë.
Që prej asaj kohe ka botuar herë pas here brenda dhe jashtë Shqipërisë në shumë media të shkruara. Ka qenë pjesëmarrëse në shumë konkurse letrare ku edhe është nderuar me çmime.
Ka botuar librat:
“Shiu i fundit”,
“Nënqeshja e ëmbël”,
“Në akuj digjem”,
“U jepem udhëve”,
“Qielli I shpirtit tim”,
“Vese shpirti” dhe
“Lirikat e Pikellimes”
Është juriste në profesion dhe është aktiviste e shoqërisë civile, avokate e të drejtave të njeriut me nje eksperiencë 20- vjeçare.
Është koordinatore e rrjetit “Barazi në vendimmarje” për Qarkun Kukës.
Në vitin 2009 është nderuar me “Mirënjohje për kontributin e dhënë në komunitet” dhe është përzgjedhur një ndër 10 personat më aktivë në rang kombëtar.
Është e martuar dhe është nënë e dy djemve. Punon e jeton në Kukës, ku është kryetare e “Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve të Shqiperise” – Dega Kukës.
______________
VERA ISTREFAJ: CIKËL ME POEZI – SI GJETHE MBI DRI
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=8234